Shifrat e frikshme të 2019: një i vdekur nëpër rrugë, çdo dy ditë

AKTUALITET


Rastësisht në ditën, kur afër Elbasanit vdiqën katër persona në një aksident rrugor, ku u përfshinë tre automjete, Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat zyrtare për aksidentet e ndodhura në tetëmujorin e këtij viti. Tetëmujori i këtij viti ka pasur 11.6% aksidente më pak se një vit më parë. Konkretisht, deri në gusht të këtij viti, në vendin tonë kanë ndodhur 1.014 aksidente, ndërkohë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndodhën 1.147 aksidente. Gjatë muajit gusht të këtij viti, janë përfshirë në aksidente 230 persona, nga 268 që kishte në të njëjtën periudhë më parë. Ulje, por modeste, ndërkohë që numri i viktimave mbetet i lartë.

Numri i të aksidentuarve në tetëmujorin e vitit 2019, është 1.418 persona nga 1.547 persona, duke u ulur me 8,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në muajin Gusht 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 22 persona nga 27 persona të vdekur në Gusht 2018. Në tetëmujorin e 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 137 persona nga 143 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por kjo pak ka ndryshuar mesataren e frikshme: edhe këtë vit, në aksidente ka humbur jetën nëpër rrugë një person çdo dy ditë. Në muajin Gusht 2019, aksidentet rrugore, në 81,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.


Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 34,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshë janë ulur me 3,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore, në 14,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 38,5 %, krahasuar me një vit më parë.




Skip to toolbar