Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën franceze “L’Express” e ka cilësuar të domosdoshme praninë dhe mbështetjen e SHBA-ve në normalizimin e marrëdhënieve të brishta mes Kosovës dhe Serbisë. “Askush nuk mund ta zëvendësojë Evropën në këtë proces paqeje; megjithatë, marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë është aq e brishtë sa që nuk mund të ketë një marrëveshje nëse nuk kemi mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Thaçi ka folur edhe për mundësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë, më takimin e Parisit më 1 korrik .
“Shpresoj që takimi do të hapë rrugën për një marrëveshje me Serbinë. Nëse nuk mund të krijojmë marrëdhënie të mira me Beogradin, atëherë ne kurrë nuk do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian e as të NATO-s. Kjo është një mundësi e artë.” –tha Thaçi
Ndërsa i pyetur se çfarë kompromisesh është e gatshme Kosova të bëjë për të arritur një marrëveshje, Thaçi tha se është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje e favorshme reciproke edhe pse “do jetë e vështirë, pasi duhet t’i bind qytetarët e vendit tim që të normalizojnë marrëdhëniet me një shtet që vetëm 20 vjet më parë po na vriste.” Ndërsa tezën e shkëmbimit të territoreve, Thaçi e mohoi të ketë qenë pjesë e diskutimeve me Serbinë, duke cilësuar se ai nuk ka qëllim të ndryshojë kufijtë.