Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar
disa orë pas publikimit të lajmit, se Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqjen e
parevokueshme si Kryeministër i Kosovës. Në një reagim në Facebook, Thaçi
shkruan se ka mësuar me keqardhje lajmin se Gjykata Speciale në Hagë, kishte
ftuar për të dëshmuar këshilltarin e tij, Bislim Zyrapi, që dikur ka qenë shef
shtabi në UÇK, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe disa ish-eprorë të tjerë të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka
ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh
këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit,
kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga
mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së
Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, shkruan
Thaçi. Më tej, Presidenti i Kosovës
shprehet se do të respektojë kompetencat e tij kushtetuese, lidhur me
dekretimin e një date të re zgjedhjesh të parakohshme, e kërkuar nga kryeministri
në largim Ramush Haradinaj.
“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si
President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në
kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do
të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat
e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, shkruan Thaçi.
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë
qenë të ndarë në qëndrimet e tyre lidhur
me taksën mbi mallrat serbe. Presidenti ka qenë më liberalë në këtë drejtim,
duke kërkuar nga kryeministri që të zbusë qëndrimin e tij, me qëllim që të
rifillojë dialogun me Serbinë.
Por Haradinaj nga ana e tij e ka kritikuar
Thaçin në publik për qëndrimet që ka mbajtur, madje duke e akuzuar edhe si një
prej ideatorëve për ndarjen e Kosovës, gjë të cilën Haradinaj e përmendi dhe në
emisionin “Rubikon”, ku u shpreh se ishte ai njeriu që ndali ndarjen e Kosovës,
duke refuzuar dialogun nëse do të shtrohej një diskutim i tillë.
Gjithashtu, Hardinaj, u shpreh se përçarjet mes
politikanëve në Kosovë, e kanë dobësuar rolin e saj në procesin e dialogut me
Serbinë, duke u rikërkuar krerëve të lartë shtetëror të Kosovës, që të mbajnë një
qëndrim të përbashkët, në mënyrë që Serbia të pranojë njohjen. Një detaj i deklaratës
së Hashim Thaçit për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, është ftohtësia me të cilën
shprehet në Presidenti i Kosovës për kryeministrin e vendit të tij.
Madje, deklaratën e tij, Thaçi e nis me këshilltarin
personal, Bislim Zyrapi, dhe me një fjalë përmend dhe Haradinaj në rreshtin ku
shprehet keqardhje për ftesën që Gjykata Speciale i dërgon disa ish-drejtuesve
të UÇK-së për të dhënë sqarime për të njëjtën çështje, që të paktën Haradinaj
ka fituar dy herë pafajësinë nga Gjykata
e Hagës.