Ilir Meta shpërndau të martën një shkrim, (të revistës Monitor.al.) ku flitej për rrezikun e shpopullimit të Shqipërisë, ku sipas medias në fjalë, OKB kishte një projeksion se në Shqipëri do të mbeten vetëm 500 mijë shqiptarë në vitin 2100. Ndërkohë, në komentin e tij, Ilir Meta e quante “rrezik rus” këtë gjë. “Kambanat e alarmit po bien! Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit! Kjo është sfida më madhore që kërkon urgjent dialog, zgjidhje, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët! 9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani! Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë”, shkruante Meta.
Lidhur me këtë shkrim, reagoi zyrtarish Instituti Kombëtar i Statistikave. Së pari, INSTAT shpjegon se nuk mund të bëhen përllogaritje të numrave për migracionin, pasi është një fenomen dinamik. Kështu, INSTAT jep një shembull, duke marrë harkun kohor të vitit 2011-2018. Sipas INSTAT, numrat e emigrantëve (atyre që ikin) dhe imigrantëve (atyre që kthehen) gjatë këtyre viteve, nuk mund të mblidhen. Arsyeja lidhet me faktin se potenciali është që një imigrantë (që është kthyer në Shqipëri gjatë vitit 2011) të largohet përsëri gjatë kësaj periudhe. Pra thënë ndryshe, i njëjti person mund të numërohet disa herë.
“Duke qenë se migracioni është një fenomen dinamik, që do të thotë se të larguarit e një viti janë potencial për migracion kthimi gjatë një viti të mëpasshëm, sikundër mund të jenë imigrantët potencial për emigrim sërish në vitet në vijim. Në këtë mënyrë, nuk mund të mblidhen numrat e estimuar të emigrantëve / imigrantëve gjatë viteve, në këtë rast 2011-2018, pasi ky total numëron të njëjtin person disa herë”, thotë INSTAT.
Ndërkohë, INSTAT sqaron se definicioni bazë për llogaritjen e popullsisë banuese është ai i “Vendbanuesit të Zakonshëm”. “Vendbanuesit e zakonshëm janë të gjithë personat të cilët janë banues të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre”, thotë INSTAT. Më tej, Instituti i Statistikave jep dhe të dhënat e lëvizjes së popullsisë (emigrantët dhe imigrantët) për harkun kohor nga viti 2011 deri në vitin 2018. INSTAT thotë se gjatë vitit 2018 emigracioni ka pasur trend rënës, në krahasim me një vit më parë. Po në trend rënës ka qenë dhe imigracioni (të kthyerit në Shqipëri). Ndërkohë, migracioni neto (të ardhurit dhe të ikurit), në vitin 2015 ishte -20.600 persona, ndërsa në vitin 2018 kjo shifër ishte -15030 persona. Pra duke reflektuar një trend rënës nga viti 2015 deri në vitin 2018.
“Numri i Emigrantëve në vitin 2018 është 38.703 duke përsuar një rënie me 3 % krahasuar me një vit më parë. Po të shikojmë trendin gjatë periudhës 2011-2018 numri i emigrantëve ka pësuar rënie. Po të krahasojmë numrin e emigrantëve në vitetet 2011 viti i censusit të fundit të popullisë me vitin 2018, rezulton se ka një rënie të këtij numri me 30%. Nga ana tjetër, numri i imigrantëve (shqiptarë që kthehen ne vend) në vitin 2018 është 23.673 banorë, duke pësuar një rënie me 5,3 % krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës 2011-2015, numri i imigrantëve ka pësuar rënie dhe në vitin 2015 kemi numrin më të ulët të imigrantëve. Në vitet 2016 dhe 2017 numri i imigrantëve ka pësuar rritje vjetore me 10,6% dhe 8,4%.
Në vitin 2015, migracioni neto (të ardhurit – të ikurit) ka qenë -20.600, ndërkohë në vitin 2018 kjo shifër ka rënë në -15.030, duke reflektuar një trend rënës gjatë gjithë këtyre viteve. INSTAT përdor metoda indirekte për llogaritjen e stokut të migracionit ndërsa për vlerësimin e flukseve vjetore përdoren module specifike në anketat pranë familjeve. Këto module janë të mirë konceptuar dhe ndërtohen bazuar në definicionin e Vendbanues i zakonshëm në mënyrë që të mund të vlerësohet numri i emigrantëve dhe imigrantëve në një vit të caktuar”, thuhet në njoftimin e INSTAT.
Pak kohë më parë, Realstory.al, publikoi një shkrim të titullar “E vërteta e shpopullimit tonë. Si do të ndryshojë popullsia e Shqipërisë?”, ku citonte një studim dhe projeksion të bërë nga “Balkaninsight”, për trendin e shpopullimit në rajonin e Bllkanit dhe Europën Juglindore. Nga studimi rezultonte se Shqipëria ishte në pozita shumë herë më të mira, se sa shumë vende që aktualisht janë anëtare të Bashkimit Europian. Madje, shtete si; Bullgaria, Kroacia apo Rumania, do të kenë nga -22 përqind deri në afër 40 përqind më pak popullsi në vitin 2050 në krahasim me vitin 1989, kur këto vende ndosheshin nën regjimet komuniste. Ndërsa Shqipëria, po për të njëjtën periudhë, pra në vitin 2050, parashikohet të ketë më -18 përqind më pak popullsi në krahasim me vitin 1989, kur ndodhej ende në sistemin diktatorial dhe nuk kishte ndodhur eksodi masiv pas hapjes së kufijëve. /Realstory.al/