Mero Baze: Prioritetet e ndryshme të “fitimtarëve” dhe SHBA, për Kosovën

Nga Mero Baze

Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë në javën e fundit të dështimit të mundshëm të formimit të qeverisë, së dal nga zgjedhjet e 6 tetorit, por kjo duket se nuk është fare shqetësim i SHBA .

I dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump  për Negociatat e Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ambasadori Richard Grenell, ka shpallur prioritet jo aq shumë arritjen e Marrëveshjes Kurti-Mustafa, por arritjen e Marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pas takimeve në Kosovë dhe Beograd, Ambasadori Grenell, ka kërkuar që Serbia të ndal betejën kundër njohjes së Kosovës, kurse Kosova të heq taksën për Serbinë, si hapa që çojnë drejt krijimit të klimës për mbylljen e Marrëveshjes.

Injorimi i negociatve të lodhshme të “fitimtarëve” të Kosovës në zgjedhjet e fundit, dhe imponimi për tu angazhuar në Marrëveshjes Kosovë-Serbi si një kusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës, nga ana e të dërguarit të Presidentit Trump, tregon prioritetet e ndryshme të klasës politike në Kosovë me ato të SHBA për Kosovën.

Qysh në fushatën e zgjedhjeve të 6 Tetorit, ajo që binte në sy, ishte se asnjë nga politikanët e Kosovës, nuk e bëri temë të debatit politik në zgjedhje, Marrveshjen Kosovë-Serbi. Përkundër kësaj pati një fushatë populiste kundër saj, që pasoi taksën e qeverisë Haradinaj, që paraqitej si “shpëtim” i Kosovës në emër të patriotizimit.

Në fakt taksa 100 për qind, u vendos si mekanizëm politik për të ndërprerë bisedimet Kosovë-Serbi që po udhëhiqeshin nga SHBA dhe për tu përdorur për luftë të brendëshme politike, duke rikthyer retorikën e tradhtarëve dhe heronjve. Për ta bërë dhe më të lehtë betejën për një armik kombëtar, u erdhi në ndihmë Edi Rama, i cili i plotësonte të gjitha kushtet formale si i tillë , pasi është  i gjatë sa Vuçiç, është në luftë me “patriotët” Meta-Berisha  dhe kish zëvendësuar Ditmirin me Gentin.

Kjo ishte dëshmia e parë e një fushate frikacakësh, që duke tentuar ti shmangen problemit kryesor të Kosovës, shpikën realitete të tjera për opinionin publik, për të mos u përballur me të vërtetën që i priste si sfidë.

Edhe më e papërgjegjshme u bë kjo situatë pas zgjedhjeve. Në negociatat thuajse të neveritshme prej 6 tetorit deri më sot, në asnjë rresht dhe në asnjë paragraf të kushtëzimeve ndaj njeri tjetrit, Isa Mustafa dhe Albin Kurti nuk kanë përmendur prioritetin kryesor të Kosovës, që janë bisedimet me Serbinë, të cilat kushtëzojnë të ardhmen perëndimore të Kosovës. Është folur për numra ministrash, për karrigen e ardhshme të Pesidentit, për votim dhe dorëheqje kryetarësh Kuvendi, janë ndarë agjensi, e janë rindarë ministri, por askush nuk ka folur çfarë do të bëjnë me temën e pare, me të cilën do të ndeshet qeveria e re, nëse a arrin të bëhet.

Dhe kjo është shumë e papërgjegjshme, pasi praktikisht nëse dy partnerët kryesore nuk kanë një qëndrim të përbashëkt për bisedimet, atëhere qeveria lind e vdekur dhe nuk i duhet askujt. Nga mënyra se si i dërguari i Presidentit Trump u soll në selitë respektive të LDK dhe VV sot, kuptohet se e ka konstatuar këtë problem dhe i ka injoruar tërësisht negociatat e tyre për qeverinë, duke shpallur prioritet normalizimin e të ardhmes perëndimore dhe ekonomike të Kosovës.

“Njerëzit e dinë që një gjë e tillë duhet të ndodhë, por disa politikanë janë bllokuar në mënyrën e tyre të vjetër të menduarit dhe duan të debatojnë për gjithçka”, tha Grenell pas vizitës në Prishtinë.

Dhe kjo do të thotë se vizita e të dërguarit të Presidentit Trump në Prishtinë, praktikisht ka injoruar negociatat për një qeveri që nuk i hyn në punë. Ai ka diktuar prioritetet, përse duhet të formohet një qeveri e re, dhe ato prioritete, janë zhvillimi ekonomik i Kosovës që vjen nga tejkalimi i ngërçit të izolimit prej mungesës së një marrëveshje për paqen me Serbinë.

Kosovën do ta shpëtojë ajo qeveri që ka guximin e mjaftueshëm të ketë axhendën e SHBA si axhendë të vet. Çdo qeveri tjetër, vetëm sa e degradon jo vetëm të ardhmen perëndimore të Kosovës, por dhe vet mbijetesën e saj. Fatekqësisht në emër të “patriotizmit”.

“Merre ose lëre, do të thotë lëre”. Kurti: Unë Kryeministër, por s`kam ende qeveri

Albin Kurti iu drejtua qytetarëve të Kosovës me një video mesazh mëngjesin e të hënës, ku i njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje i kërkonte Hashim Thaçit mandatimin e tij për Kryeministër të Kosovës. Kurti, u shpreh i keqardhur që kërkesa për t`u mandatuar si Kryeministër, dërgohej ende pa pasur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Propozimin për Kryeministër kemi dashur ta dërgojmë te Presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në konstituimin e Parlamentit shkova pa asnjë marrëveshje, edhe në 6 janar te Presidenti shkova pa asnjë marrëveshje. Dhe tani dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi një marrëveshje. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë për Kryeministër”, u shpreh Kurti.

Më tej, ai tregoi se Vetëvendosja nuk ka pranuar një propozim të fundit të LDK-së për koalicionin. Megjithatë, ndonëse nuk jep detaje lidhur me propozimin, Albin Kurt ii bën thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës të rikthehet në tryezën e bisedimeve për të diskutuar. Sipas tij, qasja e LDK-së, “se takohemi ditën e mandatimit, pra qasja “merre ose lëre”, do të thotë lëre”, shprehet Kurti.

“Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së. Por jemi treguar të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave të tjera që do të ishin të pranueshme për të dy palët. Ata s`e kanë pranuar propozimin tonë të fundit. Qëndrimi që takohemi vetëm në ceremoninë e dakordimit, pra qasja “merre ose lëre”, do të thotë lëre. Unë besoj se e kemi detyrim të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët”, tha Albin Kurti. Ndërkohë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ftoi Albin Kurtin në orën 12:00 të marrë mandatin e Kryeministrit.

“Jo më takime koti”, LDK jep ofertën e fundit për LVV

Krijimi i qeverisë së re në Kosovë është ende në ujëra të turbullta, ku dy partitë, Vetëvendosja dhe LDK, takohen, paraqesin ofertat e tyre, por nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të krijuar koalicionin qeverisës. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, 5 ministrive dhe presidentit dhe se Vetëvendosja duhet të shqyrtojë ofertën e tyre të fundit për të arritur një marrëveshje ku dhe do të përcaktohet nëse do të ketë një koalicion qeverisës mes tyre apo jo.

“Ne nuk kemi hyrë ta vlerësojmë atë që na ka shkruar Vetëvendosje, sepse nëse e trajtojmë në organet tona trajtohen vetëm parimet mbi të cilat ne vazhdojmë të bëjmë biseda, në asnjë rast nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, ndryshim, këmbim të ministrive, por kemi kërkuar marrëveshje të partneritetit, prandaj si të tillë nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë, por i trajtojmë qëndrimet tona. Se a mbetet LDK edhe më tutje pranë qëndrimin se të ketë kryeparlamentarin, të ketë zotimin për presidentin e vendin dhe të ketë 5 ministri. Ose nuk mbetet, qëndrimi ka qenë ky se ne duhet të kemi këto pozita. Çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa marrjen e verifikimit të organeve tona”, tha ai.

Mustafa tha se nuk do të takohen më me Vetëvendosjen vetëm për të mbajtur takime 3 orëshe dhe në fund të mos kenë asgjë për t’u ofruar qytetarëve, por takimi i radhës do të jetë vetëm për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Kreu i LKD-së, Mustafa tha se nuk do të bëjë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje, nëse nuk është marrëveshje partneriteti, ku të dy palët do të ndiheshin të fuqishme.

“Nuk shoh arsye që të ulemi dhe të flasim për tre orë dhe të dalim si memecë pranë jush, mos kemi çka t’iu themi juve dhe qytetarëve. Shoh arsye që takimi i ardhshëm të bëhet vetëm për të arritur deri te marrëveshja. Së pari të sqaroj që ne nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje nëse nuk është marrëveshje partneriteti, në të cilën dy palët do të ndiheshin të fuqishëm për aq sa kanë marrë besimin e qytetareve të Kosovës. Në këto biseda ne e kemi dhënë pozicionin e saj për mënyrën se si të përafrohemi dhe gjejmë zgjidhje, pa marrë parasysh si e cilësojmë në si zgjidhje politike, si ofertë ose si bazë për arritje të marrëveshjes, ato kanë qenë qëllime të tona dhe kemi pritur se LVV do t’i mirëpret në mënyrë që vendi të ketë zgjidhje nga zgjedhjet”, tha Mustafa.

S’ka marrëveshje, Mustafa pas takimit me Kurtin: Do takohemi nesër

Takimi i nisur që prej orës 16:00 mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa ka përfunduar pa asnjë marrëveshje qeverisëse. Pas takimit, Mustafa ka folur shkurt për mediat duke thënë se ende nuk ka një marrëveshje për koalicion qeverisës, por që takimet do të vijojnë ditën e nesërme më 8 janar.

“Nuk jam i hidhëruar me Albin Kurtin, do të takohemi sërish nesër” ka qenë gjithçka që ka thënë Mustafa.

Takimi mes tyre ndodhi një ditë pasi Albin Kurti i bëri sërish thirrje LDK të gjenin mënyrën për të krijuar koalicionin qeverisës. Çështja e postit të presidentit është ajo që ndan dy palët dhe 3 muajsh pas zgjedhjeve vendi vijon të jetë ende pa qeveri. Në seancën e konstituimit të Kuvendit dy partitë shkuan pa marrëveshje, ndërsa Vetëvendosje zgjodhi kryetarin e Kuvendit me votat e LDK-së.

Tashmë Kurti i ka bërë propozimet e tij për postet ministrore, ndërsa ka kërkuar nga Mustafa që ta bëjë të njëjtën gjë duke i lënë bosh postet që janë menduar t’i marrë LDK. Një ditë më herët më 6 janar, Kurti u takua me presidentin Thaçi, i cili i vendosi atij një afat prej 48 orësh për të sjellë emrin e kryeministrit dhe mandatuar qeverinë e re.

LDK i përgjigjet Kurtit: Të vazhdojmë bisedimet

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme të vazhdojë bisedimet me Vetëvendosjen për krijimin e institucioneve të reja dhe arritjen e një marrëveshje qeverisëse. Në njoftimin e dhënë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së LDK, thuhet se kjo forcë politike mbetet e angazhuar për krijimin e një pushteti të balancuar dhe përgjegjësive të përbashkëta, ndërsa thekson se duhet të implementohet rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe të krijohen institucionet e reja. Gjithashtu LDK i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojnë mbi bazën e barazisë që të ndajnë pushtetet mes vete.

“LDK konsideron se partia qё ka dalё e para i takon përgjegjësia pёr tё themeluar institucionet. Shprehim edhe njё herё shpreh gatishmërinë qё tё vijojmё bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazёn e mirëbesimit dhe tё partneritetit.

LDK vlerëson se pushtetet e balancuara dhe pёrgjegjёsitё e përbashkëta janë jetike për funksionimin e koalicionit tё mundshёm, si dhe pёr funksionimin demokratik tё institucioneve. LDK-ja  fton Lëvizjen Vetëvendosje qё tё reflektoj mbi bazën e këtij parimi, nё bazё tё tё cilit edhe ёshtё ndërtuar qëndrimi i LDK lidhur me ndarjen e pushteteve dhe balancin ndërmjet tyre”, shkruhet në njoftimin e LDK.

Më herët kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se është në pritje të arritjes së një marrëveshje me LDK në mënyrë që të krijojnë një partneritet qeverisës, ndërsa beri publik edhe emrat e ministrave që do i përkasin Vetëvendosjes, duke lënë bosh ato që i përkasin LDK-së.

Mustafa reagon pas Kurtit: Dështoi strategjia jote, ne jemi gati për negociata

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa reagoi mbrëmjen e të mërkurës pas deklaratës së liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, se negociatat për koalicion qeverisës dështuan. Sipas Isa Mustafës, negociatat nuk kanë dështuar, por ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, thotë Mustafa.

Isa Mustafa këmbëngul se LDK-ja ka fituar pothuajse të njëjat vota me VV, ndaj sipas tij, pushteti duhet të jetë i balancuar. “Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit”, shprehet Mustafa.

Mustafa shprehet se mesazhi i Kurtit drejtuar qytetarëve, në fakt ishte për LDK-në. Ai shprehet se këtë mesazh e ka të qartë. Isa Mustafa thotë se Albin Kurti tregoi të mërkurën se është fati të mbështesë kandidatin e LDK për President të Kosovës, vetëm për të marrë më shumë përfitime në qeveri.

“Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e Kosovës. Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë”.

“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore”.

“Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet. E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë të parit, ashtu si dhe përgjegjësi për të gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, mbyllet mesazhi i Isa Mustafës.

Mustafa do takojë Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se do të takohet me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Mustafa shprehet se në 6 tetor u ndëshkuan ata që qeverisën keq, ndërsa tani do të vijohet aty ku u la para zgjedhjeve, pra nisjen e negociatave për koalicionin paszgjedhor me Vetëvendosjen.

“Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq. Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave. Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, shkruan Isa Mustafa.

Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u arrit, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për çështjen e Kryeministrit. Lidhja Demokratike erdhi me kandidaten për Kryeministre Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosja me kryetarin e saj Albin Kurti. Megjithatë, Koordinatori i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, deklaroi të hënën në “Real Story”, se në diskutimet para fushatës elektorale ishte deklaruar se “partia që do të ketë shumicën e votave në zgjedhje, do të ketë dhe Kryeministrin”.

Deri më tani, me rezultatin paraprak të zgjedhjeve në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është para LDK-së me vota, ndërsa Albin Kurti e tha prerë natën e shpalljes së fitores, se “unë do të jem Kryeministër”, megjithatë, i bëri ftesë publike LDK-së për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Ndërsa të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rrëzoi tre kërkesat e partive politike, LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim të votave në Kosovë. Ndërkohë, Arbër Zaimi, në studion e “Real Story”, u shpreh se Vetëvendosja nuk negocion tre pozicione të rëndësishme, veç Kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, Financave dhe atë të Punëve të Brendshme.

Vjosa Osmani “pengesa” e koalicionit LDK-VV, Kurti i jep zgjidhjen Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur publikisht synimin për të bërë koalicion së bashku për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, por ajo që i ndan është posti i kryeministrit. LDK-ja ka zgjedhur si të tillë Vjosa Osmanin ndërsa Vetëvendosja e Albin Kurtit ka shprehur rezerva për këtë vendim pasi e ka konsideruar në një farë mënyrë sit ë nxituar dhe të pakonsultuar duke qenë se partitë e tyre janë në diskutime.

As LDK dhe as VV nuk pranojnë të tërhiqen nga marrja e kreut të ekzekutivit në rast se fitojnë zgjedhjet, por Albin Kurti i ka propozuar së fundmi një marrëveshje Isa Mustafës për të kaluar ngërçin. Përmes një letre dërguar kreut të LDK-së, Isa Mustafës, lideri i VV-së, Albin kurti propozon që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor.

“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm. Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.” shkruhet ndër të tjera në letër.

Kosova voton zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, dhe 30 gushti, të premten në mesnatë, është afati kushtetues për mbylljen e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore.

Mustafa si Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë të mos hiqet, të vlerësohet mirë nga qeveria e ardhshme

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa u shpreh pro mbajtjes së taksës 100 % ndaj produkteve serbe që kishte vendosur kryeministri në largim Ramush Haradinaj. Gjatë një  intervistë për Zërin e Amerikës, Mustafa tha se taksa nuk mund të hiqet lehtë, ndërkohë që Serbia vijon të ushtrojë masa të tjera “jo tarifore” kundrejt pengimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mustafa madje kritikoi ndërkombëtarët se në drejtim të këtyre pengesave që Serbia nxjerr ndaj Kosovës, ato nuk ushtojnë asnjë presion apo vërejtje.

Kreu i LDK tha se qeveria e re që do të zgjidhet në Kosovë, duhet ta mendojë mirë taksën dhe të mos e heq atë lehtësisht.

Zëri i Amerikës: Qeveria që është në largim është përballur me muaj të tërë me një trysni nga faktori ndërkombëtar për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe. Sipas jush, si duhet të veprojë një qeveri e re që do të dal nga zgjedhjet e ardhshme lidhur me tarifat ndaj mallrave serbe?

Isa Mustafa: Unë mendoj që duhet të vlerësohet mirë çështja e tarifave. Tani nuk është mbetur vetëm çështje ekonomike po është bërë edhe çështje politike karshi levës e kushtëzimit dhe mos kushtëzimit të dialogut. Unë mendoj që ato tarifa nuk mund të hiqen lehtë dhe nuk duhet të hiqen lehtë, sepse ne nuk mund të heqim tarifat përderisa kemi probleme të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Sot qytetarët e Kosovës po presin nga katër orë ose pesë orë në kufij për shkak të masave që ka marr Serbia dhe trajtimit të padrejtë të kufizimit të lëvizjes, të masave jo tarifore që po i merr Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk ka bërë vërejtje edhe nuk ka bërë trysni te Serbia që të sillet ndryshe. Prandaj nuk mund të themi që ne po i heqim tarifat e ju vazhdoni dhe mbani gjashtë orë edhe dhjetë orë qytetarët tanë në kufij edhe merrni masa tjera jo tarifore. Kështu që është çështje mjaft komplekse e cila duhet të trajtohet mirë nga një qeveri e ardhshme e cila duhet të kushtëzohet me zbatimin e krejt marrëveshjeve që janë bërë me Serbinë edhe me sjelljen normale të Serbisë ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj lëvizjes së lirë të mallrave edhe të njerëzve, të themi në këtë hapësirë të Ballkanit perëndimor.

Isa Mustafa rizgjidhet për një mandat tjetër në krye të LDK-së

Isa Mustafaj është zgjedhur për një mandat tjetër në krye të Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ishte i vetmi kandidat për postin e kryetarit të partisë në Kuvendin e nëntë zgjedhor.

Mustafa pas përfundimit të procesit zgjedhor që zgjati rreth dy orë me dyer të mbyllura, tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.

“Në LDK demokracia është më e rëndë se sa në subjekte tjera. Qëllimi i këtij procesi ka qenë që ne ta forcojmë LDK-në, të përfshijmë njerëz të rinj që ndajnë mendime, ide dhe aspirate me LDK-në, ta pasurojmë në pikëpamje gjinore dhe të moshës si dhe të hapim perspektivë për të ardhmen që LDK të qëndrojë e para edhe për qeverisjen e vendit”, tha Mustafa.

Por, Fatmir Sejdiu, ish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, post të cilin e kishte trashëguar nga ish presidenti Ibrahim Rugova, ka shprehur pakënaqësi për Kuvendin e nëntë zgjedhor të LDK-së, pasi nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të kandidonte në garën për kryetar.

“Unë them se me këtë mënyrë të punës, me këtë ngecje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që nuk kanë mundësi për fjalën e lirë, unë nuk i mbështes. Këtë e kemi shenjë të keqe. Kam provuar ditëve të fundit që të kem kontakte me kryetarin e partisë, nënkryetarët rreth asaj për kryetarin konsensual. Unë kam tentuar që të kem përgjigje, por nuk e kamë marrë një të tillë”, ka dekalruar Sejdiu.

Kryetari i rizgjedhur i partisë Isa Mustafa, në fjalimin e tij pas procesit zgjedhor, tha se tani hapi i radhës për LDK-në do të jetë përgatitja për zgjedhjet parlamentare qendrore, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Më herët gjatë ditës Isa Mustafa është uruar nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Skip to toolbar