Korrupsion me certifikata pronësie false, burg për ish zyrtarët e hipotekës Korçë

Gjykata e Korçës ka dhënë masat e sigurisë për ish zyrtarët e Hipotekës Korçë, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh të certifikatave të pronësisë përmes një skeme korrupsioni. Në total gjyqtari i Korçës, Besnik Shehu dha 7.8 vite burg për të gjithë ish zyrtarët e hipotekës, ndërsa pranoi për to edhe masën e gjykimit të shkurtuar. Në lidhje me ish kreun e Hipotekës së Korçës, Lefton Bardho,  gjykata vendosi pushimin e çështjes, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve.

Gjykata e Korçës ka dënuar me 4 vite burg Ersild Gorarin, që përmes gjykimit të shkurtuar i është ulur në 3 vite burg dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike.

Me 3 vite burg është dënuar dhe ish-zyrtarja e hipotekës Arsidesa Hysi, që me gjykim të shkurtuar i konvertohet në 2 vjet burg dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Me 3 vjet burgi është dënuar dhe Erjon Arifi, e konvertuar në 2 vjet burg nga gjykimi i shkurtuar dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike.

Eriston Ziu, është dënuar me 8 muaj burgim.

Si u zbardh skema e korrupsionit mes zyrtarëve të hipotekës Korçë?

Ish zyrtari Ersild Gorari i akuzuar fillimisht për shpërdorim detyre ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të tregojë të gjithë skemën e korrupsionit dhe falsifikimit të certifikatave të pasurive në hipotekën e Korçës, ku dolën në pah dhe emrat e tjerë të zyrtarëve të dënuar.

Sipas Gorarit, zyrtarët e hipotekës Korçë, pajisnin me certifikata pasurie, qytetarë të cilët nuk kishin aplikuar asnjëherë dhe s’kishin bërë ndonjë pagesë për këtë shërbim. Për më tepër që zyrtarët zhduknin nga arkiva e hipotekës regjistrat hipotekorë, duke i marrë me vete lokale dhe në shtëpi dhe ja lënë në dorë të personave të panjohur në rrugë e lokale, të cilët plotësonin certifikatat e pasurisë dhe firmosnin ato, duke e bërë më të vështirë zbardhjen e përgjegjësisë edhe nëse do kryhej ekspertim grafik të shkrimit.

Hetimi ka zbuluar se kartelat e pasurisë janë konstatuar se në një pjesë të tyre ka ndërhyrje të bëra nga Ersild Gorari apo zv/kryeregjistruesja Arsidesa Hysi dhe në shumicën e rasteve, kartelat dhe certifikatat janë plotësuar fiktive, pa u regjistruar në sistem, raste që janë në një masë shumë të madhe.

“Dibra”, s’ka korrupsion zgjedhor

Brenda datës 11 shtator, Rifat Kojku dhe Belina Zeneli, dy prokurorët e Prokurorisë së Dibrës që kanë në dorë dosjen e zgjedhjeve në këtë rreth, duhet të komunikojnë akuzat për të pandehurit. Data 11 shtator shënon dhe 3 vjetorin e regjistrimit të kësaj dosje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, çka do të thotë se para kësaj date prokurorët e Dibrës duhet të komunikojnë akuzat.

Sipas një lajmi të publikuar nga Shqiptarja.com, mësohet se të pandehur duhet të merren personat përgjegjës që janë prëfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ata janë Arben Keshi, Robert Aga, Drini Gjeçi, Bekim Krashi dhe Pjerin Ndreu. Të gjithë këta persona janë zbuluar në bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zgjedhjet e pjesshme vendore të bashkisë së Dibrës në vitin 2016.

Roli i Ndreut, që tashmë është zgjedhur kryebashkiak i Lezhës, mbetet për t`u vlerësuar nga dy prokurorët që kanë në dorë dosjen. Gjithashtu, për shkak të përfundimit të afateve të hetimeve, mësohet se biznesmeni Ymer Lala nuk do të jetë i akuzuar, pasi do të duhej që akuza ndaj tij të ishte ngritur në një afat dyvjeçar nga momenti i regjistrimit të dosjes në prokurori.

Kështu, akuza e “Korrupsionit zgjedhor”, ka rënë. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, do të jenë dy akuzat ku pritet të fokusohen hetimet e prokurorisë.

Ngjela: Opozita në depresion, SHBA po pastron korrupsionin Meta, Berisha, Basha

Nga Spartak Ngjela

Në çdo kohë që kalon me ngjarje të rënda në një vend, gjithmonë pyetet: pse erdhën këto ngjarje të rënda; dhe, çfarë i shkaktuan shoqërisë ato?

Këtu flitet, sigurisht, për ngjarjet e rënda që ia shkaktojnë shoqërisë së vet të pushtetshmit.

Sa herë që një shoqëri drejtohet nga injorantë dhe të korruptuar, pyetet: nga erdhën këta individë, si dolën në krye të vendit dhe cili ishte dëmi i tyre?

Po në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit, e cila u drejtua nga injorantë, dhe një plejadë të korruptuarish, nga erdhën, si hipën në pushtet, dhe sa është realisht dëmi që i sollën këta Shqipërisë e shqiptarëve?

Dëmi është shumë i madh. Por, ardhja e krerëve të tyre është shumë e dyshimtë. Tani, kur të gjithë bashkë janë drejt likuidimit, origjinën e tyre dhe përkrahjen politike për të ardhë në pushtet, duhet t’ia lëmë kohës ta zgjidhë me anë të provave dokumentare, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ka dyqind vjet që janë sulmuar brutalisht nga fqinjët pushtues territoresh të gjera të Arbërisë.

Ajo që i duhet imediatisht shqiptarëve dhe Shqipërisë, është likuidimi tërësor i korrupsionit të lartë shtetëror.

l.

Korrupsionin lartë shtetëror shqiptar ka qenë një gjëmë kombëtare. Por tani ai është në grahmat e fundit, për këtë duhet të jemi të sigurt.

Shqiptarët e kanë ditur saktë se kush i ka qeverisur, por nuk kanë patur mundësi të vepronin. E vetmja gjë që kanë bërë shqiptarët ka qenë ikja nga Shqipëria.

Po korrupsioni si ka operuar në Shqipëri pas vitit 1991?

Ky ka operuar me injorancën e blerë, me fanatikë të paguar si fansa që iu premtohej pronë, dhe me njerëz të thjeshtë që kanë besuar te gënjeshtrat e përsëritura të liderëve të korrupsionit kryeministror shqiptar që drejtonin dy partitë kryesore: Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.

Por, historia e Shqipërisë befas hyri në një rrjedhë të re të pamenduar dot nga korrupsioni. Në këtë rrjedhë të re e futi me forcë politika amerikane – kështu do të shkruajë historia.

ll.

Ka pasur një këmbëngulje permanente të politikës amerikane kundrejt Shqipërisë, duke filluar që në vitin 1919 me presidentin Ëillson.

Ka vijuar pastaj në vitin 1961 dhe në vitin 1962 me presidentin Xhon Kenedi kundër ndërhyrjes sovjetike në Shqipëri dhe largimin e flotës sovjetike nga Vlora; ka vijuar me presidentin Riçard Nikson për garantimin e autonomisë së gjerë të Kosovës, e cila u vendos direkt nga presioni i Niksonit kundrejt Josif Broz Titos. Por gjithçka erdhi dhe dha një shkëlqim historik me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë amerikane në luftën për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999.

Tani gjithçka po flet për një aleancë të gjerë shqiptaro-amerikan dhe për karakterin demokratik të ndërhyrjes së politikës amerikane për likuidimin e korrupsionit të lartë shqiptar. Likuidimi i këtij korrupsioni është domosdoshmëri për politikën e re amerikanë në panshqiptarizimin e Ballkanit Perëndimor. Politika amerikane sot në këtë zonë është thjesht: “gjithëshqiptarizmi në Ballkanin Perëndimor “.

Në fakt, Ballkani Perëndimor është Arbëria klasike dhe me panshqiptarizëm duhen kuptuar të drejtat e shqiptarëve që janë shkelur nga fqinjët pushtues territoresh shqiptare dhe, në një rrafsh historik, nga fuqitë e mëdha, Rusia dhe Franca.

Kjo është arsyeja që korrupsioni Berisha, Basha, Meta me taboret e tyre, në një sens historik, janë për Shqipërinë një gjëmë pushtuese. Sigurisht që korrupsioni shqiptar është shumë më i gjerë se kaq, por politika amerikane duket se është e përqëndruar në likuidimin e këtij segmenti, sepse ndërkohë ky korrupsion ka marrë karakter të hapur antikombëtar.

lll.

Nga shqiptarët ishte krejt e pamundur që të likukdohej kjo gjëmë kombëtare, sepse korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar kishte forcën e shtetit dhe demagogjinë kundrejt përkrahësve në elektoratin shqiptar dhe në opinionin publik. Kishte gjithashtu forcën e parasë me të cilën likuidoi plotësisht lirinë e shtypit dhe të medias elektronike. Kjo midie u fut qorrazi në një lojë pseudoarmiqësore grupesh të mëdha politikë, që bënin sikur luftonin njëri-tjetrin, por që në fakt mbështeteshin te paraja korruptive.

Po politika amerikane, si penetroi ajo me forcë në këtë gjendje?

Politika amerikane penetroi dhe e dominoi me forcë situatën politike në Shqipëri, pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2014.

Pikërisht në këtë vit filloi strukturimi juridik i Reformës në Drejtësi, e cila u kurorëzua juridikisht me kushtetutën e vitit 2016. Por gjithçka në këtë ndërmarrje historike u kurorëzua nga forca e politikës amerikane, dhe sidomos nga aksioni politik permanent i ambasadorit amerikan Donald Lu.

lV.

Politika amerikanë, pasi e konstatoi se nuk mund të kishte Shqipëri perëndimore e demokratike pa likuiduar korrupsionin Berisha , Basha Meta, filloi veprimtarinë e vet konkrete.

Po, si? Nga duhej të fillonte, dhe ku duhej të mbështetej?

Në këtë kohë në pushtet ishin socialistët. Socialistëve historia e re e Shqipërisë iu kishte mësuar se nuk mund të dilnin dot kundër politikës amerikane, se e kishin provuar një herë në vitet 1992-1995. Dhe u pa që ata u rreshtuan tërësisht pro politikës amerikane, pavarësisht nga ndonjë luhatje sporadike.

Gjithësesi duhet pranuar se socialistët e pranuan dhe e çuan deri në fund ristrukturimin jurudik antikorrupsion në Shqipëri, pavarsisht që nga reforma antikorrupsion do të cënoheshin dhe prekeshin edhe individë të lidershipit të saj.

Kurse, studimi adekuat i ekspertizës amerikane e kapi që, themeli ku mbahej korrupsioni shqiptar ishte pushteti gjyqësor. Ata e konceptuan realisht skemën e korrupsionit se si ai funksiononte në Shqipëri: një pushtet gjyqësor i korruptuar që vazhdimisht degradonte drejtësisinë dhe që krijonte mundësinë e vjedhjes së madhe të korrupsionit politik shtetëror. Ky pastaj grabiste vlerat shoqërore me anë të klientelizmit, uzurpimit të pronës dhe burimeve bujqësore e minerare në Shqipëri.

Të dy bashkë këta pushtete, pushteti gjyqësor dhe pushteti politik, krijuan në Shqipëri simbiozën më të shëmtuar historike të një korrupsioni.

Por pyetja që ngriti ekspertiza amerikane ishte kjo: nga duhej filluar lufta për likuidimin e këtij korrupsioni dyfish?

V.

Historia e gjatë e demokracisë në Perëndim ka treguar se një sistem demokratik mbahet si i drejtë dhe i barabartë vetëm nga një pushtet gjyqësor i pavarur. Në fakt demokracia nuk mund të funksionojë dot pa një pushtet gjyqësor të pavarur, sepse ajo degradon në demagogji dhe në një korrupsion të përbindshëm. Demagogjia në politikë dhe korrupsioni në shtet, janë dy ingredientët thelbësorë të korrupsionit shtetëror. Me demagogji bëhen zgjedhjet dhe “lufta politike”, kurse me korrupsion fitohen paratë me të cilat mbahet pushteti, blihen votat, ushqehet krimi i organizuar dhe garantohet nëpër bankat ofshore pasuria e pushtetarëve të korruptuar.

Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri në këta 20 vjetët e fundit, por këtë kapi edhe politika amerikane kur me forcë e detyroi politikën e korruptuar shqiptare të pranonte kushtetutën e vitit 2016, kushtetutë kjo e cila u bë kuidesenca e Reformës në Drejtësi.

Vl.

Tamam këtu nisi procesi antikorrupsion në Shqipëri, i cili, në funksion të kushtetutës së re, formuloi ligjet e reja të vetingut dhe filloi procesin gjyqësor antikorrupsion në drejtësinë shqiptare. Proces ky që deri tani, ka likuiduar për korrupsion 90% të Gjykatës Kushtetuese, 99% të Gjykatës së Lartë dhe rreth 40 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Por ndërkohë u formua më në fund edhe vetë SPAK- u, që është grupi institucional që do të gjykojë korrupsionin në politikën e lartë. Ky grup institucional është: Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Të tre këta institucione që do të gjykojnë taboret korruptive Meta, Berisha e gjithë të tjerët, do të sjellin në Shqipëri atmosferën e gëzuar të vendosjes së drejtësisë.

Po socialistët që kanë ndërkohë mazhorancën në Parlament, a do t’i qëndrojnë korrekt interesit kombëtar shqiptar dhe politikës amerikane?

Vll.

Në fakt, mu këtu fillon politika e re e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar tani është pa opozitën e korruptuar të Partisë Demokratike, e cila, duke dashur të krijonte destabilizimin e Shqipërisë me një revolucion imagjinar, dogji mandatet e deputetit dhe doli në rrugë. Ishte nën mendimin e fshehtë se me një destabilizim të Shqipërisë do të shpëtonte nga ndëshkimi antikorrupsion, sepse e mendonte destabilizimin në Shqipëri edhe si interes antishqiptar të fqinjëve.

Opozita e dalë nga Parlamenti, filloi përplasjen e dhunshme, por pa forcë reale. E vijoi këtë gjullurdi primitive pa fare ide, derisa u kërcënua drejtpërsëdrejti nga politika amerikane dhe u tulat nga provat që kishte mbledhur FBI kundër saj. Tani ajo është në depresion politik, kurse Parlamenti vijon punën me zëvendësuesit kushtetues, të cilët janë në numur 90 % properëndimorë dhe po e çojnë përpara Reformën në Drejtësi, bashkë me mazhorancën socisliste.

Pikërisht kjo është arsyeja që tani, pas formimit të SPAK-ut, krimi i organizuar shqiptar dhe korrupsioni i lartë shtetëror janë në prag të likuidimit të tyre gjyqësor. Tani, madje pritet që, që në këtë muaj dhe në dy muajt në vijim, në gusht dhe në shtator, shqiptarët do ta shohin konkretisht luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror, ashtu sikurse po ndjekin luftën e nisur e në vijim kundër korrupsionit në pushtetin gjyqësor.

Është pikërisht koha kur do të fillojë të lindë realisht optimizmi shqiptar… Për këtë jam i sigurt.

Borchardt: Lufta kundër korrupsionit, Shqipëria është përkeqësuar

Ambasadori i OSBE në tiranë Bernd Borchardt ka deklaruar se lufta ndaj korrupsion është përkeqësuar në këto dy vitet e fundit në Shqipëri duke shënuar një rënie në Indeksin e Transparency International që prej 2016.

Borchardt vlerësoi përpjekjet e policisë dhe prokurorisë për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë gjatë viti të fundit, por kërkoi një qasje të shumanshme në këtë drejtim.

“Korrupsioni është një nga pikat kryesore të punës të Prezencës së OSBE-së. Shohim me keqardhje që Shqipëria ka pasur përkeqësim në këtë fushë gjatë dy viteve të shkuara. Shqipëria ka shënuar rënie në Indeksin e Transparency International që prej vitit 2016. Dimë që këtë vit janë bërë më shumë përpjekje nga policia, inspektimet dhe nga prokuroria për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë, por kjo është një çështje që kërkon një qasje të shumanshme.” tha Borchardt.

Këto komente ambasadori Borchardt i bëri gjatë çeljes së një ekspozite me teme korrupsioni në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Skip to toolbar