Kuvendi letër “Venecias’, kërkon opinion për shkeljet kushtetuese të Metës, Ruçi: Duam përgjigje të shpejtë

AKTUALITET


Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një letër Komisionit të Venecias, ku i kërkon një opinion lidhur me rolin e Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor. Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit Gramos Ruçi, Venecias i kërkohet një opinion për tetë pika të parashtruara në letër. Duke bërë një përblmedhje të gjithë situatës, nga dekreti i vitit të kaluar për miratimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, mbajtjen e procesit nga KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor, dekretin e dytë të Ilir Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve, e deri te vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, Gramoz Ruçi i kërkon një opinion Komisionit të Venecias, së pari për rolin e Presidentit të republikës në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore.

Në pikën e dytë, Gramoz Ruçi pyet Komisionin e Venecias lidhur me “detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare, siç është edhe Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve”. Në pyetjen pasardhëse, Kuvendi kërkon të di nëse “ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence, të përmendur në pikën dy, që rrjedhin nga e drejta demokratike zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?”.


Një tjetër pikë, që Kuvendi kërkon opinion nga Komisioni i Venecias, është nëse “Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është e drejtë e tij për të vendosur ushtrimin e e sovranitetit të popullit, apo një detyrum i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij”, thuhet në letër.

Gjithashtu, në pikën pesë të letrës, Kuvendi kërkon një opinion nëse “Presidenti, pasi e ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anullon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese?”, thuhet në letër.

Pika e gjashtë, është në funksion të pikës së pestë, ku kërkohet të mësohet “nëse në rastin e mësipërm kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cënuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë”.

Në pikën e parafundit, Kuvendi kërkon opinion, se nëse “Dekreti i Presidentit për anulimin e datës së 30 qershor si datë të mbajtjeve të zgjedhjeve, që zgjat qëndrimin në detyrë të të zgjedhurve të mëparshëm, a respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve”.

Në pyetjen e fundit, Gramoz Ruçi i drejtohet Komisionit të Venecias: “Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cenohet siguria juridike në këto raste? A është i lidhur cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer”, përfundojnë tetë pikat, ku Kuvendi kërkon opinion nga Komisioni i Venecias.

Në fund, Kryetari i Kuvendit i kërkon Komisionit të Venecias, që opinioni i tyre për këto kërkesa do të ishte shumë me vlerë të jepej sa më shpejt në kohë, për shkak të situatës ku ndodhet vendi. Pritet që opinioni i Komisionit të Venecias të jetë vendimtar në ecurinë e punës së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, pasi sipas mazhorancës kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën. Mazhoranca po ndjek me kujdes çdo hap ligjor, duke kërkuar mendim edhe nga ky organ ndërkombëtar konstitucionalit, çka do të thotë, se vendimi përfundimtar për shkarkimin e Ilir Metës, do duhet të jetë i “pakundërshtushëm nga të gjithë”, siç dhe u shpreh ambasadori i Italisë në Tiranë në studion e “Real Storyt” të gazetarit Sokol Balla.




Skip to toolbar