Atentati ndaj Ndojës, Krimet e Rënda “rihapin” dosjen Konomi

Të tjera detaje dalin nga hetimet lidhur me atentatin e gjashtë ditëve më parë ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Sipas News 24, grupi i hetimit është duke hetuar pistën e përplasjes së grupeve kriminale në Durrës për zotërimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Në hetim janë përfshirë disa procese gjyqësore që kanë në qendër tjetërsimin e pronave që kanë çuar në përplasje të ashpër mes njerëzve të botës së krimit. Dosja e parë që është sekuestruar nga Krimet e Rënda, është ajo e Pal Selçunit, një 74-vjeçar i cili përfitoi 45 mijë metër katrorë tokë me një vendim gjykate disa vite më parë.

Arsyeja pse është sekuestruar kjo dosje lidhet me faktin se çështja Selçuni është përfaqësuar nga studio ligjore e bashkëshortes së Arjan Ndojit. Në gjykim ishte palë dhe Avokatura e Shtetit dhe Bashkia e Durrësit. Por asnjëra prej tyre nuk e ankimoi vendimin. Sapo përfitoi pronën, Selçuni ia shiti atë familjës muharremi. Në këtë sipërfaqe nisi të investonte biznesmeni libanez Faad Mitri, i cili u rrah barbarisht dhe më pas u largua nga Shqipëria, duke anuluar dhe investimin e kompleksit turistik. Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi” i dyshuar se ishte pjesë e dhunës ndaj biznesmenit, nuk u mor asnjëherë në pyetje për këtë ngjarje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi dosjen e pronave të pretenduara nga gjyqtari i ndjerë i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë disa vite më parë po në një atentat mafioz. Sipas News 24, referuar dokumentave, familja Toptani ka një proces të hapur gjyqësor me familjen Konomi, për një sipërfaqe prej 275 hektarësh me vendodhje në Hamallaj në Durrës.

Duket se kjo nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj prokurorit. Por, fakti që në proces janë përfshirë persona me lidhje me Aleksandër Lahon ngre dyshime të forta. Padia, për procesin mes familjes Toptani dhe Konomi, aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Durrësit. Krimet e Rënda po shqyrtojnë edhe prona që dyshohet se familja Muharremi ka zaptuar, kryesisht prona shtetërore, por që tashmë janë regjistruar me emrin e tyre.

Bllokohen hetimet për kokainën në portin e Durrësit

Letërporositë e dërguara në Greqi dhe në Ekuador për të siguruar më shumë detaje rreth porositësve të 137 kg kokainë të sekuestruara në Portin e Durrësit, po mbajnë peng hetimet për këtë dosje. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të mësojë më shumë informacion për Gentian Malindin dhe personat e tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtarë të drogës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbetur peng e letërporosive të dërguar rreth një muaj më parë në Greqi dhe në Ekuador për të zbuluar se kush janë personat e tjerë që fshihen pas sekuestrimit të 137 kg kokainë në Portin e Durrësit

Organi i akuzës kërkon nga autoritet e huaja informacion zyrtarë jo vetëm për tre personat e identifikuar deri më tani, dy prej të cilëve u prangosën, rreth një muaj më parë në tentativë për t’i shpëtuar policisë së shtetit por edhe për biznesmenin Gentian Malindi. Për këtë të fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka skeduar si personi që ka dalë garant për të marrë drogën nga kontejneri e më pas për ta dërguar në destinacionin e përcaktuar më herët grupet kriminale. Gjatë transportit Malindi, ka zbuluar se në pakot ku mendonte se kishte kokainë ishte futur oriz dhe lokalizues satelitor, duke e hedhur çantën menjëherë nga automjeti që ishte në vëzhgim nga Forcat Operacionale Speciale.

Në burg qëndrojnë, Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, si dhe punëtorin në anijen e Gentian Malindit, Altin Myslihaka. Ndërsa masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë është dhënë edhe për Malindin nga apeli i krimeve të Rënda.

Prokuroria bashkë me Policinë e Shtetit ka dyshime se janë të implikuar në trafikimin e 137 kg kokainë disa anëtarë të tjetër të grupeve kriminale që veprojnë brenda territorit Shqiptar kryesisht në Elbasan, Fier e Vlorë.

Tentoi të shtypë policët në Shkozë, lihet në “Arrest shtëpie”

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Petrit Dukin, personi i cili çau me makinë kordonin e policisë, gjatë aksionit të shembjes së disa banesave në Shkozë.

Petrit Duki u arrestua në datën 16 tetor, ndërsa u akuzua për veprën penale “Vrasje me dashje në rrethana të cilësuar”, e mbetur në tentativë.

Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të rënda ndryshoi cilësimin ligjor, duke e akuzuar Dukin vetëm për “Kundërshtim të forcave të policisë” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Por, Gjykata e Krimeve të rënda e kryesuar nga Bib Ndreca, dha të dielën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për personin nën hetim Petrit Duki.

Gjatë dhënies së masës së sigurisë në sallën e gjykatës, mësohet se ishte prezent ish-Ministri dhe deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Më 16 tetor, Petrit Duki tentoi të përplasë forcat e policisë, të cilat ishin të pranishme gjatë aksionit të shembjes së disa banesave në Shkozë, që preken nga projekti i “Unazës së Re”.

Krimet e Rënda apelojnë vendimin për Tahirin

Një ditë pasi Saimir Tahiri ankimoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e dënoi me 3.4 vite burg (i konvertuar në shërbim prove), vjen dhe reagimi i organit të akuzës. Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjithashtu, ankimoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që ndryshoi akuzën e Prokurorisë ndaj Saimir Tahirit.

Akuza kërkoi dënimin e Saimir Tahirit me 12 vite burg për tre vepra penale, i cili do të zbriste në 8 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar, por Gjykata e Krimeve të Rënda hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë, duke e dënuar ish-ministrin e Brendshëm me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Por, këto 5 vite u konvertuan në 3.4 për shkak se më herët Gjykata kishte pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Saimir Tahirit.

Megjithatë, burgu konvertohet  në 3.4 vite shërbim prove, por të dyja palët, Saimir Tahiri (që kërkon pafajësi) dhe Krimet e Rënda (që kërkojnë dënim më të madh), nuk janë dakord me vendimin e gjykatës, duke e apeluar atë.  Vendimi i plotë i Gjykatës së Krimeve të Rënda ende nuk është zbardhur.

10 vite burg suedezit, do trafikonte pistoleta

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg një shtetas suedez, i cili u arrestua një vit më parë pasi mbante 19 pistoleta në çantë. 21-vjeçari Sebastian Vall, lindur e banues ne Suedi, u arrestua në gushtin e vitit 2018, pasi u ndalua nga policia shqiptare duke trafikuar 19 pistoleta.

Ai përdori Shqipërinë për të kaluar tranzit 19 pistoleta nga Kosova, ndërsa u ndalua në pikën kuftitare të Hanit të Hotit. Sipas Report Tv, mësohet se i riu suedez, u kamuflua si pasagjer në një autobus, në momentin që u ndalua në kufi.

Gjatë kontrollit në çantën e shpinës, atij iu gjetën 19 pistoleta, të cilat do t`i trafikonte drejt Europës. I riu pranoi se po trafikonte pistoletat gjatë kohës që u zhvilluan hetimet, por ai nuk tregoi se në cilin shtet të Europës do të shkonin armët e zjarrit, dhe se kush ishte porositësi i tyre.

Tahiri i “lirë” me kusht

Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg. Gjykata e Krimeve të Rënda, pas më shumë se pesë orësh në dhomë këshillimi, ka marrë vendimin për dënimi e Saimir Tahirit me 5 vite burg. Por ky vendim konvertohet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg, pasi dënimi i tij do të konvertohet në shërbim prove me tre vite. Në këto kushte, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin me kusht, me qëllim që ai gjatë kësaj periudhe të mos bëj asnjë shkelje tjetër të ligjit. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar tre akuzat e tjera për të cilat po hetohej Saimir Tahiri. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar Saimir Tahirin për “Grup të strukturuar kriminal”, “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Korrupsion i zyrtarit të lartë”.

Pasi dëgjoi vendimin, Saimir Tahiri doli përpara mediave, teksa nuk e kurseu buzëqeshjen dhe ironitë, Tahiri gjatë fjalës së tij tha se nuk qesh dhe as nuk qan dot për vendimin, ndërsa i ftoi mediat të flasin nesër gjatë dhe gjerë së bashku.

“Meqë ca kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim, un ë i bie që kam shpërdoruar detyrën. Më lini ta përtyp, nuk qesh dhe nuk qaj dot. Nesër do ju ftoj që të ndajmë ca mendime. Mu duk një gjë që; je i pafajshëm, por skemi këllqe që ta themi. Nuk konsideroj asgjë fitore. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të betejës time. Më la pa fjalë Gjykata. Nuk jam kriminel, por paskam shpërdoruar detyrën. Më lini pak kohë ta përtyp këtë. Mu duk një gjë e tipit ‘je i pafajshëm, por nuk kemi kohë ta themi” Për të gjithë kushërinjtë idiot që kemi në farefis, do dënohemi për shpërdorim detyre. Nuk di c’të them.”- u shpreh Tahiri për mediat. Tahiri, edhe pse është munduar të shfaqej i qetë, por në fytyrën e tij shfaqej nervozizmi.

Saimir Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila në datën 10 shtator zhvilloi seancën e fundit dëgjimore të palëve, Prokurorisë dhe të akuzuarit. Në pretencën e saj, Krimet e Rënda kërkuan 12 vite burgim për Saimir Tahirin, i cili akuzohet për 3 vepra penale: “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të struktura kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Këto akuza janë hedhur poshtë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar pafajësi.

Në seancën e 10 shtatorit, Saimir Tahiri paraqiti prova të reja përpara trupës gjykuese, ku sipas tij vërtetonin pafajësinë. Ai paraqiti një dokument, ku pretendonte se i kishte kërkuar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që të shihte problemin e fikjes së radarëve. Ndërkohë, pas përfundimit të seancës maratonë të datës 10 shtator, Saimir Tahiri u shpreh se “nuk e mendonte dënimin”.

Edhe në seancën e të enjtes, Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia. Gjatë ditës, Haxhia u shpreh se ishte e papranueshme që të “dënohej një ish-ministër dhe deputet”, pa pasur asnjë provë. Ndërkohë, ashtu si në të kaluarën, procesi ndaj Saimir Tahirit edhe në ditën e vendimit, është vëzhguar nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshirë Moisi Habilajn, kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm./Realstory.al/

“Izet Haxhia, gjykim nga Krimet e Rënda”

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar shpalljen e moskompetencës për hetimin e dosjes së Izet Haxhisë, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe ka kërkuar që kjo dosje të kalohet te Krimet e Rënda.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se për shkak të postit që ka pasur viktima në cilësinë e deputetit, ky rast duhet të gjykohet nga Krimet e Rënda. Për këtë prokuroria ka kërkuar, që dosja e Izet Haxhisë të kalojë në kompetencën e Krimeve të Rënda.

Kjo ka bërë që seanca ndaj tij të shtyhet më 20 shtator, ndërsa avokatët po shqyrtojnë kërkesën e Prokurorisë duke cilësuar se ky vendim mund të rëndojë pozitat e Haxhisë.

Izet Haxhia, i cili nuk ka pranuar asnjëherë të jetë vrasësi i Azem Hajdarit, kërkon nga gjykata të hetohet në gjendje të lirë, me pretendimin se dënimi nga drejtësia shqiptare ka qenë politik me prova të manipuluara. Ai është dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdari, pasi ishte arratisur në Turqi. Më pas ai u kap dhe ekstradua më 8 maj 2018, nga kërkoi rigjykim të çështjes dhe prej asaj dite vijon ende seancat gjyqësore.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës.

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin, pritet vendimi

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur paraditen e të martës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku pritet të mësojë pretencën e Prokurorisë dhe vendimin e gjykatës në ngarkim të dosjes së tij. Sipas Report Tv, mësohet se Prokuroria do të kërkojë 12 vite burg për ish-ministrin. Nëse kërkesa do të pranohet nga gjykata, Tahiri përfiton ulje të 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë është në dorë të gjykatës, nëse doo të konfirmojë ose jo kërkesën e prokurorisë.

Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia, ndërsa kjo është paraqitja e parë e Tahirit në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas përfundimit të pushimeve të verës. Në fakt, në fund të muajit korrik, Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu seancën për vendimin në ngarkim të ish-ministrit të brendshëm, ndërsa Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar.

Kërkesa e tij është pranuar, ndërsa këtë të martë prokuroria pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për hetimin ndaj Saimit Tahirit si dhe kërkesën për dënimin e tij. Ndërkohë, ish-ministri akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar krimina”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshi Moisi Habilajn, ish-kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm.

Mbante dy patenta lundrimi të Saimir Tahirit, Krimet e Rënda heqin dorë nga hetimi i Orest Sotës

Pas dosjes për përgjimet e zgjedhjeve në Dibër, e njohur si “Dosja 184”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka transferuar një tjetër dosje të bujshme. Bëhet fjalë për dosjen hetimore në ngarkim të biznesmenit Orest Sota, i cili u arrestua në vitin 2017 në Elbasan, ku gjatë kontrollit në mjetin e tij u gjetën 863 mijë euro të padeklaruara dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas Report Tv, mësohet se kanë qenë dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, që kanë shpallur moskompetencë për këtë dosje, duke e dërguar për hetime të mëtjeshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit.

Dosja i ka kaluar në dorë prokurores Erida Konkonozi, e cila do të vijojë hetimin për biznesmenin Sota. Ashtu si në rastin e dosjes 184, edhe përë transferimin e kësaj dosje argumenti është i njëjtë, “veprat penale të kryera në këtë dosje nuk janë në kuadër të grupit të strukturat kriminal”, duke shpallur moskompetencë për hetimin e mëtejshëm të dosjes.

Vendimi nga Krimet e Rënda për transferimin e kësaj dosjes është marrë gjatë muajit korrik, ndërsa së fundi ajo i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit. Orest Sota akuzohet për veprat penale “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave” dhe u arrestua në Elbasan ku në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Spiunin e Bild do e gjejnë prokurorët e Elbasanit, Krimet e Rënda moskompetencë

Hetimi i audiopërgjimeve për dosjen ‘339’ dhe ‘184’, të cilat u publikuan në gazetën gjermane Bild, ka përfunduar në Prokurorinë e Elbasanit. Sipas një lajmi publikuar nga ‘Report.tv’, mësohet se shkak për këtë transferim të dosjes së hetimit nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është bërë ‘konflikti i interesit’ që ka ky organ akuze. Prokurorja Donika Prela ka vendosur që të shpallë moskompetencë për hetimin e kësaj dosje, duke argumentuar se ka konflikt interesi, pasi dyshohet se audipërgjimet kanë dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka pasur dhe ka në hetim dy dosjet hetimore për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër. Kështu, dosja e hetimore për “Publikimin e sekretit hetimor”, pra të audiopërgjimeve të publikuar nga Bild, i kalon Prokurorisë së Elbasanit.

Ky vendim i Donika Prelës ka ardhur me qëllim që të shmanget çdo dyshim mbi objektin e hetimit. Tashmë do të jenë prokurorët e Elbasanit, ata që do të hedhin dritë mbi gjetjen e “spiunit” që çojë përgjimet te Bild. Mazhoranca ka akuzuar opozitën se i dërgoi pikërisht ajo përgjimet te gazeta gjermane, por opozita e ka rrëzuar këtë akuzë. Megjithatë, në një nga emisionet në “Real Story”, ish-deputetit dhe ministri i PD-së, Arben Imami, u shpreh se opozita ka pasur dijeni, madje i ka pasur të zbardhura përgjimet e Durrësit që në vitin 2017. Gjithashtu, në një tjetër emision të “Real Story”, gazetari Aratan Hoxha, ngriti dyshime se përgjime te gazeta gjermane Bild, janë dërguar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, dhe jo nga prokurorët që kanë pasur dosjen nën hetim.

Ndërkohë, për çështjen në fjalë, Kryeministri Edi Rama ka hapur një proces gjyqësor në Gjermani ndaj gazetarit të Bild, Peter Tiede, për publikimin e ktyre përgjimeve. Në audipërgjimet e publikuara nga Bild, dëgjoheshin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në Durrës dhe Tiranë, që flisnin me persona të ndryshëm nga drejtues të degëve lokale të PS tek persona me precedentë kriminal, duke krijuar indicie për blerje të votave në këto zona. Megjithatë, për të dyja dosjet hetimet vijojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa mazhoranca ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që të ketë rezultate dhe të vihen para drejtësisë, qoftë ata që kanë nxjerr sekretin hetimor, por edhe ata, nëse ka, persona që mund të jenë përfshirë në blerjen e votave.

Skip to toolbar