Votimi në Kuvend, mazhoranca rrëzon pa opozitën 8 dekretet e Metës

POLITIKË


Kuvendi ka rrëzuar 8 dekretet e presidenti Meta që i kishte përdorur si një mjet sulmi ndaj mazhorancës gjatë verës. Pjesë e dekreteve të rrëzuara janë edhe projektligji për koncesionet Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, me votat e shumicës socialiste, ndërsa Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe emra të tjerë të opozitës, zgjodhën të votonin kundër rrëzimit të dekreteve të Presidentit për koncesionet duke i kritikuar si korruptive dhe se do i çohen SPAK për hetim, kur kjo strukturë të krijohet. Mazhoranca ka rrëzuar edhe dekretin e Metës, për emërimin e Petraq Milos, në krye të KLSH

8 dekrete e Presidentit të rrëzuar nga Kuvendi:


1. Dekretin për ligjin për rezervat materiale të shtetit rrëzohet me 79 kundër, 19 pro, 4 abstenim

2. Dekretin për privatizimin rrëzohet me  76 kundër, 23 pro, 3 abstenim

3. Dekretin për ligjin e për vetëqeverisjen vendore rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim

4. Dekretin për ligjin për planifikimin e territorit rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 3 abstenim

5. Dekretin për ligjin për koncesionet rrëzohet me 76 kundër, 22 pro, 4 abstenim

6. Dekretin për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara rrëzohet me 74 kundër, 22 pro, 4 abstenim

7. Dekretin për koncesionin e rrugës Milot – Balldren rrëzohet me 76 kundër, 23 pro, 3 abstenim

8. Dekretin për propozimin e Petraq Milos në krye të KLSH-së rrëzohet me 77 kundër, 15 pro, 11 abstenim

Përveç rrëzimit të dekreteve të Presidenti Meta, Kuvendi ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore me Kanadanë, Projektligjin për marrëveshjen me Katarin për transportin detar, Projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë, ndërsa ka miratuar edhe Besnik Dervishi si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, me një mandat 5 vjeçar. Ndërsa është emëruar edhe Ervin Mete si Kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Kthimi i dekreteve janë përdorur nga presidenti Meta si një mënyrë sulmi ndaj mazhorancës, e cila ka nisur një proces shkarkimi ndaj kreut të shtetit duke e cilësuar si “President në detyrë”. Me rrëzimin e të gjitha dekreteve të tij në Kuvend, mazhoranca konfirmon se ajo nuk e njeh më në krye të vendit, por e sheh atë si një “kryetar” të ri të opozitës jo parlamentare. Në lidhje me kthimin e dekreteve të presidentit Meta, Rama ka reaguar duke i cilësuar si një katrahurë pa asnjë bazë ligjore që janë firmosur në kohë rekord vetëm për të sulmuar qeverinë dhe që si qëllim kanë pasur vetëm vazhdimin e luftës së dështuar të opozitës./ RealStory




Skip to toolbar