Thaçi dekreton Kurtin për Kryeministër, dy javë afat për të formuar kabinetin

Hashim Thaçi dekretoi Albin Kurtin si Kryeministër të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi nuk humbi kohë, duke firmosur dekretin që e bën Albin Kurtin Kryeministër, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi më hëret mandatin.

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në njoftimin e dekretit të Kurtit si Kryeministër i Kosovës.

Megjithatë, pasi kreu i Vetëvendosjes njoftoi publikisht se kishte pranuar të merrte mandatin, Thaçi e ftoi atë për takim në zyrën e tij në orën 12:00 të ditës së hënë. Mirëpo Albin Kurti refuzoi të shkonte për të marrë mandatin nga Presidenti i Kosovës.

Ndërkohë, pas lajmit se Albin Kurti kishte kërkuar mandatimin për Kryeministër të Kosovës, reagoi LDK-ja, e cila shprehur qëndrimin se ishte gati për koalicion, pavarësisht se veprimet e Vetëvendosjes i cilësoi “të njëanëshme”. Albin Kurti ka dy javë kohë në dispozicion për të krijuar qeverinë e re sipas Kushtetutës së Kosovës.

Pas takimit me Kurtin, Thaçi: 48 orë afat për emrin e Kryeministrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas takimit që pati me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke thënë se i jep atij edhe 48 orë kohë afat për të propozuar emrin për kryeministër të vendit. “Duke qenë se Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të jepte një emër për kryeministër në takim” tha Thaçi “i jap edhe 48 orë shtesë për formimin e qeverisë.”

Presidenti Thaçi tha se hapi i parë i konstituimit të Kuvendit është hedhur e tashmë vendi ka jetike formimin e qeverisë. Thaçi shtoi se ai do të ndjek të gjitha veprimet kushtetuese e ligjore që i jep posti i presidentit për krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.“ shkruan Thaçi në Facebook.

Vetë Albin Kurti, pas takimit me Thaçin, tha për mediat se është ende në pritje të një marrëveshje me LDK dhe se shumë shpejt do i çoj shkresën Thaçit me emrin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

“Ende pa mandat qeverisës”, Kurti pas takimit me Thaçin: Së shpejti i çoj emrin për kryeministër

Takimi mes presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti ka zgjatur pak minuta dhe nuk është shoqëruar me një shtrëngim duarsh mes tyre. Pas takimit vetë Kurti tha se “ishte një takim konsultativ, pa kompetenca juridike dhe për këtë fakt ishte edhe i shkurtër”.

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti tha se pret që qeveria të krijohet sa më shpejt dhe se një gjë e tillë është kërkuar edhe nga presidenti Thaçi, ndërsa shtoi se zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin.

“Unë dëgjova presidentin në këtë takim prej disa minutash unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin. Takimi ishte pak minuta për shkak se ishte konsultativ. Ndoshta do të ketë takime politike institucionale në të ardhmen. Unë do të jem kryeministri i ardhshëm dhe kjo do të jetë kosto për mua, ndërsa zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin. “ tha Kurti, i cili shtoi se vendi nuk  mund të kthehej pas duke hedhur poshtë idenë se mund të ketë zgjedhje të reja dhe se po punon për arritjen e një marrëveshje qeverisëse me LDK-në.

Nuk mund të kthemi pas, ashtu sikur nuk mund të kthehemi para 6 tetorit. Nuk mund të kthehemi pas. Tani kuvendi është konstituuar, nuk kemi pasur zvarritje, kemi kryetarin dhe kryesinë që kanë marrë votat para kamerave dhe tani besoj që duhet të bëjmë hapa përpara. Oferta që unë kam bërë në pasditen e 23 dhjetorit u refuzua, tani duhet të takohemi dhe bisedojmë që të ndajmë përgjegjësitë. Unë nuk kam caktuar asnjë ministër nga LDK-ja, kam lënë vendet për ata sipas negociatave që kemi bërë, kam shprehur vendosmërinë për të ecur përpara. Unë nuk dua të propozoj emrin serb pa pasur ata të LDK-së. Kur të përfundojmë ata të LDK-së dhe të zëvendëskryeministrit do të kalojmë te pakicat dhe zëvendësministrat. Kur do që ata janë gati (LDK) jam gati, unë do të komunikoj sërish që ta shikojmë kur të kemi takimin e radhës. Takimet nuk janë lajme, por është marrëveshja që na pret në të ardhmen” tha Kurti për mediat.

Në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit ku LDK kërkon që ta vendos vetë, Kurti tha se kjo çështje le të diskutohet kur të vij momenti, ndërsa shtoi se përveç LDK, Vetëvendosja nuk mund të ketë partner tjetër qeverisës.

Më mirë do të ishte që çështjen e presidentit ta diskutojmë kur të vijë koha. Edhe atë të mos e përjashtojmë pasi të mbyllim temën e qeverisjes, por oferta ime u refuzua dhe tani duhet të takohemi. Nëse na imponohen zgjedhjet patjetër që marrim pjesë, por e kemi shans unik ta bëjmë qeverinë bashkë duke ecur më shpejt. Kjo punë do të marrë fund shpejt. Në momentin kur ne dërgojmë shkresën te Presidenti dhe ai bën dekretimin atëherë numërojmë mbrapsht nga 15 deri në zero. Tani do të kthehem në kryesi dhe më pas do të përgatisim shkresën me shkrim zyrtare, që presidenti të bëjë dekretimin. LDK-ja është i vetmi partner i mundshëm. Jemi në hapat e fundit të arritjes së marrëveshjes” u shpreh Kurti.

Takimi mes Kurtit dhe Thaçit u realizua pas tre refuzimesh nga kreu i Vetëvendosjes. Takimi i 6 janarit 2020 u propozua nga vetë Kurti për presidentin Thaçi, i cili u shpreh i gatshëm ta takojë atë në orën 15:00.

Thaçi i dërgon tjetër letër Kurtit: Takohemi në 6 janar

Pas refuzimit të tretë të Albin Kurtit për të shkuar në takim me Presidentin, Hashim Thaçi i dërgoi një letër të katërt kreut të Lëvizjes Vetëvendosje. Thaçi i lë takim përsëri Kurtit të hënën në datën 6 janar në orën 15:00 në zyrën e tij.

Në fakt, propozimi për të zhvilluar takimin në datën 6 janar u bë nga Albin Kurti në fund të muajit dhjetor, pasi ai refuzoi tre herë kreun e shtetit në Kosovë, që e ftoi për të marrë mandatin e Kryeministrit.

Letra e Thaçit është firmosur në datën 31 dhjetor 2019, por ajo është bërë publike këtë të premte nga mediat në Kosovë, raporton RTK. Ndërkohë, dy partitë mazhoritare të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, LDK dhe LVV ende nuk kanë gjetur dakordësinë për krijimin e qeverisë së re.

Ditët e fundjavës janë vendimtare për të krijuar kabinetin e ri qeveritar që do të qeverisë Kosovën. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat kandidatja e LDK për kryeministre në zgjedhjet e tetorit, Vjosa Osmani e quajti gabim historik nëse marrëveshja me Vetëvendosjen do të dështonte.

Kurti: Nëse s`ka marrëveshje me LDK, shkojmë në zgjedhje

Kur kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme paralamentare në Kosovë, dy partitë fituese të tyre ende nuk kanë arritur një marrëveshje.

Të dielën, në një intervistë për RTK, Albin Kurti konfirmoi se nëse nuk do të arrihet një marrëveshje për koalicionin mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, do të shkohet përsëri në zgjedhjet të parakohshme.

 “Jam i udhëhequr nga interesi i përgjithshëm, nga interesi shtetëror që kërkon sa më parë një udhëheqje qeverisëse nga LVV dhe LDK”, tha Kurti.

Kurti është shprehur se në takimet me Isa Mustafën nuk janë diskutuar emrat të përveçëm.  

Por sipas tij, së pari është e rëndësishme të plotësohen pozitat e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe 12 ministrave dhe pastaj të flitet për postin e presidentit.

Skip to toolbar