Ristani në Real Story: Bojkoti dështoi, Këshilli të rishikojë vendimin. Rama ikën vetëm me zgjedhje

Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ishte i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës disa vite më parë, Arben Ristani ka folur për shumë çështje që lidhen me situatën e krizës politike në vend, por kryesisht me Partinë Demokratike. Ristani u shpreh se aksioni opozitar, me djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestat e dhunshme, dështoi. Ndaj, sipas tij, tashmë është koha për reflektim, dhe Lulzim Basha duhet të pranojë zgjedhjet, si e vetmja rrugë për të mundur Edi Ramën. Sipas ish-deputetit demokrat, Lulzim Basha duhet të fokusohet te PD dhe të mendojë për hapjen e saj, si Berisha në 2005, që solli më pas fitoren e të djathtëve. Arben Ristani gjithashtu ka folur dhe për çështje të tjera, si 13 tetori, datë për të cilën Rsitani u shpreh se po shkon drej zhvleftësimit, për shkak të marrjes së mandateve nga të zgjedhurit e rinj në 30 qershor. Megjithatë, Ristani shtroi propozimin që PD duhet të ulet në dialog, dhe të diskutojë për një datë të re zgjedhjesh me Edi Ramën, në mënyrë që votat e djathta të përfaqësohen në pushtetin lokal.

Më poshtë, pjesët kryesore të deklaratave të Arben Ristanit.

Ristani në “Real Story”: Basha la demokratët të pa përfaqësuar, pasoja të tmerrshme për PD

Arben Ristani ka qenë i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-sekretari i PD-së, një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka treguar se tashmë askush  në Shqipëri nuk është i kënaqur me situatën në vend. Ristani u shpreh se: “Askush në këtë moment nga opozita nuk mund të jetë i kënaqur, por unë shoh që dhe shqiptarët nuk janë të kënaqur sepse nuk jetojnë më në një vend normal. Nuk kanë më një politikë normale, një ekonomi të mirë, po largohen nga vendi çdo ditë. Shqipëria është në krizë dhe do zgjidhje. Patjetër që pesha e madhe sigurisht është e Qeverisë, sepse ajo ka detyrimin kryesor që të sigurojë normalitetin në vend. Por edhe opozita ka pjesën e saj në këtë përpjekje për ta çuar Shqipërinë drejt Europës që kemi ëndërruar prej vitesh tashmë”, tha Ristani.

Lidhur me aksionin e opozitës, Ristani u shpreh se gjithçka ishte e menduar, por ajo që nuk dinin ishte reagimi ndërkombëar. Sipas Ristanit, vendimmarrja e Bashës për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të kishte informacion se çfarë mendimi kishin ndërkombtarët për këtë. Sipas Ristanit, ajo që rezultoi më pas, ishte se PD rrezikoi të shpallej ‘organizatë e dhunshme’.  

“Më pas ky veprim u shoqërua me një vendimmarrje për të mos hyrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në këto kushte kryetari i partisë ka pasur informacionin më të madh, dhe u besua se diçka e tillë do të ishte dhe e dakordësuar, për të arritur në qëllimin final. Ajo që ndodhi ishte se rrezikuam dhe të shpalleshim organizatë e dhunshme. Si përfundim u krye maskarada e zgjedhjeve, pasi ato nuk ishin zgjedhje. PD tashmë humbi veç pushtetit qendror dhe atë lokal. Jemi përpara një pasoje të tmerrshme në politike. E gjithë e djathta, dhe aleatët, dhe një pjesë e shqiptarëve që besojnë te PD, mbetën të papërfaqësuar, qoftë në pushtet qendror, qoft në pushtet lokal”, tha Ristani.

Lënia e mandateve, Ristani: Edhe Murrizi votoi ‘pro’, por s`dinim ç`mendonin ndërkombëtarët

Arben Ristani ishte i ftuari i mbrëmjes në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka treguar një detaj interesant nga vendimi opozitës për djegien e mandateve në muajin shkurt. Ristani, duke treguar se vendimi për të djegur mandatet nuk erdhi rastësisht, por i menduar, u shpreh se deputeti demokrat, Myslim Murrizi, votoi ‘pro’ lënies së mandatit dhe më pas u rikthye në Parlament. “Djegia e mandateve nuk erdhi si dielli në një ditë me shi. Ishte paraprirë nga deklarata të Berishës. Te demokratët ishte një mendim që kishte kohë që rrihej, ka qenë një vendim i marrë me unitet. Vendimi për të vajtur këtu, ishte unanim. Madje edhe Murrizi ka ngritur dorën lart pro vendimit. Pothuajse ka qenë 100% i dakordësuar. Edhe unë kam votuar pro”.

Më tej, në delartën e tij, Ristani u shpreh se ndonëse mendimi për lënien e mandateve nuk erdhi si rrufeja në qiell të hapur, në fakt, anëtarët e kryesisë dhe deputetët, nuk kishin informacion rreth qëndrimeve të ndërkombëtarëve. Sipas tij, ajo çka ndodhi më pas, tregoi se ndërkombëtarët nuk ishin pro këtij vendimi.  “Por informacioni që na mungonte ne ishte konsulta me partnerët ndërkombëtarë, që janë ekskluzivitet i liderit. Duhet të ishte diçka e dakordësuar para se të merrej. Fakti që nuk pati mbështetje ndërkombëtare, tregon që nuk ishte dicka e dakordësuar”.  Gjithashtu, Ristani shton se tashmë demokratët janë të papërfaqësuar në të gjithë Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si momentin e duhur për reflektim nga kreu i PD-së, Luzlim Basha.

“Ky moment është  i duhuri për të reflektuar për të parë dhe gjetur se cila është rruga e duhur për t`ia arritur qëllimit. Është kollaj  të thuash se Rama ka rënë, ja dhe pak, deri sa të vijnë zgjedhjet e 2021. Zgjidhja duhet gjetur shpejt, ai zullumin e ka bërë të madh, mundësitë për ta mundur janë, çështja është që ne duhet të shohim te vetja për të mundur rrëzimin e Ramës dhe për të ardhur PD në pushtet. Aktualisht kemi demokrat të papërfaqësuar. Kjo është e tmerrshme në demokraci, i një partie që duhet të mbajë mbështetësit e vetë, dhe të bëhet gati për të ardhur në pushtet. Ka vend për të reflektuar, PD është në mundësitë e veta për të qenë forcë fituese”, u shpreh Ristani.

Ristani: Rruga dështoi, zgjidhja vjen prej zgjedhjeve, po a është gati PD?

Arben Ristani deklaroi në “Real Story” se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet. Të parakohshme apo në vitin 2021, sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD, në demokraci ka vetëm një rrugë për të mposhtur kundërshtarin, zgjedhjet. “Ristani: Sigurisht që shtatori nuk është larg. Unë besoj që rrugë për të dalë ka. Në demokraci zgjedhjet janë rruga e vetme për të ndryshuar pushtetutet. Edhe protestat janë forma demokratike, por në përfundim do shkojmë në zgjedhje, normale apo të parakohshme”, tha Ristani, duke shtuar se tashmë është koha që PD të krijojë besim te shqiptarët. “Patjetër që zgjedhjet janë. Demokratët presin që PD t`i fitojë zgjedhjet, dhe në këto kushte, dhe e vetmja mënyrë që të kompensohet qenia jashtë institucioneve, duhet të rritet doza e besimit te lidershipi. Që të rritet besimi, do të duhet, duke u nisur dhe nga një sër sondazhesh, kjo do të thotë që ka probleme me besimin te njerëzit. Pasja e një programi të mirë është pjesë. Ky program i mirë, do dhe njerëzit që do e realizojnë programin. Besueshmëria do duhet edhe te njerëzit që do e realizojnë programin. Ajo që mungon sot është stafet që do realizojnë nesër programin”, u shpreh Ristani.

Megjithatë, për Arben Ristanin, aktualisht Partia Demokratike ka dhe një problem tjetër. Mungesën e një ekipi, i cili do të duhet të prezantojë dhe të bind shqiptarët me një program. Në këtë pikë, Ristani u shpreh se PD duhet që së pari të hapet si parti, duke reflektuar demokracinë e brendshme, në mënyrë që më pas, këtë demokraci ta reflektojë dhe në qeverisje. “Idea ishte që do bëjmë të mundur që “do ketë zgjedhje pa Ramën kryeministër”. Kishte optimizëm, mendohej që do ia dilnim një situate të tillë. Të dyja vendimmarrjet kanë qenë njër pas tjetrës. Sidomos në situata revoltash, është e vështirë të kërkosh dialog. Për tu kthyer te arsyetimi, nga ana tjetër, programi duhet dhe rregullat brenda partisë. PD duhet të reflektojë demokracinë e brendshme, që do e reflektojë në qeverisje. Partia duhet të respektojë dhe funskionojë në bazën e disa parimeve të caktuara. Unë besoj që ka nevojë për tu vënë në pah dhe për tu zbatuar, për të qenë të dukshme për publikun. Ka një punë që ka nisur në PD, por që është në fazat e para. Ekipi i mirë, sigurisht dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, na duhet patjetër që të kemi mbështetjen e tyre. të gjitha këto, unë besoj që e bëjnë përsëri PD forcë fituese”, tha Rsitani.

Duke u shprehur se Basha ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur deri më tani, Ristani u shpreh se tashmë nuk është koha për të diskutuar të keqen që kanë shqiptarët nga Rama, por çështja është se sa e përgatitur është PD për të marrë besimin e shqiptarëve. “Patjetër që lideri i PD ka peshën e vetë të përgjegjësive. Ajo që unë e kam parë me inters, me shumë miratim te zoti Basha, ka qenë ndjesia për të kërkuar ndjesë pas një gabimi. Unë di të them pas zgjedhjeve të 2017, pavarësisht se u ndikuan nga bandat, për ato përgjegjësi që ishin dukshëm të lidershipit të PD, ai ka kërkuar dhe ndjesë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është përsëritja e gabimit të 2017. Politikanët kanë demagogjinë e tyre dhe retorikën e tyre për të shprehur mendimin. Unë besoj se koha është për të thënë të vëretën. Nuk mban më retorika që duket sikur u hedhë sy shqiptarëve. E vërteta është kjo; Rama nuk po drejton mirë vendin, që po krijon shumë probleme, për ekonominë, drejtësinë, është e keqe e madhe që shqiptarët e kuptojnë. Çështja është se sa të përgatitur jemi ne për të marrë besimin e shqiptarëve dhe për të fituar zgjedhjet”.

Ristani: Basha të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`e largon dot ndryshe

Arben Ristani tregoi në “Real Story”, se sipas tij, votat e pavlefshme të 30 qershorit, tregojnë që ka një rrevoltë ndaj qeverisë. Megjithatë, Arben Ristani shprehet se në këto momente është mirë që PD të fokusohet te vetja, duke u futur në rrugën e reflektimit. “Zgjedhjet e 30 qershorit, me votat e pavlefshme, pjesëmarrjen, treguan që ka një rritje të mosdakordësisë, të revoltës, ka vend për ndryshim, por çështja është se a do të jemi ne ata që do të bëjmë ndryshimin?! Në fakt, do të doja shumë që fokusi të ishte te qeveria, por bëjmë mirë që të kthehmi dhe te vetja. PD gjithsesi funksionon si institucion, dhe gjërat zgjidhen brenda mekanizmave që paraqet institucioni. Unë shpresoj që këto që po ndodhin të nxisin frymën e reflektimit”.

Arben Ristani shprehet se ky reflektim duhet të përfshijë edhe Lulzim Bashën, duke pranuar zgjedhjet. “Nuk është përgjegjësia vetëm për veten, por për të gjithë shqiptarët. Besoj që është moment reflektimi, duhet ta bëj dhe Bashën për këtë që po ndodhë. Duhet të kapërcejmë dhe vetveten në këtë. Po përdor një shprehje të Berishës, që i tha Bashës “në këto momente duhet të kalosh dhe detin në këmbë”. Unë besoj që në zgjedhje do shkojmë patjetër, nuk ka rrugë tjetër”, tha Ristani.

 Mirëpo problemi është deviza e PD, që me Ramën nuk futet në zgjedhje. Në këtë pikë, sipas Ristanit, PD përsëri duhet të reflektojë, pra të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`ka mundësi për ta larguar atë në rrugë tjetër. “Me Ramën apo jo? Nëse çështja është e realizueshme, dakord, por nëse nuk e arrijmë dot, duhet të futemi në zgjedhje me Ramën, të përballemi. Shembujt i kemi, nuk do shpikim në këtë mes. Është vendimmarrja institucionale e PD është nuk ka dialog me Ramën. Unë besoj që ka nevojë për reflektim, ka nevojë që të mblidhemi ta diskutojmë. Të gjendet mënyra të shkohet në zgjedhje, qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët të papërfaqësuar sa i përket votave të djathta. Ky rezultat është një rezultat shumë i keq që duhet korrigjuar. Prishen balancat e demokracisë, për mua do duhet të gjejmë mënyrë për të shkuar dhe në zgjedhje të parakohshme”.

Ristani: Koha për reflektim, Basha të tregoj planin që ka

Ish sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani është një nga ato persona që ka pranuar se opozita gaboi me vendimet e saj për djegien e mandatave dhe refuzimin  për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga studio e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në një puntatë jashtë sezonit, Ristani shfaqet i  penduar për vendimin e tij për djegien e mandateve dhe lënien e PD pa asnjë lloj pushteti. Duket parë përfundimet që nuk ishin aspak në favor të PD, Ristani bën thirrje se ka ardhur koha që PD por dhe vetë Basha të reflektojë dhe të gjejnë zgjidhjen e duhur për të dalë nga kjo situatë. Ristani tha se shpreson që Basha ta dijë se çfarë do të bëjë më 1 shtator dhe të mbledhë strukturat politike dhe t’i udhëzojë se cilat hapa duhen ndjekur për arritjen e fitores përfundimtare. 

“Duke parë rezultatin e vendimit tonë për djegien e mandateve, mendoj që ndoshta duhet të kishim gjetur një rrugë tjetër. Shpresoj që Basha ta di çfarë do bëjë në 1 Shtator. Është koha për reflektim dhe për të kuptuar qartë se cila është rruga në të cilën do të ecim si do të ndahet ajo rrugë në etapa dhe si do të fitohen etapat njëra pas tjetrës për të arritur tek fitorja e madhe përfundimtare. Pra kemi nevojë për një qartësi të plotë dhe unë shpresoj që ta bluaj me mendjen e vet dhe t’ia bëj prezente edhe strukturave të PD, për ta diskutuar dhe për ta vendosur. Shpresoj shumë që do të ketë një reflektim. Basha duhet të sqarojë këtë konfuzion pasi demokratët kanë nevojë për një qartësim të situatës.” – tha Ristani

Ristani në “Real Story”: 13 tetori? Jo pa dakordësinë e palëve

13 tetori, data e re e zgjedhjeve të dekretuara nga Presidenti Meta, Arben Ristani e cilësoi si të pamundur dhe të pavlefshme nëse palët nuk bien sa më shpejt dakord .“Nuk mund të ketë 13 tetor nëse nuk ka dakordësi mes palëve” tha Ristani nga studio e emisionit “Real Story” duke shtuar gjithashtu se sa më shumë ditët kalojnë pa arritjen e një marrëveshje aq më i vështirë dhe i pamundur bëhet 13 tetori. Ristani cilësoi se dialogu dhe reflektimi sa më shpejt mes palëve politike është gjëja e duhur për kthimin në normalitet të vendit.

“Për momentin politika është kapur pas datës 13 tetor që sigurisht pas arritjes me dakordësinë e palëve mund të ketë një 13 tetor. Kjo nuk do të ishte një çudi e madhe, megjithëse gjërat kanë shkuar larg tashmë. Mbase pasi të dal nga loja edhe 13 tetori do të shtrohet ndryshe, por unë shpresoj më shpejt tek një reflektim për situatën. Këtu kaosi është prezent, këtu çuarja e shtetit në një absurditet është i prekshëm, të gjithë e shohim dhe e dimë, ne ecim mbi mina në rrugë tonë dhe shpresoj shumë që mendjet të ndriçohen dhe njerëzit të ulen në bisedime dhe të gjejnë gjuhën për të mirën e këtij vendi. Unë besoj se vendi duhet futur në rrugën e vet normale dhe në të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shqiptarët të vendosin se si dhe nga kush duan të drejtohen.” – tha Ristani

Ristani ka komentuar edhe vendimet e ndryshme të gjykatave për konfirmimin e mandatit të Kryetarëve të rinj të Bashkisë, duke cilësuar se kjo ndodh për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Por shtoi se sa më shumë njihen mandatet e kryetarëve të rij, aq më i pamundur bëhet 13 tetori si një datë reale.

 “Ka pasur vendime të gjykatave që kanë konfirmuar mandatet e kryetarëve të bashkive, por ka pasur edhe një vendimmarrje tjetër nga gjykata. Sa më shumë kalojnë ditët, sa ma shumë vendimmarrje për njohjen e mandateve të kryebashkiakëve aq më e vështirë dhe i pamundur behet 13 tetori të jetë një datë reale. Kjo vjen në kushtet kur nuk ke Gjykatë Kushtetuese që mund ta kishe futur në lojë për të kërkuar pavlefshmëri të vendimmarrjeve të marra deri tani, kështu që nuk ka zgjidhje tjetër. Por gjithsesi mundësitë janë po të ulen dhe të bien dakord palët.” – tha Ristani

Ristani: Gabuam me djegien e mandateve, duhej gjetur një rrugë tjetër

Arben Ristani ka bërë një rikthim në vendimet e marra nga Partia Demokratike në lidhje me djegien e mandatave. I pyetur nëse po të kthehej në kohë do ta miratonte sërish djegien e mandateve, Ristani tha në “Real Story” se ky ishte një vendim i gabuar edhe pse për momentin u dukë si i drejtë. Ish sekretari i përgjithshëm i PD deklaroi se duke parë rezultatin final duhej gjetur një rrugë tjetër për të kërkuar largimin e Ramës dhe largimin e krimit nga qeveria. Madje Ristani shtoi se nëse  PD do të ishte futur në zgjedhje mund edhe të kishin fituar duke shfrytëzuar skandalet e qeverisë.

Nëse virtualisht do të riktheheshit në shkurt do t’i digjnit mandatet dhe të mos merrni pjesë në zgjedhje? Ju vet si qëndroni në këtë histori?

Ristani: Unë mendoj se nuk ka qenë zgjidhja e duhur. Mendoj se PD do të kishte bërë mirë të gjente mekanizmat dhe të krijonte patjetër mbështetjen ndërkombëtare për sa i përket diskreditimit të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin dhe përdorimin e parave të pista dhe të mobilizonte partinë për të marrë pjesë në zgjedhje. Jam i bindur se ne mund t’i ishim afruar më shumë fitores në rast se do të kishim hyrë në zgjedhje. Duke u nisur nga sondazhet , duke u nisur nga goditjet e disa grupeve kriminale që besoj shumë se mund të kishim një rezultat tjetër. Dhe tek e fundit do të kishim pasur një shpresë më të madhe brenda partisë demokratike për tu përballuar më pas në zgjedhjet e përgjithshme, që afërmendsh mund të ishin edhe të parakohshme.

Pse nuk e morët mandatin në listë kur sot thoni se ishte gabim?

Ristani: Ju thash që me ndërgjegje kam votuar për djegien e mandateve dhe kam qenë pro, kam djegur edhe mandatin tim. Kjo do të thotë se kam qenë i bindur në atë moment për atë vendim që është marrë. Sot duke parë rezultatin po mundohem të reflektojë dhe të them që ndoshta mund të kishim ndjekur një rrugë tjetër. Unë dua të rris fëmijët në një vend normal. Kam besim se PD e ka drejtuar vendin më mirë në këto vite të demokracisë dhe kam besimin se ajo forcë do të duhet ta drejtojë përsëri për ta bërë më të mirë këtë vend.

Ristani: Basha të hap partinë, aleatët t’i shoh rrugës

Arben Ristani ka komentuar edhe marrëdhëniet me aleatët e PD duke thënë se tani është koha që PD të fokusohet tek vetja, të reflektojë dhe të gjejë zgjidhjen që i duhet për t’u ringritur dhe arritur fitoren përfundimtare që kërkon. Për sa i përket marrëdhënies që PD krijon apo lidh ne aleatët e tjerë ato do i shoh rrugës. Nga studio e “Real Story” Ristani tha se PD është një parti që ka si shtyllë fondamentale vlerat parimore dhe duhet të për qëndrohet tek to, ndërsa aleancat mund t’i shoh edhe në mënyrë pragmatizmi, por fillimisht duhet të forcojë rolin brenda vetës, pasi të bësh pragmatizmin “duhen këllqe të forta”

“ Unë do preferoja që në këto kohëra pragmatizmi është një gjë, por mbështetja mbi parime është një shtyllë fondamentale e një partie. Në këtë kuptim unë jam që të përqendrohemi më shumë tek vetja dhe aleancat i sheh gjatë rrugës, mund ti përdorësh edhe në mënyrë pragmatiste gjatë rrugës, por së pari duhet të kesh këllqe të forta në partinë tënde.” – tha Ristani

Në lidhje me përfaqësimin e figurave publike të PD, Ristani tha se Basha duhet të ndjek shembullin e Berishës në 2005 dhe të hap partinë drejt figurave të reja dhe atyre që kanë qenë kontribuues në PD.  Ristani theksoi se e gjithë kjo përvojë që ka pasur PD, nuk mund të shkoj dëm.

“Berisha në 2005 erdhi një numër të rinj dhe sigurisht edhe vlerat. Nuk ka parti politike pa u mbështetur tek vlerat. Një vendim nuk mund të bazohet vetëm në ligj por edhe në zemër. Kjo pjesa e zemrës ka të bëj pak me përvojën jetësore që kultivon njeriu. Në këtë kuptim e gjithë kjo përvojë që ka pasur Partia Demokratik nuk mund të shkoj dëm. Duhet ribashkuar dhe rithithur një numër i madh kontributorësh të PD që e kanë dashur dhe e duan dhe janë të lidhur edhe me strukturat e saj. Militantëve duhet t’u flasësh , por që t’u flasësh duhet të kesh edhe çfarë u thuash dhe t’u transmetosh. Po nuk transmetove, po nuk i njohe, po nuk ishe në hallet e tyre, në këtë kuptim ka shumë për të bërë dhe duke e konsideruar shumë të rendë daljen nga sistemi, duhet të veprojmë më idealizmin dhe besimin dhe ndërthurje të njerëzve.”- tha Ristani. /Realstory.al/

Ristani në “Real Story”: Rruga dështoi, zgjidhja vjen prej zgjedhjeve, po a është gati PD?

Arben Ristani deklaroi në “Real Story” se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet. Të parakohshme apo në vitin 2021, sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD, në demokraci ka vetëm një rrugë për të mposhtur kundërshtarin, zgjedhjet. “Ristani: Sigurisht që shtatori nuk është larg. Unë besoj që rrugë për të dalë ka. Në demokraci zgjedhjet janë rruga e vetme për të ndryshuar pushtetutet. Edhe protestat janë forma demokratike, por në përfundim do shkojmë në zgjedhje, normale apo të parakohshme”, tha Ristani, duke shtuar se tashmë është koha që PD të krijojë besim te shqiptarët. “Patjetër që zgjedhjet janë. Demokratët presin që PD t`i fitojë zgjedhjet, dhe në këto kushte, dhe e vetmja mënyrë që të kompensohet qenia jashtë institucioneve, duhet të rritet doza e besimit te lidershipi. Që të rritet besimi, do të duhet, duke u nisur dhe nga një sër sondazhesh, kjo do të thotë që ka probleme me besimin te njerëzit. Pasja e një programi të mirë është pjesë. Ky program i mirë, do dhe njerëzit që do e realizojnë programin. Besueshmëria do duhet edhe te njerëzit që do e realizojnë programin. Ajo që mungon sot është stafet që do realizojnë nesër programin”, u shpreh Ristani.

Megjithatë, për Arben Ristanin, aktualisht Partia Demokratike ka dhe një problem tjetër. Mungesën e një ekipi, i cili do të duhet të prezantojë dhe të bind shqiptarët me një program. Në këtë pikë, Ristani u shpreh se PD duhet që së pari të hapet si parti, duke reflektuar demokracinë e brendshme, në mënyrë që më pas, këtë demokraci ta reflektojë dhe në qeverisje. “Idea ishte që do bëjmë të mundur që “do ketë zgjedhje pa Ramën kryeministër”. Kishte optimizëm, mendohej që do ia dilnim një situate të tillë. Të dyja vendimmarrjet kanë qenë njër pas tjetrës. Sidomos në situata revoltash, është e vështirë të kërkosh dialog. Për tu kthyer te arsyetimi, nga ana tjetër, programi duhet dhe rregullat brenda partisë. PD duhet të reflektojë demokracinë e brendshme, që do e reflektojë në qeverisje. Partia duhet të respektojë dhe funskionojë në bazën e disa parimeve të caktuara. Unë besoj që ka nevojë për tu vënë në pah dhe për tu zbatuar, për të qenë të dukshme për publikun. Ka një punë që ka nisur në PD, por që është në fazat e para. Ekipi i mirë, sigurisht dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, na duhet patjetër që të kemi mbështetjen e tyre. të gjitha këto, unë besoj që e bëjnë përsëri PD forcë fituese”, tha Rsitani.

Duke u shprehur se Basha ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur deri më tani, Ristani u shpreh se tashmë nuk është koha për të diskutuar të keqen që kanë shqiptarët nga Rama, por çështja është se sa e përgatitur është PD për të marrë besimin e shqiptarëve. “Patjetër që lideri i PD ka peshën e vetë të përgjegjësive. Ajo që unë e kam parë me inters, me shumë miratim te zoti Basha, ka qenë ndjesia për të kërkuar ndjesë pas një gabimi. Unë di të them pas zgjedhjeve të 2017, pavarësisht se u ndikuan nga bandat, për ato përgjegjësi që ishin dukshëm të lidershipit të PD, ai ka kërkuar dhe ndjesë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është përsëritja e gabimit të 2017. Politikanët kanë demagogjinë e tyre dhe retorikën e tyre për të shprehur mendimin. Unë besoj se koha është për të thënë të vëretën. Nuk mban më retorika që duket sikur u hedhë sy shqiptarëve. E vërteta është kjo; Rama nuk po drejton mirë vendin, që po krijon shumë probleme, për ekonominë, drejtësinë, është e keqe e madhe që shqiptarët e kuptojnë. Çështja është se sa të përgatitur jemi ne për të marrë besimin e shqiptarëve dhe për të fituar zgjedhjet”.

Basha ndryshon mendje prapë: Jo zgjedhje në 13 tetor (me Ramën)

Lulzim Basha  ka shkruar një Twitter për vizitën e tij në Vienë, tre ditë pas publikimit të lajmit se liderët e opozitës po zhvillojnë një vizitë në kryeqytetin e Austrisë, ku do të takonin drejtues të lartë të OSBE. Basha shkruan në mesazhin e tij: “Në Vienë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve”.

Pra, kreu i PD rikthehet te retorika “Rama ik”, ndonëse ditët e fundit ka lënë të kuptohet se ishte gati të futej në zgjedhje (ndoshta  dhe me Ramën Kryeministër). Një deklaratë të tillë e bëri disa ditë më parë pas një takimi me Presidentin Ilir Meta, ku pas 40 minutash bisedë kokë më kokë me kreun e shtetit, Basha u shpreh se 13 tetori ishte një mundësi për të zgjidhur  krizën. Megjithatë, deklarata e Bashës duket se del kundër asaj të Kryemadhit, që tre ditë më parë në Durrës, por dhe të mërkurën në Berat, foli për fushatë elektorale të LSI dhe përgatitjen për zgjedhjet.

Ndërkohë, të enjten Ilir Meta i bëri thirrje opozitës  nga Durrësi të jetë e përgjegjshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. “Opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike. Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë” tha Meta.

Ky qëndrim i Lulzim Bashës vjen në një moment, ku opozita po përpiqet me çdo mjet ligjor për të nxjerr të pavlefshëm 30 qershorin, dhe në krahun tjetër, kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Nuk dihet ende nëse qëndrimi i Bashës për “Rama ik”, pas takimeve në Vjenë,  është edhe i aleatëve të tjetër të opoziës dhe veçanërisht Monika Kryemadhit, megjithëse në mesazhin e tij, Basha saktëson “qëndrim i pandryshuar i opozitës së bashkuar”.

Ngjela: Meta në burg pas shkarkimit, ka shkelur Kushtetutën

Nga Spartak Ngjela

Jetojmë në një zonë ballkanike ku liderit, kush më shumë e kush më pak, nuk sundojnë si drejtues politikë, por si gënjeshtarë gënjeshtrash që nuk kanë lidhje me zhvillimin kombëtar. Shpesh kjo i bën qesharakë. Janë pushtuesit sllavë e grekë të territoreve shqiptare që vetë shtetet e tyre i kanë investime në falsitet, me histori të gënjeshtërt. Por janë edhe gënjeshtarët historikë të lidërshipeve të Shqipërisë që hedhin të njëjtën valle, sepse vjedhin shqiptarët.

l.

Në fakt, liderët aktualë të Shqipërisë, edhe në jetën e përditshme dallojnë që mbështeten të gënjeshtra, sepse janë së brendshmi me konceptimin oriental të fjalës: kjo filozofi thotë se fjala ka dalë për të fshehur mendimin. Këta kështu duket se janë ndërtuar. Por duhet të theksojmë se Perëndimi ndahet nga Lindja pikërisht te qëndrimi ndaj gënjeshtrës. Qytetërim perëndimor do të thotë antigënjeshtër.

Po shoqëria shqiptare si e ka sot raportin më të vërtetën? E ka në përmirësim, sepse ne kemi vuajtur 45 vjet nga gënjeshtra e ngritur në një sistem vrastar punist.

Po politika e sotme e gënjeshtërt a ka lidhje me punizmin vrastar? Sigurisht që ka, sepse shqiptarët jetuan për 45 vjet sipas këtij kushti: ose jashtë i varfër në ekstrem dhe më gënjeshtrën, ose me të vërtetën, por në burg.

ll.

Si paraqitet sot karakteri gënjeshtar i politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, në Serbi dhe në Greqi?

Në këtë pellg ballkanik, më tipikët janë: Berisha,-Basha në Tiranë; Thaçi në Prishtinë; dhe Rama në Tiranë..

Më qesharakë duket të jetë Berisha dhe Lulzim Basha. Sepse në fakt janë në hall ngaqë kërcënohen nga Reforma që po vjen për hetimin e pasurisë së tyre. Prandaj janë bërë qesharakë me gënjeshtrën e tyre: këta nuk i pranon politika e lartë perëndimore, janë kundër Uashingtonit pikërisht për këtë, dhe dalin nëpër rrugë me flamuj amerikanë. Politika amerikane tallet me ta, dhe këtë e di edhe Berisha edhe Basha. Por ju mendoni se ata mendojnë që po gënjejnë politikën amerikane me këtë gjest? Jo, gënjejnë përkrahësit e tyre te të cilët nuk do t’i mbështetnin po ta dinin se nuk i pranon fare Uashingtoni.

Dhe janë edhe më qesharakë kur paguajnë ndonjë gjerman apo ndonjë amerikan, që nuk kanë lidhje fare me politikën e lartë, dhe i detyrojnë edhe këta që të gënjejnë. Dhe përsëri me të njëjtin qëllim: të gënjejnë shqiptarët.

Ka edhe më shumë se kaq te sistemi gënjeshtar i tyre. Basha në fillim dhe Berisha si shtytës pas tij, edhe pse e dinë që Reforma në Drejtësi drejtohet nga amerikanët, sokëllijnë në jerm dhe thonë që bëhet nga Rama. Ramë ziu është me ta, por nuk ka ç’bën, kurse dy të tjerët që kanë hallin e pronave dhe të parasë së akumuluar në mënyrë të paligjshme, mendojnë që të gënjejnë përkrahësit që këta të kenë një motiv revoltues. Po revolta përse duhet? Revolta lipset që, këta të dy dhe disa të tjerë të taborit të tyre të shpëtojnë pronat dhe paratë. Por tani, pas kërcënimit amerikan, edhe revoltë nuk mund të ketë më.

Domethënë asgjë. U dogjën kot. Nuk i shpëtojnë dot pronat dhe paratë. Kjo kohë nuk i përkrah dhe reforma është sot detyrë shqiptare që shqiptarët të hyjnë në Bashkimin Europian dhe në rrugën e zhvillimit për të mposhtur një herë e mirë varfërinë. Kjo do të thotë se, shpronësimi i të korruptuarve është shpresa për shpëtim e shqiptarëve. A e kuptoni tani që korrupsioni shqiptar nuk ka më te ardhme!

Po pse lodhen këta të korruptuar? Kot. Madje janë mëse teveqelë kur mendojnë se pronat dhe sundimin do ta ruajnë me anë të Rusisë, dhe prandaj gënjejnë për çdo gjë.

Po gënjeshtra ç’duhet kur kjo reformë po drejtohet nga forcat politikës amerikane? Kot. Është më shumë natyra naive e njeriut të akuzuar që i ka pushtuar në këto kohë. Njeriu i akuzuar që nuk di të mbrohet, gënjen si një fëmijë.

ll.

Po Meta?

Edhe ky gënjen për të shpëtuar veten dhe pronat nga Reforma. Këta birbore e kanë ditur se janë zgjedhur në krye të vendit për interesin e tyre vetjak të pasurimit. Kështu mendon ende dhe ky Meta. Është në një hall dyfish. Duan ta shkarkojnë në Parlament e ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Por, po shkoi atje, mund të marrë dënim me burg, se shkelja e kushtetutës është vepër penale. Në fakt, për Shqipërinë dhe shqiptarët, ky do të jetë hapi i parë pozitiv që nga viti 1924. Dhe sigurisht që do të ndodhë.

Kurse Meta po bëhet qesharak me Bashën duke tundur ato dekrete pa vlerë të cilat do bëhen shkak për dënimin penal të presidentit të Shqipëris. Janë të dy jashtë arsyes juridike të mbrojtjes, dhe mendojnë se, e vetmja rrugë e shpëtimit të tyre është destabilizimi i Shqipërisë. Kanë marrë në dorë një dekret pa vlerë juridike, dhe kërkojnë të fshehen pas tij. Nuk arrijnë të kuptojnë që një ditë e re zgjedhësh është normë juridike që del nga kushtetuta jo nga letra pa vlerë. Nuk janë në gjendje të pyesin veten: coli është organi ligjor që dëo të organizojë zgjedhjet?

Prandaj me thirrjet dhe pohimet e tyre nuk po dihet se kë kërkojnë të gënjejnë, veten apo të tjerët!!!

lll.

Po Thaçi? Ky del të jetë një tjetër lloj gënjeshtari. U vërtit e u vërtit me presidentin e Serbisë, Vuçiç, dhe gënjente për territoret. Donte t’i jep Serbisë Kosovën e Veriut, dhe gënjente sikur gjithçka e bënte që t’i merrte Sërbisë Preshevën dhe territoret e banuara nga shqiptarët. Donte të thosh që Presheva është më e rëndësishme për Kosovën se Mitrovica. Por dështoi, dhe tani më gënjeshtrat e Preshevës po bëhet qesharak. Në fakt kjo është rruga, sepse, tragjikja, kur dështon, kthehet në komike.

Ja këta janë.

lV.

Po Vuçiç?

Ky është më interesanti se ky nuk di ende të kuptojë se për cilin interes luan: luan për interesin e tij, apo për interesin e Serbisë. Në fakt kuptohet se po tallet me veten. E di që Serbia nuk pranohet nga Perëndimi, por gënjen serbët. Indirekt iu thotë këtyre: do ta marrim sërish Kosovën. Por befas Kosova i ka vënë taksë 100 përqind mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo e tremb, se i del bllof gënjeshtra, se serbët pyesin: “kaq e fortë qënka Kosova?” Dhe prandaj Vuçiçi vërtitet e vërtitet me takime shterpë presidentësh europianë të rendësishëm, të cilët i thonë në Beograd se Kosiva është një shtet i pavarur.

Nuk kuptohet, ky kaqol, e di historinë apo jo? E di ky që territoret shqiptare shkojnë deri në Nish? Në fakt bën sikur nuk e di, njëlloj si e gjitha shkolla serbe që edhe pse e di që janë të ardhur në Ballkanin Perëndimor, thërrasin gjithë ditës se tokat tyre janë pushtuar nga shqiptarët. Do vazhdojë të gënjejnë dhe për ca pak kohë.

V.

Po Rama?

Ky ka gënjyer boll; por tani është në tërheqje sepse e njohu më në fund forcën amerikane. Nuk doli hapur për asnjë kundërshti dhe gënjeu deri në caqe që nuk kishin të bënin me Reformën. Tani duket se është në pritje. Por për të, në këto momente ka vetëm një pyetje: A do ta çojë deri në fund goditjen për shkarkim të presidentit Meta, apo do të tërhiqet me ndonjë gënjeshtër të rëndomtë,?

Basha ndryshoi, pasi Cutillo tha në “Real Story”: S`jemi palë me asnjë parti

Pasi dështoi në të gjitha mënyrat dhe format për të larguar qeverinë apo për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit, opozita ka nisur të kërkojë rrugën e daljes nga kriza ku është vetë futur. Një ditë më parë, pas takimit me strukturat në Berat (lexo këtu), Lulzim Basha së bashku me Monika Kryemadhin dhe disa drejtues të tjerë të partive opozitare, u nisën drejt Vienës, ku të mërkurën kanë pasur një takim me Sekretarin e Përgjithshëm te OSBE, z. Thomas Greminger. Ky zhvillim vjen në një kohë kur opozita ka humbur çdo pushtet, ndërsa Lulzim Basha pranoi zyrtarisht njohjen e 13 tetorit si datë për zgjedhjet, duke e cilësuar atë si një mundësi për zgjidhjen e krizës.

Kjo tërheqje e opozitës, në krahun tjetër ka marrë edhe sinjale pozitive nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shtrirë dorën e dialogut. Në këtë pikë, palët duket se kanë arritur dakordësimin e parë. Por opozita ende nuk është e bindur në atë që kërkon, qoftë në kanale private komunikimi me qeverinë, në lidhje me pikat që do të diskutohen në dialog, qoftë edhe për mënyrën se si do ta prezantojë në publik, uljen në tryezën e dialogut, duke pasur parasysh retorikën që ka përdorur  deri tani. Një nga aleatët e PD-së, Dashamir  Shehi është shprehur, sipas disa mediave, që Basha duhet të ulet në tryezë me Ramën, duke pasur garanci ndërkombëtare.

Pra, në këto kushte, vetë opozita duket se po kërkon një përfaqësi ndërkombëtare, për të bërë ndërmjetësimin e tryezës së dialogut. Në fakt, kjo nuk është diçka e re, pasi e njëjta situatë u krijua dhe në 2017. Por, lëvizja e radhës e opozitës, takimi urgjent në Vienë me përfaqësuesit e OSBE dhe pranimi i 13 tetorit, vjen menjëherë pas deklaratave që ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, bëri të hënën në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla.

Cutillo, një prej diplomatëve që ka ndjekur nga afër zhvillimet në vend gjatë muajve të fundit, pavarësisht qëndrimit të tërhequr që ka mbajtur, u shpreh se palët duhet të ulen në një tryezë të gjerë dialogu, pse jo edhe me praninë e një përfaqësuesi ndërkombëtar, që mund të jetë ish-kryeministri Massimo D`alema.

Gjithashtu, po në studion e “Real Story”, ambasadori Cutillo bëri dhe një tjetër deklaratë të rëndësishme, duke përgënjeshtruar Bashën, në thëniet e tij se “ambasadorët kanë mbajtur anën e Qeverisë”. Alberto Cutillo u shpreh se kjo nuk është e vërtet, dhe se roli i tij dhe gjithë ambasadorëve në Shqipëri, është të ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve. Këto deklarata, pavarësisht se s`mund ta themi me siguri, kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në kthesën e opozitës.

Së pari, Basha mund të jetë zhveshur nga paragjykimet për ambasadorët dhe ndërkombëtarët, duke i pranuar ata si miq dhe jo si rivalë, dhe e dyta dhe më e rëndësishmja, Basha dhe opozita, po kërkojnë një përfaqësues ndërkombëtar, me qëllim që të ulen në tryezë e dialogut  me Ramën. Tashmë mbetet të presim se çfarë do të  thonë krerët e opozitës, pas takimeve në Vienë.

Patozi sulmon ashpër Bashën: Ndaje mendjen jurist, O fol e mba, o…

Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike, ka pasur një reagim të fortë ndaj kreut të PD-se, Lulzim Basha, pas entuziazmit të tij për mosnjohjen e 30 qershorit nga Gjykata e Durrësit. Patozi tha se nuk do të komentonte vendimin e çmendur të një gjykate, por ka përdorur sulme të ashpra në drejtim të Bashës. Patozi i është drejtuar me një shprehje të Shqipërisë së Mesme “O fol e mba, o dh.. e ha” duke treguar rastet që Basha nuk i mban kurrë fjalët e tij dhe se ndryshon qëndrim sipas interesit personal. Patozit, i cili vë në dyshin edhe arsimimin e Bashës në Holandë, i drejtohet kreut të demokrateve se nuk mund të njohë vetëm ato vendime gjykate që i interesojnë dhe i pëlqejnë.

Ti je duke i shtyrë ditët e tua, derisa të dalë një gjë tjetër e të harrohet fakti që i fale kundërshtarit 61 bashki pa betejë” tha Patozi duke kritikuar edhe një herë vendimet e dështuara që Basha ka marrë, që nga djegia e mandateve e deri tek mospjesëmarrja në zgjedhje.

Patozi nuk la pa përmendur edhe sulmin që Basha ka bërë ndaj Bindjes Demokratike, por sërish me dy qëndrime të tij, ku njëherë e akuzon se “mori pjesë për të legjitimuar fitoren e Ramës, ndërsa sot thotë se mori pjesë për të deligjitimuar procesin.”

“Eh, mor jurist, që nuk e tregon diplomën, megjithëse ta kanë bërë çështje prej shumë kohësh shkollimin tënd në Holandë! Qenke gëzuar për një vendim gjykate në Durrës, ndërkohë që po të kishe formimim elementar për atë, që pretendon se je arsimuar, duhet t’i njohësh të gjitha vendimet e institucioneve, jo vetëm ato që të pëlqejnë ty.

Ka një anekdotë me qershitë, për dikë që i ndante në të bëra pis ose jo. Dhe në fund i hëngri të gjitha, ngaqë i dukeshin të pastra edhe ato që kishin ngelur të fundit.

Sepse ka dhjetëra vendime të tjera gjykatash të cilat ti nuk i pranon, se nuk të interesojnë.

Por unë ta njoh hallin dhe nuk të vë shumë faj. Ti thjesht po shtyn ditët e tua, derisa të dalë një gjë tjetër e të harrohet fakti që i fale kundërshtarit 61 bashkitë pa betejë, kur u the njerëzve që zgjedhje vendore pa ty në Shqipëri nuk do të ketë.

E nise këtë punë me gënjeshtrën që Bindja Demokratike mori pjesë në procesin e 30 qershorit për të legjitimuar fitoren e Edi Ramës. Tani e paske ndërruar pllakën e gramafonit dhe po thua që ne ishim në këto zgjedhje për të deligjitimuar procesin.

Ka një shprehje të Shqipërisë së Mesme, që të shkon shumë në këtë rast: “O fol e mba, o dh.. e ha”.

Kaq për sot…Sepse unë nuk kam ndërmend të komentoj një vendim gjykate, sado i çmendur apo i porositur nga ndonjë kamikaz i dëshpëruar si ty që të më duket.” – shkruan Patozi në reagimin e tij.

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Durrësit për të mos i dhënë mandatin kandidates së PS-së fituese në Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashës, i cili ka mbështetur këtë vendim duke thënë se zgjedhjet e 30 qershorit ishin farsë dhe se në vend ka gjyqtarë që respektojnë ligjet.

Basha ikën nga “Rama Ik”

Kreu i Demokratëve Lulzim Basha ka ndryshuar qëndrim lidhur me kërkesat e tij të vazhdueshme për largimin e Ramës dhe dënimi i personave që janë kapur duke vjedhur votën. Duket se këto nuk janë më prioriteti i Bashës, pasi tashëm ai e ka zhvendosur fokusin në rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kreu i PD, Basha tha se aksioni opozitar tashmë do të vijojë me shfaqjen e një platforme për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe rritjen e punësimit.

Vendi ka një nevojë akute për ndryshim. Beteja jonë do të fokusohet tek vlerat dhe mirëqenia ekonomike. Aksioni opozitar do të vijojë qëndresën e tij me protesta dhe me shpalosjen e një alternative tonë për të ndryshuar vendin duke filluar nga zhvillimi ekonomik, punësimi dhe rritja e mirëqenies.” –tha Basha

Gjatë takimeve të e tij me strukturat e Partisë Demokratike në Berat , Urën Vajgurore dhe Kuçovë, Basha tha se vendi ka nevojë akute për ndryshim dhe këtë e tregoi 30 qershori.  “E vetmja votë e pastër e hedhur në 30 qershor ishte e atyre qytetarëve që nuk dolën në votime” tha Basha dhe për këtë i dha meritë aksionit opozitar si faktorin kryesor që ndërgjegjësoi dhe i dha kuroja qytetarëve të refuzonin krimin dhe banditët ne qeveri.

Roli përcaktues i opozitës, aksioni politik. Pa vendimet e mëdha që morëm, duke nisur me djegien e mandatave, as vetëdijesimi i shqiptarëve nuk do të rritej, as kurajo nuk do të ishte në këto nivele. Sepse më 30 qershor është bërë protesta më e madhe e të gjithë protestave. Nuk u bë në një shesh, por u bë në të gjithë Shqipërinë njëkohësisht. E vetmja votë e pastër e 30 qershorit është vota e atyre që nuk dolën. Mesazhi është ai që është bërë refren deri edhe për fëmijët: Rama ik. “ – tha Basha

Nëse bëjmë një përmbledhje të masave ekstreme të marra nga opozita dhe aksionit të saj opozitar, ajo mori kritika të shumta nga ndërkombëtarët, SHBA dhe vetë PD. Djegia e mandateve, dhuna e institucionale dhe mospjesëmarrja në zgjedhje nuk u vlerësuan kurrë nga asnjë faktor ndërkombëtar, përkundrazi pati thirrje të vazhdueshme për dialog dhe ndryshim të qëndrimit të opozitës.

Deklarata e Cutillos në “Real Story”, Kulluri-Bashës: Mblidh mendjen, s`ka komplot kundër teje

“Pra i dashur Kryetar, nuk ka komplot ndërkombëtar kundër teje! Aq më tepër nga një ambasador i një qeverie konservatore! Mblidhe mendjen mirë që nuk ke asnjë mbështetje ndërkombëtare në rrugën aventureske që vazhdon me kokëfortësi!”, ky është reagimi ish-anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, pas deklaratave të Ambasdorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, që deklaroi në “Real Story”, se “synimi im është që të çojmë përpara marrëdhëniet mes dy vendeve. Nuk mbëstesim asnjë palë politike në Shqipëri”.

Gjatë emisionit të fundit  për këtë sezon në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ambasadori italian, hodhi poshtë akuzat e bëra shpesh nga opozita apo dhe Presidenti i Republikës, se ambasadorët mbështesin qeverinë. Deklarata e Cutillos, ka nxitur dhe reagimin e ish-anëtarit të PD-së, Edvin Kulluri, i cili shprehet se Lulzim Basha ëshë pa mbështetje ndërkombëtare në rrugën aventureske që vazhdon me kokëfortësi.

Edvin Kulluri, së bashku me Arben Ristanin, Jozefina Topallin, Arben Imamin dhe të tjerë ish-anëtar dhe drejtues të PD-së, kanë dalë kundër Lulzim Bashës dhe aksionit të tij opozitar radikal. Madje, këta kanë bërë thirrje dhe për ristrukturim të Partisë Demokratike duke filluar me zgjedhjet për kryetar të PD-së.

Ndërkohë, reagimi i Kullurit vjen pas atij të Arben Ristanit, i cili gjithashtu gjatë të hënës, në një postim në rrjetet sociale la të kuptohet se pas dështimit të aksionit opozitar në të gjitha format dhe rrugët e ndjekura, për të larguar Ramën, tashmë duhet të ketë një rrugë tjetër, ndoshta largimi i Bashës. Pas këtyre reagimeve, të dy ish-drejtuesve të lartë të PD, Kulluri dhe Ristani, janë parë së bashku të martën në një takim miqësor në një nga kafet e kryeqytetit.

Basha me ish-kryeministrin kanadez: Sundimi i ligjit, rruga e vetme e integrimit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me ish-kryeministrin e Kanadasë, Stephen Harper. Përmes një postimi në Twitter, Basha e cilëson Harper një mik të çmuar dhe përkrahës të Shqipërisë drejt rrugës së integrimit euroatlantik. “Nderi dhe privilegji im për të mirëpritur sot një mik të çmuar dhe përkrahës të zjarrtë të demokracisë dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Mirënjohës për mbështetjen e tij për demokracinë dhe sundimin e ligjit si një rrugë e vetme përpara për Shqipërinë në BE.”-shkruan Basha


Në takim është diskutuar edhe situata aktuale në Shqipëri, ku Harper e cilësoi të nevojshme mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit. “ Diskutim i mirë i situatës aktuale në Shqipëri dhe nevojën për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit. IDU shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm me partinë tonë anëtare PD Shqipëri.” – shkruan Harper

E thotë Politiko: Luli ka frikë nga zgjedhjet

Nga Alfred Lela

Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike të mbajtur sot në mesditë, kryetari i Demokratëve Lulzim Basha, u ka thënë të vetëve se forca e tyre politike nuk është gati të hyjë në zgjedhje të parakohshme.

Burime të sigurta të Politiko.al bëjnë me dije se kryetari Basha në komunikimin me ‘kupolën’ politike të partisë ka shprehur, për herë të parë, një shqetësim që është artikuluar në qarqet kundërshtare të opozitës, por është marrë si diversion, ai se forca kryesore anti-qeveritare nuk është gati për një garë zgjedhore, pavarësisht shqetësimeve, të ligjshme nëse ke parasysh përgjimet e BILD se në Shqipëri nuk ka garë të ndershme.

Burimet i thanë Politiko se Basha ka theksuar se edhe nëse Rama ofron zgjedhjet më 13 tetor, partia nuk është gati. Në fakt, kryetari Demokrat nuk e ka pranuar edhe publikisht 13 tetorin si datë të zgjedhjeve, dekretuar nga presidenti i Republikës pas zhdekretimit të 30 qershorit. Pritshmëritë janë që kjo datë ‘të dakordohet” si salvaxhente për krizën duke fshirë edhe 13 qershorin, edhe konfliktin me Metën (nëse ai nuk shkarkohet, por edhe duke i zgjatur opozitës një mënyrë për t’u rifutur në sistem).

Nëse PD është gati, gjë që nuk duket kështu nëse gjykon nga shqetësimi i Bashës në mbledhjen me dyer të mbyllura me kryesinë e Partisë Demokratike.

Skip to toolbar