Ligjet rrëzojnë Metën. Braho e Fino të ashpër ndaj presidentit

AKTUALITET


Komisioni i Ligjeve është mbledhur të premten paradite, për të rishqyrtuar dy ligje të kthyera nga Presidenti Ilir Meta. Ligji i parë që është marrë në shqyrtim, ishte ai “Për vetëqeverisjen vendore”. Presidenti e ktheu këtë ligj kryesisht për nenet që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës. Meta shprehej se “ndryshimet ligjore në nenin 54-55 të ligjit 139/2015, janë të pajustifikuara pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor”.

Megjithatë, këto vlerësime të kreut të shtetit nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka votuar kundër dekretit të Metës, duke e rikthyer ligjin për votim në Kuvend pa ndryshime. Ndërkohë, relatori i këtij ligji, Bashkim Fino, është shprehur se mënyra se si është ndërtuar relacioni i kthimit të ligjit në Kuvend, është kundër tij.


“Më vjen keq se në të gjithë relacionin po vërej me keqardhje se i gjithë relacioni është drejtuar kundër relatorit. Mesa duket presidenti e paska personale. Nëse ju e keni personale më thoni që kam relator kushtetues. Presidenti i nderuar ka qenë 4 vjet kryetar Kuvendi dhe i di shumë mirë procedurat. Në komision ka relator. Edhe komisioni dhe relatori bëjnë ndryshimet e nevojshme. Këtë praktike e ka ndjekur Meta, po e ndjek dhe unë. Unë jam relator kushtetues”, ka thënë ndër të tjera Fino.

Pas votimit kundër dekretit të Metës për ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, në shqyrtim është marrë ligji tjetër i kthyer në Kuvend nga Presidenti, ai “Për Kodin Penal”. Gjatë diskutimeve në komision, ka folur deputeti Spartak Braho, i cili i është drejtuar këshilltarit ligjor të Presidentit, që të ‘jenë më të kujdesshëm në kthimin e ligjeve në Kuvend’. Braho u shpreh se ‘presidenti ka të drejtën të gjykojë natyrën kushtetuese të ligjeve dhe jo atë teknike të hartimit të tyre’.

Ndërkohë, kujtojmë se Braho ka qenë një nga njerëzit e afërtë të Ilir Metës në të shkuarën, kur presidenti ishte kryetar i LSI. Ndërkohë, edhe Bashkim Fino, i cili u shpreh se ‘presidenti e ka personale’ me të, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt në radhët e PS. Pas diskutimeve, Komisioni i Ligjeve ka marrë vendimin për të rrëzuar dhe dekretin e Metës për ndryshimet në ligjin e Kodit Penal.




Skip to toolbar