Opozita vendos të protestojë më 8 korrik në orën 20:00, në të njëjtën ditë kur parlamenti do të diskutojë ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta.
Lajmin e ka dhënë Lulzim Basha, i cili pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ka folur për mediat ku u bëri ftesë qytetarëve që të bashkohen në protestën e 8 korrikut përpara Kryeministrisë.
“Dua ti ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bijë nënash shqiptarë, të na bashkohen ditën e hënë në orën 20.00 në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë Europiane.
Të gjithë bashkë ditën e hënë në orën 20.00 në Tiranë”, tha Basha.
Më herët Basha u takua me kryebashkiakët në ikje të PD, të cilët deklaruan për mediat se nuk do i lirojnë zyrat e tyre. Pas takimit, kreu në ikje i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj tha se gjatë takimit është diskutuar për një datë të re të protestave dhe shumë shpejt do të merret vesh. Ai shtoi se nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe se nuk do ta lirojë karrigen e tij për dikë që përfaqëson vetëm militantë të PS dhe jo popullin.
“Do ta lirojmë zyrën kur të vijë
pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit. Kur të ketë zgjedhje jo votime, këto
votime nuk i njohim. Ky është vendim i marrë, i bërë i ditur edhe nga opozita
nga kryetari, ky është një vendim që e kemi shprehur disa herë këto janë
zgjedhje farsë, nul nuk do të njihen. Do vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën
tonë. Nëse do të vijë të fitojë në zgjedhjet e tjera, ne do ta mirëpresim do
t’i dorëzojmë shiritin sipas rregullave. Nuk mbaj me dhunë asnjë zyrë, por do
t’i shërbejmë qytetarëve. Nuk është problemi nëse e kërkon Basha apo dikush
tjetër, zgjedhjet janë nul, janë votime për partinë socialiste. Kandidati ka
marrë 13 % të votave, aq janë vetë anëtarë të PS-së. ai është kryetari i
militantëve të PS-së në atë zonë, nuk është i qytetarëve”, tha Kapllanaj
Kapllanaj tha gjithashtu se në takim u fol
edhe për një aksion opozitar duke thënë se “është diskutuar data dhe shumë
shpejt do të merret vesh.”
Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Bashkisë
Kamzës, Xhakal Miu në lidhje me lirimin e zyrës për të zgjedhurit e ri. Ai tha
se për këtë nuk ka lidhje të vendos Lulzim Basha, pasi ai do të respektojë
ligjin.
“Nuk ka lidhje Basha me lirimin e zyrës, ne do
të respektojmë ligjin dhe kemi lexuar votat popullore. Nuk ka shanse të lirojmë
zyrat, këto nuk janë zgjedhje. Zyrat i lirojmë nëse vjen një kryetar legjitim.”
– tha Mziu.
Ndërsa kreu i Bashkisë Lezhës, Fran Frrokaj
tha se do pritet një vendim unifikuar i opozitës për faktin se nëse do të lënë
apo jo të hyjnë në bashki të zgjedhurit e 30 qershorit.