Ligjet rrëzojnë Metën. Braho e Fino të ashpër ndaj presidentit

Komisioni i Ligjeve është mbledhur të premten paradite, për të rishqyrtuar dy ligje të kthyera nga Presidenti Ilir Meta. Ligji i parë që është marrë në shqyrtim, ishte ai “Për vetëqeverisjen vendore”. Presidenti e ktheu këtë ligj kryesisht për nenet që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës. Meta shprehej se “ndryshimet ligjore në nenin 54-55 të ligjit 139/2015, janë të pajustifikuara pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor”.

Megjithatë, këto vlerësime të kreut të shtetit nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka votuar kundër dekretit të Metës, duke e rikthyer ligjin për votim në Kuvend pa ndryshime. Ndërkohë, relatori i këtij ligji, Bashkim Fino, është shprehur se mënyra se si është ndërtuar relacioni i kthimit të ligjit në Kuvend, është kundër tij.

“Më vjen keq se në të gjithë relacionin po vërej me keqardhje se i gjithë relacioni është drejtuar kundër relatorit. Mesa duket presidenti e paska personale. Nëse ju e keni personale më thoni që kam relator kushtetues. Presidenti i nderuar ka qenë 4 vjet kryetar Kuvendi dhe i di shumë mirë procedurat. Në komision ka relator. Edhe komisioni dhe relatori bëjnë ndryshimet e nevojshme. Këtë praktike e ka ndjekur Meta, po e ndjek dhe unë. Unë jam relator kushtetues”, ka thënë ndër të tjera Fino.

Pas votimit kundër dekretit të Metës për ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, në shqyrtim është marrë ligji tjetër i kthyer në Kuvend nga Presidenti, ai “Për Kodin Penal”. Gjatë diskutimeve në komision, ka folur deputeti Spartak Braho, i cili i është drejtuar këshilltarit ligjor të Presidentit, që të ‘jenë më të kujdesshëm në kthimin e ligjeve në Kuvend’. Braho u shpreh se ‘presidenti ka të drejtën të gjykojë natyrën kushtetuese të ligjeve dhe jo atë teknike të hartimit të tyre’.

Ndërkohë, kujtojmë se Braho ka qenë një nga njerëzit e afërtë të Ilir Metës në të shkuarën, kur presidenti ishte kryetar i LSI. Ndërkohë, edhe Bashkim Fino, i cili u shpreh se ‘presidenti e ka personale’ me të, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt në radhët e PS. Pas diskutimeve, Komisioni i Ligjeve ka marrë vendimin për të rrëzuar dhe dekretin e Metës për ndryshimet në ligjin e Kodit Penal.

Sot mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit do të zhvillojë të enjten (Sot) mbledhjen e parë. Mbledhja do të zhvillohet në orën 13:00.

Në mbledhjen e parë sipas procedurave parlamentare Komisioni do të miratojë programin e punës dhe kalendarin e punimeve si dhe do të përcaktojë ngritjen e një sekretariati teknik që do punojë edhe gjatë muajit gusht.

Gjatë muajit korrik komisioni hetimor do të zhvillojë 3 ose 4 mbledhje të tjera.

Ngritja e Komisionit Hetimor u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës së të hënës me 101 vota pro dhe 6 kundër. 55 deputetë kërkuan shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

omisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij  9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Mblidhet komisioni i Reformës Zgjedhore, Hajdari: Të ndryshojmë sistemin aktual

Është zhvilluar sot mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, nën drejtimin e Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdari, pas arritjes së marrëveshjes në parlament.

Gjiknuri tha se bashkëpunimi do të sjlell një produkt më të mirë dhe zgjedhje më cilësore.

“Uroj të krijojmë një klimë të mirë bashkëpunimi. Bashkë kemi mundur, kur ishim në opozitë, të bisedojmë, të gjejmë marrëveshjet e duhura dhe të kalojmë reforma konsensuale. Zgjedhjet këtë vit kanë përmirësime. Me kimën e mirë të bashkëpunimin do kemi mundësi të kemi produktin më të mirë. Kërkoj mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe atyre që janë këtu për të na mbështetur qoftë me një kontribut modest. OSBE e ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë asistencë, ne e mirëpresim. Presim dhe donatorët e tjerë për bashkëpunim dhe mbështetje”, tha Gjiknuri.

“Ndaj opinion të ndryshëm nga Gjiknuri, por kjo nuk do të thotë që nuk do bashkëpunojmë, pasi jemi këtu për një arsye të vetme, ndryshimi i sistemit politik.” tha Hajdari gjatë fjalës së saj. Ajo tha se zgjedhjet janë kthyer në shit-bjerje të votës dhe se opozita dhe pozita duhet të sigurohen që të krijojnë një sistem që nuk është i kapur nga partitë politike.

“Sistemi aktual është i dominuar nga anti-kushtetueshmëria, klasa politike nuk është e përfaqësuar nga njerëzit, por përfaqësohet në mënyrë të padrejtë në Kuvend. Shqiptarët janë të interesuar për këtë reformë. Kjo reformë kërkon vullnet të gjerë politik. Në këto tri dekada komisionet nuk kanë prodhuar reforma të mira. Duke marrë parasysh sfidën e madhe që kemi përpara, fakti që jemi ulur këtu tregon se ka një konsensus të gjerë për diskutim për ndryshimin aktual të sistemit. Zgjedhjet kanë qenë problematike dhe janë përdorur shumë nga partitë e mëdha, dhe sistemi aktual ka qenë gracka e kësaj, duke mos i dhënë prioritet popullit. Kemi arritur në një pikë ku një mandat kushton gati te 1 milion euro. Sot nuk mund të futesh në Kuvend pa pasur fond të caktuar. Tregu i zgjedhjeve është kthyer në treg të zi të shit-blerjes së votës. Ne do të bazohemi në tri pika kryesore. Ne duhet të gjejmë një sistem që nuk është i kapur nga partitë politike, që ua zvogëlon atyre mundësinë për të qenë pronarët e tyre dhe ju jep mundësi përfaqësuesve të jenë të zgjedhur nga populli. Zgjedhja e opozitës jashtë për të mos qenë pjesë e këtij komisioni nuk na pengon të garantojmë votën e lirë e të ndershme për të gjithë shqiptarët.” – deklaroi Hajdari

Arsyeja pse PD refuzon të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit në emër të kryetarit Gramoz Ruçi i dërgoi një shkresë zyrtare Partisë Demokratike, përmes të cilës e ftonte të merrte pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje negative ftesës së Kuvendit duke dhënë edhe arsyet pse PD refuzon të marrë pjesë në këtë komision.

Në shkresën zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se “asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”.

Skip to toolbar