Këshilli i Europës çon “Antishpifjen” në Venecia

Këshilli i Europës ka çuar ligjin antishpifje në Komisionin e Venecias në mënyrë që në të adresohen rekomandimet e saj në ato nene që KiE shprehet se nuk përputhen me standardet europiane për lirinë e mediave. Ka qenë vetë Komisioni i Venecias që ka publikuar në faqen e saj zyrtare kërkesën për dhënien e një opinioni për ligjin Antishpifje, të kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës. Paketa Antishpifje do të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias në muajin Mars të cilët do të japin opinion e tyre mbi dy projektligjet që KiE shprehet se ka nevojë për përmirësim.

Paketa është çuar nga Asambleja e Përgjithshme e Monitorimit, strukturë e Këshillit të Europës që monitoron dhe ndihmon vendet anëtare të Këshillit të Evropës të përmbushin premtimet e tyre për të mbështetur standardet më të larta demokratike dhe të të drejtave të njeriut. Pjesë e monitorimit të plotë është edhe Shqipëria, ku përfshihen vizita të rregullta dhe dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të siguruar që përparimi dhe problemet e një shteti janë vlerësuar siç duhet.

Paketa “antishpifje” e qeverisë Rama hasi në kundërshti të forta nga gazetarët, opozita, analistët dhe shoqëria civile para se të kalonte në parlament, duke e cilësuar atë si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave. Ligji u kthyer edhe nga presidenti Meta, i cili tha se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Dhe pse ky ligj është bërë me konsultim të plotë me OSBE, Këshilli i Europës ka kërkuar disa rishikime të neneve të tij me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës. Disa nga dispozitat që ky ligj ka hasur në kundërshtim dhe skepticizëm të Këshillit të Europës lidheshin me kompetencat që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta, bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend.

Një ditë më parë zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero tha se qeveria duhet të fokusohet në adresimet e bëra nga Këshilli Europian dhe t’i shtojë ato në paketë. KE u shpreh se kthimi i dekretit nga Meta, përbën një rast për qeverinë shqiptare, për të pranuar rekomandimet e këshillit.

Tit Vasili: Meta “engjëll”, Venecia “djall”

Petrit Vasili i quan “fitore” shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës. Në një shkrim në Facebook, nënkryetari i LSI del në mbrojtje të ish-shefit të tij në parti, dhe sulmon Komisionin e Venecias (që vetë Meta para raportit e vlerësonte maksimalisht). Gjuha e përdorur nga Vasili është e rëndë. Ai i quan “trakte” përfundimet e Venecias, ndërsa juristët e këtij Komisioni (të cilëve u kërkon mendim çdo shtet i botës), për Tit Vasilin s`janë gjë tjetër veç se një “trupë policiore”.

“Në kontrast me këtë realitet shumë të qartë e të faktuar shfaqen qesharake edhe përpjekjet e ndonjë trakti Venecian që mori atributet e një trupe policore dhe që u përpoq mjerueshëm t`i krijonte alibi politikës kriminale të Edi Ramës, duke dalë hapur kundër Sigurisë Publike të Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në një shesh civil lufte me pasoja shkatërrimtare”. Pra, në këtë kontekst, ashtu si Ilir Meta i mbetur pa mbështje ndërkombëtare, i sulmoi partnerët e huaj, edhe Vasili, (që SHBA s`i jep vizë), sulmon Komisionin e Venecias, por dhe këtë herë e bëri sipas rastit.

Pasi, në 5 dhjetor të një viti më parë, Petrit Vasili, “vlerësonte” këtë Komision, kur publikonte raportin për Vettingun e politikanëve. “Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin. Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për veting të politikës është plotësisht legjitime”, shkruante Vasili gati një vit më parë, duke vlerësuar punën e Komisionit të Venecias.

Në fakt, gjuha e përdorur ndaj Komisionit të Venecias nga  Petrit Vasili, duket si ajo e Presidentit Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Por, në këtë rast, Meta është rezervuar për të “replikuar” me Venecian, pasi vetëm pak javë më parë, në 55 faqe raport për “mbrojtjen” e tij, Meta e vlerësonte këtë Komision me superlativa. Madje, kreu i shtetit e citoi vazhdimisht “Venecian” për rekomandimet që institucioni i njohur konstitucionalit ndërkombëtar, dha për hartimin e Reformës në Drejtësi. Por, pas publikimit të raportit, Meta duket se e ka të vështirë të sulmojë drejtpërdrejt këtë komision, ndaj me “penën” e Vasilit, veten e shpall “ëngjëll” e Venecian “djall”. /Realstory.al./

Presidenca: Zero shkelje!

Presidenca nuk ka pranuar konkluzionet e raportit të Komisionit të Venecias ku thuhet se Presidenti Meta ka kryer shkelje të Kushtetues me dekretin e anulimit të 30 qershorit. Me një reagim të shkurtër, Presidenca ka hedhur poshtë Venecian duke thënë se ka zero shkelje nga Presidenti Meta dhe është kapur me datën e raportit duke e cilësuar si “ngatërresë” nga nxitimi apo më datën 29 shtator 2019 do të vij një dokument tjetër.

Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias. Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019. Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër? Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi im i mëparshëm është shumë i qartë: zero shkelje të kushtetutës!” shkruhet në reagimin e zëdhënësit të presidentit.

Ndërkohë që Komisioni i Venecias e shkruaji qartë e zeza mbi të bardhë se presidenti i tejkaloi kompetencat e tij dhe shkeli Kushtetutën me dekretin e anulimit të 30 qershorit, presidenca vijon të mbrojë qëndrimin e saj se “presidenti mbrojti kushtetutën dhe djegien e parlamentit.”

E dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët me integritet se Presidenti i Republikës ka MBROJTUR Kushtetutën, rendin demokratik dhe pluralizmin politik, dhe ka SHMANGUR gjakderdhjen dhe Rajshtagun! Dëgjoni Bundestagun! Uluni urgjent dhe zgjidhni krizën e rëndë politike para se t’i shtoni kushte të tjera Shqipërisë.”  shkruan Blushi

Çuditërisht vetë Meta, që ka komente dhe reagime për çdo gjë me statuse të shumta në Facebook, nga qetë dhe macet e deri tek sulmet e qeverisë apo ndërkombëtarëve, ka zgjedhur të hesht. Por ai duhet t’i përgjigjet një pyetje më të madhe që kanë lidhje edhe me deklaratat e tij të mëparshme, a do jap dorëheqjen ai?

Meta mbytet në “Venecia”: Shkeli “pak” Kushtetutën

RealStory.al ka siguruar draftin paraprak të Komisioni të Venecias për hetimet që ka zhvilluar ndaj Presidentit Ilir Meta, në lidhje me Shkeljen e Kushtetutës. Në raportin paraprak Komisioni i Venecias cilëson se presidenti i ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur Kushtetutën, pasi ai mund të anulojë zgjedhjet vendore në një situatë emergjente vetëm përmes një baze ligjore specifike ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet. Sipas Komisionit të Venecias anulimi i zgjedhjeve  bëhet i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në këtë rast, thuhet në raport, nuk u ndoqën as rregullat kushtetuese për situatat emergjente dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.

Në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias del në përfundimin, që në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, që Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vetëm për organet e qeverisjes vendore në një situatë që plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet. Ky përfundim mbështetet nga rregulli i përgjithshëm interpretues, sipas të cilit rregullimi i shprehur i kompetencave të urgjencës në Kushtetutë dhe ligjet e kufizon përdorimin e çdo fuqie plotësuese të pashkruar të emergjencave në situata shumë të jashtëzakonshme; kryesisht për situata me pamundësi faktike ose juridike të cilat nuk parashikohen në mënyrë të qartë nga ligji i shkruar i urgjencës. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk u ndoqën në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.” thuhet në raportin e Venecias

Në raport theksohet edhe shkelja e presidentit Meta në lidhje me të drejtat elektorale të qytetareve duke shtyrë të drejtën e tyre për të vendosur dhe votuar. Në të është përcaktuar edhe bojkoti i partive politike që nuk mund të merret si një arsye e mjaftueshëm që të mos mbahen zgjedhje të rregullta, përndryshe këto parti do të krijonin të njëjtën situatë sa herë të dëshironin.

Anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat elektorale të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe thjesht aplikimi i “actus contrarius” parandalohet nga kërkesa e proporcionalitetit të çdo ndërhyrje. Bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të parandalojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje.” shkruhet në raport.

Në shkeljen e radhës thuhet se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës duke anuluar së pari dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale. Por për këtë Komisioni i  Venecias deklaron se do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendos nëse ka ‘shkelje serioze” që do të fajësonin presidentin për shkarkimin e tij.

“Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës duke anuluar së pari, duke shtyrë më pas zgjedhjet lokale. Është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse kjo ka të bëjë me “shkelje serioze”, të cilat do të lejonin një fajësim të Presidentit.”

Megjithatë në raportin e Komisionit të Venecias thuhet se pavarësisht këtyre shkeljeve dhe tejkalimit të kompetencave të tij rekomandohet që Presidenti të mos shkarkohet. Madje Komisioni rekomandon se edhe nëse konstatohet serioziteti i këtyre shkeljeve kjo nuk duhet të çojë në shkarkim të presidentit në mënyrë që të ruhen ekuilibrat dhe parimi “check and balance”.

Të marra së bashku, të gjithë këta elementë çojnë në përfundimin, që megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore. Sidoqoftë, elementet e paraqitura më lart mund të çojnë në përfundimin se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre serioze të mjaftueshme për të garantuar një shkarkim të Presidentit. Më në fund, edhe nëse u konstatua serioziteti i shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërish të çojë në një fajësim të Presidentit, duke marrë parasysh fuqinë e Sesionit Plenar të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet kushtetuese, siç janë kontrollet dhe ekuilibrat.” mbyllet raporti i Komisionit të Venecias.

Edhe pse Komisioni shprehet për ruajtjen e balancave qeverisëse, në fakt vëren se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me disa pika të saj. Komisioni i Venecias e ka lënë në dorë të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e tij. Më herët Meta, gjatë një interviste për Çim Pekën në Syri.net u shpreh se do të japë dorëheqjen nëse ekspertët e Komisionit të Venecias rekomandojnë shkarkimin e tij, pa pritur fare vendimin e Kuvendit të Shqipërisë.  “Nëse rekomandimi i Venecias është për shkarkimin tim, patjetër do jap dorëheqjen. Të thotë Venecia që e kam shkelur Kushtetutën  dhe unë të rri President, kjo nuk ndodh.” është shprehur Meta. Pas gjithë shkeljeve që renditi Komisioni i Venecias, A do të jap dorëheqjen presidenti Ilir Meta?

Venecia, të mërkurën në Tiranë

Një delegacion i Komisionit të Venecias do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Tiranë, në 18 dhe 19 shtator. Qëllimi i kësaj vizite, ndryshe nga ajo e pak ditëve më parë, nuk është shkarkimi i Ilir Metës. Delegacioni i Venecias do të zhvillojë vizitën në kuadër të përgatitjes së një tjetër opinioni në lidhje me projektligjin për pasuritë e paluajtshme.

Vizita është parashikua të zhvillohet në dy ditë, si në atë të javës së kaluar. Në axhendë janë parashikuar takime me përfaqësues të disa Ministrive (Drejtësisë, Brendshme, Financës dhe Ekonomisë, Evropës dhe Punëve të Jashtme, etj.

Takime do të ketë edhe me Avokatin e Popullit, Avokatin e Shtetit, përfaqësues të sistemit gjyqësor në vend, shoqërisë civile si dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare të pranishëm në vend.

Edhe drafti i opinionit për ligjin e pasurive të paluajtshme është parashikuar të diskutohet në seancën plenare të tetorit 2019, ku veç të tjerash do të diskutohet dhe drafti i opinionit të kërkuar nga Parlamenti për shkeljet ose jo të Kushtetutës nga Ilir Meta.

Në mesin e javës së kaluar, një delegacion tjetër i Komisionit të Venecias, zhvilloi një vizitë në vendin tonë, pikërisht për çështjen e shkarkimit të Ilir Metës, ku patën takime të rëndësishme në dy ditë me përfaqësues të politikës shqiptare.

Venecia i jep goditjen e parë Metës. Rrëzon dekretin për 13 tetorin

Debati nëse do të ketë apo jo zgjedhje në 13 tetor, ka marrë vulën e Komisionit të Venecias. Në një intervistë për A2 CNN, Sekretari i Komisionit për Demokraci Përmes Ligjit, Thomas Markert, është shprehur se në praktikë nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor. “Është një koincidencë datash. Por unë mendoj se në praktikë nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor. De fakto, nuk mendoj se janë duke u bërë përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve, me aq sa unë jam në dijeni”, ka thënë ai ndër të tjera.

I pyetur nëse Ilir Meta ka shkelur ligjin me anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet vendore, Markert është shprehur se nuk mund të komentojë për momentin opinionin që do të japë Komisioni i Venecias për këtë çështje. “Nuk do të komentoj tani opinionin që do të publikohet muajin e ardhshëm”, ka thënë Market, ndërkohë ai ka komentuar edhe takimet që ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Venecias zhvilluan për dy ditë në Tiranë.

Thomas Market është shprehur se ‘opozita parlamentare nuk ka qëndrime të qarta’, ndërsa ajo jashtëparlamentare i ka të qarta. “Opozita parlamentare nuk ka një qëndrim të unifikuar, por qëndrime të ndryshme. Ndërsa opozita jashtëparlamentare, i ka të qarta qëndrimet e saj”, ka thënë Market, ndërsa ka komentuar dhe takimin me Kryeministrin Edi Rama. “Ju e dini që kryeministri Rama ka qenë shumë kritik për atë që bëri Presidenti i Republikës. Ne diskutuam dhe për rolin e presidentit. Çfarë ai duhet të bëjë, ka të drejtë të bëjë e çfarë jo, si dhe për pasojat e këtyre veprimeve”, ka thënë Thomas Markert.

Meta trembet nga Venecia, nis seriozisht mbrojtjen

Pak orë pasi delegacioni i Komisionit të Venecias përfundoi vizitën zyrtare në Tiranë, Ilir Meta, si asnjë zyrtar tjetër në vend, që zhvilloi takime me këtë delegacion, doli në një konferencë për shtyp, e cila zgjati rreth 1 orë  e 30 minuta. Ndryshe nga herët e tjera, Meta e nisi konferencën ulur, me shumë letra dhe me seriozitet (të cilin e humbi në fund të konferencës). Kulmi i seriozitetit në fakt ishte në momentin që kreu i shtetit sqaroi takimin që zhvilloi të martën me delegacionin e Komisionit të Venecias, që mbrriti në Tiranë në kuadër të përgatitjes së opinionit në lidhje me shkarkimin e Presidentit nga Parlamenti.

Meta, duket i ‘trembur’ paraprakisht nga një opinion jo në favor të tij nga Komisioni i Venecias, ka bërë një analizë të gjatë ligjore e kushtetuese për vendimet e tij të muajit qershor. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se ‘unë përfaqësoj shtetin e së drejtës’ në të gjitha aktet si President. “Ju dëgjoni shqiptarët, se jetojmë në dy shtete, në shtetin e propagandës dhe të drejtës. Unë besoj se përfaqësoj shtetin e së drejtës me të gjitha aktet e mia si president. Në shtetin e propagandës, thuhet që presidenti nuk ka të drejtë të çdekretojë dhe ju me të drejtë thoni a ekziston fjala çdekretim? Jo nuk ekziston. Dhe ju thoni ore si çdekretoi ky? Unë nuk kam çdekretuar. Unë kam të drejtë të nxjerr dekrete”, u shpreh Meta.

Në këtë mënyrë, për herë të parë, Ilir Meta përmend se nuk ka ‘çdekretim’ por ‘dekretim’ të cilin, sipas tij e ka detyrë ekskluzive. Megjithatë, ndonëse Kushtetuta nuk parashikon shtyrje të datës së zgjedhjeve në asnjë pikë të saj, Meta e cilësoi këtë si ‘dekret’ për ‘shfuqizim dekereti’, duke e krahasuar me të drejtën që ka Këshilli i Ministrave për shfuqizimin e VKM-ve apo Kuvendi për të votuar ligje për shfuqizim ligjesh të mëparshme.

“Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë të nxjerrë ligje. Qeveria vendime. Unë kam të drejtë të nxjerr një dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm. Parlamenti ka të drejtë të nxjerrë ligj që shfuqizon të mëparshmin, qeveria ka të drejtë të nxjerrë një vendim për të shfuqizuar të mëparshmin. Nëse edhe unë do bëhesha pjesë e shtetit të propagandës, dhe mua më vjen keq se si juristët bëjnë sikur nuk e dinë, po të shkojnë qytetarët në Gjykatën e Strasburgut, do të na shqepi me gjoba gjykata e Strasburgut”.

“Në rast se ata flasin për çdekretin, kur në fakt kemi të bëjmë me dekret që shfuqizon dekretin. Unë mund t’i përgjigjesha, që edhe parlamenti nuk ka të drejtë të çligjërojë, apo qeveria të çvendërojë, sepse këto terma nuk ekzistojnë. E gjitha kjo është një lojë propagandistike që njerëzit të thonë ore vërtetë mos ka shkelur kushtetutën ky?! Komisioni i Venezias është i rëndësishëm dhe nuk bazohet në propagandë por i shërben ose i ka shërbyer deri më tani forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit”, tha Meta.

Ndërkohë, në kushtet kur Komisioni i Venecias do të marrë një vendim përfundimtar për të dhënë opinionin e tij në lidhje me vendimet kushtetuese ose jo të Presidentit, Ilir Meta, u shpreh se të gjitha dokumentet që i ka dorëzuar këtij komisioni, do t`i bëjë publike edhe për qytetarët. Sipas Presidentit, ky veprim do të bëhet me qëllim që qytetarët, por sips tij, dhe ekspertët e fushës brenda dhe jashtë vendit, të japin opinione dhe të ‘pasurojnë’ këto argumente me mendime.

“Dua të falënderoj përzemërsisht Kuvendin për respektin që tregon ndaj Komisionit të Venecias. Bashkëpunimi i Presidentit me Komisionin e Vencias do të jetë i shkëlqyer dhe transparent. Për këtë arsye ne u kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi u ka drejtuar. Këto dokumente do të jenë publike në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi të bëhen dhe disa saktësime. Këto dokumente do të jenë të hapura për t`u pasuruar me mendime dhe vrejtje nga juristë dhe specialistë vendas dhe të huaj. Gjithçka do të jetë në dispozicionin jo vetëm tuajin por dhe mbarë opinionin publik, dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është një sfidë që unë e mirëpres”, tha Meta ndër të tjera./Realstory.al/

Lleshaj me “Venecian”, rrëzon Metën: Nuk kishte rrezik për sigurinë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit me delegacionin e Komisionit të Venecias, ka hedhur poshtë pretendimet e presidenti Meta, i cili tha se u detyruar të shfuqizojë 30 qershorin pas marrjes së informacioneve të klasifikuar se rrezikohej siguria në vend. Ministri i Brendshëm Lleshaj nuk është dakord me këtë deklaratë, dhe nuk ka hezituar që këtë t’ia shpreh edhe delegacionit të Komisionit të Venecias, e cila ndodhet për një vizitë dy ditore në Shqipëri pikërisht për të përgatitur një opinion lidhur me shkeljet kushtetuese të Kreu të Shtetit, Ilir Meta. Lleshaj ka thënë se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërroheshin në kërcënim serioz falë pjekurisë së qytetarëve, të cilët nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe profesionalizmit të Policisë së Shteti. Lleshaj nuk nguroi të akuzojë presidenti Meta por edhe opozitën jo parlamentare se nuk hezituan të krijonin skenarë apokaliptik, por që nuk mundën t’i vinin dot në zbatim falë strukturave ligjzbatuese. Ministri i Brendshëm njoftoi Komisionin e Venecias se zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe të rregullta, pa incidente edhe pse kishte skenarë imagjinare dhe të dëshiruar për të çuar vendin në destabilizim.

Sot pata nderin dhe përgjegjësinë për të shprehur përpara një delegacioni të Komisionit të Venecias, vlerësimet e mia lidhur me zhvillimet politike të këtij viti të ngarkuar me ngjarje të pazakonta, që kulmuan me përpjekjet e shumëfishta për të cenuar të drejtën e zgjedhjeve demokratike në vend.

Theksova se përpjekjet e dhunshme për destabilizim, nuk arritën të shndërrohen në ndonjë kërcënim serioz për sigurinë e vendit, falë pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, që nuk u bënë pjesë e skenarëve të dhunës dhe e profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese. Ishin pikërisht këta faktorë, të cilët mundësuan që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin rregullisht dhe që skenarët apokaliptikë, të imagjinuar apo të dëshiruar, nuk u bënë realitet dhe që Shqipëria të mos binte në një qerthull të rrezikshëm destabiliteti. Takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ishte mjaft profesional dhe me shumë përmbajtje“, thotë Lleshaj.

Përmes këtyre akuzave duket se ministri Lleshaj ka shigjetuar drejtpërdrejt opozitën jo parlamentare me protesta e tyre, ku nuk mungoi dhunimi i institucioneve dhe plagosjet e efektivëve të policisë, por edhe deklaratat e presidentit Meta në Komisionin Hetimor, i cili tha se kishte informacione serioze se gjatë protestave do të digjej Kuvendi, dhe për këtë ishte i detyruar që të shfuqizonte 30 qershorin për të ndaluar gjakderdhjen në vend. Më herët Realstory bëri një kontroll të fakteve ku u vu re se pas firmosje së dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit raportohen të paktën 12 sulme më protesta të dhunshme dhe zjarrvënie në mbarë vendin, që synonin djegien e KZAZ-ve dhe materialeve zgjedhore, me arsyetimin se presidenti Meta anuloi zgjedhjet./ Realstory

PD i bën ‘avokatin’ Metës te Komisioni i Venecias (por 13 tetorin nuk e njeh)

Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha kanë zhvilluar një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Takimi nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe ka zgjatur rreth 55 minuta. Pas mbledhjes, ku është diskutuar për shkarkimin e Ilir Metës nga Kuvendi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, nuk ka treguar detaje nga biseda me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Megjithatë, në deklaratën për mediat, Bylykbashi la të kuptohet se para juristëve të Venecias, ka bërë ‘mbrojtjen’ e Metës.

“Kushtetuta është mjaftë e qartë; Presidenti i Republikës shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në vend. Kjo është detyrë fisnike. Presidenti i  dha garancinë shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë. Ne bëm të qartë dhe aspektin politik, pse kemi ardhur në këtë situatë. Raporti i ODIHR ësthë lajmërim i vdekjes së zgjedhjeve në Shqipëri”, tha ndër të tjera Bylykbashi.

Megjithatë, ndonëse opozita përpiqet të mbrojë Metën, në fakt, Partia Demokratike nuk e kanë njohur dekretin e 13 tetorit. Pra, edhe pse Bylykbashi shprehet se ‘presidenti u dha mundësi shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë’, partia e tij nuk e ka njohur këtë vendim të kreut të shtetit, që tashmë e mbron përpara Komisionit të Venecias.

Ndërkohë, Klajda Gjosha, që ishte së bashku me Bylykbashin në takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, u shpreh se mazhoranca duhej t`i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për veprimet e Metës. “Sot diskutuam mbi një çështje që është e paprecedentë. Në këtë moment, ku qeveria do duhej të fokusohej për plotësimin e kushteve për negociatat, merremi me një çështje që është mjaftë e rëndë për imazhin e vendit. Për mua është për të mbuluar gjithçka që shkon keq në qeverisje. Raporti i OSBE/ODIHR tregon se zgjedhjet në Shqipëri janë pa standarde. Kush ka pasur pikëpyetje për veprimet e presidentit do duhej t`i drejtohej Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjosha.

Shkarkimi i Metës, Komisioni i Venecias zbarkon sot në Tiranë, ja axhenda

Një përfaqësi e Komisionit të Venecias do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë të martën më 10 dhe të mërkurën më 11 shtator. Delegacioni i Venecias vjen në Tiranë, pas kërkesës që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka bërë këtij komisioni, për të dhënë një opinion në lidhje me ‘rolin e Presidentit në caktimin e datës së zgjedhjeve në sistemet parlamentare’. Një ditë para nisjes së vizitës së delegacionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi ka publikuar axhendën e takimeve. Sipas njoftimit për shtyp, në orën 9:00, delegacioni i Venecias do të ketë një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe deputetët e këtij grupi.

Në orën 10:00, delegacioni do të zhvillojë një takim me krerët e grupeve parlamentare të opozitës në kuvend, ndërsa në orën 11:00, delegacioni i Komisionit të Venecias do të takojë Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Takimet do të jenë të hapura për mediat vetëm për pak minuta, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për konferenca shtypi. Megjithatë, pas takimeve me përfaqësuesit e Kuvendit, delegacioni i Komisionit të Venecias do të zhvillojë dhe takime të tjera. Sipas axhendës të publikuar më herët, përfaqësuesit e delegacionit të Venecias do të zhvillojnë takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Minisrtin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka lajmëruar se delegacioni i Komisionit të Venecias do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të opozitës. Sipas një komunikate shpërndarë mediave disa ditë më parë, PD bënte me dije se do të jetë Klajda Gjosha nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD, përfaqësuesit e opozitës që do të takohen me delegacionin e Komisionit të Venecias. Sipas PD, takimi është parashikuar të zhvillohet të martën më 10 shtator në orën 8:00 në Rogner, por, në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, në axhendën e publikuar disa ditë më parë, ende nuk është konfirmuar ky takim.

Qëllimi i vizitës së delegacionit të Komisionit të Venecias është me karakter informues, në prag të përgatitjes së opinionit që i është kërkuar nga Kuvendi në lidhje me kushtetueshmërinë ose jo të dekreteve të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretin e 13 tetorit. Ky raport, ashtu siç është shprehur Ulsi Manja, kryetar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, do të jetë shumë i rëndësishëm për vendimin përfundimtar të hetimit ndaj Presidenti. /Realstory.al/

Skip to toolbar