Konferenca për Libinë, arrihet marrëveshja për një armëpushim

Pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Libinë në Berlin ranë dakord për një armëpushim për këtë shtet të Afrikës Veriore. Dakordimi u arrit pas negociatave shumëorëshe të dielën në mbrëmje. Dakordimin pas rreth tetë orësh në Kancelarinë Federale e njoftuan kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Pjesëmarrësit në konferencën e Libisë ranë dakord për një plan. “Ne mund të konstatojmë që të gjithë pajtohemi që duam të respektojmë embargon e armëve”, tha kancelarja Merkel në Berlin. Marrëveshje ka gjithashtu për faktin se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit.

Italia është e gatshme të marrë përsipër një rol drejtues në mbikqyrjen e armëpushimit në Libi. Këtë ua tha gazetarëve kryeministri Giuseppe Conte.

Një organ në Libi, sipas ministrit të Jashtëm rus Lavrov do të monitorojë armëpushimin.

Projekti i komunikatës përfundimtare, i bërë i njohur më parë, u bënte thirrje vendeve të huaja të “përmbahen e të mos ndërhyjnë” në konflikt, të rifillojnë bisedimet për një armëpushim më konkret, si dhe të ndërmarrin hapa drejt rifillimit të një procesi politik për të arritur paqen në rajon.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara të dyfishojnë përpjekjet e tyre për një pezullim të qëndrueshëm të armiqësive, deeskalim dhe për një armëpushim të përhershëm,” thuhej në projektin e komunikatës përfundimtare.

Projekti i komunikatës përmbante 55 pika. Ai bënte thirrje më tej edhe që të gjitha palët t’u japin fund akteve armiqësore kundër objekteve të naftës në Libi. Thirrja erdhi pasi forcat aleate të Haftarit vunë nën kontroll të premten portet e naftës në Libinë lindore.

Kryeredaktorja politike e DW Michaela Küfner tha se rezervat e naftës në Libi qenë një pikë qendrore kontestimi për palët e përfshira në bisedimet e së dielës.

Erdogani e quan samitin “hap të rëndësishëm”

Para udhëtimit për në Berlin, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha që shpresonte se bisedimet në Berlin do të ndihmonin në forcimin e armëpushimit të brishtë në Libi.

“Ne e shohim samitin e Berlinit si një hap të rëndësishëm në rrugën për të forcuar armëpushimin dhe një zgjidhje politike,” u tha Erdogani gazetarëve.

Turqia mbështet fuqimisht qeverinë e Sarrajt në Tripoli dhe së fundmi ka zhvendosur trupa në Libi – një veprim që u dënua nga shumë në Evropë.

Përveç Erdoganit, në takim morën pjesë Presidenti rus Vladimir Putin, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo, Kryeministri britanik Boris Johnson, Presidenti drancez Emmanuel Macron dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Përpara konferencës, von der Leyen tha se krahu ekzekutiv i BE-së është “plotësisht i përkushtuar” për të mbështetur rezultatet e konferencës në Berlin dhe se do të mbështesë përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve.

“140 vende në Konferencën e Donatorëve”. Soreca: SPAK e BKH prioritet për integrimin

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca foli për revistën ekonomike “Monitor”, duke prekur disa çështje të rëndësishme për vendin tonë. Së pari, ai deklaroi lajmin se në 17 shkurt, në Konferencën e Donatorëve që do të mbahet në Bruksel, do të jenë pjesëmarrës 140 vende dhe organizata. Soreca shprehet se do të ftohen edhe organizata, institucione financiare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin nga tërmeti. “Komisioni Evropian ka njoftuar një angazhim të parë prej 15 milionë eurosh për nevoja të rimëkëmbjes, dhe i ka ofruar Shqipërisë të organizojë një konferencë të donatorëve për të mobilizuar burimet financiare bazuar në raportin e PDNA-së. Jam i lumtur të njoftoj se konferenca do të zhvillohet më 17 shkurt, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel. Do të ftohen më shumë se 140 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare ndërkombëtare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile në nivelin më të lartë. Unë jam shumë i vetëdijshëm që një numër i madh familjesh ende jetojnë në tenda dhe janë në rrezik për shkak të sezonit të dimrit. Prandaj, Komisioni Evropian ka dislokuar një ekspert të reagimit ndaj emergjencave në Shqipëri për të ndihmuar për mbikëqyrjen e nevojave humanitare të popullatës së prekur”, tha Soreca.

Ambasadori, ndonëse thotë se është herët për të folur për ndikimin që do të ketë në ekonomi tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, shprehet se në zonat e prekura, gjatë këtij viti pritet të ketë ngaldalësim në disa sektorë të ekonomisë. “Shqipëria është në procesin e përfundimit të vlerësimit të nevojave pas tërmetit. Është shumë herët për të arritur në përfundimin se sa do të preket ekonomia e përgjithshme. Ajo që pritet është se në zonat ku tërmeti pati goditjet kryesore, sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, veçanërisht turizmi, do të preken negativisht gjatë vitit 2020. Kjo është e pashmangshme. Sidoqoftë, këto efekte negative do të kompensohen pjesërisht nga programi i rimëkëmbjes. Por, përsëri, është shumë herët për të arritur në përfundimin se në çfarë mase do të materializohet kjo”, thotë Soreca. Megjithatë, duke folur për trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare, ambasadori i BE këshillon që në sektorin e turizmit të bëhet kujdes i veçantë.

“Për sa i përket rritjes, Shqipëria ka mbajtur një rritje shumë pozitive në tre tremujorët e parë të vitit 2019. Parashikimi i vjeshtës i Komisionit Evropian, i cili u botua në nëntor, para tërmetit, parashikoi një rritje të përgjithshme ekonomike prej rreth 3% të PBB-së gjatë vitit 2019. Rritja e parashikuar është ruajtur gjerësisht gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019. Një fushë për të cilën unë mendoj se do të duhet kujdes i veçantë është sektori i turizmit, që është bërë një pjesë qendrore e ekonomisë shqiptare”, shprehet ai.

Duke folur për negociatat, Luigi Soreca shprehet se procesi nuk po ngadalësohet. Sipas tij, drejtuesit e Komisionit Europian mbështesin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për nisjen e procesit të negociatave. “Më lejoni të theksoj se përparësia dhe ritmi i dhënë për adresimin e temës së zgjerimit nga BE-ja nuk po ngadalësohet, aspak. Presidentja Ursula von der Leyen dhe Komisioneri i ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e kanë bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë për perspektivën e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar. Viti 2020 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Evropën Juglindore dhe Shqipërinë. Komisioni Evropian do të propozojë përmirësime të metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, ndërsa zgjerimi duhet të diskutohet nga Këshilli Evropian në mars. Ndërkohë Presidenca kroate po planifikon një samit shumë të rëndësishëm në Zagreb në maj, i cili do të pasohet nga miratimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian”, thotë Soreca.

Duke folur në të njëjtën linjë, Soreca shprehet se në krye të agjendës së integrimit është funksionimi i sistemit të drejtësisë. Ai thotë se SPAK dhe BKH, së bashku me institucionet e tjera të drejtësisë, duhet të vihen në punë sa më parë. “Dua të theksoj gjithashtu se në diskutimet për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Evropian, ka një mirëkuptim shumë të gjerë në institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare që mbështetja financiare evropiane për Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie maksimale politike dhe strategjike.

Pra, dera është e hapur dhe përparësi për Shqipërinë duhet të jenë përpjekjet shtesë që mbeten për të bërë për t’i bindur Shtetet Anëtare – që do të thotë, përqendrimi tek arritja e reformave. Për shembull, në krye të agjendës së integrimit në BE janë: të kenë institucione kryesore si SPAK dhe BKH plotësisht funksionale, pasja e një Gjykate Kushtetuese funksionale, miratimi i akteve nënligjore të mbetura për mbrojtjen e pakicave, miratimi më në fund i një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, ndërsa vazhdohet dhe mundësisht forcohet më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.

Kritika të ashpra ndaj Konferencës Botërore të Klimës

Shoqëria civile paralajmëron për dështimin e Konferencës Botërore të Klimës në Madrid për shkak të formulimeve të deklaratës përfundimtare. Negociimi i saj u shty deri të shtunën.

Përfaqësues nga shoqëria civile janë shprehur të tronditur për rrjedhën e bisedimeve në Konferencën Botërore të Klimës në Madrid. Drejtuesja e Greenpeace International, Jennifer Morgan, i cilësoi përfundimet aktuale të deklaratës si “mashtrim ndaj njerëzve në të gjithë botën” dhe “të papranueshme”. Morgan kritikoi, që Kili, vendi që mban presidencën e radhës në këtë konferencë ka dëgjuar më shumë ndotësit e klimës dhe jo njerëzit.

Drejtori i Iniciativës, Power Shift Africa, Mohamed Ado, tha se formulimet janë “katastrofike” dhe se e hedhin botën me vite pas, në vend që të reagojnë për ndryshimet e klimës. “Nëse do thoja ndonjëherë, se qeveritë e menderosën, këtë do ta thoja sot në Madrid”, tha Ado.

“Gjendja aktuale e bisedimeve është një katastrofë, dhe nuk mund të jetë varianti përfundimtar”, tha Sabine Minninger nga organizata humanitare “Bukë për Botën (Brot für die Ëelt). Edhe drejtuesja e delegacionit të WWF, Vanessa Perez-Cirera, deklaroi, se “jemi të shokuar për tekstin përfundimtar shumë të dobët.” Sipas saj janë hequr referimet për emergjencën absolute të kontributeve që duhen për mbrojtjen e klimës në vitin 2020. Para një forcimi të krizës së klimës, kjo është e papranueshme.

Fronte të ashpërsuara

Në Konferencën Botërore për Klimën frontet janë ashpërsuar. BE, Gjermania dhe disa vende nuk janë dakord me tekstin përfundimtar të deklaratës, u tha të shtunën.

Mungon një thirrje e qartë për premtime më të mëdha në mbrojtjen e klimës vitin e ardhshëm, si ka qenë e parashikuar në planin ndërkombëtar. Shtetet me ndotjen më të lartë, si SHBA dhe Australia kërkojnë zbutjen e teksteve, që duhet të miratohen në fund, me konsesus.

Grindje ka pasur edhe për rregullimin e tregtisë së emetimeve të gazrave ndotës dhe mbështetjen financiare për vendet e varfra në luftë kundër ngrohjes globale. Sipas Marrëveshjes për Klimën në Paris, 2015, shtetet duhet të forcojnë në vitin e ardhshëm strategjitë e tyre për kufizimin e ngrohjes globale në një masë të pranueshme. Konferenca tjetër Botërore e Klimës zhvillohet në Glasgou, Britaninë e Madhe./DW/

Basha flet për grusht shteti nga Rama: “Duhet të rezistojmë”. Por nuk thotë si

Për gati 1 orë kryetari i PD-së, Lulzim Basha argumentoi sipas tij se kryeministri Rama po çon vendin në një grusht shteti me këmbënguljen e tij për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor dhe se demokratët duhet të rezistojnë “në një mënyrë të civilizuar, siç bëjnë vendet evropiane në raste të tilla”. Megjithatë ai nuk tha sesi do të ndodhë kjo, madje në asnjë rresht të fjalimit tij nuk përmend fjalën protestë apo bllokim të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ai tha se Rama po e përdor çështjen e shkarkimit të presidentit vetëm për të tërhequr vëmendjen dhe për të negociuar pushtetin e tij, por në të vërtetë kjo datë ka rënë sipas tij. Gjithësesi Basha u shfaq i zbutur dhe në mënyrë të civilizuar bëri thirrje për bashkim dhe rezistencë.

Në fjalën e tij, u duk sikur lideri i opozitës megjithëse e quajti 30 qershorin si ditë kur ndahet fati i 15 viteve të ardhshme të vendit, tentoi të zhvlerësoje atë si një ditë përplasjeje, por si një datë farsë për zgjedhjet e Edi Ramës “sikur të thoja unë, që 7 korriku është data e zgjedhjeve të përgjithshme politike”. “Sfidimi i hapur që Edi Rama bën. Përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik kur 30 qershori nuk përbën më një datë zgjedhjesh, por një datë grushti shteti, ky sfidim bëhet me një qëllim që Rama të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij dhe të kriminelëve të tij”. Pra Basha pranoi indirekt, se data 30 qershor, mund të jetë argument në një tavolinë të mundshme negociatash.

Interesant ishte edhe qëndrimi i tij ndaj debatit mes presidentit dhe maxhorancës. Ai tha se çështja e shkarkimit të presidentit është një teatër i Ramës për të tërhequr vëmendjen.

“I vënë përballë kërkesës për largimin e përgjegjësit për këtë krizë të rënë politike dhe ekonomike, krijimi i një qeverie tranzitore, Edi Rama ka vënë në lojë teatrin  e e shkarkimit të Edi Ramës dhe bën teatër me datën 30 qershor. E gjitha ka një qëllim: të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik, se e gjithë bota e di se ne kemi në krye të vendit një bandit të kapur me presh në duar që nuk përfaqëson legjitimitet, por ilegjitimet. Një njeri që ka ardhur në pushtet me krimin. farsa e nisur me shkarkim të presidentit, që përfundoi në një rezolutë dhe pastaj në një qortim etik, bëhet vetëm se Edi Rama ka nevojë jetike të largojë vëmendjen nga fakti se është kapur të vjedhë zgjedhjet, të vjedhë qytetarët. Është pjesë e teatrit, që të ruajë pushtetin e paligjshëm, nëpërmjet të cilit ai dhe një grusht njerëzish rreth tij pasurohen, ndërsa fëmijët e shqiptarëve nuk kanë bukë të hanë”, tha Basha.

Në fund ai refuzoi të japë përgjigje se çfarë date mund t’i sugjeronte presidentit si datë alternativë për zgjedhjet lokale. Ai tha se protestat do vazhdojnë. Por as për këtë, nuk dha ndonjë datë.

Skip to toolbar