Sigla e partisë brenda së njëjtës listë? Gjiknuri: Çështje teknike. Gati për kompromis në çdo pikë, por…

Kodi aktual Zgjedhor ka rënë dhe Kushtetuta ka ndryshuar por marrëveshja e 5 qershorit mes palëve në Këshillin Politik nuk është prekur. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” në News24 përfaqësuesi i socialistëve në Këshillin Politik Damian Gjiknuri.

Ai tha se koalicioni është i mundshëm brenda së njëjtës listë teksa sa i përket identifikimit me sigël të kandidatëve mendon se është çështje teknike duke e lënë të hapur mundësinë për diskutime. Gjiknuri thotë se kompromise mund të ketë për çdo pikë, por duke ruajtur disa parime.

“Ne nuk mund të lejojmë vakum kushtetues. Çfarë rregullash po ndryshojmë? Çështja e koalicioni u stërdiskutua. Koalicioni është i mundshëm. Partitë bëjnë një marrëveshje dhe krijojnë një listë të përbashkët. Në 2013 fitorja qe aq e thellë sa nuk kishte të bënte fare ai sistem. Në 2017 të gjitha partitë hynë vetëm fare, tani është një mundësi më shumë, jo vetëm që mund të hyjnë vetëm por dhe me koalicione. Nuk mund të krijosh formula mes palëve për të tjetërsuar votën. Partitë mund të ruajnë siglën e tyre. Partitë përcaktojnë emrat dhe listën unike të koalicionit. Lulzim Basha, PD nr. 1, Monika Kryemadhi nr. 2, Tiranë etj.
Dhe brenda kutisë, mund të vihet sigla, mjafton që të kenë autorizim të liderit që do propozojë këtë listë.
Ajo është diçka teknike, mund të vihen siglat e partive. Në hapësirën e fletës së votimit mund të kesh PD, LSI, PDIU. Nëse është ky problem , le të vijë PD ta diskutojmë. Ka rënë kodi zgjedhor aktual, është ndryshuar kushtetuta. Nuk është prekur marrëveshja e 5 qershorit.
Kushtetuta është fakt i kryer në mënyrë kushtetuese. Edhe pse diskutuam me orë në këshillin politik dhe nuk u arrit një marrëveshje, parlamenti i votoi. Në parlament janë disa të tjerë, nuk quhen ata?
I themi PD-së na gjej një vend të legjislacionit të ODIHR, që ka dhe lista të hapura dhe sistemin, formulën. Nuk ka, nuk e nxjerrin dot. Është një formulë që u ra dakord nga politika vite më parë, në bazë të një marrëveshjeje. Shiko ça duan të bëjnë këta, të fusin parti fantazmë, të përfitojnë dhe kërkojnë barazi vote.
Ku po shkelim marrëveshjen e 5 qershorit? Kushtetuta thotë prag kombëtar, kemi vënë një përqindje, hajde ta diskutojmë. Vendet e tjera e kanë nga 4 e 5%.
Pse janë vendosur pragjet nëpër botë, ka një arsye. Që të përfitosh mandatin duhet të kesh një minimum votuesish. E kemi në proporcion me popullsinë. Numri i vogël i votuesve e ndihmon për përqindjen. Pragun mund ta debatojmë. Por do argumente, ka hapësirë për kompromis.
Ne jemi në çdo pikë gati për të bërë kompromis, duke ruajtur disa parime. Që të përfaqësohen ata që e meritojnë. Të kemi një ‘fair game’ duke pranuar koalicionet sipas modelit të OSBE-ODIHR dhe listat e hapura. Këtu konkurrojnë disa parime dhe kemi marrë disa modele. Këta që flasin për standard duke bërë gafa të rënda. Listat e hapura janë si rezultat i kompromiseve politike”, deklaroi ndër të tjera Gjiknuri.

Ku gënjeu këshilltari i Presidentit Meta

Të gjithë prisnim Presidentin Meta të dilte të enjten pasdite në një konferencë për shtyp. Por si duket i sëmurë siç tha se ishte dy ditë me herët dhe i “lodhur” nga biseda misterioze me ambasadoren amerikane, ai vendosi të bënte vetëm një reagim në distancë ku bëri thirrje për reflektim “nga të gjitha palët”. Në konferencë për shtyp ai nxori këshilltarin e tij juridik Bledar Dervishaj, duke i dhënë kështu komunikimit më median një karakter teknik dhe ulur nivelin e saj. Por befasia qëndron në faktin se megjithëse teknik, këshilltari juridik i presidentit mbrojti dekretin e shfuqizimit (detyrë e tij), por me argumenta të pavërteta.

Duke mbrojtur dekretin e presidentit ai tha se Kodi Zgjedhor thotë se “të zgjedhurit e këshillave bashkiakë qëndrojnë në detyrë, derisa në ditën kur vijnë të zgjedhurit e rinj”. Më pas ai shtoi: “Po kështu kjo vlen edhe për kryetarët e njësive vendore”.

Por si është e vërteta? Për këtë mjaft të konsultosh Kodin Zgjedhor neni 10, pika 2 për të zgjedhurit lokale. Ai thotë: “2. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të  njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Realstory disponon kopjen e vendimit të KQZ, të 10 gushtit 2015, për zgjedhjet vendore të vitit 2015 (shih linkun). Sipas kodit, bazuar në këtë vendim të KQZ, mandati I të zgjedhurve lokale, mbaron në 10 gusht 2019. Pra nuk qëndrojnë deri në ditën kur hyjnë në zyrë të zgjedhurit e rinj.

Kjo është gënjeshtra e parë. Por këshilltari juridik i presidentit zoti Dervishaj tha në konferencë për shtyp një tjetër të pavërtetë, sa i përket afatit të shpalljes së dekretit për datën e re të zgjedhjeve, duke deklaruar se data do të jetë e afërt, po ashtu edhe koha e dekretit.

Por çfarë thotë neni 9 i Kodit Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve? 

“Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas  rregullave  të  parashikuara  në  nenin  65  të  Kushtetutës.  Zgjedhjet  për  Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin  8  të  këtij  Kodi  dhe  në  çdo  rast  jo  më  vonë  se  30  ditë  para  datës  së  mbarimit  të  mandatit të Kuvendit… Presidenti  i  Republikës  nxjerr  dekretin  për  caktimin  e  datës  së  zgjedhjeve  për Kuvendin  jo  më  vonë  se 9  muaj  para  mbarimit  të  mandatit  të  Kuvendit.” 

Neni 10 i Kodit Zgjedhor që flet për caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore thotë se edhe për datën e zgjedhjeve lokale aplikohet të njëjtat rregulla si në pikat 1 dhe 2 të nenit për zgjedhjet lokale: “1.  Data  e  zgjedhjeve  për  organet  e  qeverisjes  vendore  caktohet  me  dekret  nga Presidenti  i  Republikës.  Për  caktimin  e  datës  së  zgjedhjeve  për  organet  e  qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi”.

Pra në bazë të Kodit, data e zgjedhjeve vendore nxirret jo më vonë sesa 9 muaj nga data e mbarimit te mandatit të të zgjedhurve vendore. Presidenti Meta ka qenë korrekt kur shpalli dekretin për datën 30 qershor. Ai e shpalli atë ne 5 nëntor 2018, nëntë muaj pa 5 ditë para mbarimit të afatit të të zgjedhurve vendor, duke respektuar kodin zgjedhor dhe kushtetutën. Por çfarë tha këshilltari i tij juridik Bledar Dervishaj në konferencë për shtyp? Se Presidenti do te nxirrte se shpejti dekretin e ri, dhe në një datë të afërt me 30 qershorin? Edhe sikur të shpallë datë të re për shembull 7 korrikun (si data më e afërt me 30 qershorin) ai do të shkelte afatin kushtetues me 8 muaj.

Dhe kjo është gënjeshtra e dytë e këshilltarit të presidentit. I cili nuk është as këshilltar politik, dhe as mediatik. Ai është aty për t’i thënë shefit të tij të mos gabojë, ose së paku ti thotë se kur gabon. Por që një jurist që paguhet nga paratë e taksapaguesve në institucionin më të lartë të shtetit, është gabim i rëndë.

Gjithsesi këshilltari i Metës tha një të vërtetë. Ai tha se dekreti i ri do të dalë pas negociatave mes palëve dhe marrëveshjes eventuale mes tyre. Por prapë këtu bëri një “gabim”: nxori gënjeshtar shefin e tij, që një ditë më herët deklaroi me zë të fortë se nuk do priste dakortësinë e PS, për të nxjerrë një datë të re zgjedhjesh.

Ndoshta ndaj dhe Meta zgjodhi të mos dilte vetë. Burri që është burrë, nuk gënjen kurrë. Por nëse gënjen, nxjerr këshilltarin që të pranojë gabimin. /realstory.al

Shkelje e paanësisë politike dhe Kushtetutës , PS argumenton shkarkimin e Metës

Paraditen e së martës është zbardhur e plotë Draft Rezoluta e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, pasi ky i fundit, të hënën vendosi të shfuqizonte dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Në dokumentin e PS, thuhet që në hyrje të saj se “Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anuluar zgjedhjet”, thuhet në pikën e parë të Draft Rezolutës.

Më tej, Partia Socialiste e cilëson aktin e Presidentit të “kundraligjshëm, që ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, siç është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor 2019.

Në Draft Rezolutën e PS, evidentohet gjithshtu, “Ndërhyrjen  e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës”.

Të gjitha pikat argumentura nga PS për shkarkimin e Metës:

Kuvendi i Shqipërisë duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor konstaton:

  • Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;
  • Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019;
  • Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;
  • Është detyrim i administratës zgjedhore, jo vetëm të garantojë ushtrimin e së drejtës së zgjedhjes sipas standarteve kushtetuese dhe ligjore nga shtetasit shqiptarë, por edhe ta mbrojë ushtrimin e kësaj të drejte nga çdo ndërhyrje e paligjshme e kryer apo që tentohet të kryhet, nga çdo person fizik apo juridik, duke mos lejuar cënimin e mbarëvajtjes së këtij procesi;
  • Bazuar nëparimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, sipas të cilëve asnjë organ nuk ka detyrimin dhe nuk mban përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin;
  • Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës;
  • Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës;

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor për përbërjen e KZAZ-ve?

Megjithëse nuk merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, PD kërkon të përfaqësohet me komisionerë në KZAZ. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë sot nga Komisioni Qëndror Zgjedhor. Por çfarë parashikon Kodin Zgjedhor, a ka të drejtë PD që të ketë komisionerët e saj në KZAZ?

Sipas nenit 29 në Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përbëhen nga 7 anëtarë dhe sekretari: 2 anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare.

Megjithëse PD ka djegur mandatet e deputetëve, ajo vazhdon të ketë përfaqësues të saj në parlament ndaj dhe vazhdon të quhet parti parlamentare. Ndërkaq në Kod nuk është parashikuar se çfarë ndodh në rast se kjo parti vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe përderisa nuk ka një parashikim të tillë vazhdon të mbetet në fuqi neni 29.

Neni 29 i Kodit Zgjedhor

Përbërja e KZAZ-së

1. KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja, sipas

procedurës së mëposhtme:

a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë

propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e

dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës

parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sipas kësaj shkronje, grupi

përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik

shumicë-opozitë;

b) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e parë e shumicës

parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare, sipas kritereve

objektive të bazuara në:

 i) përzgjedhjen rastësore;

ii) shpërndarjen e barabartë në territorin zgjedhor;

c) sekretari i KZAZ-së duhet të jetë jurist dhe propozohet nga partia, e cila propozon

zëvendëskryetarin e KZAZ-së;

ç) 30 për qind e anëtarëve të propozuar përkatësisht nga partia më e madhe e

shumicës dhe partia më e madhe e opozitës, në shkallë vendi, duhet të jenë nga secila gjini.

2. Kryetari dhe zëvendëskryetari i KZAZ-së zgjidhen nga KQZ-ja, me propozim të

KZAZ-së. Në KZAZ-të ku anëtari i shtatë i përket partisë kryesore të shumicës parlamentare,

kryetar zgjidhet njëri nga anëtarët e KZAZ-së, përfaqësues i partisë kryesore të shumicës

parlamentare, kurse në gjysmën tjetër zgjidhet njëri nga anëtarët e KZAZ-së, përfaqësues i

partisë kryesore të opozitës parlamentare. Zëvendëskryetari është i përkatësisë politike të

kundërt me kryetarin.

3. Anëtarët e KZAZ-së nuk punojnë me kohë të plotë. KQZ-ja përcakton orarin e punës

së KZAZ-së gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe jashtë saj. Për punën e kryer anëtarët

përfitojnë shpërblim në masën e përcaktuar me vendim të KQZ-së.

4. Renditja e partive për efekt të ndarjes së vendeve në KZAZ, sipas përcaktimeve të

këtij neni, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike nga zgjedhjet

pararendëse për Kuvendin. Në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën

e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet pararendëse

nga partitë parlamentare.

Në rast se dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër mandatesh dhe nuk është e

mundur të përcaktohet partia përfituese, renditja e tyre përcaktohet mbi bazën e numrit të

votave të fituara në shkallë vendi. Nëse dy ose më shumë parti kanë të njëjtin numër votash,

renditja përcaktohet nga KQZ-ja me short.

5. Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që

kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e

përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që

vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur

kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni. Nëse

edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri

në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të

propozuar nga partitë politike, sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30

ditë nga dita e zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo

më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Procedurat për përzgjedhjen dhe trajnimin e

shtetasve që mund të emërohen kryesisht përcaktohen nga KQZ-ja me udhëzim të veçantë.

6. Në rastet e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, KZAZ-ja ngrihet jo më

vonë se 10 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së

zgjedhjeve.

7. Kur vendi i një anëtari të KZAZ-së mbetet vakant, ai plotësohet në përputhje me

rregullat e parashikuara në këtë nen brenda 15 ditëve nga data e krijimit të vakancës. Gjatë

periudhës së zgjedhjeve, vendet vakante plotësohen brenda 3 ditëve.

8. Kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant në ditën e

zgjedhjeve, propozimi në KQZ duhet të dorëzohet jo më vonë se 3 orë nga çasti i krijimit të

vakancës. Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ,

kjo e drejtë i kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga

numri i vendeve të fituara në Kuvend në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk

propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e

numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje

Rudina Hajdari propozon 3 amendime për Kodin Zgjedhor

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PD-së, Rudina Hajdari ka propozuar sot në seancë parlamentare 3 amendime për Kodin Zgjedhor.

Hajdari vuri theksin në nevojën urgjente për të eliminuar shit-blerjen e votës, ndalimin e përdorimit abuziv të fondeve publike dhe mbrojtjen e listave zgjedhore dhe çdo tentative manipulimi.

Në këtë seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ngritjen e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili nga 18 anëtarë pritet të ketë një numër më të reduktuar, me pjesëmarrje të barabartë nga mazhoranca dhe dy grupet e reja parlamentare, atij demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari, dhe atij të deputetëve të pavarur, Nimet Musai. Bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri nga PS dhe Korab Lita nga PD.

Skip to toolbar