Betohet “me paqe” kryebashkiaku i Peqinit, PDIU lë zyrën pa zhurmë

AKTUALITET


Kryebashkiaku i ri i Peqinit Lorenc Tosku është betuar mëngjesin e së mërkurës duke marrë zyrtarisht mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 qershorit. Ceremonia e betimit dhe konstituimi i këshillit të ri bashkiak është zhvilluar në mënyrë të qetë, ndërsa ish kryetari i bashkisë përfaqësues i PDIU-së Saimir Hasalla ka liruar zyrën në mënyrë qytetare.

I pranishëm në ceremoninë e betimit ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taluant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit, i cili ka lënë porosi për kryebashkiakun e ri që të punojë për qytetin dhe qytetarët pa dallime partiake.


“Ju këshilltarët e bashkisë duhet të kujdeseni që të sillni në zyrat e bashkisë dhe në mbledhjet e Këshillit, apo të institucioneve të tjera përkatëse hallin e çdo banori, propozimet e çdo lagje, fshati, komuniteti, sikletet e çdo sipërmarrësi të madh, apo të vogël. Kryetari i ri Bashkisë Lorenc Tosku është i vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që ai përfaqëson. Peqini nuk duhet të jetë i ndarë në mes partive politike, por i bashkuar në punët e rëndësishme ku patjetër unë gjej rastin të theksoj projektet e mëdha në infrastrukturë e bujqësi, por edhe vijimi i Rilindjes Urbane të qytetit të Peqinit. Dua ta falenderoj Kryetarin në largim Saimir Hasalla për punën e tij në katër vitet e shkuara”,-tha Balla.

Kryebashkiakët e PDIU-së, pavarësisht se zbatuan qëndrimin e opozitës së bashkuar duke mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, pas zgjedhjeve janë treguar të qetë duke liruar zyrat në mënyrë paqësore. Kështu ndodhi edhe në qytetin e Rrogozhinës pak ditë më herët ku rotacioni në bashki u zhvillua pa asnjë incident.




Skip to toolbar