Korrupsion me certifikata pronësie false, burg për ish zyrtarët e hipotekës Korçë

AKTUALITET


Gjykata e Korçës ka dhënë masat e sigurisë për ish zyrtarët e Hipotekës Korçë, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh të certifikatave të pronësisë përmes një skeme korrupsioni. Në total gjyqtari i Korçës, Besnik Shehu dha 7.8 vite burg për të gjithë ish zyrtarët e hipotekës, ndërsa pranoi për to edhe masën e gjykimit të shkurtuar. Në lidhje me ish kreun e Hipotekës së Korçës, Lefton Bardho,  gjykata vendosi pushimin e çështjes, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve.

Gjykata e Korçës ka dënuar me 4 vite burg Ersild Gorarin, që përmes gjykimit të shkurtuar i është ulur në 3 vite burg dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike.


Me 3 vite burg është dënuar dhe ish-zyrtarja e hipotekës Arsidesa Hysi, që me gjykim të shkurtuar i konvertohet në 2 vjet burg dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Me 3 vjet burgi është dënuar dhe Erjon Arifi, e konvertuar në 2 vjet burg nga gjykimi i shkurtuar dhe 3 vjet heqje të së drejtës për të mbajtur funksione publike.

Eriston Ziu, është dënuar me 8 muaj burgim.

Si u zbardh skema e korrupsionit mes zyrtarëve të hipotekës Korçë?

Ish zyrtari Ersild Gorari i akuzuar fillimisht për shpërdorim detyre ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të tregojë të gjithë skemën e korrupsionit dhe falsifikimit të certifikatave të pasurive në hipotekën e Korçës, ku dolën në pah dhe emrat e tjerë të zyrtarëve të dënuar.

Sipas Gorarit, zyrtarët e hipotekës Korçë, pajisnin me certifikata pasurie, qytetarë të cilët nuk kishin aplikuar asnjëherë dhe s’kishin bërë ndonjë pagesë për këtë shërbim. Për më tepër që zyrtarët zhduknin nga arkiva e hipotekës regjistrat hipotekorë, duke i marrë me vete lokale dhe në shtëpi dhe ja lënë në dorë të personave të panjohur në rrugë e lokale, të cilët plotësonin certifikatat e pasurisë dhe firmosnin ato, duke e bërë më të vështirë zbardhjen e përgjegjësisë edhe nëse do kryhej ekspertim grafik të shkrimit.

Hetimi ka zbuluar se kartelat e pasurisë janë konstatuar se në një pjesë të tyre ka ndërhyrje të bëra nga Ersild Gorari apo zv/kryeregjistruesja Arsidesa Hysi dhe në shumicën e rasteve, kartelat dhe certifikatat janë plotësuar fiktive, pa u regjistruar në sistem, raste që janë në një masë shumë të madhe.




Skip to toolbar