Vala e shkarkimeve, dorëheqjeve dhe nisja e hetimeve për 23 specialistë në kadastrën e Vlorës, të akuzuar për tjetërsim prone, ka bërë që edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit të nis verifikimin e dosjeve që këto persona kanë kaluar nëpër duar. KLSH do të kalojë në sitën e saj të gjitha dosjet e firmosura në 4 vitet e fundit, për të parë nëse ka pasur shkelje të tjera apo jo.
Gjatë të mërkurës, në Kadastrën e Vlorës u shfaq seksioni i krimit ekonomik, ku vuri nën hetim 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri, përmes falsifikimit të dokumenteve.
Kadastra e Vlorës prej disa ditës është përfshirë në një furtunë shkarkimesh dhe dorëheqjesh. Gjatë të hënës u shkarkua nga detyra nëndrejtori i Kadastrës, Klodian Troci dhe tre specialistë, si pasojë e mos zbatimit të një vendimi gjykate për një pronë. Gjithashtu kanë dhënë dorëheqjen edhe drejtori i komanduar i Kadastrës Florian Almadhi, i cili u zëvendësuar me Alteo Nazëraj dhe nënkryetari i kadastrës së Vlorës, Ardian Musta.
Në lidhje me rastin, edhe kreu i Kadastrës, Artan Lame doli në një deklaratë për mediat ku i bëri
apel deputetëve, ministrave dhe të gjithë miqve të tij, që të mos i kërkojnë qoka për punësime. “O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot!” tha Lame, i cili deklaroi se ka nisur një reformë e thellë për të përmirësuar punën e Kadastrës dhe shmangur abuzimet.