Tahiri i “lirë” me kusht

AKTUALITET


Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg. Gjykata e Krimeve të Rënda, pas më shumë se pesë orësh në dhomë këshillimi, ka marrë vendimin për dënimi e Saimir Tahirit me 5 vite burg. Por ky vendim konvertohet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, Saimir Tahiri nuk do të bëj asnjë ditë burg, pasi dënimi i tij do të konvertohet në shërbim prove me tre vite. Në këto kushte, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin me kusht, me qëllim që ai gjatë kësaj periudhe të mos bëj asnjë shkelje tjetër të ligjit. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar tre akuzat e tjera për të cilat po hetohej Saimir Tahiri. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar Saimir Tahirin për “Grup të strukturuar kriminal”, “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Korrupsion i zyrtarit të lartë”.

Pasi dëgjoi vendimin, Saimir Tahiri doli përpara mediave, teksa nuk e kurseu buzëqeshjen dhe ironitë, Tahiri gjatë fjalës së tij tha se nuk qesh dhe as nuk qan dot për vendimin, ndërsa i ftoi mediat të flasin nesër gjatë dhe gjerë së bashku.


“Meqë ca kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim, un ë i bie që kam shpërdoruar detyrën. Më lini ta përtyp, nuk qesh dhe nuk qaj dot. Nesër do ju ftoj që të ndajmë ca mendime. Mu duk një gjë që; je i pafajshëm, por skemi këllqe që ta themi. Nuk konsideroj asgjë fitore. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të betejës time. Më la pa fjalë Gjykata. Nuk jam kriminel, por paskam shpërdoruar detyrën. Më lini pak kohë ta përtyp këtë. Mu duk një gjë e tipit ‘je i pafajshëm, por nuk kemi kohë ta themi” Për të gjithë kushërinjtë idiot që kemi në farefis, do dënohemi për shpërdorim detyre. Nuk di c’të them.”- u shpreh Tahiri për mediat. Tahiri, edhe pse është munduar të shfaqej i qetë, por në fytyrën e tij shfaqej nervozizmi.

Saimir Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila në datën 10 shtator zhvilloi seancën e fundit dëgjimore të palëve, Prokurorisë dhe të akuzuarit. Në pretencën e saj, Krimet e Rënda kërkuan 12 vite burgim për Saimir Tahirin, i cili akuzohet për 3 vepra penale: “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të struktura kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Këto akuza janë hedhur poshtë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar pafajësi.

Në seancën e 10 shtatorit, Saimir Tahiri paraqiti prova të reja përpara trupës gjykuese, ku sipas tij vërtetonin pafajësinë. Ai paraqiti një dokument, ku pretendonte se i kishte kërkuar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që të shihte problemin e fikjes së radarëve. Ndërkohë, pas përfundimit të seancës maratonë të datës 10 shtator, Saimir Tahiri u shpreh se “nuk e mendonte dënimin”.

Edhe në seancën e të enjtes, Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia. Gjatë ditës, Haxhia u shpreh se ishte e papranueshme që të “dënohej një ish-ministër dhe deputet”, pa pasur asnjë provë. Ndërkohë, ashtu si në të kaluarën, procesi ndaj Saimir Tahirit edhe në ditën e vendimit, është vëzhguar nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshirë Moisi Habilajn, kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm./Realstory.al/




Skip to toolbar