Basha “konfuz”, mohon qarkoren por jo përmbajtjen: S`do lejojmë zgjedhje, s`do ti njohim

Lulzim Basha ka mohuar ekzistencën e Qarkores drejtuar të zgjedhurve të pushtetit lokal në bashkitë që drejohen nga e djathta, ku u kërkohej bllokim i zgjedhjeve të 30 qershorit, shmangie të përplasjes me militantët e PS, por jo me efektivët e policisë. Kjo deklaratë e Bashës erdhi pas vizitës më shumë se 60 miuta  të së ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, që mëngjesin e të martës shkoi në zyrën e Bashës, dhe mesaduket qëllimi i takimit ka qenë pikërisht zbulimi i të vërtetës me Qarkoren. Pavarësisht se PD të hënën në mbrëmje, ashtu si dhe Basha këtë të martë, e mohuan ekzistencën e qarkores, përmbajtjen e saj, të paktën kreu i opozitës nuk e mohoi.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha.

Në fakt, kjo nuk është surprizë. PD reagoi për Realstory.al mbrëmjen e së hënës ku mohoi ekzistencën e qarkores. Ndërkohë, po mbrëmjen e të hënës, burime të pavarura diplomatike, konfirmuan gjithashtu për Realstory.al, se Qarkorja do të analizohej dhe do të verifikohej me kujdes, nëse kishte dalë apo jo nga zyrat e PD-së. Kështu ndodhi, e para që shkoi në zyrën e Lulzim Bashës ishte e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Takimi mes saj dhe Bashës zgjati më shumë se një orë, ndërsa kryedemokrati, nuk pranoi të komentonte takimin me zëvendës ambasadoren e SHBA, foli për atë që mesaduket ishte thelbi i vizitës së Leyla Moses-Ones, Qarkorja.

Basha, i zbutur që prej mbrëmjes të së hënës, pasi ka mësuar qëndrimin amerikan për zgjedhjet dhe krizën, u shpreh se 30 qershori ëshë dita e fillimit të fundit të Edi Ramës, shprehje që në fakt Basha duket ia ka huazuar vetë Kryeministrit, pasi ky i fundit është thënë shpesh se “më 30 qershor është fillimi i fundit të ndarjes së Shqipërisë nga e shkuara. “30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, Edi Rama do kërkojë ti kthejë shqiptarët në votimet njëpartiake. 30 qershori e ka një domethënie, është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës. Ky do përpiqet që tu paraqesë një proces fals shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Rama: Basha, të njëjtën histori sa herë ka zgjedhje, por nuk dorëzohem

Nga Durrësi, kryeministri Rama tha se Lulzim Basha ka të njëjtën histori sa herë afrojnë zgjedhjet, ai do të largohet dhe kërkon që ta marrë fitore në tavolinë përmes marrëveshjeve, duke hedhur akuza se nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe prandaj nuk merr pjesë. “Edhe në 2017 të njëjtën gjë bëri, erdhi poshtë zyrës time, këndoi himnin, tha fjalimin dhe zhdukej më pas.’ tha Rama gjatë takimit elektoral në Durrës.

‘U bënë të gjitha përpjekjet që Basha të futej në zgjedhje, iu lutëm jo vetëm unë por edhe ndërkombëtarët deri sa ju sos durimi. Ndërkombëtarët më thanë në 2017 futu vetëm në zgjedhje se me Bashën nuk mundemi dot, po unë nuk u ndala. Iu luta deri sa më në fund arritëm një marrëveshje dhe Luli mori jo pak por gjysmën më të rëndësishme të qeverisë. Mirëpo marrëveshja i bëri më keq, se sa më mirë. Sot në 2019 ai përsërit të njëjtin refren por këtë herë duke e çuar kërcënimin deri në djegie të mandateve.” – tha Rama

Rama cilësoi se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe kjo gjë është e padiskutueshme. “ Këto zgjedhje do të vendosin kufirin ndarës se nuk do të ketë më politikanë mbi ligjin, që me proteste tyre mund të bëjnë çtë duan me zgjedhjet.’ Madje Rama shtoi me ironi se në këto zgjedhje, edhe pse nuk merr pjesë, Basha do të dal e do të thotë se ishte fitues, pasi do të numëroj demokratët që nuk morën pjesë në zgjedhje.

Rama nuk i ka kursyer akuzat as për presidentin Meta, duke e cilësuar si shkaktarin e thellimit të krizës politike në vend. Përmes ironisë, Rama tha se Meta u tremb as shumë  sa anuloi zgjedhjet me arsyen se “në Shqipëri do bëhet nami”.

“Kemi një sistem drejtësie që nuk fshihesh më, sa i gjatë je, sa i vogël je… të gjithë të barabartë, problem i madh shumë se ke qenë apo je president, punë e madhe se je apo ke qenë kryeministër, drejtësia të merr dhe të çon aty ku e ke vendin. Këtë nuk kanë si ta pranojnë lehtësisht as Saliu as Meta. Prandaj duan ta marrin peng Shqipërinë. Dhe kjo është arsyeja pse dhunës në rrugë i shkon paralel dhuna që ushtron presidenti nga zyra. Dhe del presidenti e thotë anuloni zgjedhjet se do bëhet nami, po kujt i thua që do bëhet nami? Ata që bëjnë namin i ke në shtëpi. Kush do e bëjë namin Luli, po Lulit një fishkëllimë t’i bëjë Saliu, t’i thotë “Lul në shtëpi”, s’ka më Lul.” – tha Rama nga Durrësi

Rama nuk la pa përmendur edhe përgjimet duke i cilësuar si baltë të hedhur mbi kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dakor. Kryeministri bëri një vlerësim për punën që Dako ka bërë në 12 vite në krye të qyteti duke e transformuar atë tërësisht. ‘Dako fitoi në një kohë kur në pushtet ishte Saliu me të gjithë skuadrën më të mirë që ka pasur PD-ja në historinë e saj dhe mekanizmat e saj që ju e dini si përdoreshin në kohën e tij. Kur Dako filloi mbi Olldashin dhe të tjerët mendoni se nuk do të mundte dot Grida Dumën me Salianjin.”

Takimi elektoral i kryeministrit Rama në Durrës u shoqërua me protestat e militantëve të opozitës, ashtu siç Basha kishte urdhëruar pas 21 qershorit. Në krye të protestës ishin  ish-deputetët e PD-së për këtë qark dhe kryetari i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri, por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës si Agron Duka dhe të tjerë.

Duke marrë shkas nga kjo protestë, kryeministri Rama nuk i kurseu ironitë, duke i kujtuar kreut të degës së PD në Durrës, Xhaferrit premtimet që ka bërë kur konkurronte për Bashkinë e Durrësit përballë Dakos. “Do ishte kënaqësi e madhe që në Durrës të kishim një kandidat të PD-së që të na tregonte për Durrësin, përveç se të rrisin cilësinë e diellit, që ata e kanë në program dhe ne nuk e kemi” tha Rama për Xhaferrin.

Italia njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh

Vetëm pak çaste nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor për dekretin e Ilir Metës për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i parë në nivel ndërkombëtar. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Italisë, Enxo Moavero Milanesi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Për të dy, ministri italian ka theksuar “rëndësinë ekstreme të pajtueshmërisë absolute me rregullat themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit”., thuhet në deklaratën Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

Më tej, në lidhje me çështjen e shumë diskutuar të zgjedhjeve të 30 qershorit, Ministri ka përsëritur se “pavarësisht ndasive dhe pikëpamjeve midis forcave politike shqiptare, është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe të shprehime mendimet dhe qëndrimet përkatëse në mënyrë demokratike”, ka deklaruara Moavero.

Më tej, po në këtë linjë, ministri italian ka shtuar: “Siguria dhe korrektësia e procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të sigurohet”, i cili do të monitorohet edhe nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, vëzhgues nga shumë vende të tjera, përfshirë Italinë.

Basha do ndihmën e PS: Hiqni Ramët, kriza zgjidhet!

Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës ku është shprehur se qeveria dhe propaganda e saj po punojnë për të minimizuar, atë që sipas kreut të PD, është krimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër. “Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale”, tha Basha. Kreu i opozitës u shpreh se pjesë e kësaj strategjie është sulmi i opozitës, përmes atyre, që sipas Lulzim Bashës, janë akuza të montuara politike.

Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh”, tha Lulzim Basha. Kreu i PD shtoi më tej se zgjidhja e krizës kalon nga çmontimi i mekanizmit të bashkëpunimit krim-politikë, pasi, sipas Bashës, me këta njerëz nuk mund të negociohet.

Kriza ku jemi nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike. Ajo është krizë që ka lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar. Për këtë arsye zgjidhja e krizës politike kalon nga çmontimi I mekanizmit të bashkëpunimit të strukturuar krim-politikë. Politikisht këta njerëz nuk mund dhe nuk duhet të jenë pjesë e asnjë procesi. Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike”, shprehet Lulzim Basha, duke shtuar se “gjithë ata që janë përfshirë në bashkëpunimin kriminal midis krimit dhe politikës, pa asnjë përjashtim duhet të dalin para drejtësisë”, shtoi ai.

Basha, gjithashtu dërgon dhe një mesazh në fund të fjalimit të tij, drejtuar atyre, që sipas tij, janë njerëzit e ndershëm në PS. Basha u kërkon socialistëve “që të bëjnë presion për pastrimin e partisë së tyre nga ndikimi i krimit dhe figurat e krimit”, deklaroi ai.

Kur PD vidhte votat live (dhe s’kish nevojë për përgjime)

Vjedhja e votës në Shqipëri nuk është një çudi e dekadës së dytë të shekullit të XXI. Ajo nis të bëhet fenomen kryesisht pas vitit 1997 e në vijim. Shumë ngjarje të tilla elektorale nuk harrohen lehtë nga shqiptarët, e aq më tepër kur ato janë bërë haptazi, në syrin e gjithë botës, drejtpërdrejtë në ekranet televizive. Maj 2011, Lulzim Basha kundër Edi Ramës për bashkinë e Tiranës.

Ky i fundit e fitoi kryeqytetin me dhjetë vota më shumë, por PD kërkoi hapjen e kutive ku dyshohej se “ishte bërë numërim gabim”. Këtu nisi gjithçka, numërim në KQZ, i transmetuar nga të gjitha mediat, dhe rezultati ishte kthim i vullnetit të qytetarëve, duke i dhënë bashkinë Lulzim Bashës.

Ajo skenë nuk do të harrohet lehtë nga shqiptarët, por në një kohë kur janë publikuar përgjimet e Bild, që japin indicie për blerje vote, rikthimi në kujtesë (me shkrim dhe pamje) i numërimit të votave në 2011, tregojnë se dikur vota vidhej, direkt në transmetim televiziv, pa pasur nevojë për përgjime.

Arben Ristani, ka qenë kryetar o KQZ

Eridian Salianji dhe Genc Gjonçaj, përfaqësues të PS

Idajet Beqiri: përfaqsues i PK që mori mbi 1300 vota

Dialogu i anëtarëve të KQZ, maj 2011:

Arben Ristani: Po tani, shqip flasim e turçe merremi vesh. Shkruan nga pas flet e kontestuar se ka…ka vullnet nga populli ka shkrujt ky, po…punë për të…

Idajet Beqiri: Ore, ju gjetët një votë, ku vajti njëra…se thotë dy, janë dy aty

Arben Ristani: Ta gjejmë së bashku. Ne një gjetëm…

Idajet Beqiri: Po gjetët një, po kush e mori atë tjetrën..Se ju gjeni vetëm të Lul Bashës, po do gjetur dhe tjetra

Arben Ristani: Ta gjejmë bashkë…

Eridian Salianji (PS): Po ti kishit ditur këto të paktën më përpara, të ndërronit kutitë, të sillnit ndonjë tjetër…

Arben Ristani: Atëherë kjo çështje që nga ky moment është në rendin e ditës dhe duhet të marrë një zgjidhje…

Genc Gjonçaj: ore ti mund të bësh ca të duash ore, eeee…ti mund të shpallësh edhe rezultat që ta gjeti ai tjetri dhe jo rezultatin e popullit eeee…

Arben Ristani: Ka votu populli I shkretë ore…

Eridian Salianji: Me leje, mund të kontestoj unë?

Arben Ristani: Po po, vazhdoni kontestoni…

Idajet Beqiri: Në procesverbal thuhet se janë katër, këtu janë gjetur pesë tani…nga doli kjo e pesta…

Arben Ristani: Ja që doli e pesta…Gjendja e faktit aq doli…Po ca rëndësie ka, katër, pesë…ne I hapim, I gjejmë, I numërojmë, I fusim prapë Brenda…aty I ke, si merr njeri…

Idajet Beqiri: Ore kush I shtoi, se janë shtuar rrugës

Arben Ristani: Po Perëndia mbase…

Idajet Beqiri: Po lëre Perëndinë

Arben Ristani: Po lëre se gjynaf, ata njerëz kanë votuar…tia cojmë votën atje ku e kanë nisur

Eridian Salianji: Çoje në bazë të ligjit, jo sic e do ti…

Arben Ristani: Po pse o burr I dheut…se siu vodhën popullit o burrë…Kanë votuar populli I shkretë…

Genc Gjoncaj: Ju nuk e keni merakun të coni votën e qytetarit atje ku duhet, nuk është ky meraku juaj.Meraku juaj është si të rregulloni numrat e atij që nuk ka fituar.

Eridian Salianji: Kjo kuti, mos, mos, mos…një second ore ti djali

Arben Ristani: Vazhdo ti vazhdo me procedurën…Shprehu të lutem ti tjetri

Eridian Salianji: Një second or ti ooooo

Arben Ristani: Vetëm po deshe mos e trash zërin se na tremb o burrë…

Eridian Salianji: Ti je I trembur, kështu ke hyrë që në mëngjes sot këtu…stë tremb dot unë…

Genc Gjoncaj: Nuk dini të bëni deklarata juve …

Arben Ristani: Vazhdojmë me rendin e ditës diskutimet në tavolinë…jo nuk ta jap fjalën…Merre pak kutinë të lutem, ik andej, ik andej…të lutem, largoje atë qerosin (Eridian Salianji) që andej…(fillon sherri)…o djema, largojini pak këta djemtë…largojini këta djemtë…

Basha, protesta në çdo qytet për të bllokuar 30 qershorin

Partia Demokratike ka vendosur se do të ketë protesta në të gjithë Shqipërinë, kudo që të shkojë Rama, duke kulmuar më 30 qershorin, për të mos lejuar procesin e zgjedhjeve. Këtë e ka deklaruar vetë kryedemokrati Basha gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë Blu me partitë e opozitës dhe me ish deputetët, ku kërkoi nga strukturat e partive opozitare që të ketë mobilizim sa më të madh qytetar.

Gjatë takimit Basha ka cilësuar se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor dhe u ka kërkuar krerëve të bashkive opozitare  një revokim i listave të zgjedhësve. Lulzim Basha ka kërkuar që të bllokohet procesi zgjedhor në të gjitha bashkitë ku drejtojnë të zgjedhurit e djathtë.

LISTA E ZEZË/ Pse e “zëvendësoi” Lulzim Basha molotovin me familjarët në protestë?

Nga Ardit Rada/

Nëse e dëgjoni Lulzim Bashën se do të marrë bashkëshorten në protestë, ta dini se të nesërmen nuk do të ketë molotovë dhe kapsolla. Do të jetë gjithçka e qetë, tamam si një protestë europiane.

Kështu do jetë dhe sonte, kur opozitarët të parakalojnë në Bulevardin e Tiranës. Me një dalje në stil të gjerë në emisionet e darkës një ditë më parë, Basha, Kryemadhe dhe disa zyrtarë të tjerë të opozitës habitën njerëzinë kur veshën kolektivisht lëkurën e qingjit, duke përsëritur pafund frazën “nesër s’do të ketë asnjë akt dhune në protestë”! Kjo ndodhi pasi na kanë thënë nja njëqind herë se nuk e drejtojnë ata “zemërimin e Sovranit” dhe se nuk kanë asnjë influencë mbi dhunën në protesta!!!

“Unë do dal me vajzat e mia, me gruan time në protestë. Kemi marrë të gjtha masat për të parandaluar incidente. Nuk ka shërbëtor nga Beogradi që të vijë dhe ta mbrojë më Ramën. Fundi i tij do të vuloset nesër me një protestë qytetare paqësore” – tha dje Basha, duke futur pa vend edhe Beogradin në punët e krizës shqiptare. Por edhe duke iu dhënë të huajve mesazhin më të fortë që mund të japë: Më besoni se do jemi të qetë, po marr me vete edhe gruan e fëmijët…

Në fakt skenari mund të jetë pak më i ndryshëm, sesa ai i një krize të papritur moderimi të liderëve të opozitës. Thuhet se ambasadat më të rëndësishme perëndimore në Tiranë kanë dalë mbrëmjen e djeshme jashtë rreshtave të deklaratave të zakonshme. Përflitet se një kërcënim i hapur është bërë nga një ambasadë e fuqishme në Tiranë, për t’i skeduar partitë opozitare në listën e zezë të organizatave e lëvizjeve politike në botë. Dhe një hap i tillë dihet se çfarë pasojash imediate sjell për cilindo që e sheh veten në listë.

Këto fjalë i përforcoi sot dalja e zakonshme e ambasadave, para protestës, me deklarata të forta që dënojnë dhunën mbi KZAZ-të në disa qytete të vendit dhe bëjnë thirrje të mos cënohet procesi elektoral.

Basha, Kryemadhi në kor… për paqen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me protestën e 21 qershorit. Ato thanë se askujt nuk do i preket asnjë fije floku gjatë protestës ditën e premte, gjatë prononcimit në një media televizive, ndërsa theksuan se janë marrë masa edhe për të shmangur provokacionet  e mundshme që mund të ndodhin.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se do të jenë në protestë me familjen dhe vajza e tij, duke treguar se në protestë nuk do të ketë asnjë lloj kërcënimi për qytetarët, të cilët do i bashkohet. “Unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.

Basha tha se nuk do të lejojnë që në protestë të ndodhin provokacione që padrejtësisht i adresohen opozitës, duke shtuar se nuk do t’i preket asnjë fije floku asnjë polici apo qytetari. “Përpjekjet për të amnistuar krimet me të cilat është kapur në flagrancë Edi Rama, duke inkriminuar opozitën kanë dështuar tashmë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qenë në komunikim sot dhe dje.” – tha Basha

Në të njëjtin linjë ishte edhe kryetarja e LSI, Kryemadhi, e cila theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe se opozita do e menaxhojë me përgjegjshmëri të plotë. “Protesta do të jetë paqësore, do ta menaxhojmë me përgjegjshmëri të plotë. Nuk kanë faj policët e shtetit. Mos harroni që nuk është më tashmë në dorën tonë, çdo ditë që Rama provokon populli aq më shumë irritohet.”

Basha në rrugën e arsyes, Meta “lan duart” nga dhuna, Rama gati për dialog. A thua paqja afër?

Lulzim Basha jep sinjalin e parë se është gati për të bërë një marrëveshje politike për zgjedhjen e krizës në vend? Nga selia Blu, Basha foli këtë të enjte pasdite në një konferencë për shtyp, ku dha sinjale se mund të futet në rrugën e dialogut, por ai vendos një kusht të ri. “Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave”, tha Basha. Por deri dje, Basha nuk fliste për marrëveshje. Deri dje Basha fliste vetëm për një gje: pika numër 1, ishte një tjetër: Rama ik. Në deklaratë gjithsesi Basha e klasifikoi Kryeministrin si kreun e bandës, por duket se fokusi ishte tek pergjimet dhe jo tek akuzat politike. Dhe tek përgjimet e BILD, emrat e përfolur janë të tjerë….

Nëse i sheh gjërat kështu, edhe dalja e Arta Markut të enjten në Kuvend, ishte si dalje nën presion për të shpejtuar hetimet e të famshmeve dosje 339 dhe 184. Duke sikur palët janë në kërkim të dhënies së sinjaleve dhe garancive për një marrëveshje të mundshme, të negociuar sigurisht nga ndërkombëtarët.

Nëse dëshiron t’i besosh jo vetëm intuitës, jo vetëm deshirës se mirë që ky vend të mos shkojë për lesh, të paktën duhet t’i besosh fakteve. Dhe fakt është se dhunë të enjten nuk pati. Askund. Edhe Voltana, ndryshoi qendrim me shpejt sesa c’do ndryshonte modelin e flokëve. Tani ajo thotë se do të marshojë qetesisht kundër Ramës të enjten ne darkë.

Pra, lexuar ndryshe, Edi Rama dhe Lulzim Basha, pavarësisht shumë ndasive, po arrijnë në një pikë të përbashkët, ndëshkimin e krimeve elektorale. Këtë ka kërkuar Rama publikisht prej ditës që kanë dalë përgjimet, këtë po kërkon sot dhe Basha. Deklarata e Ramës e bërë mbrëmjen e së mërkurës fliste pwr vullnetin e tij pwr dialog, megjithwse kaloi heshturazi nën zë nga shumë media, ndonëse edhe për shkak të publikimit të audiopërgjimeve të reja të nxjerra nga gazeta gjermane Bild.

Gjithsesi deklarata e Bashës është ndoshta sinjali i parë nga Selia Blu se mundësia për marrëveshje është rritur. Cuditërisht pak më herët, në të njëjtën valë ishte edhe Presidenti Meta. Guerrilas për dhjetë ditë rresht, deklarata e të enjtes ishte shumë më ndryshe. Ajo i referohej dekretimit te shfuqizimit të zgjedhjeve në kohën e shkuar. Dekreti sipas tij për  “ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit civivil në vend”, nuk doli sipas pritshmërive. Ndaj, këtë të enjte edhe kreu i shtetit kërkoi që palët të ulen në dialog, pasi sipas tij nuk është koha për matje force. pasdite krerët e kishës katolike (të cilët që prej vitit 1991 kanë luajtur rol zbutës në momente krizash historike), bënë thirrje që të “harrohen britmat kërcënuese, dhe të nisin ato pajtuese”.

Nëse i lexon me kujdes, të tre liderët kryesor, pavarësisht se deri më sot kanë bërë “thyerje krahu”, duket se nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë historike ta çojnë vendin në një konflikt civil me pasoja në jetë njerëzish. Të tre, ndoshta e kanë kuptuar (fatkeqësisht më vonë se të gjithë), se ky zhvillim, nuk do t`i sillte askujt përfitime politike, ndoshta do të ishte fundi politik i të treve, por jo në të njëjtën radhë! Ndaj, arsyeja duket se po fiton terren, vetëm se tashmë duhet që dikush të bëjë hapin e parë konkret drejt dialogut. Nëse këto sinjale do jenë reale, do testohen mbremjen e së enjtes nëse Rama do kontestohet paqësisht në Shkodër, dhe një ditë më pas edhe në Tiranë. Prej dy ditësh pritej një ndërhyrje e fortë ndërkombëtare. Mesa duket rruga nga Uashingtoni në Tiranë, doli më e shkurtër sesa ajo për në Korenë e Veriut. Jo vetëm nga numri i kilometrave. /realstory.al/ 

Leshaj-Bashës: Je i pandehur i shumëfishtë, ke degraduar

Lulzim Basha, gjatë deklaratës të enjten, duket sikur u tërhoq nga kushti i tij i palëkundur për largimin e Ramës për të hapur rrugën e dialogut. Në fjalimin e tij, Basha u fokusua më shumë me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke cilësuar si “veglën e ftohtë dhe të pashpirt të Edi Ramës‘. Basha ishte i qartë kur tha se shumë shpejt ai do të mbajë përgjegjësi për dhunimin dhe persekutimin, që u ka bërë qytetarëve për të mbrojtur Ramën, duke krijuar kështu idenë se ai po ndryshon të akuzuarin nga Rama në drejtim të Lleshaj. Ndoshta kjo është një taktikë e re e Bashës, për të lënë të kuptohet se ndoshta mund të ketë një marrëveshje me kryeministrin, por dikush duhet të dënohet “për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve“.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, Lleshaj  ku e cilësoi Basën si një të pandehur të shumëfishtë që në fakt vepron me dy standarde, natën hedh zjarr dhe ditën bëhet prokuror.

“Lulzim Basha vazhdon të hedhë natën zjarr dhe ditën kërcënime kundër shkollave, zgjedhjeve, Policisë etj. Natën bëhet guerrilas dhe ditën prokuror, ndërkohë që është thjesht një i pandehur i shumëfishtë. Keqardhje për degradimin.” shkruan Lleshaj në Twitter.

Skip to toolbar