Protestat nuk pengojnë turistët e huaj, por largojnë shqiptarët

EKONOMI


Protestat e këtij viti duket se nuk i kanë frikësuar vizitorët e huaj, pasi sipas INSTAT Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga të huajt, por njëkohësisht është rritur edhe numri i shqiptarëve që dalin jashtë vendit. Shqetësimi për protestat është ngritur më parë nga operatorët turistikë, të cilët janë shprehur se protestat e dhunshme të muajve të fundit kanë shkaktuar shqetësim te turistët e huaj dhe disa prej tyre kanë anuluar prenotimet. Megjithatë, kjo nuk vihet re në shifrat e INSTAT.

Sipas shifrave zyrtare, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në katërmujorin e parë të vitit 2019 është 1.105.087, duke u rritur me 7,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në katërmujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri janë Gjermania, e cila ka pasur rritje me 21.3%, Spanja me 27%, SHBA me 28.3% dhe Zvicra, që ka pasur rritjen më të madhe me 29,5 %.


Hyrje-daljet e shtetasve shqiptare dhe te huaj ne Shqiperi

Ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 6,4 %. Megjithatë, sipas shifrave të Kosovës, Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, sidomos për pushimet verore, ku vërehet se ka rritje të kërkesës nga ana e shtetasve të Kosovës. Ndërsa kërkesa për turizëm në Shqipëri mbetet e qëndrueshme nga vendet e tjera fqinjë. Shtetasit nga Italia rezultojnë 8.9% më të shumë në numër se sa në katërmujorin e parë të vitit 2018. Gjithashtu vizitorët nga Maqedonia u rritën me 7%. Polakët vijojë të kenë një kërkesë të lartë edhe pse ende nuk është sezoni i plazhit. Në katërmujorin e parë, numri i polakëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 12%.

Nga ana tjetër, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Prill 2019, janë 854.355, duke shënuar një rritje me 5,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse daljet vetëm për shtetasit shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2019, janë 469.788. Krahasuar me Prill 2018, ky numër është rritur 4,1 %.

Por,  ndryshe nga sa rezultojnë shifrat në rritje për të huajt që vizitojnë Shqipërinë, e kundërta ndodh me shqiptarët, të cilët kanë rritur ndjeshëm numrin e daljeve nga territori i vendit tonë në 4 mujorin e parë të vitit 2019. Sipas shifrave të INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë në katërmujorin e parë është 1,719,591, duke u rritur 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, ky numër ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe mund të mos ketë ndikuar drejtpërdrejt klima politike në vend.




Skip to toolbar