Meta “dekreton” Voltanën kryetare bashkie (dhe thellon krizën)

POLITIKË


Presidenti Ilir Meta deklaron se nuk do të dekretojë zgjedhje për Shkodrën, duke e thelluar dhe më tej krizën politike, pasi sipas kreut të shtetit, zgjedhjet për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë janë më 13 tetor. Kreu i shtetit, i cili sipas Kodit Zgjedhor, brenda 48 orëve nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit, duhet të nxjerrë dekretin për zgjedhje të pjesshme, e ka marrë vendimin, duke deklaruar se në krye të bashkisë do të qëndrojë Voltana Ademi, edhe pse kjo bie ndesh dhe shkakton kaos në qeverisjen vendore të Shkodrës. Madje, duke komentuar edhe dorëheqjen e Pjetrit, Meta ka vënë në shënjestër Bashën, duke fajësuar pikërisht institucionet e zgjedhura nga PD që nuk kanë verifikuar të shkuarën e Pjetrit, para se të pajisej me certifikatën e sigurisë, certifikim i bërë në vitin 2010, kur qeveria e djathtë e Berishës, e emëroi në krye të administrimit të pasurive të sekuestruara nga organizatat kriminale.

Mosdekretimi i zgjedhjeve


Presidenti i Republikës i ka dhënë këto përgjigje gjatë një interviste për A2 gjatë vizitës në Kosovë, ndërsa një veprim i tillë pritej nga Meta, duke qenë se ai nuk e ka njohur 30 qershorin. “Nuk ka nevojë, zgjedhjet janë më 13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”, tha Meta, duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të dekretonte zgjedhjet e pjesshme në Shkodër. Në bazë të Kodit Zgjedhor në rastin konkret kur kryebashkiaku i ri ka marrë mandatin, por nuk është betuar akoma, nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja të pjesshme. Bazuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor i takon presidentit të Republikës që të caktojë datën e re të zgjedhjeve të pjesshme. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por, Presidenti Meta ka vendosur të mos zbatojë Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, duke thelluar më tej krizën institucionale, ndërsa me mosdekretimin e zgjedhjeve të pjesshme, Meta i shton telashet vetes në kohën kur mazhoranca ka ndërmarrë nismën për shkarkimin e tij. Kjo shkelje Kodit Zgjedhor mund t’i shtohet shkeljeve kushtetuese që pretendon mazhoranca për të rënduar pozitën e Metës.

Sulmi ndaj qeverisjes së PD

Megjithatë, Metës duket se nuk i intereson më stabiliteti politik për zgjidhje të krizës, por ai ka filluar të mendojë si një kryetar partie, duke sulmuar jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën, pasi në rastin e Valdrin Pjetrit, kreu i shtetit ia ka hedhur të gjithë përgjegjësinë Partisë Demokratike, e cila e ka promovuar dhe e ka pajisur me certifikatë sigurie. “Problemi nuk është i personit në fjalë, sepse ai edhe pse ka bërë një shkelje të ligjit ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me policinë italiane në rastin konkret. Problemi është kapja e institucioneve që nuk kanë bërë punën e tyre, për të verifikuar shkeljen e ligjit në rastin në fjalë. Fakti që personi ka pasur edhe detyra të mëparshme dhe certifikata të sigurisë të nivelit të lartë, për shkak të detyrave, tregon se duhet të bëhet një hetim më i thelluar për funksionimin e institucioneve të pavarura të shtetit që verifikojnë integritetin e të gjithë zyrtarëve tanë”, theksoi Meta. Pra, Meta kërkon që hetimi i Pjetrit duhej të ishte bërë nga institucionet e pavarura, konkretisht nga Prokuroria, SHISH dhe policia, ku krerët e tyre në atë kohë ishin zgjedhur nga mazhoranca e djathtë.

Shkodra, në ngërç

Nga ana tjetër, pas dorëheqjes së Pjetrit, bëhet i paqartë skenari si do të funksionojë pushteti vendor në Bashkinë e Shkodrës, pasi kryetares në detyrë Voltana Ademi, i përfundon mandati më 20 gusht. Pas kësaj date, ajo nuk ka të drejtë vendimmarrje dhe as të firmosë për pagat e rreth 1200 punonjësve të bashkisë. Këshilli bashkiak në Shkodër, ende nuk është konstituar dhe nuk ka dhënë një datë mbledhjeje për shkak të dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Pas konstituimit, edhe nëse Ademi do të mbetet në krye të Bashkisë Shkodër, ajo do të funksionojë me një këshill bashkiak krejtësisht të majtë, që do të sjellë përplasje të forta dhe do e fusë këtë bashki në ngërç institucional, ashtu siç ndodhi me disa bashki në fillim të vitit 2019, si rasti i Skraparit dhe i Prrenjasit, ku këshillat bashkiakë nuk miratuan vendimet e Kryetarit të Bashkisë. Në këto kushte, Bashkia Shkodër, e cila është bashkia ku gjatë 28 viteve të fundit të pluralizimit politik, socialistët nuk kanë fituar asnjëherë postin e kryetarit të bashkisë, do të mbetet në ngërç derisa të zgjidhet kriza institucionale mes Presidentit dhe mazhorancës, krizë, e cila duket se zgjidhje të vetme do të ketë vetëm krijimin e Gjykatës Kushtetuese.




Skip to toolbar