Trashi: Demi e mbajti fjalën

AKTUALITET


Lorenc Trashi foli të premten në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes që Partizani do të luajë në transfertë ndaj Vllaznisë. Mbrojtësi i të kuqve, që u aktivizua titullar dhe shënoi gol ndaj Moldavisë me ekipin kombëtar, rrëfeu eksperiencën e tij kuqezi në dy ndeshjet e fundit eleminatore. Trashi u shpreh se futbollistët e tjerë të kombëtares i kishin dhënë kurajo në momentin që trajneri Reja vendosi ta aktivizonte titullar.

“Ishte grumbullimi i tretë për mua me kombëtaren. I pari ka qenë me Panuçin, nuk kam debutuar atëherë, por mundësia m’u dha tani. Me Rejën ishte komplet ndryshe. Më ka mbështetur shumë, ashtu si dhe çunat. Në momentin që u bë formacioni për ndeshjen me Moldavinë, të gjithë më kanë dhënë kurajo dhe më kanë thënë të luaja i qetë”, tha Tashi.


Mbrojtësi i Partizanit shprehet se Superliga është kampionat i fortë dhe me lojtarë cilësorë. Ndaj sipas tij, shumë prej këtyre futbollistëve duhet të grumbullohen në kombëtare. “Aktualisht është Alban Hoxha me mua në kombëtare. Telushi është grumbulluar, po ashtu edhe Mala. Partizani ka lojtarë shumë të mirë, por çdo lojtar ka një moment të vetin. Unë e them që Kategoria Superiore ka shumë talente me cilësi dhe kush do ta meritojë, e them me bindje të plotë se do t’i vijë momenti”, shprehet Trashi.

Lorenc Trashi deklaroi pas ndeshjes me Moldavinë, se Presidenti Gaz Demi i premtoi një shpërblim të mirë. Pas kthimit në Tiranë, futbollisti shprehet se është takuar me presidentin e klubit dhe ai e mbajti fjalën. “E ka mbajtur fjalën, pasi e mban gjithmonë. Ai më ka folur shumë gjatë grumbullimit dhe sa erdha në Tiranë, e takova dhe e mbajti premtimin”, u shpreh Trashi.

Synimi i lojtarit është largimi nga Shqipëria, kërkesë për të cilën i kërkoi “nder” dhe trajnerit Edy Reja. Ai shprehet se tashmë shpreson që të gjejë një klub të interesuar. “Është folur shumë për një largim. Por kjo gjë nuk varet nga unë. Kombëtarja shërben shumë mirë për një karrierë më të mirë në Europë. Shpresoj të gjejë një klub që është i interesuar për mua dhe sigurisht të gjejë gjuhën edhe me Partizanin”, u shpreh Trashi.

Pas kombëtares vjen kampionati, dhe për futbollistin tashmë duhet përqëndrim maksimal ndaj Vllaznisë. Ai shprehet se ndaj shkodranëve nuk do të jetë e lehtë. “Partizani nuk ka ndikuar në rënien e Vllaznisë, pasi ata kanë rënë vetë. Ata kishin shumë probleme. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë që po kalon një moment të mirë. Vllaznia është një ekip legjendar në Shqipëri. Është një gëzim që unë shënova në kombëtare. Ajo ndeshje ka kaluar, nuk e harroj dot si ndeshje, por duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e rradhës”, u shpreh ndër të tjera Trashi.




Skip to toolbar