Javën e ardhshme, Meta “i pandehur” në Kuvend. 9 hapa për shkarkimin

Pas përfundimit të pushimeve të verës, Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të Kushtetutës nga Ilir Meta, është rikthyer në punë. Mesditën e të martës, ky komision ka zhvilluar mbledhjen e tretë të tij që pas krijimit në muajin korrik. Në rendin e ditës të këtij komisioni, ishte miratimi i procesverbalit të datës 15 korrik 2019, dhe miratimi i planit të hetimit. Para se të shkonte në miratimin e këtyre pikave, Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u shpreh se për të zhvilluar një hetim sa më të plotë, sekretariati i Komisionit Hetimor ka kërkuar dokumentacionin nga disa institucione.

“Përpara se të arrijmë në  miratimin e planit të hetimit, siç e shpejgova, Komisioni, bazuar në ligj, u është drejtuar me shkresë për të sjellë në Sekretarinë e Komisionit dokumentacionin e duhur; Qedrës së Botimeve Zyrtare, Policisë së Shtetit, Kolegjit Zgjedhor, Autoritetit të Mediave Vizive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucionit të Presidentit. Jemi vënë në dijeni nga sekretariati, që të 7-të institucionet kanë sjellë përgjigje dhe përgjigja e fundit është ajo e Presidencës në datën 2 gusht”, ka sqaruar Manja.

Më tej, kreu i këtij komisioni, ka prezantuar planin e hetimit për Ilir Metën, që synon shkarkimin e tij për shkeljet kushtetuese. Sipas këtij plani, hetimi do të nisë me seancën degjimore të Presidentit Ilir Meta, dhe më pas do të vijojë me shqyrtimin e materialeve të administruara nga 7-të institucionet që u është kërkuar informacion. Plani parashikon 9 hapa, duke u mbyllur pikërisht me raportin përfundimtar të këtij Komisioni Hetimor, që do t`i dorëzohet Parlamentit për votim.

“Pasi është administruar dokumentacioni i ardhur nga këto institucione, kemi ardhur sot me këtë projekt-plan hetimi, që unë kam propozuar për miratim. Hapi i parë është seanca dëgjimore me Presidentin Ilir Meta, hapi i dytë administrimi dhe shqyrtimi i materialeve të marra nga 7-të institucione; administrimi i raportit të Komisonit për Çështjet Ligjore për shqyrtimin e kërkesës së deputetëve që iniciuan shkarkimin e Ilir Metës; administrimi i kërkesës së 55 deputetëve që bën kërkesën në Kuvend; administrimi i Opinionin të Komisionit të Venecias; administrimi i çdo dokumentacioni tjetër që Komisioni Hetimor e shikon të arsyshëm për shqyrtim; diskutim për gjetjet e Komisionit Hetimor; përgatitja e raportit përfundimtar dhe hapi i fundit, paraqitja në Kuvend e këtij Raporti”, tha Manja.

Në fund, Ulsi Manja ka lajmëruar se në datën 9 shtator, një panel ekspertësh nga Komisioni i Venecias do të vizitojnë Shqipërinë, ku do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit e opozitës, mazhorancës dhe një takim me të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. Ndërkohë, nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e opozitës parlamentare, Alban Zeneli, ka kërkuar që të shtyhet afati i funksionimit të Komisionit Hetimor, me qëllim që të ngrihet dhe Gjykata Kushtetuese.

“Çdo raport që del nga ky institucion do të shkojë në Parlament, është detyrim që çdo vendim që merr Kuvendi, të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi në rastin që kjo gjykatë nuk është formuar. Ne i kemi bërë kërkesë Komisionit të Venecias për një opinion, unë dua të kërkoj që të mos e lëmë me një boshllëk. Besoj është më e pranueshme që ne t`i kërkojmë Kuvendit të shtyjë afatin e komisionit hetimor, në qëllim që të shkojë paralel me krijimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Zeneli.

Ndërkohë, Ulsi Manja është përgjigjur ndaj deputetit të opozitës, duke u shprehur se funksionimi i Komisionit Hetimor do të bëhet sipas afateve ligjore, duke e mbyllur detyrën e tij më 8 tetor të këtij viti. “Unë e kam bërë të ditur, procedura e shkarkimit të Presidentit është një marrëdhënie mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që ky Komision Hetimor, në zbatim të rregullores së Kuvendit, do duhet ta përfundojë veprimtarinë e vetë në datën 8 tetor të vitit 2019. Faza e dytë është ajo e Gjykatës Kushtetuese. Ngritja dhe bërja funksionale e gjykatës, nuk e pengon Kuvendin për të përfunduar këtë detyrë që i ka ngarkuar kuvendit. Opinioni i Komisionit të Venecias do duhet të pritet nga ky komision, për të arritur një vendim përfundimtar”, tha Manja.

Vijon…

Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor mblidhet të enjten

Kuvendi miratoi ditën e hënë ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë shkeljet e Kushtetutës të kryera nga presidentit Meta. Komisionit pritet të mos humbasë kohë por të nis menjëherë shqyrtimin e raportit për shkarkimin e presidentit Meta pas shkeljeve të kryera në 9 raste. Komisioni do të nis punën e tij ditën e enjte. Lajmi është bëri i ditur nga deputeti i ri i opozitës Alban Zeneli, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

Zeneli tha se përpilimi i një raporti të plotë dhe përfundimtar mbi shkarkimin e Presidentit të Republikës do të jetë gati brenda muajit shtator. Vendimi përfundimtar i shkarkimit të Metës do të merret nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të ngrihet brenda kësaj vere. Zeneli tha për Report TV se komisioni do të marrë të gjithë kohën e nevojshme që i jep ligji, (3 muaj) për dorëzimin e raportit në mënyrë që t’i jepet kohë ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhja e parë e komisionit hetimor për presidentin është brenda 3 ditëve dhe besoj se do jetë nesër(e enjte). Raporti do të jetë gati brenda muajit shtator, për t’i dhënë mundësi edhe ngritjes së Gjykatës Kushtetuese e cila do të marrë edhe vendimin përfundimtar nëse duhet shkarkuar apo jo presidenti Meta. Në dijeninë time ne do zbatojmë gjithçka ka përcaktuar ligji dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe e gjitha koha e marrë nga Kuvendi do të jetë 3 muaj“. – tha Zenelaj

Anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i opozitës së re Halit Valteri, tha se procedura nuk kanë pse të jenë të nxituara dhe se do të mblidhen në të gjitha provat dhe faktet që vërtetojnë shkeljet e Kushtetutës nga presidenti Meta.

Nuk është se kemi gjë me ngut. Komisioni Hetimor nuk shkarkon presidentin e Republikës, por mbledh prova, fakte dhe jep propozime nëse Presidenti ka shkelur ose Kushtetutën. Ajo që jep vendimin përfundimtar është Gjykata Kushtetuese”. – tha Valteri

Ngrihet Komisioni me 101 vota pro, 3 muaj hetime për shkarkimin e Ilir Metës

Parlamenti ka votuar me 101 vota pro dhe 6 kundër, 2 abstenim, ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të hetojë shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Fjalën e hapjes në seancën parlamentare e mbajti Ulsi Manja, i cili lexoi argumentet dhe gjetjet e raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili i propozoi Kuvendit më pas votimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar.

Më pas, ishte Kryeministri Edi Rama, që mbajti një fjalim më pak se koha e parashikuar, por i argumentuar ku cilësoi shkeljet e rënda kushtetuese të Ilir Metës, si dhe sulmet e paprecedenta të Presidentit ndaj partnerëve ndërkombëtar. Rama i bëri thirrje gjithashtu deputetëve të opozitës që të votojnë pro ngritjes së Komisionit Hetimor.

Në fakt, këtë thirrje e konfirmuan shumica e deptetëve të opozitës, të cilët gjatë fjalës së tyre në parlament, u shprehën pro shkarkimit të Ilir Metës, dhe ngritjen e Komisionit Hetimor, që i hap rrugë ligjërisht këtij vendimi. Komisioni Hetimor, pas votimit në Parlament, ngrihet brenda dy ditësh dhe nis punën për nisjen e hetimit dhe përgatitjes së raportit përfundimtar, që do të votohet nga Parlamenti për shkarkimin e presidentit.

Po çfarë ndodh pas ngritjes së Komisionit Hetimor. Ligjërisht, ky komision do të ketë një periudhë  kohore tre mujore për të hetuar shkeljet kushtetuese të Ilir Metës. Presidenti do të thirret për të folur para anëtarëve të Komisionit Hetimor, një e dretjë ligjore e tij. Më pas, vijohet me hetimin e shkeljeve të ndryshme kushtetuese, të cilat në fakt, mazhoranca pothuajse i ka gati, pasi ato janë pjesë e raportit të Komisionit të Ligjeve të miratuar në Parlament, dhe përbëjnë bazën kryesore të pikave ku bazohet shkarkimi i Ilir Metës. Megjithatë, afati tre mujor i funksionimit të Komisionit Hetimor, ka dhe një tjetër domethënie.

Nëse ky komision, dorëzon në Parlament raportin përfundimtar të hetimit të Metës, dhe Kuvendi voton shkarkimin e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese ajo që thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit. Ndaj, mazhoranca, brenda këtij afati 3 mujor të Komisionit Hetimor, paralelisht, ka mundësi të votojë në Kuvend edhe emrat për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të jetë funksionale në momentin e shkarkimit të Presidentit nga Parlamenti, dhe si rrjedhojë, e gjithë procedura e shkarkimit të Ilir Metës, përfshi dhe vlerësimin në Kushtetuese, mund të mbyllet brenda vjeshtës.

Komisioni Hetimor përbëhet nga:

1-Ulsi Manja, kryetar

2-Vasilika Hysi, anëtar

3- Klotilda Ferhati, anëtar

4-Bashkim Fino, anëtar

5-Alket Hyseni, anëtar

Nga opozita parlamentare:

1- Alban Zeneli

2- Halit Valteri

3- Adriak Alimadhi

Nga deputetët jashtë grupeve parlamentare:

1-Krenar Rryçi

Meta tregon “muskujt” nga plazhi, dy ditë para shkarkimit

Kuvendi do të mblidhet të hënën në 8 korrik për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të hetojë dhe më pas do të paraqesë një raport përfudimtar, për shkarkimin e Ilir Metës. Mazhoranca do t`i shkojë deri në fund nismës së saj për shkarkimin e Presidentit, pasi Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Megjithatë, Meta duket i “qetë” pasi të hënën më 8 korrik për të do të protestojë opzita, e cila pavarësisht se arsyen e ka kundër Qeverisë, fakti që Basha ia ka lënë në dorë organizimin e protestës Monika Kryemadhit, konfirmon se tubimi i së hënës do të jetë edhe kundër shkarkimit të Metës.

Si për të konfirmuar qetësinë dhe sfidën ndaj qeverisë, Ilir Meta ka publikuar të shtunën në mbrëmje një foto ku shfaqet në plazh. Nuk dihet në cilin plazh e ka shkrepur Meta foton, por me pamjen e tij duket sikur “tregon muskujt”, dhe uron shqiptarët “mbrëmje të mrekullueshme”.

Kujtojmë këtu se Qeveria e akuzon Ilir Metën për 9 shkelje, të publikuara më parë nga Reslastory.al, të cilat përbëjnë bazë të mjaftueshme për shkarkimin e kreut të shtetit. Pas miratimit në kuvend, Komisioni Hetimor Parlamentar mund të krijohet brenda dy ditësh dhe të nis punën për shkarkimin e Presidentit.

Mazhoranca e ka gati pothuajse materialin hetimor, por për arsye procedurale, do të duhet të ftojë në një seancë degjimore në Komision edhe Ilir Metën, i cili do të duhet të paraqesë argumentatat e tij për dekretin e 10 dhe 27 qershorit.

Kuvendi seancë të posaçme më 8 korrik, fillon zyrtarisht shkarkimi i Metës

Deklarata e bërë të martën nga Ilir Meta, ku jepte versionin e tij për zgjidhjen e krizës, njëherazi sulmonte SHBA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar, ka bërë që mazhoranca të përshpejtojë procedurat për shkarkimin e tij. Pasditen e të martës, vetëm disa orë pas deklaratës së Ilir Metës, mësohet se Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posaçme ditën e hënë më 8 korrik, për të diskutuar çështjen e shkarkimit të Ilir Metës. Gjatë seancës do të votohet ngrija ose jo e Komisionit Hetimor, i cili do të hetojë nëse është shkelur Kushtetuta, pas dekretit të 10 qershorit, ku Ilir Meta anulonte datën e zgjedhjeve më 30 qershor, mëson Realstory.al nga burime të larta pranë grupit parlamentar të PS.

Katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën për ti paraqitur Kuvendit  ngritjen e Komisionit Hetimor sipas procedurave ligjore. Në fakt, më herët ishte parashikuar që kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor nga Kuvendit, të bëhej të enjten më 4 korrik, ditë që korenspodon me datën e lindjes së Kryeminisrtit Edi Rama. Por vetë kreu i qeverisë nuk do të ketë mundësi për të qenë të enjten në seancë plenare, me shumë gjasa edhe disa ministra apo deputetë, pasi në axhendën e tij, shefi i qeverisë, ka një vizitë jashtë vendin.

Për këtë arsye, Kryeministri Edi Rama ka dashur që të jetë vetë prezent në momentin që do të votohet kresa për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës. Pas miratimit në Kuvend të kërkesës për ngritjen e këtij komisioni, sipas procedurës ai krijohet brenda 2 ditëve.  Më pas Komisioni Hetimor, që praktikisht ka pothuajse çdo gjë gati, do ti duhet vetëm të thërrasë Presidentin Ilir Meta për të raportuar para tij. Në fund, konkluzionet e Komisionit Hetimor do i paraqiten Kuvendit, që më pas do ë miratojë përfundimisht shkarkimin ose jo të Presidentit.

Skip to toolbar