Kulluri ironizon Bashën: Vetëm ti rritesh, kur dështon 3 herë radhazi!

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri nuk ka kursyer ironitë por as sulmet për kreun e PD Lulzim Basha, pas deklaratës së tij se PD del forcë e parë në sondazhe. Kulluri tha se kur gjendja është vërtet e keqe pritet të rrite dhe gënjeshtra. Kulluri tha se Basha duhet të dal e tu shpjegojë të gjithëve se si mund të rritet në sondazhe dhe përkrahje, kur ka dështuar në çdo zgjedhje dhe veprim që ka ndërmarrë. I njohur si një nga kritikët e fortë të kryedemokratit Basha dhe kërkon ri-ngritjen e PD,  Kulluri u shpreh se për të gjitha dështimet e ndodhura në PD nuk e kanë fajin demokratët por kreu i saj Lulzim Basha.

“Sa më keq të jesh, rrit nivelin e gënjeshtrës që të shtysh kohën! A na shpjegon dot si rritesh kur dështon 3 herë radhazi në zgjedhje?! Pse nuk del në sheshe të tregosh mbështetjen kaq të madhe popullore që ke?! Nise nga jugu, aty ku prej 2 vitesh nuk të mblidhen as çereku i anëtareve të partisë (aktivët) në takime!

Më pas hajde në Tiranë dhe mbushi sallat në çdo degë e mos u fut nëpër lokale me 100 karrige! Na thuaj pak pse në përkujtimin e 2 Prillit në Shkodër në 2016(1 vit para zgjedhjeve) ishin a s’ishin 200 vetë në shesh ndërkohë që 100 e ca kishim ardhur nga Tirana? Pse në bllokimin e rrugës në Fier gjatë protestave nuk u mblodhën dot më shumë se 300-400 demokratë ndërkohë që degët e jugut kane rreth 10 mijë anëtarë!

Për këto s’e kane fajin demokratët, por ti! Të paktën kurseju talljen se sondazhet i dijnë vete ata.” shkruan Kulluri

Kulluri: Marrëveshja me Ramën, nuk e nxjerr Bashën nga gremina

Përfaqësuesi më i ashpër i lëvizjes “Basha IK”, Edvin Kulluri ka komentuar zërat (veçanërisht të aleatëve) për një marrëveshje të re mes Ramës e Bashës dhe thotë se kjo marrëveshje nuk e nxjerr PD-në nga gremina në të cilën e hodhi Luli.

Në një analizë që i ka bërë situatës politike në të cilën ndodhet PD aktualisht, Kulluri shkruan se ajo është më keq se në vitin 2003. Në atë kohë, shkruan Kulluri, PD nisi të hapej dhe të përmirësonte marrëdhëniet me median dhe me ndërkombëtarët, ndërsa sot Basha harton lista të zeza mediash dhe ndërkombëtarët i ka të gjithë kundër.

“2 muaj e gjysëm pas zgjedhjeve pa opozitën, e 1 muaj pas dorëzimit të bashkive të djathta tek kryetarët dhe këshilltaret e rinj të bashkive (përjashto kryetarin e bashkisë Shkodër) lidershipi i PD ka nisur fushatën “të mbështesim integrimin europian! E jo vetëm kaq, por po flitet dhe për një marrëveshje me Edi Ramën. Me 13 tetorin që është larguar përfundimisht nga ëndrrat e dëshpëruara, duket se opozita zyrtare e jo populli opozitar që nuk e pyet kush, po përjeton një shkallë të re “optimizmi”. Që buron vetëm prej absurdit se prej fakteve duhet të kishin marrë valixhet e të ishin fshehur në skutat e dështimit! Dikur andej nga viti 2003 Preç Zogaj thoshte me shaka se “nga dështimi në dështim do shkojmë drejt fitores”!

Një shaka e hidhur por e vërtetë për shkak se opozita megjithë goditjet në zgjedhjet e 2001 dhe sidomos 2003 në Tirane dhe Durrës, po rritej elektoralisht, po zgjerohej politikisht dhe po rifitonte besimin e humbur në publik. Rikthimi i themeluesve dhe flukseve të tjera që ishin larguar duke e rrudhur PD, pasurimi i ri që pritej me KOP dhe komunikimi progresiv me akademikët dhe shoqërinë civile apo raportet në përmirësim me mediat dhe sidomos komunitetin ndërkombëtar, po mbyllnin ciklin e humbjeve për t’i hapur rrugë fitores së 2005! Sot jemi pikërisht në vitin e 6-të opozitës dhe ndodhemi në tendencë të kundërt me 2003! Jashtë parlamentit, jashtë pushtetit lokal, me një PD të përçarë, me lista armiqësore mediash të zgjatura dhe me ndërkombëtarët të vendosur në bllok për të ndëshkuar si asnjeherë më parë sjelljen Donkishoteske të bojkotit dhe djegies së mandateve!”, shkruan Kulluri.

Ai shton se Basha qëndron në krye të PD-së, për shkak të atyre që ende e shohin kryetarin që dështon çdo ditë, si të gjithditshëm dhe fuqiplotë, mbetje këto lindore dhe totalitariste. Ai apelon për ndryshime në lidershipin e PD-së, ndërsa shkruan se një marrëveshje e re mes Ramës e Bashës nuk e ndihmon PD të dalë nga gremina.  

“Historia nuk përsëritet njësoj siç pretendojnë të majtët ekstreme, por gjasat janë që opozita të rrugëtojë më e çorientuar se kurrë. E vetmja gjë që e mban gjallë është ende besimi “mistik” i një pjese të popullit opozitar që e sheh liderin me dështimet si të gjithëdijshëm dhe fuqiplotë! Remineshencë lindore dhe totalitariste! Ndaj po të fliste Preçi edhe njëherë, kam frike se do thoshte “nga dështimi në dështim kemi rënë në gremine”! Dhe një marrëveshje pa dinjitet pavarësisht nga përmbajtja do ishte “litari i këputur” për të dalë nga gremina!”, shkruan Kulluri.

Kulluri: Basha, mentalitet diktatori. Në buzë të greminës e thërret fitore!

Edvin Kulluri vazhdon fuqishëm lëvizjen Basha Ik, përmes mesazheve që poston në faqen e tij në facebook. Këtë të premte ai sulmon ashpër kreun e PD-së, ndërsa shkruan se ka mentalitet diktatori, pasi ndodhet në buzë të greminës dhe thërret fitore. Më tej Kulluri sjell shembuj nga historia duke bërë krahasime me Hitlerin, ndërsa nëm fund shkruan se fati i diktatorëve dihet se cili është : largimi. Ndaj dhe Kulluri i bën apel si Bashës ashtu edhe Ramës që të bëhen gati se ka ardhur koha të largohen nga postet që mbajnë. 

“Mentaliteti i të qenit i rrethuar me armiq është tipar themelor i autoritarizmit! Viktimizimi i udhëheqësit që lufton kundër të gjithëve por që “ka popullin me vete” është pjellë e pastër e mendjeve perverse diktatoriale! “Udhëheqësi” nuk pranon debat, vetëm merr vendime! Nuk pëson humbje por vetëm fiton! E Në fakt sa më shumë shkon buzë greminës aq më shumë thërret “fitore”! Ramiz Alia me shokë ikën me turp nga pushteti dhe përfunduan burgjeve të rrethuar nga një popull që s’kish bukë të hante! Berlinezët jashtë bunkerit të Hitlerit flinin të uritur nëpër gërmadha, ndërsa Fuhreri me Even e tij dhe ca komandantë pa ushtri bënin plane së të mbroheshin me ca 15 që ishin më të vegjël se automatikët! E plot e plot të tjerë! Diktaturat janë mbështetur gjithnjë tek ideologjia e masave dhe servilizmi i mediokërve. Por në demokraci nuk mund të ndodhë kjo gjë. Sistemi mbështetet tek konkurrenca e ideve, respekti për tjetrin, gara e lirë mes njerëzve, respekti për ligjin dhe institucionet! Dikaturat dhe demokracitë janë si uji me vajin! Dhe në fund humbin “udhëheqësit imagjinarë të masave”! Kështu që të dashur Edi dhe Luli, bëni gati plaçkat se fundi dihet! Tung”, shkruan Kulluri.

Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, është një ndër zërat më të fuqishëm kundër Bashës në parti, i cili ka dalë hapur kundër vendimeve të marra nga Basha që sollën përjashtimin e PD-së nga çdo lloj pushteti. Kulluri dhe të tjerë figura të PD-së, të larguar prej vitesh nga Basha, kanë njoftuar nisjen e lëvizjes Basha IK që do të përvijohet më tej në shtator dhe që synon shkarkimin e Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

‘Basha ik’, Elezi: Ta largojmë me garë

Zërat kundër Lulzim Bashës janë shtuar brenda Partisë Demokratike. Realstory.al mësoi ekskluzivisht se në shtator, nis lëvizja “Basha ik” (lexo këtu lajmin). Shumë ish demokratë në nivele të larta drejtuese në këtë parti, tashmë kanë dalë hapur kundër kreut aktual të PD. Jozefina Topalli ishte e para, që kërkoi largimin e Bashës fill pak orë pas mbylljes së procesit zgjedhor të 30 qershorit (lexo këtu), ndërsa më pas dolën me radhë shumë ish-drejtues të PD, si Edvin Kulluri, Arben Imami, Ibsen Elezi, Arben Ristani etj.

Ndërkohë, lëvizja “Basha ik”, pritet të mos shoqërohet thjesht me një proces-kërkese për largimin e kryedemokratit, por me një tjetër proces, atë të reformimit total të Partisë Demokratike. Ibsen Elezi, në një koment të gjatë në rrjetet sociale, shkruan se është “kundër” dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi sipas tij, dorëheqja nuk është e parashikuar në Statutin e PD, ndërsa nëse do të vinte si ndienjë e vetë Bashës, do të ishte tjetër gjë. Megjithatë, për Ibsen Elezin, ish-kryetar i PD në Kukës, Basha nuk është fajtori i vetëm, por gjithë grupi që e ka mbështetur.  

“Të veçosh Bashën si fajtorin e vetëm që duhet kryqëzuar, nuk ëhstë burrnore, është tipar i trashëguar nga komunizmi të gjesh armikun dhe jo të zgjidhësh problemin. Basha nuk është i vetëm, ai përfaqëson një grup me pikëpamje të deklaruara dhe të fshehura. Pra problemi me Bashën nuk është çështje individi, por çështje grupi dhe pikëpamjesh. Dorëheqja e tij nuk do ishte zgjidhje, por zanafilla e një rruge tjetër pa krye”, shkruan Elezi. Por cila është zgjidhja? Sipas ish-kryedemokratit të Kukësit, zgjidhja është mbledhja urgjente e Këshillit Kombëtar të PD-së nga kryetari i tij, Bujar Nishani, dhe nisja e një procesi analize dhe vlerësimi, për dy dështimet e mëdha të aksionit opozitar të Partisë Demokratike, dorëzimin e mandateve dhe bojkotin nga 30 qershori.

Në këto kushte, pas analizës, PD duhet të zhvillojë zgjedhjet për votëbesimin e lidershipit nga anëtarësia. “Dështimi i dy aksioneve të fundit politike: dorëzimi mandateve dhe rrëzimi qeverisë me 1 protestë të pandërprerë; zgjedhjeve të 30 qershorit të pasuara me dhënien në tavolinë të 61 bashkive, detyron urgjent Këshillin Kombëtar (Bujar Nishani si drejtues i tij) që të kërkojë proces analize dhe vlerësimi, duke konluduar në dështimin e dy aksioneve politike dhe hapjes së një procesi votëbesimi të lidreshipit nga anëtarësia”, shkruan Elezi, ndërsa shprehet se Basha duhet të jetë pjesë e procesit të garës në zgjedhjet e brendshme të partisë.

Lëvizja “Basha ik”, Kulluri mesazh demokratëve: Mos prit që krizën ta zgjidhë Luli

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, i njohur si një nga zërat më kritikë ndaj Bashës dhe vendimeve të tij që ndikuan që PD të jetë sot pa asnjë pushtet, përmes një mesazhi dërguar demokratëve, u kërkon atyre që të reagojnë dhe të ngrenë zërin brenda forumeve të partisë, dhe të mos presin që krizën e thellë në të cilën gjendet PD, ta zgjidhë Basha, pasi ai e shkaktoi.

“I dashur demokrat! Mos prit ta zgjidhë krizën e thellë të PD dhe Shqipërisë as Basha që e ka shkaktuar, as ne që jemi kritikë ndaj tij e as të huajt! Bëj tënden! Fol, vepro dhe gjej një zgjidhje! Ti ke aksionet e tua në atë parti. Vite sakrificë, suksese, humbje dhe fitore! Opozitë dhe qeverisje! Ke qenë pakicë dhe shumicë! Nga seksioni yt deri në kryesi duhet të besh politikë. Dhe politikë nuk është të heshtësh e të bindesh. Është të flasësh, të miratosh por mbi të gjitha të kundeështosh atëherë kur parimet e tua shkelen. Kundërshtarë nuk janë njerëzit, por idetë e gabuara. Mos u anko në kafe apo facebook por aty ku militon. Po nuk munde arrogancën në PD mos i lejo të të përdorin kundër arrogancës së Ramës se bëhesh i pabesueshëm për ata që u kërkon votën. Boll më me të vërtetat pergjysem ndaj kundërshtarit por fol dhe vepro për ato të pavërtetat e PD-së tënde”, shkruan Kulluri.

Ai shkruan se demokratët nuk duhet të përdoren dhe nuk duhet të solidarizohen me politikën e Bashës por të kujtojnë parimet më të larta të demokracisë dhe të bëjnë ndryshimin mes tyre dhe socialistëve. Vetëm kështu mund të fitojë PD, sipas Kullurit.

“Demokratë nuk të bën as Lulzim Basha e as ata që janë rreshtuar përballë tij. Demokratë të bën besimi tek e vërteta, liria, përfaqësimi i drejtë, sistemi i karrierës, llogaridhënia, prona, konkurenca e lirë dhe shumë parime për të cilat partia jote sot “bën sikur i mbron” por në fakt JO! Mos u përdor! Mos u gënje! Ti nuk je “socialistia e Beratit” që për hir të solidaritetit dhe pushtetit pranonte shëmtinë politike të Nanos me shokë! Ne jemi krijuar nga liria dhe jo traktet e dhuna e pushkës se komunistëve. PD është e jotja jo e kryetarit apo në të tjerëve! I dashur demokrat, njerëzit nuk kanë hallin të vish në pushtet e të drejtosh si Rilindja por si Demokrat, përndryshe ata do na mundin siç kanë bërë këto 6 vjet! Ne fitojmë me moral ndërsa ata me gënjeshtra. E kundërta nuk ndodh, është veçse iluzion!”, shkruan Kulluri.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit kur PD mbeti pas asnjë pushtet janë shtuar zërat kundër Bashës në parti, mes tyre dhe Evdin Kulluri. Më herët largimin e Bashës e ka kërkuar edhe ish nënkryetarja e partisë Jozefina Topalli e cila e cilësoi Bashën një eksperiment të dështuar të PD-së. Ndërsa ish ministri Arben Imami është shprehur emisionin Reals Story se Basha duhet të mbajë përgjegjësi për djegien e mandateve dhe mos futjen e PD-së në zgjedhje. Ai ka thënë se Rama largohet vetëm me votë dhe jo përmes protestave sikurse thotë Basha.

Më e fundit ishte analiza e ish ministrit të Berishës, Myqerem Tafaj i cili shkruante vetëm pak ditë më parë se fakti që PD mbeti jashtë zgjedhjeve vendore rrezikon ta çojë atë në asgjësim si një alternativë qeverisëse.

Por deri tani zërat kundër Bashës në PD kanë mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave mediatike dhe askush nuk ka bërë një hap më tej. Ky mesazh i Kullurit drejtuar demokratëve mund të duket si nisja e një lëvizje “Basha ik” brenda PD-së që më vonë mund të kthehet në një përpjekje për të ndryshuar lidershipin e PD-së. Më herët realstory ka shkruar se amerikanët mbështesin një emër tjetër brenda PD-së për postin e kryetarit dhe ajo është Jorida Tabaku. Ndoshta, tani pasi Tabaku solli në jetë fëmijën e saj të tretë, mund të ketë ndryshime në PD./Realstory.al  

Skip to toolbar