“140 vende në Konferencën e Donatorëve”. Soreca: SPAK e BKH prioritet për integrimin

AKTUALITET


Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca foli për revistën ekonomike “Monitor”, duke prekur disa çështje të rëndësishme për vendin tonë. Së pari, ai deklaroi lajmin se në 17 shkurt, në Konferencën e Donatorëve që do të mbahet në Bruksel, do të jenë pjesëmarrës 140 vende dhe organizata. Soreca shprehet se do të ftohen edhe organizata, institucione financiare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin nga tërmeti. “Komisioni Evropian ka njoftuar një angazhim të parë prej 15 milionë eurosh për nevoja të rimëkëmbjes, dhe i ka ofruar Shqipërisë të organizojë një konferencë të donatorëve për të mobilizuar burimet financiare bazuar në raportin e PDNA-së. Jam i lumtur të njoftoj se konferenca do të zhvillohet më 17 shkurt, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel. Do të ftohen më shumë se 140 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare ndërkombëtare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile në nivelin më të lartë. Unë jam shumë i vetëdijshëm që një numër i madh familjesh ende jetojnë në tenda dhe janë në rrezik për shkak të sezonit të dimrit. Prandaj, Komisioni Evropian ka dislokuar një ekspert të reagimit ndaj emergjencave në Shqipëri për të ndihmuar për mbikëqyrjen e nevojave humanitare të popullatës së prekur”, tha Soreca.

Ambasadori, ndonëse thotë se është herët për të folur për ndikimin që do të ketë në ekonomi tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, shprehet se në zonat e prekura, gjatë këtij viti pritet të ketë ngaldalësim në disa sektorë të ekonomisë. “Shqipëria është në procesin e përfundimit të vlerësimit të nevojave pas tërmetit. Është shumë herët për të arritur në përfundimin se sa do të preket ekonomia e përgjithshme. Ajo që pritet është se në zonat ku tërmeti pati goditjet kryesore, sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, veçanërisht turizmi, do të preken negativisht gjatë vitit 2020. Kjo është e pashmangshme. Sidoqoftë, këto efekte negative do të kompensohen pjesërisht nga programi i rimëkëmbjes. Por, përsëri, është shumë herët për të arritur në përfundimin se në çfarë mase do të materializohet kjo”, thotë Soreca. Megjithatë, duke folur për trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare, ambasadori i BE këshillon që në sektorin e turizmit të bëhet kujdes i veçantë.


“Për sa i përket rritjes, Shqipëria ka mbajtur një rritje shumë pozitive në tre tremujorët e parë të vitit 2019. Parashikimi i vjeshtës i Komisionit Evropian, i cili u botua në nëntor, para tërmetit, parashikoi një rritje të përgjithshme ekonomike prej rreth 3% të PBB-së gjatë vitit 2019. Rritja e parashikuar është ruajtur gjerësisht gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019. Një fushë për të cilën unë mendoj se do të duhet kujdes i veçantë është sektori i turizmit, që është bërë një pjesë qendrore e ekonomisë shqiptare”, shprehet ai.

Duke folur për negociatat, Luigi Soreca shprehet se procesi nuk po ngadalësohet. Sipas tij, drejtuesit e Komisionit Europian mbështesin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për nisjen e procesit të negociatave. “Më lejoni të theksoj se përparësia dhe ritmi i dhënë për adresimin e temës së zgjerimit nga BE-ja nuk po ngadalësohet, aspak. Presidentja Ursula von der Leyen dhe Komisioneri i ri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e kanë bërë shumë të qartë që në fillim se angazhimi ynë për perspektivën e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar. Viti 2020 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Evropën Juglindore dhe Shqipërinë. Komisioni Evropian do të propozojë përmirësime të metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, ndërsa zgjerimi duhet të diskutohet nga Këshilli Evropian në mars. Ndërkohë Presidenca kroate po planifikon një samit shumë të rëndësishëm në Zagreb në maj, i cili do të pasohet nga miratimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian”, thotë Soreca.

Duke folur në të njëjtën linjë, Soreca shprehet se në krye të agjendës së integrimit është funksionimi i sistemit të drejtësisë. Ai thotë se SPAK dhe BKH, së bashku me institucionet e tjera të drejtësisë, duhet të vihen në punë sa më parë. “Dua të theksoj gjithashtu se në diskutimet për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Evropian, ka një mirëkuptim shumë të gjerë në institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare që mbështetja financiare evropiane për Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie maksimale politike dhe strategjike.

Pra, dera është e hapur dhe përparësi për Shqipërinë duhet të jenë përpjekjet shtesë që mbeten për të bërë për t’i bindur Shtetet Anëtare – që do të thotë, përqendrimi tek arritja e reformave. Për shembull, në krye të agjendës së integrimit në BE janë: të kenë institucione kryesore si SPAK dhe BKH plotësisht funksionale, pasja e një Gjykate Kushtetuese funksionale, miratimi i akteve nënligjore të mbetura për mbrojtjen e pakicave, miratimi më në fund i një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, ndërsa vazhdohet dhe mundësisht forcohet më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.




Skip to toolbar