Betohet “me paqe” kryebashkiaku i Peqinit, PDIU lë zyrën pa zhurmë

Kryebashkiaku i ri i Peqinit Lorenc Tosku është betuar mëngjesin e së mërkurës duke marrë zyrtarisht mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 qershorit. Ceremonia e betimit dhe konstituimi i këshillit të ri bashkiak është zhvilluar në mënyrë të qetë, ndërsa ish kryetari i bashkisë përfaqësues i PDIU-së Saimir Hasalla ka liruar zyrën në mënyrë qytetare.

I pranishëm në ceremoninë e betimit ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taluant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit, i cili ka lënë porosi për kryebashkiakun e ri që të punojë për qytetin dhe qytetarët pa dallime partiake.

“Ju këshilltarët e bashkisë duhet të kujdeseni që të sillni në zyrat e bashkisë dhe në mbledhjet e Këshillit, apo të institucioneve të tjera përkatëse hallin e çdo banori, propozimet e çdo lagje, fshati, komuniteti, sikletet e çdo sipërmarrësi të madh, apo të vogël. Kryetari i ri Bashkisë Lorenc Tosku është i vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që ai përfaqëson. Peqini nuk duhet të jetë i ndarë në mes partive politike, por i bashkuar në punët e rëndësishme ku patjetër unë gjej rastin të theksoj projektet e mëdha në infrastrukturë e bujqësi, por edhe vijimi i Rilindjes Urbane të qytetit të Peqinit. Dua ta falenderoj Kryetarin në largim Saimir Hasalla për punën e tij në katër vitet e shkuara”,-tha Balla.

Kryebashkiakët e PDIU-së, pavarësisht se zbatuan qëndrimin e opozitës së bashkuar duke mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, pas zgjedhjeve janë treguar të qetë duke liruar zyrat në mënyrë paqësore. Kështu ndodhi edhe në qytetin e Rrogozhinës pak ditë më herët ku rotacioni në bashki u zhvillua pa asnjë incident.

Zjarr makinës së kryetarit të PS së Elbasanit

Një makina është djegur gjatë natës në qytetin e Elbasanit. Mësohet se ajo i përket Xhevahir Budanit, i cili është kryetar i Partisë Socialiste në këtë qytet, njëherësh edhe Drejtor i Shëndetit Publik.  Makina, Honda më targa AA 574 TH  ishte parkuar pranë shtëpisë së tij dhe është djegur pjesërisht.

Vetë Budani është shprehur se nuk ka konflikte me njeri ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Skip to toolbar