Superfuqitë botërore përplasen ashpër në Asamblenë e OKB, ç’ndodhi mes SHBA, Kinës e Rusisë

Përplasjet në rritje midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër u shfaqën hapur të enjten në periferitë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke kërcënuar të hedhin hije mbi bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me koronavirusin.

Asambleja e këtij viti është mbajtur në internet për shkak të pandemisë dhe fokusi i saj ka qenë përballja me COVID-19 përmes veprimeve të efektshme shumëpalëshe.

Në një aktivitet periferik në Këshillin e Sigurimit për këtë temë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësimin se pandemia po shpaloset në një sfond “tensionesh të larta gjeopolitike”.

“Pandemia është një provë e qartë e bashkëpunimit ndërkombëtar, një provim që ne nuk e kemi kaluar në thelb,” tha zoti Guterres në videokonferencën e organit më të fuqishëm të OKB-së. Tensionet u shfaqën hapur në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë folën për mosmarrëveshjet e tyre me Shtetet e Bashkuara.

“Në një moment kaq sfidues, vendet e mëdha kanë një detyrim akoma më të madh që të vendosin të ardhmen e njerëzimit në plan të parë, të hedhin poshtë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimin ideologjik si dhe të bashkohen në frymën e partneritetit për të kapërcyer vështirësitë”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Homologu i tij rus tha se diferencat midis disa vendeve janë ringjallur dhe rritur nga ndikimi i virusit.

“Një numër shtetesh tundohen gjithnjë e më shumë të kërkojnë jashtë vendit për të gjetur përgjegjësit për problemet e tyre të brendshme,” tha Sergej Lavrov. “Ka përpjekje të dukshme nga shtetet e veçanta për të përdorur situatën aktuale për të promovuar interesa të tyret kalimtare dhe për të larë hesape me qeveritë e padëshiruara ose rivalët gjeopolitikë,” tha ai.

Disa aleatë të SHBA ishin gjithashtu kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës Trump.

Potenciali për bashkëpunim

“Ne duhet të përqendrohemi në potencialin pozitiv të bashkëpunimit në vend që t’i vendosim vendet tona në plan të parë”, tha ministri gjerman i Shtetit Niels Annen. “Nëse dikush nga ne dështon, të gjithë dështojmë.”

Ambasadorja amerikane Kelly Craft u tregua e prerë në përgjigjen e saj, duke iu drejtuar të gjithë këshillit me fjalët: “Turp për secilin prej jush” që përqendroheni “te inatet politike”. Ajo vuri në shënjestër Kinën dhe përsëriti qëndrimin e fortë të Presidentit Donald Trump se Pekini duhet të mbajë përgjegjësi si burim i pandemisë.

“Veprimet e Partisë Komuniste Kineze provojnë se jo të gjitha vendet anëtare janë të përkushtuara në mënyrë të barabartë për shëndetin publik, transparencën dhe detyrimet e tyre ndërkombëtare,” tha ajo. “Ky fakt duhet të shqetësojë thellë të gjitha vendet e përgjegjshme të botës që po punojnë me mirëbesim për të mposhtur COVID-19 dhe për të parandaluar pandemitë në të ardhmen.”

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, u kundërpërgjigj, duke i thënë zonjës Craft: “Mjaft më”. Duke pranuar se vendi i tij ishte i pari “që u godit” nga virusi, ai tha se (Kina) kishte dhënë një kontribut të madh në përgjigjen globale.

Ai vuri në dukje se SHBA ka gati 7 milion nga pothuajse 32 milion rastet e konfirmuara të virusit në botë dhe 200,000 vdekje.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se dështimi i tyre në trajtimin e COVID-19 është krejtësisht faji i tyre,” tha ambasadori kinez.

Tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë qenë të dukshme këtë javë në fjalimet e udhëheqësve të tyre në Asamblenë e Përgjithshme dhe në aktivitetet periferike në OKB.

Kina, në shënjestër për virusin

Të martën, Presidenti Trump i tha Asamblesë se Pekini duhet të “mbajë përgjegjësi” për faktin që bëri bllokimin (e qyteteve) në ditët e para të virusit, por duke lejuar që udhëtimet ajrore nga Kina të vazhdonin “dhe të infektonin botën”.

Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo gjithashtu vuri në shënjestër Kinën këtë javë, duke thënë se administrata është në procesin e përcaktimit se si ta etiketojnë shtypjen e Pekinit ndaj muslimanëve ujgurë – si “krime kundër njerëzimit” apo si “gjenocid”. Terma të tillë kanë peshë të madhe në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes vendeve.

Nndërkaq, në komentet drejtuar Uashingtonit, Presidenti i Kinës Xi Jinping dënoi përpjekjet për ta politizuar ose stigmatizuar virusin./VOA

Raportoi i pari për rastet me koronavirus në Wuhan, misteri i zhdukjes së gazetarit kinez

Ngelet mister fakti se si u zhduk gazetari kinez, i cili raportoi i pari rastin me koronavirus.
Ai ishte zhdukur në shkurt pasi kishte raportuar rastet e para në Wuhan. Ndërkohë, një miku i tij tha se ai ishte arrestuar nga autoritetet kineze.

‘The Guardian’ shkruan se Chen Qiushi, ish-avokat i shndërruar në gazetar, kishte filluar të raportojë nga rrugët e spitalet e Wuhanit nga 23 janari, ndërkohë zhdukja e tij kishte sjellë reagime.

Autoritetet nuk treguan për asnjë çast në lidhje me faktin se gazetari ishte arrestuar.

Një trajner shqiptar firmos në Kinë, te klubi i Donadonit

Ish-ndihmës trajneri i Kamzës,  Ergys Luga, pritet të transferohet në Kinë, tek ekipi i Shenzhen. Luga, që karrierën si trajner e ka nisur me ekipet e të rinjve të Kamzës, pritet të bëhet pjesë e Akademisë së Futbollit të skuadrës së Superligës kineze, Shenzhen, ku ekipi i parë drejtohet nga një emër i njohur si Roberto Donadoni, që dikur ka drejtuar kombëtaren e Italisë dhe disa klube të njohura në shtetin fqinj.

Ergys Luga ka firmosur në muajin gusht të këtij viti një parakontratë me ekipin e Shenzhen, ku mësohet se do të ketë rolin e trajnerit tek ekipet e moshave në skuadrën kineze. Ka qenë agjencia EFA e drejtuar nga dy menaxherë të njohur, Andi Matraxhiu dhe Florin Biba. Trajneri, që ka liçensën UEFA A, pritet të pajiset javën e ardhshme me lejen e punës dhe të qëndrimit në Kinë, dhe më pas do të bashkohet me klubin e Shenzhen.

Ergys Luga ishte pjesë e Kamzës për  një sezon si zëvendës trajner, por pasi skuadra u përjashtua nga kampionati për shkak të dënimit të dhënë nga FSHF, ai dhe stafi u larguan nga ekipi i parë. Megjithatë, Luga ka vijuar punën me ekipet e moshave të Kamzës deri tani, ndërsa pret të largohet nga Shqipëria drejt Kinës. Ky është rasti i parë që një trajner që ka ndjekur shkollat e futbollit të Federatës Shqiptare, do të nisë një aventurë në Kinë, duke u bashkuar me ekipin që drejtohet një nga emrat më të njohur të trajnigut në Europë, Roberto Donadoni.

Tërbohet moti, tajfuni shkakton 28 të vdekur, 10 të zhdukur dhe mbi 1 milion të evakuuar

Ndërsa Shqipëria dhe Europa janë goditur nga vala e të nxehtit afrikan, në pjesën aziatike të botës, erërat e forta dhe përmbytjet janë duke shkaktuar viktima.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë krijuar tajfunin Lakima në Kinë, duke shkaktuar mbi 28 të vdekur dhe 10 të zhdukur, ndërsa pritet që bilanci të rritet. Si pasojë e përmbytjeve, mbi 1 milion njerëz janë evakuuar, ndërsa problem mbeten rrëshqitjet masive të dheut.

Tajfunin Lekima goditi fillimisht në orët e para të së shtunës Wenling, midis Tajvanit dhe kryeqytetit të Kinës, Shanghait. Stuhia u cilësua në fillim si një “super tajfun” por u dobësua  më vonë kur erërat arritën shpejtësinë 187 km/orë. Tajfuni pritet të godasë Shangani, i cili ka më shumë se 20 milionë banorë.

Bllokimi i rrugëve, përmbytje, rëniet e pemëve, shkatërrimi i shtëpive, rrëshqitjet e dherave dhe mungesa e energjisë elektrike janë kthyer në pamjen e zakonshme që zonat që janë goditur nga tajfuni.

Skip to toolbar