PD dhe LSI jashtë procesit ditën e zgjedhjeve. KQZ s’pranon komisionerët e opozitës

Pas debateve të ashpra Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi të rrëzojë me 4 vota pro dhe 1 kundër kërkesën e PD-së që të përfaqësohet me komisionerë në KZAZ-të.

4 anëtarë të KQZ-së argumentojnë se PD dhe LSI nuk kanë të drejtë që të përfaqësohen me komisionerë në KZAZ për shkak se nuk janë subjekt zgjedhor, pra nuk janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Debate të ashpra janë zhvilluar mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesit ligjor të PD-së, Ivi Kaso. Ai akuzoi maxhorancën se ka ushtruar presion ndaj anëtarëve të KQZ-së që të rrëzojnë kërkesën e PD-së. Më tej Ivi Kaso tha se PD do të bëjë kallëzime penale nëse nuk pranohen komisonerët e PD-së.

“Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë. Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji,  do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, tha Ivi Kaso.

Megjithëse nuk merr pjesë në zgjedhje PD dhe LSI kërkojnë të përfaqësohen në KZAZ, por kjo kërkesë e tyre është hedhur poshtë nga KQZ.

Trembet Hajdari: Po përgatisin shtratin për marrëveshjen e radhës

Rudina Hajdari e ka cilësuar të paligjshme dërgimin e komisionarëve të PD dhe LSI në KZAZ-të. Përmes një statusi në Facebook, Hajdari thotë se palët po përgatiten për të bërë marrëveshjen e radhës, pasi nuk u bëhet vonë për zgjedhje, por për marrëveshje në kurriz të Shqipërisë.

“Papërgjegjshmëria dhe veprimet e paligjshme me dashje tregon që nuk ekziston vullneti që të realizohet një proces i rregullt zgjedhor. Po nuk u bëhet vonë këtyre për zgjedhje, se nuk ofrojnë as zgjidhje e as alternativë! U bëhet vonë për marrëveshje, për marrëveshje në kurriz të Shqiptarëve, për marrëveshje në kurriz të rinisë, për marrëveshje në kurriz të biznesit, për marrëveshje ne kurriz te fëmijëve tanë qe po u vjedhin të ardhmen.” -shkruan Hajdari.

Statusi i plotë:

Është e paligjshme!

Në përvjetorin e marrëveshjes që mori të majtën për tatëpjetë dhe të djathtën për lum asnjë nuk mund të përligj tentativën e dytë, qoftë ky celibash i oborrit të gjeneralit hije me ushtri të mpirë, apo caush i kryetarit në tentative të legjionit të shpërbërë.

Zullumqaret përgatisin shtratin për marrëveshjen e radhës duke tentuar te legjitimojnë prezencën e PD në komisione pa çuar njerëz në KZAZ dhe duke pretenduar të mos futen në zgjedhje.

Nëse kryetari i legjionit kërkon që gjenerali hije të mbaje përgjegjësi për të gjitha zullumet e këtyre viteve dhe degradimin ekstrem të Shqipërisë, atëherë vet nuk mund te mbajë një dorë në revani dhe një dorë në bakllava, nuk mund të jetë dhe në zgjedhje dhe pa zgjedhje kur akoma nuk ka sqaruar elektoratin e djathtë e prerë në besë me imponimin e dorëzimit të paprecedentë të mandateve si t’i kishin absolutisht personale.

Asnjë nga palët nuk përmend sugjerimin e OSBE/ODIHR për komisionerë apolitike, por vazhdojnë të këmbëngulin për jeniçerë elektoral me qëllim deformimin e vullnetit qytetar gjatë procesit të zgjedhjeve.

Papërgjegjshmëria dhe veprimet e paligjshme me dashje tregon që nuk ekziston vullneti që të realizohet një proces i rregullt zgjedhor. Po nuk u bëhet vonë këtyre për zgjedhje, se nuk ofrojnë as zgjidhje e as alternativë!

U bëhet vonë për marrëveshje, për marrëveshje në kurriz të Shqiptarëve, për marrëveshje në kurriz të rinisë, për marrëveshje në kurriz të biznesit, për marrëveshje ne kurriz te fëmijëve tanë qe po u vjedhin të ardhmen.

Skenari i PD me komisionerët ka një “çmim” të lartë

Ditën e djeshme Partia Demokratike tha se do të dërgojë komisionerët e saj në KAZA për të vërtetuar shkeljet që do të bëheshin gjatë këtij procesi. E para që reagoi ndaj këtij lajmi ishte Bindja Demokratike dhe më pas PS ku të dyja thanë se “ky është një skenar i PD për të prishur zgjedhjet”.

Nëse këto ishin thjeshtë dyshime, duket se Çlirim Gjata e konfirmoi këtë në emër të të gjithëve në “Open”.

“Regjistrimi i komisionerëve në KZAZ është moment teknik, se na duhen ata komisioner, pikërisht për këtë, për të mos pasur zgjedhje.”- tha Gjata

Kjo deklaratë bën të kuptosh që puna e tyre do të jetë sabotimi i të gjitha procedurave për të bojkotuar procesin zgjedhor. Mirëpo Kodi Zgjedhor është i ashpër në këtë drejtim ku që nga braktisja e detyrës e deri tek aktet më të rënda të prishjes së materialeve zgjedhore e dënon me burg.

Neni 330/a i Kodit Penal, në kapitullin “Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve” përcakton:

“Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën nga personat e ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe të numërimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete ose duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet”.

Prandaj skenari i Partisë Demokratike për të bllokuar procesin zgjedhor përmes komisionarëve të saj, rrezikon t’i dërgojë ato në burg.

Kandidatë në zgjedhje JO, anëtarë në KZAZ PO

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se pavarësisht se nuk do hyjnë në zgjedhje, do të dërgojnë anëtarë në KZAZ me arsyetimin se po bëhen manipulime të rënda në procesin zgjedhor. Bardhi tha se do të faktojmë se Rama nuk garanton dot zgjedhje legjitime.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit.” – tha Bardhi

Skip to toolbar