Petraqi “puthet me Milon”: KLSH, dështimi tretë i Metës

AKTUALITET


Për herë të tretë, Komisioni i Ekonomisë, ka rrëzuar kandidaturën e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për kreun e KLSH-së. Konkretisht, kandidati Petraq Milo nuk ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, duke u bërë kandidati i tretë, pas Bahri Shaqirit dhe Vitore Tushës, që rrëzohen si kandidat për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ka qenë deputetja Evis Kushi, ajo që i ka drejtuar tre pyetje kyçe Petraq Milos, në lidhje me karrierën e tij.

Sipas deputetes socialiste, në CV e Milos mungojnë të dhënat për detyrën që ka mbajtur nga vitit 1998 deri në vitin 1991. Gjithashtu, sipas deputetes Kushi, në karrierën e tij Petraq Milo ka mbajtur një funksion në Bankën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjin, pasi ai ka qenë kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në pyetjen e tretë, Kushi ka kërkuar dhe informacion, rreth arsyeve të dorëheqjes së Petraq Milos nga posti që ka mbajtur në Bankën  e Shqipërisë.


Ndërkohë, kandidati i prezantuar nga Ilir Meta, që më herët ka qenë këshilltar i Berishës, u shpreh se sipas ligjit në CV duhet të jenë të shënuar 10-të vitet e fundit të karrierrës së tij, ndërsa sipas tij, informacioni i dhënë në CV është për 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, Petraq Milo ka mohuar që ka dhënë dorëheqjen nga BSH. “Në periudhën 88-91, kam qenë drejtor i drejtorisë ekonomike të kombinatit të autotraktorëve. Funksioni në Bankën e Shqipërisë është para PD. Nuk kam dhënë dorëheqjen nga Banka e Shqipërisë. Në punën time kam qenë model për të qenë bashkëpunues, për të mbështetur çdo qeveri. Nuk ka pasur asnjë qëndrim politik në punën time”, deklaroi Milo.  Të martën, Kuvendi rrëzoi përsëri kreun e shtetit, i cili i kishte kthyer disa ligje për rishqyrtim, të cilat u rimiratuan në Komisionin e Ekonomisë, dhe do t`i shkojnë përsëri Kuvendit për miratim.




Skip to toolbar