Trashi: Demi e mbajti fjalën

Lorenc Trashi foli të premten në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes që Partizani do të luajë në transfertë ndaj Vllaznisë. Mbrojtësi i të kuqve, që u aktivizua titullar dhe shënoi gol ndaj Moldavisë me ekipin kombëtar, rrëfeu eksperiencën e tij kuqezi në dy ndeshjet e fundit eleminatore. Trashi u shpreh se futbollistët e tjerë të kombëtares i kishin dhënë kurajo në momentin që trajneri Reja vendosi ta aktivizonte titullar.

“Ishte grumbullimi i tretë për mua me kombëtaren. I pari ka qenë me Panuçin, nuk kam debutuar atëherë, por mundësia m’u dha tani. Me Rejën ishte komplet ndryshe. Më ka mbështetur shumë, ashtu si dhe çunat. Në momentin që u bë formacioni për ndeshjen me Moldavinë, të gjithë më kanë dhënë kurajo dhe më kanë thënë të luaja i qetë”, tha Tashi.

Mbrojtësi i Partizanit shprehet se Superliga është kampionat i fortë dhe me lojtarë cilësorë. Ndaj sipas tij, shumë prej këtyre futbollistëve duhet të grumbullohen në kombëtare. “Aktualisht është Alban Hoxha me mua në kombëtare. Telushi është grumbulluar, po ashtu edhe Mala. Partizani ka lojtarë shumë të mirë, por çdo lojtar ka një moment të vetin. Unë e them që Kategoria Superiore ka shumë talente me cilësi dhe kush do ta meritojë, e them me bindje të plotë se do t’i vijë momenti”, shprehet Trashi.

Lorenc Trashi deklaroi pas ndeshjes me Moldavinë, se Presidenti Gaz Demi i premtoi një shpërblim të mirë. Pas kthimit në Tiranë, futbollisti shprehet se është takuar me presidentin e klubit dhe ai e mbajti fjalën. “E ka mbajtur fjalën, pasi e mban gjithmonë. Ai më ka folur shumë gjatë grumbullimit dhe sa erdha në Tiranë, e takova dhe e mbajti premtimin”, u shpreh Trashi.

Synimi i lojtarit është largimi nga Shqipëria, kërkesë për të cilën i kërkoi “nder” dhe trajnerit Edy Reja. Ai shprehet se tashmë shpreson që të gjejë një klub të interesuar. “Është folur shumë për një largim. Por kjo gjë nuk varet nga unë. Kombëtarja shërben shumë mirë për një karrierë më të mirë në Europë. Shpresoj të gjejë një klub që është i interesuar për mua dhe sigurisht të gjejë gjuhën edhe me Partizanin”, u shpreh Trashi.

Pas kombëtares vjen kampionati, dhe për futbollistin tashmë duhet përqëndrim maksimal ndaj Vllaznisë. Ai shprehet se ndaj shkodranëve nuk do të jetë e lehtë. “Partizani nuk ka ndikuar në rënien e Vllaznisë, pasi ata kanë rënë vetë. Ata kishin shumë probleme. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë që po kalon një moment të mirë. Vllaznia është një ekip legjendar në Shqipëri. Është një gëzim që unë shënova në kombëtare. Ajo ndeshje ka kaluar, nuk e harroj dot si ndeshje, por duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e rradhës”, u shpreh ndër të tjera Trashi.

Pjesa e parë/ Shqipëria shkatërron Moldavinë. Kosova kryevepër ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e ka mbyllur në avantazh 3-0 pjesën e parë ndaj Moldavisë. Pas golit të Cikalleshit, Shqipëria dyfishoi rezultatin ndaj Moldavisë në minutën e 34`. Mesfushori Keidi Bare, që në këtë ndeshje është aktivizuar në pozicion më të avancuar, gjeti rrjetën pas një gabimi të portierit kundërshtar. Gardiani i portës moldave humbi kontrollin e topit, dërsa Bare përfitoi duke e dërguar në rrjetë.

Ndërkohë, në minutën e 39` të sfidës erdhi dhe supergoli i Lorenc Trashit. Mbrojtësi i Partizanit gjeti rrjetën duke shënuar një gol fantastik me këmbën e majtë nga jashtë zonës.

Një gol që do ta kishte zili edhe një sulmues profesionist. Kështu kuqezinjtë e mbyllin në avantazh pjesën e parë ndaj skuadrës moldave, duke dominuar në gjithçka.

Edhe Kosova dyfishoi ndaj Malit të Zi në minutën e 34` me Muriqinin. Dardanët gjetën rrjetën me një gol spektakolar, pas dy tentativave dhe një gafe të portierit malazez. Kosova e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Euro 2020.

Reja ndryshon formacionin. Trashi titullar, Abrashi kapiten

Një orë para nisjes së takimit mes Moldavisë dhe Shqipërisë, janë publikuar dhe formacionet zyrtare për të dyja ekipet. Trajneri Edy Reja, ashtu siç premtoi të dielën në konferencë për shtyp, bën ndryshime të vogla në formacion, në krahasim me ndeshjen ndaj Turqisë. Kështu, Thomas Strakosha e nis titullar në portë, ndërsa në mbrojtje janë Ismajli, Gjimshiti, Veseli dhe Dermaku.

Ndërkohë, vendin e Ermir Lenjanit, që e nisi titullar me Turqinë, e merr Lorenc Trashi që vjen nga Partizani. Mbrojtësi do të aktivizohet në mesfushë krah Gjasulës dhe Abrashit, që në këtë takim zëvendëson Ledian Memushajn. Madje, Amir Abrashi do të mbajë dhe shiritin e kapitenit në këtë takim.

Ndërkohë, në sulm, zhvendoset Keidi Bare dhe Sokol Cikalleshi në krahë, ndërkohë Rey Manaj do të jetë përsëri në qendër të sulmit. Ndërkohë, skuadra e Moldavisë e nis me Koselev në portë, më pas janë Reabciuk, Mudrac, Posmac, Lonita, Cebotaru, Prepelita, Sovoroc, Anton, Sindorenco dhe Grauar.

Skip to toolbar