Neni 161 i Kodit Zgjedhor që zgjidh krizën në Shkodër dhe anashkalon Metën

Kriza në Shkodër mund të zgjidhet shumë lehtë nga maxhoranca përmes respektimit të nenit 161 të Kodit Zgjedhor dhe duke nxjerrë jashtë loje presidentin Meta.

Ky nen parashikon qartë se çfarë ndodh në rast të përsëritjes së zgjedhjeve dhe bazuar në pikën 6 të tij thuhet qartë se është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit.

“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Pikërisht kjo dispozitë ligjore nxjerr jasht loje presidentin Meta i cili të premten deklaroi se nuk do të dekretojë datë tjetër zgjedhjesh përveç 13 tetorit, duke synuar të mbante në ngërç bashkinë e Shkodrës.

Për më tepër Meta tha se në krye të bashkisë së Shkodrës duhet të vazhdojë të qëndrojë Voltana Ademi, mandati i së cilës përfundon më 20 gusht, ndërsa përmendi ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Realstory bëri një kontroll të fakteve dhe iu referua pikërisht këtij ligji që përmendi edhe presidenti. Dhe referuar nenit 61 të këtij ligji bashkinë e Shkodrës e drejton zëvendëskryetari ose një nga zëvendëskryetarët që zgjidhet nga Këshilli i Bashkiak dhe kryetari aktual i bashkisë nuk qëndron në detyrë përtej mandatit, sikurse pretendon Meta.

“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, shkruhet në ligj.

Pra zgjidhja për Shkodrën është shumë pranë. Këshilli Bashkiak konstituohet të hënën dhe të hënën zgjedh një nga zëvendës kryetarët që të drejtojë bashkinë deri në përsëritjen e zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga KQZ dhe këtu merr fund përpjekja e Metës për të vazhduar krizën në Shkodër./realstory.al

Skip to toolbar