Presidenti Meta, pas sulmeve ndaj reformës në drejtësi, më në fund ka vendosur të dekretojë dy projektligje të rëndësishme, pjesë e kësaj reforme, që janë mbajtur prej 30 muajsh të bllokuara nga opozita PD-LSI. Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i cili tha se Meta ka vënë firmën në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Vetë presidenti kritikon vonesat e kuvendit në miratimin e këtyre dy projektligjeve por nuk thotë në asnjë moment se shkak për bllokimin e tyre ka qënë PD dhe LSI.
“Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, u shpreh Tedi Blushi duke cituar shefin e tij, Meta.
Mirëpo, Presidenti harroi të thotë shkakun pse dy ligjet e sipërpërmendura mbetën të bllokuara për 30 muaj në sirtaret e Kuvendit. Në fakt, shkaku i vërtet ishte bllokimi që PD-LSI i bën këtyre dy ligjeve (lexo këtu lajmin e Realstory.al). Dy vjet e gjysmë më parë, Gjykata Kushtetuese ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy ligjet e miratuar së fundi.
Shkak ishin 22 nene, të cilat u shfuqizuam si të “papajtueshme me Kushtetutën”, dhe për këtë arsye duheshin rishkruar. Në këto kushte, mazhoranca i kërkoi opozitës aso kohe, PD dhe LSI, që të bashkëpunonin për të miratuar ndryshimet e sugjeruara nga Gjykata Kushtetuese në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pasi duheshin 84 vota në Kuvend që këto dy ligjet të miratoheshin.
Por, PD dhe LSI refuzuan të ofronin bashkëpunim, duke bërë që ligjet e sipërpërmendura të mbeteshin në sirtarët e Kuvendit për dy vjet. Futja në parlament e deputetëve të rinj të opozitës, solli edhe nxjerrjen nga sirtarët e Kuvendit të këtyre dy ligjeve, të cilët u miratuan në seancën e 18 korrikut me 106 vota pro, duke plotësuar kuadrin ligjor të gjithë Reformës në Drejtësi. Në fakt, refuzimi i bashkëpunimit nga PD dhe LSI për miratimin e këtyre dy ligjeve, ishte prova që opozita bllokoi Reformën në Drejtësi, gjë të cilën në fakt Ilir Meta nuk e tha në konferencën për shtyp të zëdhënësit të tij.
Në përfundim, Blushi bëri dhe një rezyme të ligjeve që ka dekretuar presidenti Meta dhe ato që ka kthyer mbrapsht në Kuvend, sikur të kishte lexuar shkrimin e botuar të mërkurën në realstory. (lexo këtu). /Realstory.al/