Vjosa Osmani “pengesa” e koalicionit LDK-VV, Kurti i jep zgjidhjen Mustafës

KOSOVA


Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur publikisht synimin për të bërë koalicion së bashku për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, por ajo që i ndan është posti i kryeministrit. LDK-ja ka zgjedhur si të tillë Vjosa Osmanin ndërsa Vetëvendosja e Albin Kurtit ka shprehur rezerva për këtë vendim pasi e ka konsideruar në një farë mënyrë sit ë nxituar dhe të pakonsultuar duke qenë se partitë e tyre janë në diskutime.

As LDK dhe as VV nuk pranojnë të tërhiqen nga marrja e kreut të ekzekutivit në rast se fitojnë zgjedhjet, por Albin Kurti i ka propozuar së fundmi një marrëveshje Isa Mustafës për të kaluar ngërçin. Përmes një letre dërguar kreut të LDK-së, Isa Mustafës, lideri i VV-së, Albin kurti propozon që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor.


“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm. Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.” shkruhet ndër të tjera në letër.

Kosova voton zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, dhe 30 gushti, të premten në mesnatë, është afati kushtetues për mbylljen e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore.




Skip to toolbar