Protesta, Meta kërkon të dëgjohet mesazhi

Më të fundit


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë sot në një aktivitet të zhvilluar nga një universitet privat ku dha dhe një mesazh për politikën në tërësi dhe për qeverinë në veçanti. Duke iu referuar protestave të studentëve ai tha se është e domosdoshme që të krijohet një klimë e re e dëgjimit të njëri –tjetrit.

 “Është e domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, në mjediset universitare e shoqërore dhe politike. Duhet të jemi gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht.


Protestat e drejta të studentëve gjatë dhjetorit të kaluar treguan se zbatimi i ligjit aktual të Arsimit të Lartë ka probleme dhe vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të duhur për një funksionim më të mirë dhe më cilësor e më të aksesueshëm të universiteteve publike. Njëkohësisht edhe përsa i takon përfshirjes së duhur edhe të studentëve në organet përfaqësuese dhe administrative.

Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe njëkohësisht të përdorimit dhe menaxhimit të burimeve të brendshme njerëzore dhe financiare të universiteteve në mënyrë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika.

Infrastruktura dhe hapësirat universitare janë shumë të rëndësishme. Ato duhet të jenë pjesë integruese e universiteteve dhe kampuseve dhe të kthehen në qendra të gjalla në shërbim të studentëve e në mjedise gjithëpërfshirëse edukuese, shkencore, kulturore e sportive.

Si pasuri shumë e rëndësishme të universiteteve publike ato nuk duhet të ngushtohen, por të zgjerohen më tej e të modernizohen në dobi të studentëve, pedagogëve dhe të aktivitetit të tyre shkencor.

Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet një detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës.

Është shumë e rëndësishme që mes stafit akademik, pedagogëve dhe studentëve në universitetet tona të vendoset një dialog i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i bazuar në respektin e ndërsjelltë në dobi të cilësisë së mësimdhënies.

E kemi të domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike, duke qenë gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht.

Jam shumë i shqetësuar nga fakti që pjesa dërrmuese e të rinjve tanë, e po kështu edhe të studentëve, ende dëshirojnë të largohen nga vendi.

Kjo sjell jo vetëm probleme demografike, por në radhë të parë sociale e familjare, madje edhe kombëtare. Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune, që plotësojnë pritshmëritë e tyre dhe që zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme ekonominë e vendit.”- u shpreh Presidenti Meta.

Duket se ky mesazh lidhet edhe me protestat e opozitës, njëra prej të cilave pritet të zhvillohet nesër në Tiranë.




Skip to toolbar