Ilir Meta ka publikuar raportin prej 55
faqesh, i cili i është dorëzuar Komisionit të Venecias, ku “vetëmbrohet” për
procesin e shkarkimit. Meta e nis shpjegimin ndaj Komisionit të Venecias, duke
analizuar fillimisht situatën politike në vend. Që në nisje të raportit, Meta vetëmbrohet
duke u shprehur se “Presidenti ka qenë i detyruar për të marrë akte vendimtare
për të garantuar besueshmërinë e zbatimit të reformave kyçe”. Më tej, ai përmend
atë që e quan “autoritet ekskluziv” të Presidentit për ushtrimin e kompetencës kushtetuese
të datës së zgjedhjeve, ndërsa më pas vijon duke përmendur protesta të ndryshme
të zhvilluara në vend gjatë vitit 2018-2019.
në argumentet që i dërgon Venecias, Meta flet edhe për dosjet penale 184
dhe 339, ku duke cituar raportin e OSBE/ODIHR të zgjedhjeve të vitit 2017,
shkruan se “këto të dhëna, edhe pse në dispozicion të Prokurorisë prej më shumë
se dy vitesh, nuk i kishin vënë në lëvizje Organet Hetimore për të kryer
veprime të mëtejshme ligjore”, shkruan Meta.
Sulmet ndaj Reformës në Drejtësi nuk mungojnë,
në mbrojtjen që Meta bën përballë Venecias, duke përdorur argumenta, sipas tij,
të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi. “Zbatimi i njënashëm dhe në
kundërshtim me rekomandimet e qarta të Komisionit të Venecias dhe parashikimet
kushtetuese të reformës në sistemin e drejtësisë ishte një prej shkaqeve
kryesore për lindjen dhe përshkallëzimin e krizës”, shkruan Meta në raport. Një
nga pjesët më interesante në raport, është dhe paragrafi ku Ilir Meta shkruan për
“rritjen e pasigurisë dhe shqetësimit të aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë”. Meta
përmend disa nga vendet e Bashkimit Europian që sipas Presidentit shfaqën “shqetësime
për krizën”, por në asnjë rresht, ai nuk flet për SHBA-në dhe rolin e saj, në
parandalimin e gjakderdhjes dhe konfliktit civil në 30 qershor.
“Shqetësime serioze shfaqën vendet fqinje Itali,
Greqi, apo të tjera si Gjermania, Franca, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, të
cilat i druheshin një eksodi masiv nga Shqipëri, apo rrezikut për
destabilizimin e rajonit”, shkruan Meta. Më tej, po në këtë paragraf, Meta
shkruan se “nuk munguan as deklarime publike nga ana e drejtuesve të lartë të
PS që pretendonin për ndërhyrjen e faktorëve të tretë të huaj me qëllim
destabilizimin e vendit”, citon Meta. Në fakt, kjo është një deklaratë e
pazakontë, pasi ka qenë vetë Presidenti, si para, pas dhe së fundi në një
konferencë për shtyp, që ka aluduar për “ndërhyrjen e faktorit të huaj”, madje
duke sulmuar drejtpërdrejt SHBA në këtë rast.
Më tej, Meta flet për anulimin e zgjedhjeve të
30 qershorit, duke dhënë të njëjtët argumente si në ditën e nxjerrjes së
dekretit, ndërsa përmend gjithashtu në këtë paragraf përsëri BE apo CDU/CSU,
por në asnjë rresht SHBA. Pasi bën një përmbledhje të gjithë ngjarjeve që rrodhën
nga 30 qershori deri më sot, Ilir Meta nxjerrë konkluzionet në fund të
raportit. Në pikën e parë ai shkruan se palët “refuzuan” dialogun, në pikë e
dytë, shkruan se “opozita dogji mandatet e 182 deputetëve dhe kandidatëve”, ndërsa
në pikën tre, shkuran se “opozita parlamentare aktuale përfitoi mandatet në
shkelje të Kodit Zgjedhor dhe procedurave legjislative”. Më tej, Meta shkruan se “Parlamenti dhe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit kushtetuese të
Presidentit të Republikës”. /Realstory.al/
Raporti i Plotë