Protesta, Meta kërkon të dëgjohet mesazhi

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë sot në një aktivitet të zhvilluar nga një universitet privat ku dha dhe një mesazh për politikën në tërësi dhe për qeverinë në veçanti. Duke iu referuar protestave të studentëve ai tha se është e domosdoshme që të krijohet një klimë e re e dëgjimit të njëri –tjetrit.

 “Është e domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike. Duhet të jemi gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht.

Protestat e drejta të studentëve gjatë dhjetorit të kaluar treguan se zbatimi i ligjit aktual të Arsimit të Lartë ka probleme dhe vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të duhur për një funksionim më të mirë dhe më cilësor e më të aksesueshëm të universiteteve publike. Njëkohësisht edhe përsa i takon përfshirjes së duhur edhe të studentëve në organet përfaqësuese dhe administrative.

Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe njëkohësisht të përdorimit dhe menaxhimit të burimeve të brendshme njerëzore dhe financiare të universiteteve në mënyrë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika.

Infrastruktura dhe hapësirat universitare janë shumë të rëndësishme. Ato duhet të jenë pjesë integruese e universiteteve dhe kampuseve dhe të kthehen në qendra të gjalla në shërbim të studentëve e në mjedise gjithëpërfshirëse edukuese, shkencore, kulturore e sportive.

Si pasuri shumë e rëndësishme të universiteteve publike ato nuk duhet të ngushtohen, por të zgjerohen më tej e të modernizohen në dobi të studentëve, pedagogëve dhe të aktivitetit të tyre shkencor.

Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet një detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës.

Është shumë e rëndësishme që mes stafit akademik, pedagogëve dhe studentëve në universitetet tona të vendoset një dialog i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i bazuar në respektin e ndërsjelltë në dobi të cilësisë së mësimdhënies.

E kemi të domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike, duke qenë gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht.

Jam shumë i shqetësuar nga fakti që pjesa dërrmuese e të rinjve tanë, e po kështu edhe të studentëve, ende dëshirojnë të largohen nga vendi.

Kjo sjell jo vetëm probleme demografike, por në radhë të parë sociale e familjare, madje edhe kombëtare. Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune, që plotësojnë pritshmëritë e tyre dhe që zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme ekonominë e vendit.”- u shpreh Presidenti Meta.

Duket se ky mesazh lidhet edhe me protestat e opozitës, njëra prej të cilave pritet të zhvillohet nesër në Tiranë.

“Kjo gjë nuk i takon Presidentit”. Xhaçka i përgjigjet Metës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur nga Rinasi për vendimin që ushtria të garantojë sigurinë e aeroportit, ku edhe i ka kthyer përgjigje presidentit, Ilir Meta.

Sipas saj presidenti i Republikës do të marrë informacionin e duhur, por vendimi nuk është në kompetencën e tij.

Në deklaratën e saj, Xhaçka ka sqaruar se nuk jemi në gjendje lufte, por për shkak se konçensionari nuk garanton dot sigurinë e aeroportit, që është një objekt i rëndësisë së veçantë, këtë gjë do ta bëjë ushtria.

“Kam ardhur në komandën e Forcave të Armatosura për të marrë informacion dhe për të parë gjërat që po planifikohen deri në masat përfundimtare që do marrë kompania koncensionare. Nuk ka dislokim trupash, nuk kemi luftë, nuk kemi as emergjencë, kemi cënim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së veçantë. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioriteti  ynë është sigurimi i qytetarëve”, tha Xhaçka.

“Asesi kjo gjë nuk i takon Presidentit, kompetencat i ka dikush tjetër. Jemi këtu për të parë zbatimin e Ligjit”, sqaroi ministrja.

Pak më parë presidenti Meta i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA se ku është bazuar në kushtetutë vendimi për ruajtjen e aeroportit me forca ushtarake.

Gazi lotsjellës tek Bregu i Lumit, Meta: Çnjerëzor dhe jo ligjor

Në një reagim zyrtar për mediat, presidenti Meta ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj banorëve tek Bregu i Lumit duke akuzuar autoritetet për një sjellje aspak njerëzore dhe ligjore.

Reagimi i Plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta e ka ndjekur me shumë shqetësim situatën konfliktuale të dy ditëve të fundit të krijuar në Tiranë për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve publike për prishjen e banesave, me qëllim realizimin e projektit të zgjatimit të Bulevardit të Ri, në zonën e quajtur “Bregu i Lumit”.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar, Presidenti Meta shprehet shumë i shqetësuar mbi sjelljen e autoriteteve publike për të ndërhyrë përtej çdo lloj logjike njerëzore, si dhe për përdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në banesa në mënyrën brutale dhe aspak profesionale.

Përzgjedhja e kohës së ndërhyrjes për të nxjerrë qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe mënyra e veprimit, duket një logjikë jo shtetërore, por tinzare dhe nuk reflekton asnjë mbështetje ligjore.

Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre është një akt i papranueshëm.

Presidenti i Republikës, i bën thirrje autoriteteve publike, Bashkisë Tiranë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, IKMT, IMT të Bashkisë Tiranë, që :

Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duhen domosdoshmërish të mbrohen;

Të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për shpronësimin për interes publik, të të gjithë personave që preken nga ky projekt, si të atyre që gëzojnë një çertifikatë pronësie, por edhe të atyre që nuk kanë mundur të ligjërojnë dot banesat e ndërtuara edhe pse janë aty prej më se 20-vitesh;

Presidenti i Republikës, vlerëson se realizimi i këtij projekti urban të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, nuk duhet të pengohet dhe as të vonohet, por vënia në zbatim e tij, nuk duhet të shkatërrojë të ardhmen dhe jetën e shtresave më të pamundura të shoqërisë;

Institucionet publike duhet të angazhohen për ta zgjidhur ligjërisht problemin dhe nëse një akt nënligjor që rregullon gjendjen nuk ekziston, ai mund të krijohet dhe të vihet në zbatim. Kjo është detyra primare e qeverisë, që brenda parashikimeve të ligjit dhe në respektim të parimeve, të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese, duhet të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe për interesin publik në tërësi;

Qeveria dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë vullnet për zgjidhjen e këtij konflikti. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre dhe nga konflikti që ka lindur rezulton se kërkesat e tyre nuk janë trajtuar në themel as nga Bashkia Tiranë dhe as nga Qeveria.

Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre pasi janë aty prej më se 20 vitesh dhe shteti edhe pse e njeh gjendjen prej vitesh, nuk mundet t’i trajtojë ata si zaptues, pasi çdokush meriton të drejtën për të patur një strehë dhe për të rritur fëmijët e tij si gjithë të tjerët.

Qeveria në raste të ngjashme dhe identike me këtë rast, kur ka patur vullnet, ka mbajtur qëndrime pozitive përgjatë viteve 2011, 2012, 2015 në zbatimin e disa projekteve të infrastrukturës rrugore, të tilla si zgjatimi i Bulevardit Zogu I (pjesa parë), pjesa tjetër e Unazës së Madhe (segmenti Pallati me Shigjeta-Kopshti Zoologjik), si dhe Unaza hyrëse e qytetit të Vlorës. Në mungesë të kuadrit ligjor për rregullimin e çështjeve të shpronësimit të objekteve të palegalizuara që prekeshin, qeveria ka ndërhyrë duke nxjerrë akte nënligjore dhe duke i trajtuar me respekt e humanizëm banorët që janë dëmtuar nga realizimi i këtyre projekteve respektivisht: me VKM nr.563/2011, VKM nr.560/2012, VKM nr. 133/2015. Trajtimi i ndryshëm që i bëhet banorëve sot, tregon shenja të dukshme diskriminimi dhe njëanshmërie, që duket se kanë prodhuar këtë konfikt brutal të shtetit me qytetarët e tij.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, është një, pavarësisht se kush është forca politike që drejton dhe ajo duhet t’i trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë. Qeveria duhet të garantojë qytetarët e prekur nga realizimi i projekteve publike, të kenë mundësi të rifillojnë jetën e tyre me sa më pak dhimbje dhe kosto, që vijnë për shkak të humbjes së banesës së tyre.

Për këto arsye, Presidenti i Republikës, i kërkon:

Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit;

Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë;

Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës ;

Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur.

Shqipëria me tjetër detyrë në OSBE

“Shqipëria do të kryesojë OSBE-në në 2020”, ky është lajmi i mirë që presidenti Ilir Meta ndau me të gjithë shqiptarët pas takimit të tij me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Meta tha se kjo është një përgjegjësi e madhe për vendin dhe një moment për të reflektuar vlerat më të mira gjatë kryesimit të saj.

“Takim shumë konstruktiv me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm të saj, Roberto Montella. Kryesimi i radhës i OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020 është përgjegjësi dhe arritje e madhe. Shqipëria duhet të reflektojë dhe përfaqësojë vlerat dhe parimet më të mira të OSBE. Kemi besim te mbështetja dhe bashkëpunimi i Asamblesë Parlamentare të OSBE.” – ka shkruar Meta

Meta, kritika qeverisë për gjendjen e romëve

Presidenti Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të romëve ka adresuar kritika ndaj qeverisë për gjendjen e këtij komuniteti. Meta shkruan në facebook se ky komunitet ende nuk është integruar në shoqërinë shqiptare dhe mungon mbështetja e institucioneve.

“Edhe këtë vit, 8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, e gjen këtë komunitet jo të mirëintegruar në shoqërinë shqiptare. Arsimimi, strehimi, punësimi e përkrahja sociale mbeten ende sfida reale, që romët nuk mund t’i kapërcejnë pa mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë. Me emocion kujtoj takimin e pak javëve më parë në Korçë me disa nëna rome, të cilat më shprehën një mori problemesh, që jam i bindur se i kanë edhe shumë nga romët e Shqipërisë. Kërkesat miniminaliste dhe shqetësimet e tyre, ishin tronditëse për një shoqëri të këtij shekulli. Pa shumë premtime e nisma që mbesin në letër, mos humbet më kohë për të ndryshuar vërtet situatën e rëndë sociale dhe ekonomike të komunitetit rom”, shkruan presidenti Meta në facebook.

Skip to toolbar