Trembet Hajdari: Po përgatisin shtratin për marrëveshjen e radhës

POLITIKË


Rudina Hajdari e ka cilësuar të paligjshme dërgimin e komisionarëve të PD dhe LSI në KZAZ-të. Përmes një statusi në Facebook, Hajdari thotë se palët po përgatiten për të bërë marrëveshjen e radhës, pasi nuk u bëhet vonë për zgjedhje, por për marrëveshje në kurriz të Shqipërisë.

“Papërgjegjshmëria dhe veprimet e paligjshme me dashje tregon që nuk ekziston vullneti që të realizohet një proces i rregullt zgjedhor. Po nuk u bëhet vonë këtyre për zgjedhje, se nuk ofrojnë as zgjidhje e as alternativë! U bëhet vonë për marrëveshje, për marrëveshje në kurriz të Shqiptarëve, për marrëveshje në kurriz të rinisë, për marrëveshje në kurriz të biznesit, për marrëveshje ne kurriz te fëmijëve tanë qe po u vjedhin të ardhmen.” -shkruan Hajdari.


Statusi i plotë:

Është e paligjshme!

Në përvjetorin e marrëveshjes që mori të majtën për tatëpjetë dhe të djathtën për lum asnjë nuk mund të përligj tentativën e dytë, qoftë ky celibash i oborrit të gjeneralit hije me ushtri të mpirë, apo caush i kryetarit në tentative të legjionit të shpërbërë.

Zullumqaret përgatisin shtratin për marrëveshjen e radhës duke tentuar te legjitimojnë prezencën e PD në komisione pa çuar njerëz në KZAZ dhe duke pretenduar të mos futen në zgjedhje.

Nëse kryetari i legjionit kërkon që gjenerali hije të mbaje përgjegjësi për të gjitha zullumet e këtyre viteve dhe degradimin ekstrem të Shqipërisë, atëherë vet nuk mund te mbajë një dorë në revani dhe një dorë në bakllava, nuk mund të jetë dhe në zgjedhje dhe pa zgjedhje kur akoma nuk ka sqaruar elektoratin e djathtë e prerë në besë me imponimin e dorëzimit të paprecedentë të mandateve si t’i kishin absolutisht personale.

Asnjë nga palët nuk përmend sugjerimin e OSBE/ODIHR për komisionerë apolitike, por vazhdojnë të këmbëngulin për jeniçerë elektoral me qëllim deformimin e vullnetit qytetar gjatë procesit të zgjedhjeve.

Papërgjegjshmëria dhe veprimet e paligjshme me dashje tregon që nuk ekziston vullneti që të realizohet një proces i rregullt zgjedhor. Po nuk u bëhet vonë këtyre për zgjedhje, se nuk ofrojnë as zgjidhje e as alternativë!

U bëhet vonë për marrëveshje, për marrëveshje në kurriz të Shqiptarëve, për marrëveshje në kurriz të rinisë, për marrëveshje në kurriz të biznesit, për marrëveshje ne kurriz te fëmijëve tanë qe po u vjedhin të ardhmen.




Skip to toolbar