Dy planet që mund të rrëzojnë Dekretin e Presidentit (përfshirë edhe atë vetë)

Ndërsa në Kuvend vazhdonte debatin për mocion për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Meta, palët në këtë konflikt vazhdojnë lojën pas kuintave. Kryetari i KQZ Klement Zguri kërkoi respektimin e dekretit te Presidentit. Duke përdorur si argument botimin e dekretit në Fletoren Zyrtare, Zguri kërkoi ndërprerjen e procesit përgatitor për zgjedhjet e 30 qershorit. (Më pas ai braktisi mbledhjen, megjithëse është e sigurt që ai nuk do të bëjë aktin final të dorëheqjes siç bënë dy kolegët e tij të opozitës). Ndërkohë në KQZ u dorëzua kërkesa e aleatit të Ramës, Idajet Beqiri për çregjistrim të partisë së tij nga zgjedhjet vendore. Portalet pranë Metës nxituan ta interpretojnë këtë si një çarje brenda maxhorancës. Dhe në fakt në pamje të parë kështu duket. Por Beqiri para se të futej në KQZ deklaroi se vendimi i Metës ishte anti-kushtetues. Kjo retorikë të bën të dyshosh se në lëvizjen e Beqirit ka diçka më shumë. Futja nga Ministria e Drejtësisë e dekretit të Metës për shfuqizim të zgjedhjeve u bë në kohë rekord, brenda dy ditëve, me një shpejtësi të çuditshme dhe të paprecedentë. Autorësia e këtij vendimi mund të spekulohet shumë, por e vërtetë është, se në të gjitha strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe insitucioneve të varura prej saj, njerëzit e LSI vazhdojnë të punojnë në pozicione të rëndësishme, të patrazuar nga largimi i tepsisë nga pushteti politik i qeverisjes. Botimi i shpejtë në fletoren zyrtare mund të jetë rezultat i kësaj. Gjithsesi dekreti në fletoren shtetërore, është një argument plus për Presidentin, në procesin publik politik dhe më vonë edhe atë gjyqësor ndaj vendimit të tij të paprecedentë për anullimin e zgjedhjeve.

Dhe kjo mund të ketë lidhje me atë që ndodhi më vonë në KQZ. Ajo hodhi poshtë kërkesën e Beqirit, me argumentin e Bibës se kjo do kërkonte rishtypjen e fletëve të votimit. Beqiri pritet që këtë vendim ta ankimojë në KQZ, një e drejtë që ia jep Kodi Zgjedhor, nën nenin 145, si subjekt elektoral.

Kjo krijon një situatë delikate. Nëse Kolegji Zgjedhor miraton ankimimin e Idajet Beqirit, ky do të ishte një vendim final, pasi Kolegji ka atributet e Gjykatës së Apelit (dhe gjykatësit e tij zgjidhen nga kjo gjykatë). Pas këtij vendimi KQZ do të detyrohej të printonte dhe një herë fletët e votimit dhe gjithë materialet e procesit zgjedhor. Kjo do të vononte me siguri procesin dhe do ta pamundësonte atë në 30 qershor.

Por më interesante është situata, nëse Kolegji Zgjedhor rrëzon dhe ai kërkesën e Idajet Beqirit. Argumentat e Kolegjit mund të jenë disa. Por rëndësi ka rezultati: rrëzimi. Indirekt ky rrëzim, do tëishte dhe legjitimi i vazhdimit të procesit zgjedhor dhe mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor, tashmë me një vendim gjykate.

Dhe kjo është ajo që kanë sugjeruar ndërkombëtarët. Që zgjidhja në këtë rast të jetë ligjore dhe nga institucionet shqiptare.

A është kjo që i ka kujtuar Leyla Moises One, të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Presidentit Meta në takimin e gjatë paraditen e të enjtes? A i ka kërkuar ajo të respektojë vendimet e institucioneve shqiptare për këto zgjedhje?

Ndërkohë zhurma në parlament u denoncua nga opozitarët e rinj. Rudina Hajdari akuzoi se mocioni nuk kishte asnjë vlerë ligjore dhe kushtetuese. Por a ishte ky një paralajmërim se opozita e re, qe raportet e saj të ngushta me ndërkombëtarët i ka të njohura për publikun, do të jetë më konkrete në aksionin e saj kundër Ilir Metës? Ralf Gjoni, ish bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit vite më parë dhe sot i kthyer në armik të tij në vijën e parë të sulmit, e quajti ditën kur Meta hipi në karriken e parë të shtetit si ditën më të zezë në histori, kërkoi me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por përtej kësaj, duket se opozita e re nuk do ta lërë debatin për Metën, si një “rrake take” për të bërë zhurmë e tërhequr vemendjen. Burime të rëndësishme pohojnë për realstory.al, se ky grupim i ri opozitar tashmë ka grumbulluar afër 20 firma për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Lajmi mbetet për tu konfirmuar, por të enjten në parlament, Rudina Hajdari tha debati i të enjtes ishte qesharak, sa kohë nuk ka një mocion me firmat e një të katërtës së deputetëve. A është ky paralajmërimi i parë për atë që këta deputetë që kontrollohen nga ndërkombëtarët, mund të bëjnë konkretisht kundër Metës?

Me siguri që Leyla Moises One, këtë nuk ia ka përmendur Metës. Ca gjëra që dihen, nuk ka pse thuhen. Meta pak ditë më parë i sugjerojë amerikanëve të shkojnë në Korenë e Veriut. Ata përkundrazi, i shkuan atij vetë në zyrë. Pak minuta më vonë bëri thirrje për reflektim. Me siguri duke filluar nga vetja e tij.

BATON HAXHIU: ILIR META TE SHKARKOHET!

KQZ rrëzon kërkesën e PUK për çregjistrim si subjekt zgjedhor, çështja i kalon Kolegjit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e bërë nga kryetari i Partisë për Unitet Kombëtar, aleat i PS, Idajet Beqiri, që kërkonte çregjistrimin nga zgjedhjet e 30 qershorit të subjektit të tij politik. Gjatë fjalës së tij, Beqiri u shpreh para anëtarëve të KQZ-së se partia e tij e quan anti-kushtetues dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Megjithatë, z.Beqiri e argumentoi lëvizjen e forcës së tij poltike, duke përdorur faktin që zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Dekreti i Presidentit na ka shokuar. Këtë situatë e prisnim në fillim të vitit 1991. Është shkelur haptazi Kushtetuta e Shqipërisë. Duke mos patur dritë jeshile këtu, ne si subjekt zgjedhor, vlerësojmë se duke mos patur më mundësi morale, financiare, nuk shkojmë dot më tej. E konsideroj një veprim anti-kushtetutes, në një vend tjetër me një dekret të tillë, presidenti do të vizitohej psiqikisht”, tha ndër të tjera Idajet Beqiri.

Mirëpo, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se kjo ishte e pamundur të bëhet në kushtet kur fletët e votimit janë printuar, madje janë printuar jashtë vendit, pasi kompanitë shqiptare nuk i plotësonin kushtet. Sipas Z.Biba, kërkesa e Idajet Beqirit nuk mund të pranohej pasi afatet për të riprintuar fletët e votimit nga fillimi, nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Ndërkohë, pas fjalës së Denar Bibës, foli Kryetari i KQZ-së Klement Zguri, i cili u rikthye në detyrë pasi braktisi mbledhjete  KQZ-së ditën kur u mor në shqyrtim dekreti i Ilir Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Zguri kërkoi që KQZ-ja të mos mblidhej dhe të mos merrte asnjë vendim, pasi dekreti i presidentit ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

“Kush mundët të më thotë, akte të pavlefshme vendosen në fletoren zyrtare të shtetit? Personalisht nuk dua të merrem me të drejtën e Metës për dekretin. Kategorikisht! Nga njëra anë kam presidentin, nga ana tjetër Presidenti. Kush jam unë, që duhet t’i ballafaqoj vendimmarrjen e këtyre insitucioneve. I qëndroj mendimit tim! Kjo kërkesë do ta tejkalojë edhe atë që këtu është shkruar dhe kërkuar. KQZ duhet t’i ndërpresë procedurat për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Zguri, duke braktisur më pas mbledhjen. Kryesimin e  saj e mori përsëri Denar Biba, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të KQZ-së votuan  për rrëzimin e kërkesës së Idajet Beqirit, për çregjistrimin si subjekt zgjedhor nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, subjekti politik PUK i drejtuar nga Idajet Beqiri i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar vendimin e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës për çregjistrim nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit

KLGJ pranon kërkesën e Gjin Gjonit për dorëheqje nga Kolegji Zgjedhor

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar kërkesën e dorëheqjes së gjyqtarit Gjin Gjoni nga Kolegji Zgjedhor.

Gjoni e kishte dorëzuar vetë kërkesë për dorëheqje pranë KLGJ, ndërsa prej dy vjetësh ndodhet me leje prindërore të dhënë nga ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Pas dorëheqjes së Gjonit, Kolegji Zgjedhor mbetet me 6 anëtarë, pasi më herët është larguar nga Vettingu gjyqtari Sotiraq Lubonja

Kolegji Zgjedhor rrëzon KQZ, Bindja Demokratike me kandidat në Berat

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar vendimin e KQZ, që i ndalonte kandidimin partisë Bindja Demokratike të kandidatit Pavllo Shkarpa. KQZ rrëzoi më herët kërkesën e kandidatit të BD në Berat, pasi kishte gjetur parregullsi në regjistrimin e tij në gjendjen civile. Por Kolegji Zgjedhor e ka hedhur poshtë këtë argumentim, duke e cilësuar të pavlefshëm.

Tashmë edhe në bashkinë e beratit do të ketë dy kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor ka ardhur dhe reagimi zyrtar i Bindjes Demokratike, e cila shkruan: “Pas këtij vendimi në qytetin 2400 vjeçar pritet të ketë një garë të fortë dhe reale, mes përfaqësuesve të qeverisë dhe të opozitës”.

Vendimi është pritur shumë mirë në Berat, pasi zoti Shkarpa është personalitet shumë i njohur në atë qytet. Ai është prej vitesh kryetar i shoqatës “ANTIPATREA”, e cila ka zhvilluar shumë aktivitete për promovimin e kulturës dhe të vlerave të qytetit të Beratit”.

Kolegji ‘rrëzon’ Bejlerin për Himarën, reagon kandidati: Po kthehemi në komunizëm

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mos regjistruar Fredi Bejlerin si kandidat për kryebashkiak të Himarës.

Bejleri ka thënë sot se e respekton vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por këtë çështje do e çojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Bejleri ka komentuar dhe zgjedhjet e 30 qershorit për të cilat tha se nuk mund të zhvillohen me një kandidat.

“Do ketë zgjedhje? Zgjedhjet me një kandidat nuk janë zgjedhje, shpresoj që të mos të kthehemi në kohën e komunizmit”, tha Bejleri.

Ai ka folur dhe për thirrjen në Prokurorin e Krimeve të Rëndë, pasi akuzohet se ka lidhje me masakrën e Peshkëpisë.

Por Fredi Bejleri tha se nuk kishte lidhje as me këtë çështje dhe as me ndonjë ngjarje të tillë, pasi i quajti ato si akuza politike.

“S’kam lidhje as me ngjarjen e Peshkëpisë dhe asnjë çështje tjetër terroriste. Kjo është një çështje politike që po sorollat prej 25 vitesh”, tha Bejleri.

Pak para nisjes së seancës në Kolegjin Zgjedhor, Beleri ka qenë për rreth 3 orë në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u pyetur sërish për masakrën e Peshkëpisë, ku u ballafaqua me deklarimet e të tjerëve, që kanë lidhje më këtë ngjarje.

Skip to toolbar