Basha ‘harron’ krizën, i buzëqeshur në Kavajë

Ndërsa Monika Kryemadhi ka marrë frenat e aksionit opozitar dhe është bërë më aktive në daljet e saj publike për protestën e 8 korrikut, Lulzim Basha duket më i relaksuar krah Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi. Të dy liderët kryesor të PD-së, kanë qenë për një vizitë të paplanifikuar në Kavajë (raporton zyra e shtypit të kësaj partie). Basha dhe Bardhi kanë takuar kryebashkiakun në largim të bashkisë së Kavajës, dhe së bashku me disa simpatizantë kanë ecur në shëtitoren e këtij qyteti, deri sa në fund janë ndalur në një bar. Ajo që të bën përshtypje, është entuziazmi i kreut të PD-së në takimin që ka pasur në Kavajë.

Në njoftimin e PD-së, shkruhej se “Basha është shprehur se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka njohur kthim pas derisa kjo betejë të fitohet. Lideri i opozitës shorehu mirënjohjen për këdo që i është bashkuar kësaj beteje dhe tha se është shumë e rëndësishme që protestës së 8 Korrikut t’i bashkohen sa më shumë shqiptarë nga ata që refuzuan Edi Ramën”, thotë ndër të tjera lajmi i shpërndarë nga PD.

Në krahun tjetër, Monika Kryemadhi ka pasur një ditë të ngarkuar takimesh, telefonatash dhe dalje televizive, ku ndër të tjera u shpreh se “opozita do të dialogojë me Ramën, vetëm si kryetar i PS, jo si Kryeministër”. Ndërkohë, pas kësaj deklarate, Monika bëri një tjetër deklaratë nga takimi që pati me strukturat e LSI, duke e cilësuar Ramën si “armik virtual”. Këto tone të zbutura të Kryemadhit, duket sikur tregojnë se deri të hënën më 8 korrik, PD dhe LSI, do të artikulohen dhe më butë, nën efektin e të “nxehtit” veror, për të gjetur rrugën e dialogut.

Pesë orë nuk shkon njeri për të votuar, mbyllet para kohe një Qendër Votimi në Kavajë

Qendra e Votimit 2160 e KZAZ Nr. 42 Kavajë, është byllur gati 30 minuta para orarit zyrtar të parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Komisionerët e kësaj qendre kanë vendosur me konsensus që të mbyllin para kohe qendrën, pasi sipas tyre, prej 5 orësh nuk ka votuar asnjë person.

“Pritëm 5 orë, asnjë votues nuk erdhi. Atëherë çfarë do të bëja unë? Nuk ka njeri tjetër, janë të gjithë në Itali”, është shprehur një anëtar i kësaj Qendre Votimi.

Qendra e votimit i përket fshatit Synej në Kavajë. Megjithatë, pas këtij vendimi, KZAZ-ja e Kavajës nuk pranuar kutinë e votimit të fshatit Synej, e cila ka mbrritur në ambientet ku do të bëhet numërimi para orarit zyrtar. Në këtë qendër votimi kanë votuar gjithsej 57 votues, nga 100 të regjistruar.

Ky është i vetmi rast në të gjithë vendin, të paktën nga sa raportohet, që një Qendër Votimi të mbyllet para orarit zyrtar. Në fakt, Kodi Zgjedhor parashikon si kohë të mbajtjes së procesit të votimit, si nisje orën 07:00 të mëngjesit dhe kohë  mbylljes ora 19:00.

Kapet në flagrancë duke vjedhur, rezulton autor i rasteve të tjera

Një 32 vjeçar arrestohet në flagrancë në tentativë për të vjedhur një banesë. Pas hetimeve dhe informacioneve të marra, policia e Kavajës ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale O.A., 32 vjeç, i cili u kap na oborrin e banesës së shtetasit Z.M. ku kishte hyrë për të vjedhur.

Pas hetimit nga policia, në fakt rezulton se 32-vjeçari i arrestuar është edhe autor i vjedhjes së 4 banesave të tjera në qytetin e Kavajës.

Këto vjedhje kanë ndodhur gjatë muajit shkurt-qershor 2019 në Kavajë. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.

Sulmi i “opozitës” ndaj KZAZ-ve, burg dhunuesve

Dhuna e ushtruar ditët e fundit mbi disa KZAZ në disa qytetet që drejtohet nga Bashkitë e opozitës kanë çuar në arrestime të disa personave. Gjatë ditës së premte Gjykata e Tropojës ka dhënë masën arrest me burg për 3 militantë të Partisë Demokratike, që sulmuan KZAZ e vendosur në muzeun e qytetit. Gjatë dhunës së ushtruar atje militantët shqyen derën, thyen xhamat dhe dogjën materialet zgjedhore. Për këto akte dhune gjykata ka lënë në burg 3 persona, përkatësisht Amarildo Gecaj, Ndriçim Ndrepepaj dhe Arbër Ulndreaj. Katër protestues të tjerë janë lënë të lirë.

Edhe për dhunën e ushtruar në KZAZ numër 42 në Kavajë, policia ka arrestuar një 41 vjeçar të akuzuar për sulme me sende të forta ndaj efektivëve dhe hedhje të bombave molotov. Bazuar në prova filmime dhe prova të tjera të grumbulluara në lidhje me aktet e dhunës ndaj punonjësve, u bë arrestimi i shtetasit me iniciale E.D., 41 vjeç.

Sakja i ultimatumit, nxjerr zjarrfikësit për të gjuajtur me ujë policët

Kryetari i bashkisë Kavajë, Isa Sakja, ndryshe nga bashkiakët e tjerë demokratë, ka dalë vetë në ball të sulmit ndaj KZAZ-ve. Në shkollën “3 Dëshmorët”, ‘qytetari i parë’ i Kavajës udhëheq një turmë të vogël njerëzish, të cilët pas ‘skadimit të ultimatumit të Sakes’, kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe ujë të lëshuar nga automjetet zjarrfikëse të kësaj bashkie forcat e Policisë së Shtetit që mbron ambientet e shkollës ku ndodhen materialet zgjedhore.

Militant e PD-së, të udhëhequr nga kryebashkiaku demokrat, kanë tentuar të shkatërrojnë gardhin rrethues të shkollës, teksa kanë sulmuar efektivët e policisë. Ndërkohë, policia u është përgjitur me gaz lotsjellës militantëve që kanë tentuar të hyjnë me dhunë në shkollën “3 Dëshmorët”.

Akti më i rëndë i kësaj ngjarje është nxjerrja e punonjësve zjarrfikës, të cilët janë bërë palë me militantët duke i hedhur ujë me presion të lartë forcave të policisë, të cilat ndodheshin në ambientet e shkollës. Ky është një tjetër akt i paprecedent i kundërvënies së forcave zjarrfikëse kundër atyre të Policisë së Shtetit.

Vodhën disa banesa në Kavajë, arrestohen në flagrancë dy autorët

Policia e Kavajës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Vëzhgimi”, një operacion për parandalimin e vjedhjeve të banesave, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve.

Janë arrestuar në flagrancë dy shtetasit me iniciale N.,R 33 vjeç dhe A.H.,37 vjeç, të dy të dënuar më parë për “Vjedhje”. Dy personat u arrestuan në flagrancë pak pasi hynë për të vjedhur banesën e shtetasit A.M.

Gjatë kontrollit, në makinën e një prej të arrestuarve, përkatësisht shtetasit me iniciale A.H iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lëndë narkotike e ndarë në doza. Dy të arrestuarit janë autorë edhe të 4 vjedhjeve të tjera të banesave të ndodhura gjatë muajit prill në Kavajë. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tjetërsuan pronat në bregdet, burg për 9 ish-zyrtarët

Gjykata e Kavajës ka dhënë një total prej 13.4 vitesh burg për 9 zyrtarët e akuzuar për tjetërsim pronash në plazhin e Spillesë.

Gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit duke dhënë masat:

-Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg

-Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim

-Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim

-Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim

-Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim

-Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim

-Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim

-Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim

-Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

Ish zyrtarët e Hipotekës në Kavajë u akuzuan për tjetërsim të 36 hektarëve tokë shtetërore përmes shit-blerjeve të dyshimta.

Makina përplas nënën dhe vajzën, 3 të vdekur në aksident në Kavajë

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kavajës ku një makinë ka përplasur nënën bashkë me vajzën e saj që ishin duke ecur në trotuar. Si pasojë nëna ka ndërruar jetë në vendngjarje ndërsa vajza e saj 21 vjeçare është në gjendje të rëndë në spital. Ne vendngjarje ka ndërruar jetë edhe pasagjeri në makinë, ndërsa shoferi i saj ka ndërruar jetë sot në mëngjes në spital, duke shënuar kështu 3 viktima në një aksident.

Mbrëmë humbën jetën Lumturie Demrozi 46-vjeç, dhe pasagjeri i makinës që u aksidentua Gentjan Belba 23-vjeç, ndërsa në orët e para të ditës së sotme vdiq në spital shoferi i ‘Benz’-it me targa AA 615 VO, Vilson Cara 24-vjeç, i cili sot festonte 24-vjetorin e lindjes.  Dy të rinjtë kishin marrë makinën me qira dhe po shkonin për të festuar ditën e lindjes së Carës, por aksidenti tragjik u preu jetën në mes. Ndërsa vajza Xh. Demrozi 21-vjeçe ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa mendohet se ka qenë shpejtësia dhe lagështira në rrugë që sollën humbjen e kontrollit dhe daljen e makinës nga rruga.

Shpërndante drogë tek Pedonalia, një i arrestuar

Policia e Kavajës ka bërë të mundur arrestimin e një personi, i cili shiste drogë në sasi të vogla në zonë të ndryshme të qytetit.

Gjatë operacionit të koduar “Pedonalia” arrestohet shtetasi me iniciale N.B,,51 vjeç, lindur në Kavajë.

51 vjeçari u arrestua në flagrancë në një lokal në Pedonalen e qytetit të Kavajës dhe gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu sekuestruan 27 doza kokainë, 740.000 lekë, 1000 euro, dy aparate celulare dhe një automjet që shpërndante lëndën narkotike.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Skandal: Ndalet ndeshja në Kavajë, goditet arbitri anësor (video)

Ajo që duhet të ishte një ndeshje e bukur futbolli, midis dy ekipeve që janë në garë për t`u ngjitur në Superligë, ka degjeneruar në dhunë ndaj arbitrit.

Në takimin e Kategorisë së Parë, mes Besës dhe Bylis, dy ekipet që luftojnë për rikthimin në Superligë, gjithçka ka degjeneruar në dhunë rreth minutës së 75` të ndeshjes.

Kur takimi ishte 0-1 për ekipin e Bylis dhe duheshin 15 minuta për t`a mbyllur takimin, arbitri kryesor merr vendimin për të ndalur ndeshjen. Shkak u bë hedhja e herë pas hershme e sendeve të forta nga tifozët vendas në drejtim të arbitrit anësor.

Ishin rastet e përsëritura të hedhjes së sendeve të forta në drejtim të arbitrit anësor, ato që detyruan kryesorin e takimit, Klajdi Kola, të merrte vendimin për ndalimin e ndeshjes.

Mirëpo nuk mjaftoi kjo, pasi në momentin që arbitrat po dilnin nga fusha në drejtim të dhumave të zhveshjes, situata ka agravuar, teksa tifozët kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta duke goditur arbitrat, rojet e sigurisë private dhe policët, të cilët u futën në fushë për të shoqëruar trupën e arbitrave.

Bylis kaloi në pjesën e parë në avantazh me Beji Anthony, ndërsa Besa dukej e lodhur dhe pa orientim në fushën e lojës. Kjo bëri që tifozët të nervozoheshin dhe të kërkonin përmbysjen, duke krijuar edhe tension.

Pasi ekipet u futën në dhomat e zhveshjes, ndërsa arbitrat dhe delegati i ndeshjes vendosën që të mos riniste takimi. Pas ditë së sotme, Besa rrezikon dënime të ashpra nga Komisioni i Disiplinës Sportive, mes të cilave heqjen e pikëve, dënimin e fushës por dhe uljen e pikëve.


Skip to toolbar