Partia Demokratike ka reaguar pasditen e të shtunës, duke përgënjështruar sipas saj, lajmin se ekspertët e Komisionit të Venecias nuk do të kenë asnjë takim me Bashën apo përfaqësues të Partisë Demokrtike. “Lidhur me lajmin e mbërritjes së ekspertëve të Komisionit të Venecias në Shqipëri, disa media, duke iu referuar një axhende të papërditësuar, kanë njoftuar se Komisioni i Venecias nuk do të takohet me opozitën. Në të vërtetë, takimi me PD dhe LSI është planifikuar të jetë në 10 shtator, ora 08:00, në Rogner. Përfaqësues të opozitës në takim do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha”, shkruan PD në njoftimin e saj.
Në fakt, ndonëse Partia Demokratike ka njoftuar se lajmi i mëparshëm është i referuar nga ‘axhenda e papërditësuar’ e Komisionit të Venecias, nga ky institucion nuk ka asnjë konfirmim për takimin me përfaqësues të opozitës. Të paktën, deri në orën 16:35 të pasdites, në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, nuk ka asnjë ndryshim apo përditësim të axhendës, siç pretendon Partia Demokratike.
“Një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të përgatitjes së projekt-opinionit për kompetencat e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në një Sistem Parlametar. Delegacioni do të takojë autoritetet e mëposhtme shqiptare: Presidentin e Shqipërisë, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, përfshirë Komisionin e Posaçëm të Hetimit, si dhe Ministrin e Brendshëm, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ushtruesin e detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Drafti i opinionit është në rendin e ditës të seancës së tetorit 2019 të Komisionit”, shkruhet në të gjithë njoftimin e Komisionit të Venecias, pas njoftimit të bërë nga Partia Demokratike, se ka një axhendë të ndryshuar të përfaqësuesve të këtij komisioni.
Pra, siç shkruhet e zeza në të bardhë, të paktën nga njoftimi zyrtar nuk ka asnjë axhendë të ndryshuar. Ndërkohë, fakti që Venecia shmang takimet me opozitën jashtëparlamentare dhe fut në axhendë takimet me opozitën në parlament, duket se nuk është pritur mirë nga Selia Blu, që ndoshta ka nënkuptuar se institucioni më i rëndësishëm i gjykimit konstitucionalit në Europë dhe jo vetëm, njeh ‘opozitë të ligjshme’ atë në parlament, që voton ligje e merr vendime për vendin. Reagimi i Partisë Demokratike erdhi pas më shumë se 6-të orësh nga publikimi i axhendës së Komisionit të Venecias me takimet që ka parashikuar të zhvillojë në Shqipëri në datën 10 dhe 11 shtator./Realstory.al/