Një trajner shqiptar firmos në Kinë, te klubi i Donadonit

SPORT


Ish-ndihmës trajneri i Kamzës,  Ergys Luga, pritet të transferohet në Kinë, tek ekipi i Shenzhen. Luga, që karrierën si trajner e ka nisur me ekipet e të rinjve të Kamzës, pritet të bëhet pjesë e Akademisë së Futbollit të skuadrës së Superligës kineze, Shenzhen, ku ekipi i parë drejtohet nga një emër i njohur si Roberto Donadoni, që dikur ka drejtuar kombëtaren e Italisë dhe disa klube të njohura në shtetin fqinj.

Ergys Luga ka firmosur në muajin gusht të këtij viti një parakontratë me ekipin e Shenzhen, ku mësohet se do të ketë rolin e trajnerit tek ekipet e moshave në skuadrën kineze. Ka qenë agjencia EFA e drejtuar nga dy menaxherë të njohur, Andi Matraxhiu dhe Florin Biba. Trajneri, që ka liçensën UEFA A, pritet të pajiset javën e ardhshme me lejen e punës dhe të qëndrimit në Kinë, dhe më pas do të bashkohet me klubin e Shenzhen.


Ergys Luga ishte pjesë e Kamzës për  një sezon si zëvendës trajner, por pasi skuadra u përjashtua nga kampionati për shkak të dënimit të dhënë nga FSHF, ai dhe stafi u larguan nga ekipi i parë. Megjithatë, Luga ka vijuar punën me ekipet e moshave të Kamzës deri tani, ndërsa pret të largohet nga Shqipëria drejt Kinës. Ky është rasti i parë që një trajner që ka ndjekur shkollat e futbollit të Federatës Shqiptare, do të nisë një aventurë në Kinë, duke u bashkuar me ekipin që drejtohet një nga emrat më të njohur të trajnigut në Europë, Roberto Donadoni.




Skip to toolbar