“Ende pa mandat qeverisës”, Kurti pas takimit me Thaçin: Së shpejti i çoj emrin për kryeministër

KOSOVA


Takimi mes presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti ka zgjatur pak minuta dhe nuk është shoqëruar me një shtrëngim duarsh mes tyre. Pas takimit vetë Kurti tha se “ishte një takim konsultativ, pa kompetenca juridike dhe për këtë fakt ishte edhe i shkurtër”.

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti tha se pret që qeveria të krijohet sa më shpejt dhe se një gjë e tillë është kërkuar edhe nga presidenti Thaçi, ndërsa shtoi se zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin.


“Unë dëgjova presidentin në këtë takim prej disa minutash unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin. Takimi ishte pak minuta për shkak se ishte konsultativ. Ndoshta do të ketë takime politike institucionale në të ardhmen. Unë do të jem kryeministri i ardhshëm dhe kjo do të jetë kosto për mua, ndërsa zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin. “ tha Kurti, i cili shtoi se vendi nuk  mund të kthehej pas duke hedhur poshtë idenë se mund të ketë zgjedhje të reja dhe se po punon për arritjen e një marrëveshje qeverisëse me LDK-në.

Nuk mund të kthemi pas, ashtu sikur nuk mund të kthehemi para 6 tetorit. Nuk mund të kthehemi pas. Tani kuvendi është konstituuar, nuk kemi pasur zvarritje, kemi kryetarin dhe kryesinë që kanë marrë votat para kamerave dhe tani besoj që duhet të bëjmë hapa përpara. Oferta që unë kam bërë në pasditen e 23 dhjetorit u refuzua, tani duhet të takohemi dhe bisedojmë që të ndajmë përgjegjësitë. Unë nuk kam caktuar asnjë ministër nga LDK-ja, kam lënë vendet për ata sipas negociatave që kemi bërë, kam shprehur vendosmërinë për të ecur përpara. Unë nuk dua të propozoj emrin serb pa pasur ata të LDK-së. Kur të përfundojmë ata të LDK-së dhe të zëvendëskryeministrit do të kalojmë te pakicat dhe zëvendësministrat. Kur do që ata janë gati (LDK) jam gati, unë do të komunikoj sërish që ta shikojmë kur të kemi takimin e radhës. Takimet nuk janë lajme, por është marrëveshja që na pret në të ardhmen” tha Kurti për mediat.

Në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit ku LDK kërkon që ta vendos vetë, Kurti tha se kjo çështje le të diskutohet kur të vij momenti, ndërsa shtoi se përveç LDK, Vetëvendosja nuk mund të ketë partner tjetër qeverisës.

Më mirë do të ishte që çështjen e presidentit ta diskutojmë kur të vijë koha. Edhe atë të mos e përjashtojmë pasi të mbyllim temën e qeverisjes, por oferta ime u refuzua dhe tani duhet të takohemi. Nëse na imponohen zgjedhjet patjetër që marrim pjesë, por e kemi shans unik ta bëjmë qeverinë bashkë duke ecur më shpejt. Kjo punë do të marrë fund shpejt. Në momentin kur ne dërgojmë shkresën te Presidenti dhe ai bën dekretimin atëherë numërojmë mbrapsht nga 15 deri në zero. Tani do të kthehem në kryesi dhe më pas do të përgatisim shkresën me shkrim zyrtare, që presidenti të bëjë dekretimin. LDK-ja është i vetmi partner i mundshëm. Jemi në hapat e fundit të arritjes së marrëveshjes” u shpreh Kurti.

Takimi mes Kurtit dhe Thaçit u realizua pas tre refuzimesh nga kreu i Vetëvendosjes. Takimi i 6 janarit 2020 u propozua nga vetë Kurti për presidentin Thaçi, i cili u shpreh i gatshëm ta takojë atë në orën 15:00.




Skip to toolbar