Dëmtohen tre lojtarë të kombëtares, Shqipëria me mungesa ndaj Islandës

Edy Reja nuk do të ketë në dispozicion në ndeshjen ndaj Islandës tre lojtarë të rëndësishëm. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar mediat se mbrojtësit Egzon Binaku, Marash Kumbulla dhe mesfushori Ledian Memushaj, nuk do të udhëtojnë me ekipin drejt Islandës për ndeshjen e 8 qershorit.

“Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45. Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë”.

“Poashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet”.

“Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me U-21 në datë 3 qershor për transfertën e Turqisë”.

RealStory.al” ka mësuar se trajneri Edy Reja ka vendosur të mos grumbullojë lojtarë të tjerë për të zëvendësuar Binakun, Kumbullën dhe Memushajn, pasi në listën e lojtarëve të grumbulluar ka lojtarë të tjerë për t`i zëvendësuar tre mungesat.

Amir Abrashi: Në fushë të japim zemrën, edhe nëse nuk luajmë duhet të jemi gati

Në mars të këtij viti në ekipin kombëtar u rikthye Amir Abrashi, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në ligamente, që e mbajtën 11 muaj jashtë fushe. Arbashi bëri paraqitje të mira në pjesën e dytë të sezonit me Freiburg. Mesfushori ka folur nga kampi resorti ku është grumbulluar ekipi kombëtar, duke u shprehur se ndihet mirë dhe në formë për të luajtur, pavarësisht lodhjes me skuadrën e Freiburg.

“Kam nisur të luaj me Freiburg, në fund të sezonit kam ndier pak lodhje, por kam pasur pak ditë për pushim. Të shohim tani çfarë forme kam. Po të mos isha gati, nuk do isha këtu. Do jap gjithçka për ekipin, gjithçka është në dorën e trajnerit”.

“Kemi bërë shumë gabime, kemi marrë rezultate të mira e të këqija, tani kemi një trajner të ri dhe duam ta nisim mbarë me të”. Panucci? “Nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet flasin vetë për ta”.

“Shumë rëndësi ka që ekipi të qëndrojë sa më i bashkuar. Edhe kush nuk luan duhet të jetë gati për ekipin, pa qenë nervoz askush nëse nuk luan. Duhet dhënë zemra në fushë e në stërvitje, duke vrapuar pa fund”.

Kombëtarja U-19, flet Nevil Dede: Kemi strategji të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria

Nevil Dede ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, për të folur për listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve miqësore me Kosovën, që kombëtarja jonë U-19 do të luajë më 3 dhe 5 qershor.  Për këtë grumbullim nën urdhërat e trajnerit Dede do të jenë 22 lojtarë, një pjesë e të cilëve vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë grupmoshë, siç është rasti i Lucaj, Selishta, Shiba, Ajazi etj. Skuadra është duke u përgatitur dhe testuar për ndeshjet eliminatore të muajit nëntor, ku Shqipëria ndodhet në grup me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë dhe faza kualifikuese zhvillohet në muajin nëntor në Belgjikë.

“Deri diku, kjo skuadër po formohet. Ka marrë një fytyrë. Strategjia e zyrës tonë përkatëse është që të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria. Këtë e kam deklaruar që në fillim. Arsyeja e parë dhe e vetme për këta futbollistë që marrin pjesë në klubet shqiptare është që të ketë respekt dhe vëmendje. Veç kësaj, i duhet dhënë oksigjen ekipeve shqiptare, pasi kanë edhe një sërë ekipesh zinxhir. Duhet të përmirësohen në procesin e rritjes dhe të jenë sa më funksionalë”, tha Dede.  

Për sa i përket zgjedhjes së lojtarëve, Nevil Dede u shpreh se kjo është strategji për të ndihmuar futbollin në vend. “E para është zgjedhja e elementit më të mirë. Strategji apo ide që duam të ushqejmë futbollin shqiptar. Aty pastaj problematika është se cilët janë më të mirët. Për të furnizuar ekipin U-21 dhe kombëtaren A më pas. Ne i vëzhgojmë gati të gjithë, kudo që ndodhen. Federata ka strukturat e saj edhe në shtetet e tjera të Europës dhe marrim informacion sa më të plotë dhe të saktë. Nëse këta luajnë rregullisht, dërgojmë ftesa dhe shohim se si përshtaten me ambientin”.

Mungesa? “Përqindja më e madhe e lojtarëve janë të pranishëm. Por, duke qenë këto data, dikush mungon për impenjime të shkollës dhe të tjerë luajnë playoff. Ne me 3 qershor dhe 5 kemi ndeshjet zyrtare miqësore. Dikush është ende në aktivitet. Bozhani mungon sepse klubi i tij merr pjesë në playout. Edhe disa emra të rinj, duhet ta shpjegojmë se kemi parë një pjesë. Ky ështe proces që ka edhe ndryshime. Nuk është se nuk i kemi nën vëzhgim dhe vëmendje.”

Ismajli: Nuk pendohem që zgjodha Shqipërinë, Kosovës i uroj suksese

Ardian Ismajli ishte përzgjedhur nga mediat kroate si pjesë e formacionit të vitit në Kroaci. Qendërmbrojtësi i kombtares shqiptare, që aktivizohet me Hajduk Splitin, ka bërë një sezon të shkëlqyer, aq sa i vlejti për një ftesë edhe në kombëtaren kuqezi. Nga grumbullimi i kësaj të fundit, ai ka folur këtë të mërkurë në konferencë për shtyp. Ismajli ka komentuar fillimisht lajmin e mediave kroate.

“Jam i kënaqur nga paraqitjet personale në nivel klubi dhe me kombëtaren. Kjo, edhe falë mikpritjes së lojtarëve këtu. Më kanë mbeshtetur shumë, ndaj iu them faleminderit të gjithëve. Shpresoj t’ua kem shpërblyer në fushë, sa herë kam luajtur”.

Më pas, 22-vjeçari ka folur për situatën në kombëtare, duke u shprehur se pavarësisht ndërrimit të trajnerëve, në ekip duhet të ketë harmoni. “Nuk e di, nëse do të ketë ndryshime, por ekipi ka nevojë për harmoni. Megjithatë, gjërat i di më mirë trajneri i ri”, ka thën Ismajli.

Më herët ai ishte pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ndërsa vendosi që të zgjidhte Shqipërinë për të luajtur me kombëtaren e parë. Nuk ka pendesë për këtë lëvizje nga mbrojtësi. “Unë kam luajtur më parë me Kosovën, por kam zgjedhur Shqipërinë Nuk kam asnjë pendesë për këtë lëvizje. Kosova po paraqitet vërtet mirë, ndaj iu uroj suksese shokëve të mi atje. Shqipëria po kalon ngërçet e veta, por do t’i kalojë shumë shpejt ato dhe do të ngjitet ku i takon”.

Në fund ai ka folur dhe për merkaton, duke deklaruar se është duke vlerësuar ofertat, ndërsa për momentin është i fokusuar te kombëtarja, ky synon fitoren me Islandën. “Nëse marrim tri pikë ndaj Islandës, gjithçka mund të ndodhë. Pastaj presim Moldavinë në shtëpi dhe, pa e nënvlerësuar atë, kemi shanse për tri pikë të tjera. Pra, ngjitemi në kuotën e 9 pikëve. Le të mendojmë për Islandën për momentin, si t’i kundërvihemi asaj. Ne shkojmë me optimizëm në këtë transfertë”.

Kombëtarja, Sadiku: Reja na kthehu lirinë, me Panuccin s`kishim raport

Armando Sadiku ka folur sot në konferencë për shtyp nga Durrësi, ku prej ditësh është grumbulluar ekipi ynë kombëtar. Sadiku është shprehur se trajneri Edy Reja i ka dhënë frymëmarrje dhe liri lojtarëve, duke krijuar një klimë pozitive. “Ndihem më mirë kur jam i lirë. Kjo ka qenë forca jonë, të flisnim me njëri-tjetrin dhe të krijojmë grupin. Ambjeti që ka krijuar trajneri është pozitiv”.

“Gjëja që  më pëlqeu më shumë te trajneri ka të bëjë me komunikimim. Ai ka bërë që çdo futbollist të ndihet i rëndësishëm. Kur ai të vjen dhe të flet, duke të dhënë besim, të bën të mendosh se do të luash”, ka thënë Sadiku.

Më tej, gjatë fjalës së tij sulmuesi kuqezi ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Islandës, ndaj të cilës Shqipëria luan në transfertë. “Trajneri ka punuar në stërvitje skemën që duhet praktikuar ndaj Islandës, 3-5-2. Ishte stërvitje intensive”, thotë Sadiku, ndërsa beson te arritja e një rezultati pozitiv.

“Islanda është ekip që luan mirë në lojën në ajër. Vetë rezultatet flasin: ka shkuar në Europian dhe Botëror. Kanë eksperiencë tashmë”. Njëherë kam luajtur ndaj tyre. Duhet të harrojmë ato dy ndeshje që kemi luajtur ndaj tyre, duhet të fokusohemi te kjo. Atmosfera është ndryshe dhe e mirë, ndaj duhet të përgatitemi”, ka thënë sulmuesi elbasanas.

Ndryshimi i brezave dhe mungesa e minutave me klubet për lojtarët, janë dy nga arsyet pse kombëtarja ka pasur probleme në dy vitet e fundit.

Ndryshim brezi, nga Franca ka pasur prurje të reja. Të gjithë e dimë që shumica e lojtarëve kishte probleme në klubet përkatëse. Gjysma e skuadrës nuk ka luajtur, ndaj ndikon në ndeshje. Me Panuccin, ky ishte problemi. Me rregullat që kishte ai, në fillim nuk krijuam raport shumë të mirë”, ka thënë Sadiku.

Armando Sadiku ka treguar se karriera sezonin e ardhshëm do të vijojë me Levanten. “Kam dy vjet ende me Levanten në kontratë. Isha në huazim te Lugano sepse vija nga një dëmtim i rëndësishëm. Për fat e përfundova me sukses te Lugano, pasi shkuam në Europa League. Tani në korrik kthehem te Levante dhe do të nis grumbullimin atje”, është shprehur sulmuesi kuqezi.

Edy Reja: Rrugë e gjatë deri në Europian. Gjimshiti? do të operohet

Trajneri i ekipit tonë kombëtar të futbollit Edy Reja ka publikuar paraditen e të martës listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor. Pak minuta pasi u bë publike lista, Edy Reja ka dalë në konferencë për shtyp për të qartësuar zgjedhjet e bëra me lojtarët e grumbulluar. Fillimisht ai u shpreh se ka thirrur në grumbullim lojtarë që më herët ishin grumbulluar nga Gianni de Biasi, por edhe nga Christian Panucci.

“Kam kthyer lojtarë të De Biasit, dhe kam lojtarë të tjerë Panuccit, por më duhet kohë t’i njoh. Kam parë të rinj dhe 4 lojtarë të Partizanit dhe janë lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Kam listë me 35 lojtarë”, ka thënë Reja. 

Më pas i pyetur për objektivat, trajneri i kuqezinjve ka thënë se duhet të punojmë të gjithë për të shkuar në Europian. “Ne duhet të punojmë që të shkojmë në Europian. Ne duhet të punojmë më shumë me mbrojtjen dhe më pas të zgjidhim anën e sulmit. Kemi patur probleme me mbrojtjen. Lojtarët duhet të japin maksimumin kur vijnë dhe këtu. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjekin shumë këtë skuadër“.

Edy Reja ka treguar se lojtarët janë në gjendje të mirë psikologjike, ndërsa është shprehur se nga sot nisj stërvitja e vërtet. “Kam folur me lojtarët dhe kam udhëtuar shpesh për të takuar lojtarët. Ka dëshirë, entuziazëm dhe dëshirë pozitive që unë e ndjej. Futbollistët duan të bëjnë më të mirën e mundshme. Lojtarët që kishin përfunduar kampionatin i afrova për t’i mbajtur në aspektin e duhur fizik. Stërvitja e vërtetë do të fillojë sot“, është shprehur trajeri.

Trajneri italian, që do të ketë debutimin për herë të parë si drejtues i një ekipi kombëtar në karrierën e tij, ëshë shprehur se skuadra më parë kishte mungesë ekuilibri, ndërsa ka zbuluar dhe mënyrën e lojës në ndeshjen e parë.

“Mendoj se mungonte ekuilibri i skuadrës me Panuccin. Lojtarët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”. “Do të luajë me dy sulmues me Islandën. Do të mundohemi të bëjmë presion që lart me dy sulmues. Nuk do të thotë që do të bëjmë një ndeshje shumë ofensive”.

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin Edy Reja edhe për rikthimin e Lenjanit në kombëtare, ndësa Italiani ka zbuluar edhe arsyet pse mungon Berat Gjimshiti.

Kam folur me Lenjanin kam qenë në Zvicër. Kemi sqaruar gjithçka. Lenjani është lojtar ofensiv dhe ndoshta nuk ishte pjesë e skemave të trajnerit Christian Panuccit. Gjimshiti do të operohet sot, pasi ka një problem. Ai ka luajtur i dëmtuar, pasi Gasperini kishte mungesa. Më vjen keq, pasi Gjimshitin e kam marrë unë tek Atalanta dhe nuk do të jetë. Vrioni do të largohet që sot, pasi ka një dëmtim”, ka thënë ndër të tjera Edy Reja.

Stadium i ri për Apoloninë. A do qetësohet Kokëdhima?

FSHF ka nisur bisedimet për të financuar një stadium të ri. Pas stadiumeve të Elbasanit dhe Shkodrës, “Arenës Kombëtare” që është pranë përfundimit, si dhe “Zeqir Ymerit” në Kukës që pritet të nisë punimet, një tjetër impiant në Shqipëri bëhet gati për investime.

Ditën e sotme, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si dhe presidentin e klubit të Apolonisë së Fierit, Koço Kokëdhima, me qëllim kryesor bashkëpunimin për nisjen e punimeve në stadiumin e Fierit.

Pas këtij takimi, është rënë dakord që të fillojë puna në “Loni Papuçiu”, për një stadium që do të shkojë deri në 8000 vende. FSHF pritet të paguajë për 1/3 e investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Qeveria dhe Bashkia Fier.

Stadiumi i cili me siguri do të ndërtohet nga kompanitë e Kokëdhimës, i cili njihet për aktivitete edhe në ndërtim, pritet të qetësojë presidentin e Apolonisë, i cili që prej përjashtimit nga PS, ka ngritur një aksion politik kundër ish beniaminit të tij, kryeministrit Edi Rama, bile duke kërcënuar se do të kandidojë në Tiranë.

Por qindra milionat që FSHF dhe qeveria do derdhin në arkat e Kokëdhimës mund të qetësojnë disi atë dhe financat e tij. Në fakt qetësimi u vu re në faqen e parë të gazetës Shekulli të martën, kur artikull i parë ishte ai që sulmonte direkt LSI për aferën e byzylykëve të të burgosurve.

Taulant Seferi shënon me Winterthur, sezonin e ardhshëm luan në Champions

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Taulant Seferi ka gjetur pësëri rrjetën mbrëmjen e djeshme në Zvicër me Winterthur. Në ndeshjen e fundit për të me ekipin e kategorisë së dytë, Seferi shënoi golin e tretë në fitoren 3-1 të Winterthur ndaj Schaffhausen.

Ishte minuta e 55` e takimit kur Taulant Seferi mori një pasim nga shoku i tij i skuadrës në mesfushë, dhe u nis drejt portës kundërshtare. Në krahun e djathtë futbollisti kuqezi futet në zonë dhe dërgon topin në shtyllën e dytë, duke mposhtur portierin kundërshtar.

Ky ishte goli i dhjetë sezonal për Taulant Seferin, që tashmë do të largohet nga ekipi i Winterthur. Pas ndeshjes, futbollisti nga kumanova ka shkruar dhe një mesazh lamtumire për ekipin dhe skuadrën, ku ka kaluar një sezon fantastik, ndonëse nuk arriti që ta ngjiste në elitën e futbollit zviceran.

Shumë i lumtur që e mbylla sezonin me gol të shënuar dhe me fitore, ishte ndeshja ime e fundit për Ëinterthur. U ndjeva i mërzitur për ndarjen me tifozët dhe me gjithë bashkëlojtarët dhe stafin teknik. Por kështu është futbolli dhe karriera. U jam shumë falënderues gjithë atyre që më kanë mbështetur gjatë gjithë kampionatit dhe gjatë të gjitha ndeshjeve. Falënderimi i takon Zotit, pastaj familjes dhe të gjithve për përkrahjen”, shkruan 22-vjeçari.

Taulant Seferi do të rikthehet për të luajtur sezonin e ardhshëm me kampionët e Zvicrës, Young Boys, ekip që do të marrë pjesë në Champions League. Seferi është pjesë e skuadrës së Young Boys prej disa sezonesh, por në verën e vitit të kaluar ai u huazua te Winterthur në kategorinë e dytë. Paraqitjet e tij të mira gjatë këtij sezoni, bëri që Young Boys ti rinovonte kontratën dhe për një sezon.  

Roshi mbetet në Rusi, rinovon edhe për 3 vite me Grozny

Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Odise Roshi, ka bindur drejtuesit e skuadrës ruse të FC Akhmat Grozny për të rinovuar kontratën edhe për 3 vitet e ardhshme, pavarësisht dëmtimeve që e kanë shoqëruar gjatë sezonit të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi rus me anë të një postimi në Twitter. “Odise Roshi do të jetë edhe për 3 vitet e ardhshme pjesë e klubit. Nënshkruam një kontratë të re 3-vjeçare”.

Roshi u transferua në vitin 2016 te Akhmat Grozny, ndërsa në sezonin e fundit mundi të aktivizohet vetëm në 12 ndeshje pasi pësoi një dëmtim të rëndë.

Partizani merr titullin nesër, Gega: Dua të dhurojmë spektakël ndaj Kukësit

Trajneri i Partizanit Skënder Gega ka folur një ditë para ndeshjes me Kukësin, duke prekur disa tema. Të dielën në “Sleman Stërmasi”, Partizani do të përballet me verilindorët në ndeshjen e parafundit të kampionatit, ku pas takimit do të zhvillohet dhe ceremonia e dhënies së titullit kampion nga FSHF-ja.

Skënder Gega ka folur fillimisht për Kukësin, duke u shprehur se nesër kërkon fitore, për ta mbyllur ndeshjen me emocione: “Kukësi ka qenë ndjekësi jonë konstant, asnjëherë para nesh, por ka qenë ndjekësi jonë. Ta mbyllim me një ndeshje që të krijon emocione dhe spektakël. Jemi përgatitur dhe e kemi vlerësuar, edhe pse ne e kemi siguruar trofeun. Do mundohemi të bëjmë më të mirën, me grupin më të fortë dhe t’i kënaqim tifozat ta mbyllim ashtu siç duhet”.

Gega tha se nesër do të ketë ndryshime në formacion, megjithëse la të kuptohet se titullar mund të jenë lojtarët që kanë luajtur gjithë sezonin dhe i kanë dhënë titullin kampion Partizanit.

Janë 11 veta, është 90 minutëshi i fundit, minimumi 3 do të jenë. Nuk e kemi vendos akoma se kush do të jetë, do të mundohemi të respektojmë atë grup që e kanë çuar Partizanin deri në fund, dhe në fund e meritojnë të luajnë ata që kanë bërë pjesëmarrjen më të madhe”.

Tre lojtarë të Partizanit janë grumbulluara paraprakisht në ekipin kombëtar, çka për Skënder Gegën kjo ka qenë një kënaqsi për të dhë vetë lojtarët. Ai shprehet se Telushi, Trashi dhe Mala do të bashkohen sot pasdite me Partizanin.

“Lojtarët bashkohen sot me ekipin, ikja e tyre në Kombëtare ka qenë një kënaqësi dhe një motivim për vetë ata, kështu kur kthehen i bashkohen grupit atëherë grupi është më i fortë dhe motivimi është vetvetiu. Nuk jemi me presionin e rezultati por me presionin e kënaqësisë dhe ta shijojmë ndeshjen 90 minuta. Jemi stërvitur me të njëjtin ritëm, jemi profesionistë dhe paguhemi për t’u stërvitur dhe për të treguar vlerat. Aq më tepër kundër Kukësit, ndeshjen e nesërme do e vlerësojmë në maksimum, sikur nuk e kemi marrë kupën”.

“Jam i kënaqur, besoj e kanë merituar. Janë shpërblyer. Është pozitive që trajneri i ka marrë, e rëndësishme është që të katërt kanë marrë frutat e punës, por edhe ne jemi të kënaqur ashtu si shokët e tyre. Është e drejta e çdo trajneri për të përzgjedhur, nuk e di listën përfundimtare. Duket që do t’i japë hakun secilit, shpresoj në të ardhmen jo vetëm Partizanit, njerëzit e meritojnë një shans”.

“Është përgjegjësi e trajnerit. Ne kemi lojtarë dhe shihet në fushë. E respektojmë trajnerin e Kombëtares, do të bëjmë përzgjedhjen më të mirë. Është e vështirë të futet çdo njeri. Uroj jo vetëm nga Partizani, por të ketë lojtarë të tjerë nga kampionati. Asani, Bardhi dhe Hebaj kanë të drejtën morale dhe dëshirën për t’u bashkuar, pastaj është zgjedhja e trajnerit të Kombëtares”.

Skip to toolbar