KED përjashton Sekretarin e Kuvendit nga gara për Kryeinspektor. Emrat për Kushtetuesen

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shqyrtuar emrat e kadidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe ato për Gjykatën Kushtetuese.

Përsa i përket postit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, KED ka marrë vendimin për të ndaluar kandidimit e Genci Gjonçajt për këtë post. Genci Gjonçaj aktualisht mban postin e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit. KED nuk e argumenton përjashtimin e tij nga gara por realstory bëri verifikimet dhe rezulton se Gjonçaj nuk ka kaluar ende në sitën e Vettingut dhe ndoshta kjo mund të jetë arsyeja e përjashtimit të tij.

KED në mbledhjen e fundit ka lejuar vazhdimin e garës për Inspektor të Lartë të Drejtësisë për Artur Metanin i cili aktualisht mban postin e Avokatit të Shtetit.

KED sqaron se vendimet për lejimin ose ndalimin e kandidimit të kandidatëve Eris Hysi dhe Klodian Rado për vendin vakant, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës. Ndërkohë që sqaron se argumentet për vendimet do t’i parashtrojnë më vonë të zgjeruara.

Kandidatët në garë për Inspektoriatin e Lartë

1-Artur Malaj (konfirmuar nga KED)

2-Artur Metani (Konfirmuar nga KED)

3-Eris Hysi (në pritje)

4-Genci Gjonçaj (Perjashtohet)

5-Klodian Rado (Ne pritje)

6-Marsida Xhaferllari (Në pritje)

Përsa u përket kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, KED ka lejuar vazhdimin e garës për

Elsa Toska, e cila aktualisht është këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar në detyrë nga Vettingu.

KED ka ndaluar kandidimin për vendet vakante për në Gjykatën Kushtetuese të gjyqtares Valbona Bala. Ajo është ndaluar nga KPK që të ushtrojë profesionin për 15 vitet e ardhshme. “Subjekti i rivlerësimit Valbona Bala (Pajo) nuk mund të emërohet gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, shkruan KPK.

Përjashtohet nga gara gjyqtari Klodian Rado, i cili aktualisht mban postin e ekspertit në misionin ndërkombëtar të  EURALIUS dhe ndoshta arsyeja e ndalimit të garës për të është shmangja e konfliktit të interesit.

KED ka ndaluar garën për Rexhep Bekteshin, gjyqtar i Gjykatës së Durrësit i cili kaloi së fundi procesin e vettingut dhe u konfirmua në detyrë. Nuk dihet arsyeja se pse KED ka marrë vendimin për ndalimin e garës për Bekteshin.

Ndalohet gjithashtu gara për kandidatët Sinan Tafaj, Petrit Kaja dhe Gëzim Allaraj, të cilët rezultojnë se ende nuk janë shqyrtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

1-Arta Vorpsi (konfirmuar nga KED)

2-Besnik Muçi (konfirmuar nga KED)

3-Elsa Toska (Konfirmua nga KED)

4-Gëzim Allaraj (Përjashtuar nga KED)

5-Klodian Rado (Përjashtuar nga KED)

6-Marsida Xhaferrllari (Në pritje)

7-Petrit Kaja (Përjashtuar nga KED)

8-Regleta Panajoti (konfirmuar nga KED)

9-Rexhep Bekteshi (Përjashtuar nga KED)

10-Sinan Tafaj (Përjashtuar nga KED)

11-Zhaklina Peto (Në pritje)/Realstory.al

Gjykatës Kushtetuese i ikin 10 kandidatë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës për vlerësimin e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. KED vendosi sot përfundimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të tërhequra nga kandiditimi dhe ato që janë të ndaluar.

Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe aktet përkatëse për shprehjen e vullnetit për tërheqje nga kandidimi dhe për ndalimin për kandidim mbi bazën e korrespondencës me ILDKPI për mosdorëzimin në afat të deklaratave të pasurisë sipas ligjit (brenda 15 ditëve), ka vendosur përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës për 5 kandidatë dhe ndalimin e kandidimit për 5 kandidatë të tjerë, në vendet vakante ekzistuese.

Lista e kandidatëve të tërhequr nga kandidimi, për të gjitha pozicionet janë Alban Brati, Irena Reso, Theodhori Sollaku, Genci Ismaili, Avni Shehu. Ndërsa lista e kandidatëve të ndaluar nga kandidimi janë Ardita Alsula, Denar Biba, Kristaq Traja, Vasil Bendo, Kostandin Kazanxhi.

Vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese pritet të jenë të plotësuara brenda qershorit të këtij viti.

Skip to toolbar