Taulant Seferi shënon me Winterthur, sezonin e ardhshëm luan në Champions

KOMBËTARE


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Taulant Seferi ka gjetur pësëri rrjetën mbrëmjen e djeshme në Zvicër me Winterthur. Në ndeshjen e fundit për të me ekipin e kategorisë së dytë, Seferi shënoi golin e tretë në fitoren 3-1 të Winterthur ndaj Schaffhausen.

Ishte minuta e 55` e takimit kur Taulant Seferi mori një pasim nga shoku i tij i skuadrës në mesfushë, dhe u nis drejt portës kundërshtare. Në krahun e djathtë futbollisti kuqezi futet në zonë dhe dërgon topin në shtyllën e dytë, duke mposhtur portierin kundërshtar.


Ky ishte goli i dhjetë sezonal për Taulant Seferin, që tashmë do të largohet nga ekipi i Winterthur. Pas ndeshjes, futbollisti nga kumanova ka shkruar dhe një mesazh lamtumire për ekipin dhe skuadrën, ku ka kaluar një sezon fantastik, ndonëse nuk arriti që ta ngjiste në elitën e futbollit zviceran.

Shumë i lumtur që e mbylla sezonin me gol të shënuar dhe me fitore, ishte ndeshja ime e fundit për Ëinterthur. U ndjeva i mërzitur për ndarjen me tifozët dhe me gjithë bashkëlojtarët dhe stafin teknik. Por kështu është futbolli dhe karriera. U jam shumë falënderues gjithë atyre që më kanë mbështetur gjatë gjithë kampionatit dhe gjatë të gjitha ndeshjeve. Falënderimi i takon Zotit, pastaj familjes dhe të gjithve për përkrahjen”, shkruan 22-vjeçari.

Taulant Seferi do të rikthehet për të luajtur sezonin e ardhshëm me kampionët e Zvicrës, Young Boys, ekip që do të marrë pjesë në Champions League. Seferi është pjesë e skuadrës së Young Boys prej disa sezonesh, por në verën e vitit të kaluar ai u huazua te Winterthur në kategorinë e dytë. Paraqitjet e tij të mira gjatë këtij sezoni, bëri që Young Boys ti rinovonte kontratën dhe për një sezon.  




Skip to toolbar