Gjonaj letër Kuvendit: Nenet e Kodit për Kolegjin Zgjedhor, pengojnë proçesin për ngritjen e Gjykatës së Lartë

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për fillimin e një iniciative ligjore që të rregullojë nenin 149 të Kodit Zgjedhor pasi në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasi parashikimet e nenit 149 paragrafi “a” dhe “b” bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Përpos argumenteve mbi antikushtetutshmërinë e tyre, këto dispozita paraqesin një pengesë të qënësishme në drejtim të realizimit të një prej objektivave madhore të Reformës në Drejtësi, si dhe objektiv ekzigjent, lidhur me plotësimin e Gjykatës së Lartë por edhe si një prioritet në perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dispozitave që lidhen me Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pengojnë vijimin në një kohë sa më të shpejtë të procedurave për plotësimin e vakancave dhe emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë.

Sipas nenit 149, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, parashikohet se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor si dhe të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për tre arsye që lidhen me:

  1. A) shkaqe disiplinore;
  2. B) organizimi gjyqësor, apo
  3. C) ngritje në detyrë.

Këto shkaqe janë vendosur nga ligjvënësi në funksion të garantimit të mbrojtjes së posaçme që duhet të kenë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Megjithatë, këto parashikime nuk mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe nuk duhet të cënojnë garancitë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur por edhe llogaridhënës, të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi.

Në këto kushte, Ministri i Drejtësisë, në cilësinë e institucionit përgjegjës që harton dhe ndjek zbatimin e politikave në fushën e drejtësisë, po parashtron argumentet mbi nevojën e ndryshimeve të kësaj dispozite, si dhe argumentat në kundërshtim me Kushtetutën të këtyre parashikimeve si dhe ndikimet që ato kanë në zbatimin e objektivave të reformës në drejtësi dhe veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.

  1. Mbi hetimin apo/dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor kanë parashikuar që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor delegohen në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Në këtë situatë, neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar ndalimin tërësor të hetimit apo procedimit disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor për sa kohë ata ushtrojnë funksionin e anëtarit të këtij Kolegji, është një dispozitë që bie ndesh me nenin 140, nenin 147/a pikën “b” dhe nenin 147/d të Kushtetutës, duke i përjashtuar, pa një shkak të përligjur, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga përgjegjësia disiplinore.

Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Nisur nga parashikimi i nenit 147/a pika “b” të Kushtetutës është përcaktuar se është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë për të gjitha masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sipas përmbajtjes së nenit 149, pika 1, shkronja “a” të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me sa parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, nuk mund të vendosë për masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Ngjashmërisht, ky lloj parashikimi i Kodit Zgjedhor cënon edhe kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikuar në nenin 147/d të Kushtetutës, për të hetuar dhe filluar procedimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje që një parashikim të njëjtë kishte edhe paragrafi i parë i nenit 149 të Kodit Zgjedhor, përpara ndryshimit nga ligji 101/2020. Megjithatë, sillet në vemendje që ky lloj parashikimi ishte miratuar përpara ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe ishte miratuar në kohën kur sipas nenit 34 të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar), të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e kishte Ministri i Drejtësisë. Në këtë kuptim, ky lloj parashikimi kishte si qëllim të mbronte anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nga fillimi i procedimit disiplinor nga Ministri i Drejtësisë, i cili përfaqësonte një nga forcat politike që mund të ishin pjesëmarrëse në zgjedhje dhe rrjedhimisht, mund të paraqisnin kërkesa përpara Kolegjit Zgjedhor. Me ndryshimet kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi, siç u arsyetua më sipër, fillimi i procedimit disiplinor dhe vendimi për masën disiplinore janë vendimmarrje të Institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjithashtu, parashikimi i shkronjës “a” i paragrafit 1 të nenit 149 të Kodit Zgjedhor (të ndryshuar) bie në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë. Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor. Sidoqoftë, instrumentat që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të bien ndesh me frymën e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimarrje e pavarur dhe e paanshme, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Nëpërmjet këtij parashikimi, nga njëra anë arrihet qëllimi i ligjvënësit, për të krijuar mbrojtjen e nevojshme të këtyre gjyqtarëve për vendimarrje të pavarur gjatë ushtrimit të funksionit në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe nga ana tjetër, garantohet zbatimi i dispozitave kushtetuese për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.

Në të njëjtat argumenta shprehim edhe sugjerimin për shfuqizimin e parashikimit të nenit 149/1 shkronja “c” për vlerësimin profesional të gjyqtarëve anëtarë të kolegjit zgjedhor gjyqësor.

Për arsyet e sipërpërmëndura, propozojmë që neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor të riformulohet e si vijon:

  1. Gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund:
  2. a) t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji për shkaqe që lidhen me ushtrimin e funksionit të anëtarit të këtij Kolegji.
  3. Mbi kufizimin e ngritjes në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor

Sipas përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të ngrihen në detyrë. Ky lloj parashikimi, gjithashtu, është vendosur si një lloj mbrojtje e posaçme për anëtarët e këtij Kolegji. Në vlerësimin e Ministrit të Drejtësisë ky parashikim jo vetëm që nuk mbron anëtarët e këtij Kolegji, por është në kundërshtim me garancitë kushtetuese për ushtrimin e funksionit të gjyqtarit si dhe ngre probleme serioze në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe ashtu siç është theksuar më sipër, veçanërisht në ngritjen sa më parë të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, vlerësojmë se parashikimi ligjor që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme përmes ngritjes në detyrë, gjendet në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë duke cenuar rëndë të drejtat dhe garancitë kushtetuese dhe ligjore të gjyqtarit si dhe aktet ndërkombëtare.

Përmbajtja e shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, cënon gjithashtu statusin e gjyqtarëve duke penguar të drejtën e tyre për ngritje profesionale dhe për zhvillimin normal të karrierës profesionale të tyre. Nevoja e sanksionimit të këtij parashikimi ligjor nuk qartëson arsyet e ligjvënësit mbi vendosjen e këtij kufizimi të kësaj të drejte, dhe mbi të gjitha sanksionimin e tij në cilësimin e mbrojtjes së posaçme të gjyqtarit. Ky parashikim nuk garanton mbrojtje të posaçme si dhe cenon garancitë kushtetuese dhe ligjore të statusit të gjyqtarit, të cilat duhet t’i gëzojë për shkak të funksionit kushtetues që ushtron.

Siç është bërë me dije publikisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke përmbyllur procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, nëpërmjet ngritjes në detyrë të gjyqtarëve që plotësojnë kushtet për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e kandidatëve që kanë paraqitur kërkesën për t’u ngritur në detyrë në këtë gjykatë janë zgjedhur, nëpërmjet shortit, si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Në këtë mënyrë, pavarësisht vullnetit të tyre, për shkak të parashikimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 149 të Kodit Zgjedhor, këtyre gjyqtarëve i ndalohet vijimi i procedurave për ngritjen në detyrë. Nga ana tjetër, për Këshillin e Lartë Gjyqësor krijohen vështirësi për përzgjedhjen e kandidatëve në Gjykatën e Lartë për shkak të uljes së numrit të kandidatëve që mund të aplikojnë për ngritjen në detyrë. Vonesat dhe vështirësitë në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe në plotësimin e atyre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese të cilët emërohen nga Gjykata e Lartë, në përputhje me nenin 125 pika 1 të Kushtetutës.

Në këto kushte, parashikimet e shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 149  të Kodit Zgjedhor paraqesin një pengesë serioze në mirëfunksionimin e këtyre dy institucioneve kushtetuese si dhe në avancimin e objektivave të reformës në drejtësi.

Për këto arsye, sugjerojmë se parashikimi në këtë dispozitë që ndalon ngritjen në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, duhet të shfuqizohet.

  1. Mbi lëvizjen nga detyra për shkaqe të organizimit gjyqësor

Neni 149 paragrafi 1 “b” i Kodit Zgjedhor ka konsideruar si një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e Kolegjit edhe pamundësinë për t’u lëvizur nga detyra për shkaqe që lidhen me organizimin gjyqësor.

Neni 13 i ligjit për 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka parashikuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor bën vlerësimin e organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave të paktën çdo pesë vjet. Po kështu, në rast se nga vlerësimi rezulton se harta gjyqësore në fuqi nuk i përmbush objektivat, parimet dhe kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë hartojnë një propozim të përbashkët për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministri i Drejtësisë kanë ngritur një grup pune të përbashkët i cili po përfundon procesin e studimit dhe hartimit të hartës së re gjyqësore për Republikën e Shqipërisë në bashkëpunim dhe me misionet e asistencës teknike në fushën e drejtësisë. Sipas planit të punës së përbashkët, do të duhet që brenda këtij viti të miratohet harta e re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, e cila njëkohësisht do të zgjidhë edhe shumë probleme të krijuara me funksionimin e gjykatave për shkak të shkarkimit nga detyra ose dorëheqjes së një numri të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Parashikimi i mësipërm i Kodit Zgjedhor krijon vështirësi madhore në riorganizimin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe hartimin e hartës së re gjyqësore, për shkak të kufizimit që ka vendosur në lëvizjen nga detyra të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Për më tej, ky lloj kufizimi pamundëson që nëpërmjet miratimit të hartës së re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë të zgjidhen problematikat që po hasen në administrimin e sistemit gjyqësor si dhe në garantimin e aksesit të qytetarëve në gjykata. Avancimi i objektivave të reformës në drejtësi kushtëzohet drejtpërdrejtë nga ringritja e një sistemi gjyqësor efektiv dhe në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Në përmbyllje, për sa më sipër arsyetuam, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 149 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, bien në kundërshtim me parashikimet kushtetuese, jurisprudencën kushtetuese përkatëse, por dhe me frymën e legjislacionit të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi

Ministria e Drejtësisë është shpresëplotë se propozimi i konsultuar në parim edhe me misionet e asistencës teknike, do të merret në konsideratë, në funksion të garantimit të efektivitetit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe plotësimit të kërkesave të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Përplasja Meta-Dvorani për Kushtetuesen, Venecia pranon 5 pyetjet e Kuvendit për opinion

Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e dërguar nga Kuvendi i Shqipërisë që lidhet me 5 pyetjet që janë përgatitur nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit (që zgjeroi objektin e hetimit), nëse Ilir Meta ka bërë shkelje me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Socialistët pretendojnë se kreu i shtetit është sërish në shkelje të Kushtetutës me mosdekretimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit.

Ndërkohë që edhe Presidenti i Republikës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së anëtareve të Gjykatës Kushtetuese. Përplasja e ashpër mes Presidentit Meta dhe kryetarit të KED-së Dvorani përfundoi me padi nga Meta, çështje që aktualisht pritet të gjykohet nga SPAK.

5 Pyetjet e Kuvendit të Shqipërisë për Komisionin e Venecias

1) A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai apo ajo në kuptim të ligjit konsiderohen, të emëruar? Në këtë rast a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari Kushtetues të ushtrojë detyrën?

2) Emërimi i një gjyqtari Kushtetuese tej afatit ekskluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të organit kompetent të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, a e cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? A e cenon kjo vendimmarrjen së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve të rregullt ligjor? A bie ndesh me mekanizmat zhbllokues ne emërimin e organeve Kushtetuese?

3) A është në përputhje me standardet mekanizmi zhbllokues pas mosveprimit të Presidenti për të mos emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar ky gjyqtar?

4) Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të Gjyqtarit Kushtetues  nisur nga solemiteti i betimit, çfarë mekanizmi të përdoret për të zhbllokuar këtë situatë.  A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari konsiderohet i emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

5) Cilat mund të ishin zgjidhjet për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërras për betim gjyqtarin përkatës?

Kuvendi, 1 minutë heshtje për viktimat. Ruçi: Vetting lejeve të ndërtimit

Parlamenti ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për 51 viktimat nga tërmeti i 26 nëntorit. “Në kujtim dhe nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit iu ftoj të mbani një minutë heshtje. U prehshin në paqe” tha Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi falënderoi opozitën që dha shenja mirëkuptimi dhe vendosi jetën e qytetarëve mbi interesat politike. Ai bëri thirrje se tashmë ka ardhur koha për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar dhe se tërmeti i 26 nëntorit ishte një thirrje zgjidhmi për të gjithë ligjvënësit për të kuptuar pa përsosmërinë që kemi me ligjet.

“Refleksioni i parë është mësimi prej humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë. Falenderoj të gjithë deputetët që në këto ditë u gjenden dhe janë pranë qytetarëve. Falenderoj të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, që dhanë shenja mirëkuptimi e vëniet e jetës së qytetarëve mbi interesat politike dhe elektorale. Unë do t’i ndaja ligjet që janë miratuar në dy grupe të mëdha: ligje që rregullojnë punët e shoqërisë dhe ligje që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëjetesën tonë me natyrën. Është e pamundur që në pak ditë të formosh një gjykim mbi pa përsosmërinë e ligjeve tona. Por në këtë grup të dytë, mendoj se ka diçka që nuk shkon. Prandaj mendoj se legjislacioni mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujërat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe kapriçiot e saj, nuk është thjesht i papërsosur. Dyshoj se në mjaft çështje nevralgjike të kompetencave tona mbi natyrën dhe menaxhimin e marrëdhënieve me mjedisin, kemi probleme. Tërmeti i 26 nëntorit na kujtoi se kemi nevojë për një vetting të thellë, për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjencitë, procedurat, rregulloret, licencimet dhe lejet për të ndërtuar”, u shpreh Ruçi.

Ruçi tha se u ka kërkuar të gjithë homologëve të tij europiane, por edhe nga SHBA deri në Japoni mbështetje financiare për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.

“U kam shkruajtur të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së, Presidentes së  Dhomës së Përfaqësuesve dhe Presidentit të Senatit të Shteteve të Bashkuara, kryeparlamentarëve të vendeve fqinje, si edhe të gjitha vendeve tona partnere e mike, nga Kanadaja në Japoni, për t’i falenderuar për ndihmën bujare emergjente ndaj vendit tonë si edhe për të kërkuar mbështetje financiare për zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë të problemit të strehimit dhe nevojave të tjera të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti. Jam i bindur se mbështetja e vendeve mike e partnere nuk do të na mungojë”, ka mbyllur fjalën e tij Ruçi

Rezoluta e Kuvendit, Rusia kërcënon Shqipërinë

Një ditë përpara se në Kuvend të miratohet projekt-rezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, reagoi ambasada e Rusisë në Tiranë. Me anë të një komunikate në faqen e saj zytare, ambasada ruse kërcënon autorët e rezolutës por dhe Shqipërinë, se kjo nuk do të kalojë pa u vënë re në Rusi.

“Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia? Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla  nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi”.

“Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta  të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, shkruan ambasada.

Ambasada pretendon se në rezolutën që do të miratohet nga Kuvendi, Rusia përmendet pa provën më të vogël. “U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Më tej, ambasada e Rusisë në Tiranë vijon me sulmet e saj, duke u shprehur se “projekt-rezoluta” është plagjiaturë e asaj të Parlamentit Evropian. “Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse.

Ky është sulmi i radhës që ambasada e Rusisë në Tiranë i bën Shqipërisë dhe deputetëve të Kuvendit, që kanë hartuar rezolutën për ndërhyrjet e huaja. Më herët, kur kjo rezolutë u diskutua në komisionet parlamentare, ambasada e Rusisë përdori tone kërcënuese për deputetët apo partnerët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në 10 tetor të këtij viti, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ngjashme për ndërhyrjet në fushata elektorale të vendeve të huaja dhe për dizinformimin. /Realstory.al/

Të premten Kuvendi, rezolutë finale kundër Metës: Shkeli Kushtetutën!

Dekreti i Presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit është absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.”  Ky është konstatimi i projekt-rezolutës të hartuar gjatë mbledhjes në Konferencën e Kryetarëve dhe pritet të miratohet gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit ditën e premte në orën 10:00.

Në projekt-rezolutë të zbardhur nga RealStory.al, thuhet qartë e zeza mbi të bardhë se Presidenti veproi në mungesë të kompetencave të tij duke zgjedhur jashtë afatit kohor që i është përcaktuar nga ligji dhe zgjodhi emrin e katërt në listë, ndërkohë që duhet të zgjidhte mes 3 emrave të listuar të parët. Në këtë mënyrë, projekt-rezoluta thekson se presidenti ka marrë edhe kompetencat e KED, i cili është organi i vetëm që përcakton renditjen. Kuvendi e cilëson emërimin e Marsida Xhaferllarit të pavlefshëm dhe se dekreti i presidentit pas përfundimit të afatit të tij kohor  “është nul dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

Duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Dispozitat kushtetuese si dhe ato të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me emërimin dhe zgjedhjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk mund të interpretohen në tejkalim të misionit që ato kanë: të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit efikas dhe të pacenueshëm të një organi kushtetues të rëndësisë së veçantë, siç është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë” shkruhet në projekt-rezolutën që pritet të miratohet të premten në Kuvend.

Kuvendi përmes projekt-rezolutës i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve që janë të ngarkuara nga ligji në lidhje me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të mos zbatojnë dekretin nul të presidentit Meta dhe të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës. Gjithashtu Kuvendi i bën thirrje Presidentit Meta që të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me betimin e anëtareve të zgjedhura sipas ligjit Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës  nr.11350, datë 13.11.2019. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e  fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. “ shkruhet në projekt-rezolutën e Kuvendit.

Kuvendi deklaron se për të shmangur raste të tilla bllokuese dhe abuzive do të kryej rishikim të legjislacionit si dhe i bën thirrje Presidentit Meta të heq dorë nga tentativat bllokuese të reformës në drejtësi dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të reflektojë duke mos shkelur Kushtetutën duke marrë vendime tej kufijve të kompetencave të njohura nga Kushtetuta.

Kuvendi i bën thirrje Presidentit të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.” shkruhet ndër të tjera në projekt-rezolutë.

Një projekt-rezolutë e tillë nga Kuvendi ku dekreti i Presidentit shpallet nul është marrë edhe në lidhje me dekretin e tij të 13 tetorit, për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke mos njohur vlefshmërinë e saj. Dhe në fakt, më 13 tetor nuk pati zgjedhje.

“Dekretimi” i Xhaferllarit, përplasja e re Kuvend-Presidencë

“Dekretimi” i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta dhe mosnjohja e Arta Vorpsit, të emëruar në mënyrë automatike nga ligji për Gjykatën Kushtetuese sjell një përplasje të re institucionale Kuvend –Presidencë, por duket se fundin e hidhur mund ta ketë vetë Meta. Kreu i Komisionit të Ligjeve dhe njëherësh kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ulsi Manja, por edhe deputeti i opozitës së re në Kuvend, Ralf Gjoni parashikuan një gjë të tillë në emisionin “Real Story” të datës 11 nëntor.  

Mes debateve të shumta nëse presidenti do të thërriste Arta Vorpsin për t’u betuar, solli dhe një deklaratë të fortë të deputetit të opozitës në Kuvend Ralf Gjoni, i cili tha se nëse Meta nuk thërret anëtaret e zgjedhura për t’u betuar kjo do të çojë në një përplasje të madhe Kushtetueses duke lënë të kuptohet se kjo gjë mund të zërë poshtë Presidentin dhe jo Kuvendin.

“Nëse Meta nuk thërret anëtaret e zgjedhura për t’u betuar, kjo do të çojë në një përplasje të madhe Kushtetuese, shumë më e fortë se ajo e zgjedhjeve lokale të qershorit. Kjo është një zgjedhje shumë e madhe kushtetuese midis institucionit të Kuvendit dhe atij të Presidentit dhe kam frikë se kjo do rrokulliset si orteku dhe do zërë poshtë…Mund të them se Parlamenti është organi bazë i një demokracie.”

Ndërsa Ulsi Manja ndërhyn duke lënë të kuptohet se Kuvendi do dalë në krye dhe poshtë “ortekut” do të ngec Presidenti Meta. “Sigurisht që në një Republikë Parlamentare dihen zgjidhjet…” . 

Ndaj Presidentit Meta ka nisur një proces shkarkimi, pikërisht prej dekreteve të tij të shpallura në mënyrë anti-ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit për zgjedhjet, ndërsa Ulsi Manja, njëherësh edhe kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, tha se vendimet e fundit të Metës nuk janë objekt hetimi për shkarkimin, por që do të merren parasysh në kuadrin e përgjithshëm kur të merret vendimi. / Real Story

Kushtetuesja, sot votohen në Kuvend dy anëtarët e rinj

Kuvendi do të votojë të hënën (11.11.2019) dy emrat e rinj të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancat e shpallura më parë. Për vakancën e datës 12 shkurt 2018, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi në Kuvend një listë me 3 kandidatë. Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Elsa Toska me 85.4 pikë dhe Besnik Muçi me 81.9 pikë.

Megjithatë, të tre këto kandidatura kishin aplikuar dhe për vakancat e Presidentit të Republikës, ku tashmë Arta Vorpsi dhe Besnik Muçi janë përzgjedhur si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në listën që sot Kuvendi ka për miratim, mbetet vetëm një kandidate, Elsa Toska, e cila ishte renditur e dyta nga KED me 85.4 pikë. Për t`u emëruar në Gjykatën Kushtetuese do të duhen 84 vota.

Ndërkohë, në pikën 6 të rendit të ditës në seancën plenare, do të shqyrtohet  vakanca tjetër e Gjykatës Kushtetuese e shpallur në datën 4 mars të vitit 2019. Edhe për këtë vakancë kishin kandiduar tre magjistratë, Arta Vorpsi me 89.6 pikë, Fiona Papajorgji me 88.7 pikë dhe Elsa Toska me 85.4 pikë.

Praktikisht, duke qenë se Arta Vorpsi është emëruar tashmë anëtare e Kushtetueses, dhe Elsa Toska shqyrtohet në pikën 5 të rendit të ditës për zgjedhjen si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në listë mbetet vetëm Fiona Papajorgji për t`u hedhur në votim.

Në të dyja rastet do të duhet që të votohet me 84 vota për të bërë emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Nëse këtë të hënë do të zgjidhen dy anëtar të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, numri i anëtarëve të kësaj gjykate shkon në pesë; Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. /Realstory.al/

Deputetët çojnë “hallet e popullit”, për herë të parë në Kuvend

Shqetësimet, problematikat dhe hallet e qytetarëve, për herë të parë do të sillen dhe diskutohen në Kuvend, në një seancë të posaçme për ta. Seanca plenare e Kuvendit këtë të hënë është fokusuar pikërisht në diskutimin e problemeve dhe shqetësimeve të popullit. Seanca kushtuar qytetarëve do të mbahet një herë në muaj dhe vjen me ndryshimet e reja të miratuara për rregulloren e Kuvendit.

Sipas rregullores së re të Kuvendit e miratuar sesionin e kaluar, pas 3 javëve në Kuvend, deputetët dhe ministrat një javë duhet t’ia dedikojnë zgjedhësve për të dëgjuar dhe marrë çdo shqetësim të tyre, në zonat ku ato janë zgjedhur.

Në seancën e 30 shtatorit, e para e mbajtur për “hallet e popullit”, janë diskutuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe përmbytjet që erdhën më pas.

Kuvendi, rezolutë për negociatat: Dialog për reformat

Deputetet Rudina Hajdari dhe Senida Mesi propozojnë një Rezolutë për “Çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian”. Dy deputetet hartuese të Projektrezolutës, kërkojnë që “Kuvendi të vijojë me intensitet punën e tij në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Kushtetuta, Rregullorja e tij si dhe ligjet në fuqi përsa i përket në veçanti procesit të integrimit në Bashkimin Europian”.

Ndërsa më tej, kërkohet që “Reforma në Drejtësi, administrata publike, lufta kundër kundër korrupsionit, apo Reforma Zgjedhore”, të jenë prioritet i punës së Kuvendit.  Projektrezoluta kërkon që në kuadër procesit të integrimit, “Kuvendi të angazhohet në zbatimin e reformave”. Veç Kuvendit, Projektrezoluta i drejtohet dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat në datat 17-18 tetor, do të vendosin për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Po cilat janë 10-të pikat që përmban Rezoluta, dhe që kërkohen të shqyrtohen në Parlament?

Në pikën e parë, Kuvendi duhet të “Vlerësojë raportin e Komisionit Europian dhe rekomandimet e tij për reformat e mëtejshme në kudër të procesit të integrimit”. Një tjetër pikë është “vlerësimi i rolit të tij në drejtimin e zhvillimit të dialogut gjithëpërfshirës, mbështetur në parimet demokratike, brenda kuadrit kushtetues dhe institucional mbi çështjet e integrimit”, ndërsa inkurajon “rolin e mëtjeshëm në mbikëqyrjen e reformave integruese të vendit”,

Një ndër pikat kryesore, është ajo që shpreh “mbështetjen e Reformës në Drejtësi, dhe inkurajon institucionet përgjegjëse për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, etj”. Ndërsa, në pikën 6 të Projektrezolutës, kërkohet “nga organet ligjzbatuese rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut”.

Gjithashtu, Projektrezoluta, kërkon angazhim për reformën zgjedhore, vullnetin politik për të bashkëpunuara për këtë dhe të tjera reforma, ndërsa në fund, shprehet “inkurajimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian që në takimin e ardhshëm të Këshillit të Europës të shprehin vullnetin e tyre për çeljen e negociatave të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Europian”, përfundojnë 10-të pikat e Projektrezolutës.

Nisur nga sa më sipër, kërkesat e Projektrezolutës për “çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”, janë as më shumë dhe as më pak, “detyrat” e lëna nga Bundestagu gjerman, që i tha “Po” Shqipërisë për negociatat në datën 27 shtator. /Realstory.al/

Rezoluta e plotë:

Votimi në Kuvend, mazhoranca rrëzon pa opozitën 8 dekretet e Metës

Kuvendi ka rrëzuar 8 dekretet e presidenti Meta që i kishte përdorur si një mjet sulmi ndaj mazhorancës gjatë verës. Pjesë e dekreteve të rrëzuara janë edhe projektligji për koncesionet Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, me votat e shumicës socialiste, ndërsa Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe emra të tjerë të opozitës, zgjodhën të votonin kundër rrëzimit të dekreteve të Presidentit për koncesionet duke i kritikuar si korruptive dhe se do i çohen SPAK për hetim, kur kjo strukturë të krijohet. Mazhoranca ka rrëzuar edhe dekretin e Metës, për emërimin e Petraq Milos, në krye të KLSH

8 dekrete e Presidentit të rrëzuar nga Kuvendi:

1. Dekretin për ligjin për rezervat materiale të shtetit rrëzohet me 79 kundër, 19 pro, 4 abstenim

2. Dekretin për privatizimin rrëzohet me  76 kundër, 23 pro, 3 abstenim

3. Dekretin për ligjin e për vetëqeverisjen vendore rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim

4. Dekretin për ligjin për planifikimin e territorit rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim

5. Dekretin për ligjin për koncesionet rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 4 abstenim

6. Dekretin për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara rrëzohet me 74 kundër, 22 pro, 4 abstenim

7. Dekretin për koncesionin e rrugës Milot – Balldren rrëzohet me 76 kundër, 23 pro, 3 abstenim

8. Dekretin për propozimin e Petraq Milos në krye të KLSH-së rrëzohet me 77 kundër, 15 pro, 11 abstenim

Përveç rrëzimit të dekreteve të Presidenti Meta, Kuvendi ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore me Kanadanë, Projektligjin për marrëveshjen me Katarin për transportin detar, Projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë, ndërsa ka miratuar edhe Besnik Dervishi si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, me një mandat 5 vjeçar. Ndërsa është emëruar edhe Ervin Mete si Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Kthimi i dekreteve janë përdorur nga presidenti Meta si një mënyrë sulmi ndaj mazhorancës, e cila ka nisur një proces shkarkimi ndaj kreut të shtetit duke e cilësuar si “President në detyrë”. Me rrëzimin e të gjitha dekreteve të tij në Kuvend, mazhoranca konfirmon se ajo nuk e njeh më në krye të vendit, por e sheh atë si një “kryetar” të ri të opozitës jo parlamentare. Në lidhje me kthimin e dekreteve të presidentit Meta, Rama ka reaguar duke i cilësuar si një katrahurë pa asnjë bazë ligjore që janë firmosur në kohë rekord vetëm për të sulmuar qeverinë dhe që si qëllim kanë pasur vetëm vazhdimin e luftës së dështuar të opozitës./ RealStory

Skip to toolbar