Pas takimit me Kurtin, Thaçi: 48 orë afat për emrin e Kryeministrit

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas takimit që pati me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke thënë se i jep atij edhe 48 orë kohë afat për të propozuar emrin për kryeministër të vendit. “Duke qenë se Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të jepte një emër për kryeministër në takim” tha Thaçi “i jap edhe 48 orë shtesë për formimin e qeverisë.”

Presidenti Thaçi tha se hapi i parë i konstituimit të Kuvendit është hedhur e tashmë vendi ka jetike formimin e qeverisë. Thaçi shtoi se ai do të ndjek të gjitha veprimet kushtetuese e ligjore që i jep posti i presidentit për krijimin e qeverisë së re në Kosovë.


“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.“ shkruan Thaçi në Facebook.

Vetë Albin Kurti, pas takimit me Thaçin, tha për mediat se është ende në pritje të një marrëveshje me LDK dhe se shumë shpejt do i çoj shkresën Thaçit me emrin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.




Skip to toolbar